Opozita në një varkë

26 Janar 2013, 18:31Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Llampa e Aladinit

Që qershori të jetë fillim i zgjimit demokratik, është urgjente mpiksja e aksionit opozitar. Sesa numri i partive, ka rëndësi mbyllja e rrethit me mbarë spektrin politik për t’i ofruar shpresën elektoratit pa dallim. Realisht e gjithë opozita ndodhet në një varkë dhe kjo si rrjedhojë e intimidimit prej kësaj mazhorance të tabuve demokratike të shenjta për këdo. Ama që vjen vërdallë sepse secili vozit për hesap të vet. Momenti historik domosdon burrëri politike dhe çdo përligje e mosbashkëpunimit, në mos miopi a prepotencë, shihet si alibi e dorës së gjatë të mazhorancës në shkërmoqjen e kohezionit opozitar.

Me fshatin që digjet, nuk e kemi luksin e opozitës që ‘krihet’. Batutat dhe shpotitjet patetike mes llojit për protagonizëm të ‘trastës’ bosh, e bëjnë ndryshimin mision të pamundur Kruizjan sepse askush nga opozita nuk ka llampën e Aladinit dhe asnjë nuk ia del dot e vetme kësaj mazhorance me ‘nëntë shpirtra’. Retorika e predikimeve për ‘parajsën’ e përtej qershorit nuk mjafton për të ngushëlluar elektoratin në mizerjen ku ndodhet dhe ndonëse varfëria është premisë për ndryshim, ajo rrit edhe ‘bursën’ e thesit të miellit elektoral të PD në joshjen e votës. Hendekun e mosbashkëpunimit opozitar nuk e mbush as strategjia perfekte (!) për mbrojtjen e votës kur dihet se krimi elektoral surprizon dhe është gjithnjë një hap përpara sikurse abuzimi është i imunizuar nga ndëshkimi.

 

Agonia e dilemës së bashkëpunimit

Meraku i FRD se afrimi me PS komprometon identitetin e saj, nuk është realist sepse: (a) perceptohet si mungesë besimi tek vetvetja teksa për analogji kjo vlen edhe për PS, (b) mbështetësit e saj nuk limitohen tek ish-PD-istë dhe sensibilitetet ideologjike tejkalohen nga ato për demokratizim dhe nevojës për aleanca efektive, (c) nuk vërehet as aleancë me parti jo të majta, duke filluar me AK, (d) dëshmon komplekse ndaj propagandës së PD ndërkohë që PD për pushtet nuk ka komplekse me kë bashkëpunon, (e) përtej politikës së urtë, rrezikon të perceptohet si politikë e mefshtë që nuk i përgjigjet imperativit të kohës, (f) diskriminon dhe paragjykon vizionin dhe stafin e opozitës kur i referohet trashëgimisë së tranzicionit vulën e të cilit mban çdo parti, FRD përfshirë, (g) eksperienca jonë dhe perëndimore dëshmon se parti të spektreve të ndryshme bashkëpunojnë për interesa madhore demokratike (binomi PD-LSI mbetet thjesht ortakëri për statukuonë e abuzimit demokratik), (h) rasti i PDR dëshmoi se ‘i vetëm trim në luftë’ nuk mjafton përballë PD pavarësisht pritjeve në kancelaritë perëndimore, (i) fushata e qershorit nuk është rutinë dhe krijimi i frymës plebishitare për ndryshim kërkon kohë  dhe nuk kompensohet me aleanca të minutës së fundit, (j) bashkëpunimi opozitar ofron shans për protagonizëm dhe realizim të axhendës në çështje të djathta tashmë sensitive për vetë PS si prona, kompensimi i të përndjekurve etj.

Bashkëpunimi nuk duhet paragjykuar, për më tepër kur ai përmban garanci në terma dhe afate kohore në arritjen e objektivave strategjikë  ku fitues janë të gjithë. Sovraniteti dhe çështja kombëtare, prona, vota, integrimi europian, partnership-i anglo-sakson, gjykatat e media e pavarur,  administrata civile, shërbimet publike, prania e korporatave perëndimore, të përndjekurit, varfëria, brezi i tretë etj probleme madhore sfumojnë çdo arsye për mosbashkëpunim. Me ceitnotin PS – FRD, barra i ngelet AK që novatorizmin në politikë tashmë ta dëshmojë edhe në shkrirjen e akujve opozitarë.

 

Dinjitet kombëtar tej retorikës

Ndër arsyet madhore të aleancës opozitare mbetet çështja kombëtare. Kushtetuta duhet zbatuar dhe së toku me udhëheqësit kosovar është koha për udhërrëfyesin e bashkimit. E po kështu dhe rikthimi i dinjitetit kombëtar ndaj fqinjit jugor duke filluar me definimin objektiv të kufirit, reciprocitetin rreth minoriteteve (greke në këtë anë dhe arvanitas matanë), futjen e çështjes çame në axhendën e palëve dhe adresimin juridik në instancat ndërkombëtare, dalja për zot e shqiptarëve në hapësirat shqiptare në Serbinë jugore, zbatimi korrekt i marrëveshjes së Ohrit, asistenca e komuniteteve shqiptare në botë etj. Me Greqinë na bashkon historia mijëravjeçare, gjaku dhe zakonet ndaj marrëdhëniet duhet të intensifikohen dhe lënia pas e retorikës nacionaliste kalon vetëm përmes respektimit të dinjitetit reciprok.

