Mesi: Ka shumë rrugë drejt titullit

8 Tetor 2012, 12:47Sport TEMA

Lionel Mesi insiston se ka ende shumë rrugë drejt titullit kampion për skuadrën e tij pas barazimit 2-2 mes Barcelonës dhe Real Madrid, që ruan të pandryshuar diferencën prej 8 pikësh mes dy skuadrave.

Futbollisti i Barcelonës që shënoi 2 gola në këtë sfidë, mendon se barazimi ishte një rezultat i drejtë, pro nuk do të ketë asnjë ndikim në luftën për titull, pasi sezoni është i gjatë.

“Ishte një ndeshje shumë e bukur, ne mund të fitonim, por edhe ata mund të fitonin. Ne kërkojmë gjithmonë një sukses por nuk është kaq e lehtë. Luanim kundër Real Madrid dhe e dinim që do të ishte e komplikuar. Tani diferenca mund të kishte qenë vetëm 5 pikë”, tha argjentinasi duke lënë të kuptohej se fitorja mund t’u kishte shkuar edhe madrilenëve në këtë sfidë.

“Ne luajtëm për rezultat por e dinim që përballë kishim një Real Madrid shumë të mirë, me futbollistë shumë të mirë. Jemi ende 8 pikë para por jemi të ndërgjegjshëm që ka shumë për t’u luajtur”.

“Nuk flas asnjëherë në mënyrë individuale, pasi mendoj se askush nuk është special. Ndeshje të këtij lloji motivojnë këdo që të luajë mirë, jo vetëm mua dhe Kristiano Ronaldon”, tha ai duke iu referuar lojës së dy yjeve që shënuan secili nga dy gola duke hyrë në librin e historisë së futbollit spanjoll.

Kristiano Ronaldo u bë futbollisti i parë që shënon në 6 “El Clasico” radhazi në të gjitha turnetë, ndërsa Lionel Mesi u bë futbollisti i parë që shënon 100 gola në stadiumin “Kamp Nou”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje