Qendërmbrojtësi i Brazilit, Tiago Silva, u ka kërkuar tifozëve të kombëtares të tregojnë më shumë durim, në mënyrë që të mos përsëriten më skenat e një muaji më parë kur “seleçao” u vërshëllye gjatë një miqësoreje.
Fitorja e ngushtë 1-0 ndaj Afrikës së Jugut la të pakënaqur tifozët e kombëtares, të cilët kontestonin ekipin sidomos për faktin se nuk kishte arritur të fitonte medaljen e artë në Lojërat Olimpike, duke u mundur në finale nga Meksika.
Para dy ndeshjeve miqësore me Irakun dhe Japoninë, lojtari i PSZH ka bërë thirrje që tifozët të fillojnë të mbështetin më fort ekipin kombëtar.
“Sa më pak kontestime që dëgjojmë, aq më mirë për ne”, ishin fjalët e futbollistit për “Globoesporte”. “Idhujt dhe fenomenët lindin një herë çdo 15 vite. Jo gjithmonë do të ketë në kombëtare një Ronaldo, Romario apo Bebeto”.
Megjithatë, ai ishte i sinqertë duke pranuar se ekipi duhej të mësohej të përballonte situata të tilla, nëse protestat e tifozëve do të vazhdonin në dy takimet që luhen në Evropë, më saktësisht në Suedi dhe Poloni.
“Tani na duhet të gjejmë një mënyrë si të menaxhojmë këtë situatë dhe si të mundohemi të dëgjojmë më pak çfarë ndodh në tribuna gjatë ndeshjes”, deklaroi futbollisti, duke lënë të kuptohej se “seleçao” tashmë do të mendonte të luante futboll edhe pa mbështetjen e tifozëve.