 

Që t’ia vlejë të votosh!

Vota e lirë dhe përfaqësimi korrekt përmes rishikimit të ligjit zgjedhor është tjetër arsye për bashkëpunim që nuk komprometon identitete partiake. Ligji spanjoll tkurr zgjedhjen e votës, fabrikon mazhoranca pazaresh, dekurajon llogaridhënien ndaj votuesit kundrejt servilizmit ndaj liderit, imunizon abuzimin qeverisës etj. Ligji zgjedhor mund të jetë mazhoritar-proporcional (ligji gjerman) ose STV (votë e transferueshme) për të motivuar votuesin dhe shmangur listat e mbyllura ku meritokracia sfumohet nga servilokracia. Reformim kërkon edhe administrimi i procesit për të shmangur ndikimin partiak në të. E lidhur ngushtë me të, mbetet liria e medias dhe çlirimi i saj nga ndikimi i politikës, klientelizmi dhe ndarja artificiale opozitë-pushtet si deri më sot.

 

Prona të zotit, jo më të zotit

Ligjet që rregullojnë pronësinë mbi tokën duhen rishikuar, 7501 përfshirë. Toka e lënë djerrë t’i rikthehet të zotit sikurse për atë të zënë prej 7501 apo lëvizja migratore në periferitë urbane, të ofrohet kreditim afatgjatë ndaj disponuesit për të mundësuar kompensimin imediat financiar me vlerë tregu të pronarit historik. Kësisoj, si përfituesi me tagrin e 7501 ashtu dhe ai në periferitë urbane do të ndjehen realisht pronar duke përligjur më pas dhe investimet publike në infrastrukturë. Skema e kompensimit duhet të përfshijë edhe pronat e të ardhurve të lëna pas në vendet e origjinës, privatizimet e pasurive publike, partnershipin me investitorët e huaj në projektet turistike në bregdet etj.

Kur ka vullnet, ka rrugë dhe prona nuk njeh dy kute. Ndërsa për banesat e ish-pronarëve zgjidhja ishte arbitrare (zor të besohet se u bë në emër të vokacionit të djathtë teksa përkoi me planin e ri urbanistik në Tiranë), ajo për pronarët e tokave ende kërkon drejtësi sepse jo të gjithëve ua ka falur sulltani. E lidhur me problemin e pronës por në një sens kombëtar, në analogji dhe reciprocitet me fqinjët tanë, tokat në brezin kufitar duhet t’i nënshtrohen të njëjtit regjim, sikurse dhe fqinjët, kur vjen puna për shitblerjen dhe kombësinë e palëve në transaksion.

 

Integrim me dinjitet

Një tjetër arsye për të qenë së bashku mbetet integrimi europian dhe partnerishipi me botën anglosaksone, SHBA në radhë të parë. Faktikisht, BE ende vijon të izolojë qytetarin shqiptar pavarësisht sakrificës historike në mbrojtje të civilizimit të krishterë, kurbanit të 1913 dhe genocidit kosovar dhe çam që ai motivoi, denoncimit të Traktatit të Varshavës, përballimit të dramës kosovare etj, duke përvijuar partnershipin me qeveritë e korruptuara të tranzicionit(!). Paralajmërimi i fundit i BE që lidh fatin e integrimit me fatin e zgjedhjeve të qershorit sesa ftesë e sinqertë për reformim demokratik perceptohet si alibi e radhës për të ngrirë pafundësisht statusin e Shqipërisë në favor të gjeopolitikës së fqinjëve tanë grekë dhe serbë si vijimësi kjo e 1913 famëkeqe. BE e di se me këtë mazhorancë nuk ka gjasa për votë të lirë dhe zgjidhja nuk është izolimi i qytetarit por qeveritarit të korruptuar duke shmangur kësisoj deklarata patetike sikundër ajo e kryeministrit çek që sa kohë CEZ ishte operativ e konsideronte këtë qeveri partnere dinjitoze dhe tashmë në ikje, ‘rrufetë’ ia shkarkon mbarë shoqërisë.

Kriteret e integrimit nuk mund të jenë me kushte pas kushtesh dhe trajtimi i minoriteteve dhe tonet nacionaliste shihen si alibi sa kohë fqinji ynë në BE nuk njeh asnjë minoritet dhe ai në veri, ndonëse ende i kapur nga fantazmat e së shkuarës, mbetet përpara drejt integrimit në BE. Integrimi për në BE nuk kalon përmes servilizmit patetik dhe sfida nuk është trokitja por hapja vetë e derës prej saj. Ndërsa elektorati e ka deklaruar shpesh më votë aspiratën properëndimore, fatkeqësisht të vjedhur më pas dhe pranuar heshtazi prej BE, misioni i opozitës së bashkuar mbetet jo vetëm ruajta e votës së qershorit por dhe vendosja e raporteve korrekte me BE sikurse orientimi pa ekuivok ndaj SHBA pa të cilën nuk ka asnjë shans që kombi shqiptar të zhbëjë mallkimin e 1913 që e vuajmë ende sot.

2 komente në “Opozita në një varkë”

  1. kelmendasi says:

    Opozita ne varke me vrima pra te shpuar

  2. Justiniani says:

    ..SHUME BUKUR..!Shume KOHERENT!THUA TA KETE LEXUAR DHE EDI!..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje