Duke udhëtuar brenda të njëjtit avion, ish- diktatori i BRSS komuniste, Josif V. Stalini, ish- diktatori Enver Hoxha dhe udhëheqësi aktual i mishmashit shqiptar Sali Berisha, po diskutonin rreth metodës më efikase që i detyronte kundërshtarët e tyre politik të heshtnin. Si arkitekt i gulagëve që ishte, Josif Stalini këmbëngulte tek syrgjynosja e tyre, lënia gjallë por të izoluar në parrezikshmëri shoqërore, ndërkohë që Enveri mbronte teorinë e plumbit kokës ndaj gjithkujt që niste të mendonte se mund të dilte kundër vijës së partisë. Pas tyre i erdhi radha Sali Berishës, i cili, pasi i bëri të qartë dy diktatorëve se në kapitalizmin demokratik metodat e tyre ishte e pamundur të gjenin zbatim, nisi t’u parashtroj shpikjen e vet. Që në thelb ishte një biçim pleksjeje midis stalinizmit dhe enverizmit. Një metodologji që kënaqte njëherësh diktatorët,por edhe mbrojtësit e parimeve demokratike e të lirive e të drejtave njerëzore. Strategjia berishiste, që i la gojëhapur dy ustallarët e krimeve komuniste, kishte në themel teorinë “hidh gurin e fshih dorën”. Heqjen qafe me lezet të kundërshtarëve të të gjithë llojeve e ngjyrave: politikë, juridikë, civilë,humanë, si dhe të pushteteve të tjera, detyrimisht të pranuara për të funksionuar në sistemet demokratike. E thënë shkurtimisht, gjithsa Sali Berisha u parashtroi dy diktatorëve përmblidhej në togfjalëshin “pushkatim financiar i kundërshtarëve”.
Kjo është barsoleta. Një barsoletë që vazhdon të tregohet sa herë bie fjala për krahasueshmërinë e qenies së vendit tonë nën diktaturë apo në demokracinë, që aq shumë dëshirë ka ta artikuloj, me vend e pa vend, kryeministri dhe shpura e oborrit të tij. Një barsoletë e sajuar, por që brenda strukturës së saj leksikologjike ka realitetin përqasës të dy sistemeve. Dikur, në atë që sot thirret koha e komunizmit enverian, për të hequr qafe kundërshtarët e regjimit aplikohej e ashtunjohura si lufta e klasave, ndërkohë që përjashtimi nga radhët e Partisë së Punës etiketohej “pushkatim politik” (pasojat që vinin i përmban fjala “pushkatim”, ndaj s’ka nevojë për sqarim). Sot, kur komunizmi enverian artikulohet si i marrë fund, dhe lufta e klasave, me bazë ideologjizmin, komentohet si e fosilizuar, “pushkatimi” ekziston qashtërsisht. Jo si parafjalë e prapashtesës “politik”, natyrisht, por si pushkatim financiar. Që është prurje e re në skenën e jetës shqiptare dhe rrugë asgjësimi për gjithë të vlerësuarit si kundërshtarë të kreut dinastik të politikës, kryeministrit në detyrë Sali Berisha. Nga jo pak analistë, “pushkatimi financiar” komentohet, madje, edhe më të keq se lufta e dikurshme e klasave. Për faktin se, nëse kundërshtarët e tij regjimi enverian i trajtonte si të deklasuar, d.m.th u hiqte të drejtat politike, ato civile shpesh dhe juridike, të drejtën për të pasur një vend pune kurrë nuk ua mohonte. Një vend pune të pamerituar sigurisht, por nuk të linte pa u ushqyer. Nuk ta hiqte të drejtën për të siguruar një copë bukë, gjë që nisi të ndodh sapo berishizmi u bë realitet i jetës shqiptare paskomuniste.
Mjaft të ndjekësh pa shumë vëmendje fatin e të pabindurve ndaj politikës arkaike berishiste, për të kuptuar se pushkatimi financiar është arma më prezente, por edhe më efikase për t’i kthyer jo pak shpirtra të thyeshëm antiberishianë në proberishian. Në këtë arsyetim, si Stalini përdorte syrgjynosjen dhe Enveri pushkatimin politik për të shfarosur politikisht e shoqërisht kundërshtarët e regjimit, Sali Berisha përdor pushkatimin financiar për të futur në zgjedhën e qafëheqjes kundërshtarët. Për të detyruar rikthimin e tyre në prehrin e tij shkëmbor,por edhe për të mbajtur të karikuar dashurinë berishiste ndër radhët e të pakënaqurve.
Nga të dhëna jo zyrtare, por edhe të ofruara nga OJF,-që nga frika e pushkatimit financiar nuk dëshirojnë të identifikohen,- mësohet se 100 përqind e personave që kanë dalë hapur kundër berishizmit kanë përfunduar të hequr nga administrata zyrtare. Të gjithë antiberishistët mediatikë rezultojnë zyrtarisht të papunë,me shtrëngesa financiare, dhe jetojnë me ç’të gjejnë. Më shumë se 90 përqind e biznesmenëve që kanë guxuar të mos i binden berishizmit, kanë pësuar trauma financiare deri dhe asgjësim të aktivitetit. Rreth 70 përqind e personave që shërbejnë në administratë i bëjnë hosana berishizmit, edhe pse nuk kanë asnjë grimcë simpatie për mënyrën dhe metodat si ai e qeveris vendin. Kjo shifër pakënaqësie e kalon pragun e 95 përqindëshit kur pyetja imponon dhënien e përgjigjes rreth bashkëqeverisjes me LSI, kundrejt marrjes nga kjo e fundit të 20 përqind të pushtetit. Dhe ajo që e rrit më shumë kuotën e antiberishizmit të fshehur nga frika e pushkatimit financiar është shifra 100 përqind e 150 pedagogëve të pyetur, të cilët japin mësim në fakultete të ndryshme të universitetit shtetëror.
Frika nga pushkatimi financiar!
Është kjo arsyeja që pjesa jo militante dhe jo injorante e administratës zyrtare shtetërore hiqet sikur e pëlqen berishizimin. “S’e dua, por nuk kam ç’të bëj. Më heq bukën e kalamajve”, është përgjigja standard që merr nga antiberishistët e heshtur. Por edhe nga ata antiberishistë, të cilët ndonëse personalisht janë pushkatuar financiarisht, për hatër të ruajtjes së të afërmve të tjerë, të familjes e fisit, qëndrojnë të heshtur. Nga që teoria berishisto-demokratikase e pushkatimit financiar godet në tufë. Si dikur lufta enveriste e klasave, që nuk ndalej tek heqja qafe e individit anti-regjim, por tek asgjësimi i farës së fisit.
Pushkatimi financiar i antiberishistëve, përkundër përfitimit financiar të atyre që i bëjnë fresk berishizmit, është edhe arsyeja që pjesa madhore e medias e publikon bajatueshëm kreun e qeverisë Sali Berisha, edhe kur veprimtaritë e tij nuk përbëjnë lajm. Është frika e pushkatimit dhe sindroma e përfitimit të pamerituar nga proberishizimi, që i bën pronarët e pushtetit mediatik të preferojnë të mos punësojnë gazetarë e drejtues sa më të aftë. Është kjo arsyeja që gazetarët profesionistë antiberishistë i gjen të papunësuar as edhe në ato media që mbahen si serioze dhe jo proberishiste, ndërkohë që është frika e pushkatimit financiar dhe sindroma e përfitimit të pamerituar ajo që i bën pronarët mediatik ta pranojnë raporte shumë më të këqija me shikuesit dhe lexuesit sesa me pushtetin e Berishës. Fati i mbrapshtë i redaksisë së gazetës “TemA” dhe goditja e paprinciptë kriminale e botuesit të saj, sapo guxoi të denoncojë publikisht prapësitë e berishizmit, dhe lulëzimi i një sërë homologeve që i bëjnë fresk pushtetit të maxhorancës, janë pasoja më e pakët që mund të vij nga antiberishizmi.Pasi ka edhe më keq. Ka dhe jo pak zyrtare, ministra, zëvendësa, drejtorë, prokurorë,gjykatës të rangjeve të ulta e të larta, shefa e nëpunës mavri, të cilët, për hatër të frikës nga pushkatimi financiar nuk ngurrojnë të shkelin ligjin duke firmosur në favor të anti-ligjit. Pra në favor të berishizmit që armikun më të madh të ekzistencës së tij ka ligjin kushtetues.
Te lumte z. xhovani.Sali berisha i ka kerrusur kurrizin popullit tone vetem ashtu siç e pershkruani ju,por une do te shtoja edhe vrasjet kriminale te 21 janarit,qe nuk kane nevoje per komente.Te pershendes.dhe te uroj shendet e shkrime te tjera per t’i nxjerre bojen ketsaj qeverie te ndyre. F.nderit
N.q.s. ky popull nuk reagon me voten e fshehte te 23 qershorit athere Shqiperia them me bindje te plote se “privatizohet” nga krimineli Sali Berisha e banda e tij e poshter.
Kam besim se populli do reagoj 100%.
Jo zoti Leone, populli reagon ashtu siç ka reaguar çdo dite dhe çdo fushate zgjedhore por forca politike qe pretendon se i sherben atij jane nje tufe lepujsh qe tremben sa here qe ulerin ujku i Viçidolit. Kjo eshte e verteta qe duhet ta
Joooo Zoti Leone.
Nuk eshte keshtu
Populli ka reaguar gjithmone, çdo dite dhe çdo fushate zgjedhore por eshte forca politike qe pretendon se perfaqeson popullin ajo qe nuk eshte ne gjendje te mbroje plotfuqishmerine e votes se popullit. Jane keta si nje tufe lepujsh qe tremben sa here qe ulerin ujku i Viçidolit.PS , kjo force politike qe nuk eshte e forte per te zoteruar fitore qe i jep populli, kohet e fundit po ben fjale per rotacion duke pranuar keshtu legjitimitetin e qendrimit ne pushtetin e vjedhur te Pd. Kjo eshte shenja paralajmeruese qe do te thote se PD do i leshoj vendin PS pa i hyre gjemb ne kemb per gjithe krimet makabre qe ka bere gjate 8 vjeteve ne pushtet, per gjithe vjedhjet dhe shitjet e interesave kombetare.