Xhon Terri mendon se Çelsi duhet të tërheqë përfundimisht fanellën me numrin 8 të Frenk Lampard, si shenjë nderimi për mesfushorin që pritet të largohet nga ky klub. Tashmë është thuajse zyrtare se ky do të jetë sezoni i fundit i Lampard te Çelsi, pas 12 viteve të jashtëzakonshme me këtë skuadër.
Pavarësisht lutjeve të vazhdueshme të tifozëve të skuadrës që duan të kenë përsëri mesfushorin në ekip, pronari Roman Abramoviç as që ka ndër mend t’i ofrojë atij një kontratë të re përtej asaj ekzistueses që mbyllet me përfundimin e sezonit.
“Të jesh i tronditur nga ky lajm është një nënvlerësim. Ne duhet të tërheqim fanellën me numrin 8 të Lampard në shenjë respekti”, ishte komenti i kapitenit të Çelsit në një rrjet social, pasi u publikua deklarata e menaxherit të lojtarit, i cili pranonte se mesfushori po shihte alternativat e të ardhmes.
“Aktualisht, Lampard po mendon vetëm për të tanishmen, me pak fjalë Çelsin. Sa për të ardhmen, e vetmja siguri është se ai do të ndryshojë skuadër në fund të sezonit. Frenk dëshiron të luajë për një skuadër të madhe, e aftë të konkurrojë për objektiva të rëndësishëm dhe ku ai mund të fitojë trofe të tjerë. Nuk përjashtojmë asnjë mundësi, e vetmja gjë që ka rëndësi është që lojtari të jetë i lumtur dhe të vazhdojë të luajë në një nivel të lartë. Seria A? Pse jo! Vetëm koha mund të tregojë nëse Lacio është një destinacion i duhur”, ishte komenti i menaxherit Stiv Kutner.
Ndërkohë, blutë kanë zyrtarizuar lëvizjen e tyre të parë të merkatos në vitin 2013, duke nënshkruar me sulmuesin 27 vjeçar Demba Ba, i cili u transferua te londinezët për 7.5 milion paund nga radhët e Njukasëllit.