Drone Guy

8 Janar 2013, 11:12Politika TEMA

Ai do jetë kryespiuni i ri i Amerikës, shefi i shërbimit sekret legjendar CIA.

John Brennan, 57 vjeç, është emëruar zyrtarisht nga presidenti Obama në krye të agjencisë së inteligjencës në SHBA.

John Brennan është prej vitesh një nga këshilltarët kryesorë të presidentit në fushën e anti- terrorit. Vrasja e shefit të Al Kaedas, Osama bin Laden në vitin 2011 është një nga sukseset më të mëdha të tij.

Ai ka mbikëqyrur operacionet e nisur nga Obama për eliminimin e elementëve terroristë përmes sulmeve me drone (avionë pa pilotë, të telekomanduar në distancë). Për këtë arsye CNN e quan atë ‘drone guy’ (njeriu i drone-ve).

Brennan cilësohet si një njeri i zgjuar, i ashpër dhe i vendosur.

Si zëvendësshef i Sigurimit Kombëtar, ai pranoi në prill 2012 ekzistencën e një programi sekret për eliminimin e terroristëve me drone. Edhe pse aktivistët ankohen se shpesh viktima të këtyre sulmeve janë civilë të pafajshëm, ai thotë se këto operacione janë të ligjshme, etike dhe të arsyeshme.

Mediat amerikane thonë se më shumë se 3 mijë njerëz janë vrarë nga sulmet me drone. Aktivistët thonë se shumica janë civilë. Ekspertët thonë se këto sulme janë katërfishuar në periudhën Obama.

Ndërkohë sot BBC raporton se një sulm i tillë ka vrarë shtatë militantë islamikë në veri të Pakistanit.

Zyrtarët thonë se mes të vrarëve ishte edhe një drejtues i Al Kaedas.

Javën e shkuar sulmet me drone vranë komandantin taliban Mullah Nezir.

Sulmet me drone janë objekt përplasjesh mes SHBA dhe qeverisë së Pakistanit, që ankohet për jetët e civilëve.

1 komente në “Drone Guy”

  1. davidi says:

    ky meqe perdor drone nuk do ti lyeje duart me gjak si i thone nje fjale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje