Trajneri i Çelsit, Roberto Di Mateo, është i shqetësuar se po mbingarkon Fernando Torres gjatë kësaj periudhe ku ka mungesë sulmuesish në skuadër. Spanjolli është futbollisti i vetëm që ka luajtur në çdo ndeshje të këtij sezoni me ekipin e Çelsit dhe mungesa e alternativave, të kombinuara me problemet e vazhdueshme fizike të Daniel Starrixh, kanë bërë që ai të jetë lojtari i vetëm i repartit të avancuar në dispozicion të trajnerit italian.
“Për momentin nuk ka shenja të mbingarkesës së Fernando, por duhet të shohim me vëmendje këtë situatë”, tha Di Mateo, i cili ka shpenzuar rreth 100 milion euro për blerje në këtë sezon, por pa afruar asnjë futbollist në repartin e avancuar për të zënë vendin e të larguarit Didier Drogba.
“Kjo është ndeshja jonë e 7 në 21 ditë dhe me intensitetin dhe shpejtësinë e lojës së këtyre ndeshjeve është e vështirë për këdo që të luajë në të gjithë takimet. Starrixh u dëmtua tre javë më parë dhe ne shpresonim që këtë fundjavë ta kishim në dispozicion”, tha Di Mateo, i cili ka huazuar sulmuesin tjetër që kishte në dispozicion, Romelu Lukaku, në radhët e Uest Bromuiç.
“Romelu kishte nevojë për minuta loje që të përmirësohej. Nuk jam i sigurt se sa mundësi do të kishte në skuadrën tonë gjatë këtij viti”, tha italiani duke shpjeguar arsyen pse kishte hequr një tjetër alternativë sulmi nga ekipi i tij./lajmeshqip