Venger ndalon shtrëngimin e duarve te Arsenali

6 Tetor 2012, 10:28Sport TEMA

Arsen Venger ka ndalur shtrëngimet e duarve mes lojtarëve të skuadrës së tij dhe ka dezinfektuar fushat stërvitore të Arsenalit për shkak të një virusi që është përhapur në klub. Per Mertesaker ishte viktima e katërt e këtij virusi, pasi kaloi ditët e fundit me kollitje dhe me të vjella, duke qenë në dyshim për takimin e sotëm ndaj Uest Hem.

Teo Uollkot ishte i pari që u sëmur, ndërsa kjo ndodhi pasi ai u grumbullua me kombëtaren e Anglisë, që në fillimin e shtatorit përdori terrenet e Arsenalit për t’u stërvitur.

Tomas Vermalen dhe Fransis Kokelin nuk janë aktivizuar në disa ndeshje për shkak të këtij virusi dhe disa anëtarë të stafit gjithashtu kanë munguar për ditë të tëra sepse nuk kanë qenë në gjendjen më të mirë shëndetësore.

Kjo ka shtyrë Venger që të urdhërojë dezinfektimin e plotë të dhomave të zhveshjeve si dhe të fushave ku zhvillohen stërvitjet. Nëpër muret e klubit janë vendosur edhe njoftime që u kujtojnë futbollistëve se si transmetohen viruset nga një person te tjetri, ndërsa është anuluar rituali që lojtarët kryenin para stërvitjes duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.

“Ky është një justifikim i mirë për të mos shtrënguar dorën e kundërshtarit para ndeshjes. Nëse i shtrëngojmë dorën, virusi do të përhapët në të gjithë kampionatin”, tha me humor Venger në konferencë për shtyp.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje