Luis Hemilton do të shkëputë lidhjet me skuadrën e Formula 1 ku është krijuar si pilot që në fëmijëri, MekLaren, për të zëvendësuar Mikael Shumaker te Mercedes. Lajmi ka qarkulluar në të gjithë mediat e njohura gjermane në orët e vona të së enjtes, ndërsa pritet që gjatë ditës së sotme apo nesër, të zhvillohet një konferencë për shtyp zyrtare.
Në këtë konferencë të skuadrës gjermane pritet që fillimisht të lajmërohet largimi përfundimtar i Mikael Shumaker nga garat e Formula 1, pas një kthimi jo shumë të suksesshëm që bëri dy sezonet e fundit. Kjo do t’i hapë rrugën Luis Hemilton të pranojë ofertën prej 60 milion paund për 3 sezonet e ardhshme që i ka bërë Mercedes.
27 vjeçari do të largohet pas 14 vitesh nga drejtimi i një makine MekLaren, skuadër që e sponsorizoi dhe e mbështeti që në moshën 13 vjeçare kur ai garonte me makinat kart. Ndonëse kjo lëvizje është cilësuar si e motivuar nga paratë, Hemilton duket se ka zgjedhur ta bëjë atë për të synuar fitoren e titujve të tjerë kampion, të cilët kanë munguar te MekLaren për shkak të problemeve të vazhdueshme që ka kjo makinë.
Nga ana tjetër, te Mercedes ai do të ketë si shef Ros Braun, personi që e ka bindur anglezin të transferohet te skuadra e cila synon të ngjitet në majat e klasifikimit dhe të luftojë për titull, ashtu siç bëri tre vite më parë kur ishte vetëm Braun GP dhe arriti të shpallte kampion bote Xhenson Baton jashtë çdo parashikimi.
Pas largimit të Hemilton, vendin e tij te MekLaren pritet ta zërë një mes Serxho Perez dhe Pol Di Resta, dy pilotët zbulim të këtij sezoni./lajmeshqip
Hamilton eshte nje bastard qe per leke shete edhe prapanicen