Çelsi ka kërkuar informacion zyrtar rreth trajnerit Manuel Pelegrini, sipas asaj që ka raportuar vetë menaxheri i trajnerit kilian, i cili në të kaluarën ka drejtuar edhe Real Madrid.
59 vjeçari aktualisht drejton Malagan në kampionatin spanjoll, por mendohet se në fund të këtij sezoni do t’i japë lamtumirën klubit që po përjeton vështirësi financiare dhe është shumë pranë falimentimit.
Pelegrini ka përjetuar një karrierë me luhatje në Spanjë, që nga momenti kur mori drejtimin e Vijareal në vitin 2004. Momenti i tij më i suksesshëm me atë skuadër ishte kur në vitin 2006 i çoi deri në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, ku u eliminuan nga Arsenali. Në vitin 2009, ai mori drejtimin Real Madrid, por skuadra përfundoi e dyta pas Barcelonës ndonëse siguroi 96 pikë në kampionat.
Sipas menaxherit Hesus Martinez, si Çelsi, ashtu edhe Roma, i kanë kërkuar informacion atij rreth trajnerit në fjalë.
“Më pak se 15 ditë më parë ne kishim një ofertë nga Roma, por ne e refuzuam menjëherë, pasi jemi në mes të sezonit. Çelsi dhe klube të tjera kanë kërkuar informacion, por nuk është bërë ende asgjë zyrtare. Manuel do të dëshironte shumë të drejtonte në kampionatin anglez, por atij do t’i pëlqente edhe një eksperiencë në Gjermani, Itali apo kampionate të tjera”.
“Ai aktualisht ka një kontratë me Malaga. Besoj se në prill apo maj do ta dimë më me qartësi se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, të shohim nëse ndryshon projekti sportiv i klubit dhe na duhet të marrim një vendim. Qëllimi ynë i parë është të respektojmë marrëveshjen ekzistuese, por gjithçka varet nga kushtet që do të ekzistojnë në klub”, tha Martinez duke lënë të kuptohet se nëse shpërbëhej skuadra e ndërtuar, Pelegrini do të kërkonte një skuadër tjetër. (