Nga Griselda Qosja
“Të jesh femër në Shqipëri”, “Çfarë do të gatuajnë femrat VIP për festat e fundvitit?” “Femrat më pak të paguara se meshkujt në Shqipëri” – janë vetëm disa prej titujve të shumtë që popullojnë shtypin e shkruar në vendin tonë, ku fjala femër përdoret krejt pa vend, shëmtuar, jo vetëm nisur prej një qasje estetike, por edhe sociale. Të hasësh në grua në vend të femër, në Shqipëri është fort e vështirë e që gjendet më së shumti si zgjedhje origjinale e njerëzve të kujdesshëm, se sa si normë etike në të folur e shkruar.
Prej kohësh më shqetëson tashmë përdorimi në masë i femër, jo vetëm në gjuhën e folur, por edhe në shtypin e shkruar. Të përdorësh të parën në vend të së dytës, përveçse në ato raste kur edhe gjen përdorim në një kontekst mjekësor, është aspak e pranueshme. Në asnjë rast grua dhe femër nuk kuptojnë të njëjtën gjë. Duke iu referuar fjalorit të Oksfordit, fjala femër mbart e përcjell një kuptim tërësisht biologjik që kufizohet me përkatësitë riprodhuese të një qenie; çka mund të jetë edhe një lule, shpend a kafshë. Është pikërisht fjala grua, e cila bën dallimin mbi përkatësinë njerëzore dhe sociale. A ka rendësi nëse përdorimi është i paqëllimshëm? Sigurisht që po, fjalët janë ngandonjëherë sfida më e ashpër me të cilën duhet të përballemi dhe gjuha në vetvete një prej mjeteve themelore që mbështet perceptimin e qenësisë sonë.
Për të ilustruar do të sillja një shembull prej kulturës gjuhësore shqiptare ku togfjalëshat a shprehitë si “Ti nuk je burrë!”, “A je burrë a jo?”, “Fjalë burri”, së pari tregojnë mbi një kulturë në të cilën nocioni i burrërisë është zotërues duke e perceptuar të qenit grua si një gjendje më inferiore se ajo e të qenit burrë, ku edhe fjala nuk mbart të njëjtën peshë. E së dyti tregon mbi rëndësinë që fjalët mbartin në komunikimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve. Duke nisur prej të njëjtit arsyetim të thuash “Ti je kalama” një burri të rritur, kryesisht ruan një ngjyrë negative. Ndaj në një vend ku përcaktimet që i veshim njëri- tjetrit mbartin rëndësi të veçantë dhe ku burri është figurë zotëruese ndaj asaj së gruas, të përdorësh femër në vend të grua, është krejtësisht e papranueshme. Si shembull jashtë kontekstit lokal do të sillja luftën e skllevërve për t’u njohur si qytetarë, e ku gjatë segregacionit në jug ata përdornin parullat “I am a man, not a thing/ Jam një burrë, jo një send!” Merreni me mend ç’fyerje do të qe për ta, përcaktimi si males/meshkuj, prej qytetarëve të lirë, duke i moshuar qenësisë së tyre biologjike dhe jo asaj sociale.
Përgjatë viteve gratë kanë luftuar për pozicionin e tyre në shoqëri, për lirinë e për te drejtën e votës. Vetë termi femër mbart me vete një mungesë evoluimi, një atavizëm gjuhësor, në mënyrën se si perceptohej gruaja në një shoqëri të pazhvilluara ku gruaja kishte rëndësi vetëm për atributet e saj gjinore. Ndaj të cilësosh si femër një grua, do të thotë ta përcaktosh atë si një gjallesë, e jo si një qenie njerëzore.
Është për të ardhur keq që jo rrallëherë gra të njohura për publikun për kontributin e tyre në çështjet gjinore, shpesh shfaqen të prezantuara nën peshën e titujve si sociologe, aktiviste për të drejtat e grave a diçka tjetër e këtij lloji, as edhe një herë të vetme teksa i referohen grave, nuk përdorin fjalën grua, por femër. E kjo është shqetësuese se njerëz si më lart me doemos ngandonjëherë edhe japin mësim e kanë edhe një ndikim përse jo, domethënës në krijimin e modeleve të caktuara tek të tjerët.
Megjithatë, nuk jam assesi kundra përdorimit të fjalës femër në kontekstin e duhur si për shembull “organet femërore riprodhuese apo bletët femra”, por për moszëvendësimin e kësaj fjale me fjalën grua në të folurin e përditshëm dhe në shtyp. Është e vërtetë që në shumë vende perëndimore fjalët femër dhe mashkull, nuk përcjellin vetëm një kuptim biologjik tek dëgjuesi/lexuesi, por janë fjalë që shpesh përdoren me qëllimin për të treguar superioritet dhe inferioritet në rrethana të caktuara. Ndër të tjera të dyja fjalët ruajnë edhe një konotacion të përkatësisë klasore; në raste të caktuara dikujt i drejtohemi me emrin zonjë/zotëri ose në të tjera burrë/grua, vështirë që gazetarët e folësit tanë publikë të përdorin fjala bie, femër në vend të grua, për zonjën e parë të Republikës. E cila sigurisht në vrazhdën e këtij arsyetimi cilësohet si zonjë, e jo si femër, madje as si grua jo, por zonjë dhe e para madje, për të bërë dallimin se mes zonjave në vend ajo na qenkërka e para, duke e lëne krahasimin të mbetur mes zonjash bash si në kohërat e monarkëve ku gruaja e sovranit renditej e para mes zonjave të oborrit.
Ajo çka më shqetëson nuk është veçse mos përdorimi i drejtë gramatikor, por mungesa e kujdesit për të ruajtur një art të caktuar të të folurit dhe i mungesës së asaj e cila kushtëzon të folurën në publik që është tregues me së shumti i edukimit dhe qëndrimeve që folësi ka të ndërtuara në mendje. E thënë më thjesht, nëse ndesh në media akdo që lë shijen e dikujt me një edukim të mire, e që përdor fjalën femër/mashkull në vend të burrë grua, me vend mendoj se kjo vjen ose si rrjedhë e mungesës së dijes mbi çështjen e përdorimin e drejtë, ose është çështje dëshire a zgjedhje. Në të dyja rastet në mendimin tim, njësoj e turpshme.
Ndaj do t’i isha mirënjohëse kujtdo që do të zëvendësonte fjalën femër/mashkull me grua/burrë, si shenjë kujdesi më së pakti, gjuhësor e kulturor ndaj njerëzve duke mohuar kategorizimin e tyre veçse si qenie me aftësi e funksione biologjike.
Shume e drejte. Edhe mua me ka vrare veshin nje perdorim i ketyre fjaleve. Me eshte dukur sikur e marrin njeriun vetem si qenje biologjike, e aspak shoqerore.
Zj. Griselda! Krahas përgëzimit, madje dhe falenderimit për kontributin që sjellë me këtë rast, për një problem të tillë, i pa rëndësishëm në dukje, do të formuloj dhe një ,,kritikë”: Pse u ,,zgjove” me kaq vonesë? Po, nejse… Po ta falim se të ,,kemi Xhan”! Problemi që trajtoni ju, qartë dhe bindës, më ka lënë përshtypje as pak të këndëshme qysh në ,,kohët e shkuara” kur gruaja nisi të ,,vlerësohej” si ,,forcë e madhe” e shoqërisë…. Edhe atëhere përdoreshin vend e pa vend, në të folur e në të shkruar emërtimet ,,femër”, ,,mashkull” për qenjen NJERËZORE” Nuk e kam pranuar asnjëherë në vetëdijën time një përcaktim të tillë që, ashtu siç dhe nënvizoni ju, një emërtim i tillë, është fyes sepse barazon qenien njeri me të gjitha krijesat e tjera, natyrisht, të gjalla. Veçanërisht fyes është ky emërtim për vajzën, për motrën, për gruan, për NËNËN. Personalisht, nuk e kam pranuar asnjëherë një emërtim të tillë edhe kur ishim të rij dhe ndonjë djalë, që nuk përballonte pasionin e tij djaloshar, kur kalonte pranë ndonjë vajzë e re, e bukur(megjithëse, atëhere, të gjitha vajzat na dukeshin të bukura), lëshonte një ,,AH” dhe nga pas: ,,çfar femre…!”. Do të pranoja me kënaqësi(megjithëse edhe në këtë rast bie në sy diferenca që bëjmë padrejtësisht mes grave e burrave)shprehjen që përdorim në raste të tillë kur një grua kryen një veprim a prezanton një gjest të admirueshëm: ,,Filania është grua(vajzë) burrëreshë…!”: Do të më pëqente vërtetë, kur themi, gjithashtu, në raste kur një grua manifeston kulturë e sjellje të virtutëshme: Filania është Zonjë Grua…!” Por, as një herë nuk ma ka dashur veshi të dëgjojë termin ,,femër” as për çfardolloji rasti e qëllimi. Kritika që adresoni juve ndaj grave dhe vajzave në përgjithësi dhe atyre intelektuale në veçanti, të cilat, ndoshta pa vetëdije, bien në këtë grackë(po e quaj), është e drejtë. Është koha kur tema të tilla, në funksion të rritjes e forcimit të personalitetit e mbrojtjes të dinjitetit të vajzave e grave tona, janë të domosdoshme të trajtohen, jo me fushta… Dëshiroj të ofroj b/punimin tim modest e konkret. Përgëzime, Griselda !
Ne parathenien e librit tim “Ne Sinkron me Natyren”-Veshtrim politikisht i gabuar, i botuar ne vitin 2011, une shkruaj:
Në fund, për të mos patur asnjë keqkuptim lidhur me termat seks, gjini dhe seksualitet, që do t’i hasni në këtë libër, i jam përmbajtur përkufizimit të autores Margaret L, Andersen, në librin e saj “Thinking About Women”:
Seks, gjinia dhe seksualitet, edhe pse kanë lidhje midis tyre, ato marrin kuptime të ndryshme, kur dikush do të shkruajë e flasë për gratë.
Seksi- Ka të bëjë me identitetin biologjik dhe tregon se personi është mashkull ose femër. Seksi biologjik, zakonisht, përcakton edhe gjininë, që ne presim të ketë personi. Por, identiteti biologjik i seksit, jo gjithmonë është i njëjtë me identitetin gjinor. Madje, identiteti biologjik, nuk është gjithmonë aq i qartë sa e mendojmë.
Gjinia-Është kryesisht një koncept social. Gjinia nuk ka të bëjë me biologjinë. Gjinia ka të bëjë me tërësisë e faktorëve sociale, që bëjnë të mundur përcaktimin e rolit të grave dhe burrave në shoqëri. Kur themi “femër” dhe “mashkull” kemi të bëjmë me fakte biologjike. Kur themi grua ose burrë, kemi të bëjmë me një proces social dhe kulturor, që formësohet prej tërësisë së eksperiencave sociale, politike, ekonomike dhe kulturale, në një shoqëri të caktuar. Ashtu si raca dhe klasa edhe gjinia është një konstrukt social, që vendos në një shkallë të madhe për shanset jetësore të personit dhe për marrëdhëniet sociale që ai ndërton me të tjerët. Sociologët e dallojnë seksin nga gjinia, sepse duan të venë në dukje bazat sociale dhe kulturale të gjinisë. Por edhe ky dallim, nuk është gjithmonë aq i qartë sa ç’mund të imagjinohet. Gjinia, jo gjithmonë, përputhet me identitetin biologjik të seksit.
Seksualiteti. Me seksualitet, kuptojmë gjithë atë konstelacion të sjelljeve seksuale, të identiteteve, të sistemeve kuptimore dhe të praktikave institucionale, që përbëjnë eksperiencën seksuale të shoqërisë. Ky koncept nuk është aq i thjeshtë sa duket. Seksualiteti nuk është i pandryshueshëm dhe nuk ka vetëm një dimension. Ai varet nga eksperienca sociale e grupeve të ndryshme shoqërore. Seksualiteti lidhet ngushtë, me marrëdhëniet gjinore në shoqëri .
Është me rëndësi të kuptohet se seksualiteti, seksi dhe gjinia janë procese sociale dhe kulturore, që kanë midis tyre lidhje të brendshme reciproke. Kuptimi në këtë mënyrë i seksualitetit, seksit dhe gjinisë, jep mundësinë të përcaktohet më mirë çdo të thotë grua dhe çdo të thotë burrë, në një shoqëri të dhënë.
Autori
New York, Qershor, 18, 2011
me siguri zonjeza (ka nje fare brishtesi njomcake brenda ? po ta dinte preajardhjen apo kuptimin e fjales GRUA do preferonte fjalen FEMER