Telashet te Zenit Shën Petersburg nuk kanë fund, me situatën që është përkeqësuar ndjeshëm që në momentin kur klubi shpenzoi 80 milionë euro për të blerë Hulk dhe Vitsel. Pas protestave të lojtarëve për rrogën e brazilianit dhe përjashtimit nga skuadra të Denisov e Kerzhakov, vjen reagimi i parë i tifozëve, të cilët kanë dërguar një mesazh të qartë nëpërmjet një pakoje-bombë false për sulmuesin Hulk.
Bomba artizanale, e cila më vonë është mësuar se është false, është gjetur në fushën stërvitore të klubit, ndërsa pranë saj është zbuluar edhe një foto e sulmuesit brazilian me mbishkrimin “Largoni Hulk”, mesazh mëse i qartë për qëndrimin ndaj futbollistit.
“Nuk e përgënjeshtrojmë këtë histori, por as nuk duam të bëjmë komente për të”, tha zëdhënësi i klubit kampion të Rusisë.
Ngjarja ndodhi pikërisht në ditën kur Zenit vendosi të kthente me ekipin e parë sulmuesin Kerzhakov, pasi ky i fundit kërkoi falje për kritikat ndaj Hulk dhe politikës së klubit për të shpenzuar 40 milion euro për të.
Ashtu si Denisov që mbetet me ekipin e të rinjve, Kerzhakov kishte kërkuar një rritje të ndjeshme të rrogës së tij, për t’iu afruar disi 9 milionë eurove që përfiton në vit sulmuesi brazilian që iu bashkua klubit në ditët e para të shtatorit.