Ata ju mashtrojnë

8 Mars 2013, 17:34Blog TEMA

Nga Imer Mushkolaj

Shefa partish e qeverish në Prishtinë e Tiranë është mirë t’i lënë rehat shqiptarët në rajon. Po që se s’mund t’iu ndihmojnë, të paktën mos t’i mashtrojnë.

 

Po të isha në vend të shqiptarëve në Malin e Zi më shumë do t’i besoja, ta zëmë, premtimeve të Filip Vujanovic’it, kandidat për president në zgjedhjet presidenciale të prillit, sesa Hashim Thaçit ose Sali Berishës, në premtimet e tyre euforike dhe joracionale, që s’kanë të bëjnë fare me jetën e qytetarëve në shtetin fqinj.

Mbase shqiptarët edhe mund të fitojnë diçka nga Vujanovic apo të tjerë kandidatë atje, por sigurisht asgjë – përveç rritjes eventuale të adrenalinës – nga adresimet e zjarrta të dy kryeministrave shqiptarë.

Po t’iu besohej Thaçit e Berishës, në Shkup nuk do të kishte mundësi të ndodhnin as incidentet e javës së kaluar. Para pak muajsh, ata çirreshin nga “kryeqendra e vilajetit”, si dofarë romantikësh të vonuar e trima, pa pasur gjë në dorë që të ndikojnë për të mirë në jetën e shqiptarëve të Maqedonisë.

Pak kohë më pas, ndërkaq, lëshonin fjalë të forta në drejtim të Beogradit, kur lapidari i Preshevës futi ne sherr shtetin me qytetarët. Por, gjithçka përfundoi ashtu siç dhe pritej, sepse asnjëri nga shefat e të dy qeverive nuk i ktheu fjalët në vepra.

Do të ishte budallallëk vërtet, po që se shqiptarët në Maqedoni, Serbi e Mal të Zi i marrin si të mirëqena ato çfarë iu premtojnë Thaçi e Berisha. Jo pse këta të dy rrallë mbajnë premtime, por nga arsyeja fare e thjeshtë se nuk kanë se si të ndikojnë konkretisht në jetën e bashkëkombësve të tyre. Ata jetojnë në të tjera shtete dhe duhet të bëjnë çmos për të fituar atë që iu takon dhe për të qenë të barabartë me popullatën shumicë, në të drejtat njerëzore, politike e shtetërore.

Natyrisht, nuk arrihet asgjë duke bojkotuar dhe hezituar për të marrë pjesë në proceset politike, por duke qenë aktivë dhe të vendosur në pozicionimin sa më të mirë brenda shteteve përkatëse.

Më është dukur fort i papjekur vendimi i shumicës së subjekteve politike të Luginës së Preshevës për bojkotimin e zgjedhjeve të vitit të kaluar në Serbi. Në këtë mënyrë, ata kanë zgjedhur me vetëdije të përjashtojnë veten nga një e drejtë që iu garantohet me ligje e kushtetutë, duke bërë që të mos e kenë përfaqësimin adekuat brenda shtetit serb.

Përderisa janë pjesë e atij shteti, duhet të faktorizohen sa më shumë, e jo të ngelin të margjinalizuar dhe të paforcë, në pritje se “një ditë” do të bashkohen me Kosovën. Deri sa të vijë “ajo ditë”, qytetarët e Luginës duhet të provojnë për të përfituar sa më shumë atje ku janë. As Thaçi, as Berisha nuk iu ndihmojnë dot. Ata duhet ta ndihmojnë veten, duke zgjedhur sa më shumë përfaqësues të tyre në parlamentin dhe qeverinë serbe. Shembulli i shqiptarëve të Malit të Zi nuk do t’iu bënte keq. Ashtu si dhe shembulli i boshnjakëve të Sanxhakut.

Shqiptarët e Maqedonisë, ndërkaq, me përqindjen e madhe që kanë, ende nuk po mund të përfaqësohen dhe shfaqen ashtu siç iu takon. Do të ishte mirë t’i harrojnë përrallat me vilajete dhe të tregohen të arsyeshëm. Janë shumë në numër, për të përfituar aq pak.

 

 

Jo koka të nxehura nga fjalime të zjarrta folklorike e patriotike, por mendje racionale iu duhen shqiptarëve në tre shtetet fqinje. Jo fanfare e lavde për të shkuarën, por projektime të qarta për të ardhmen.

Askush nuk po iu thotë që t’i harrojnë aspiratat për bashkim kombëtar por, thjeshtë, të forcohen sa më shumë në rrethanat ekzistuese. T’i injorojnë idetë joreale që shfryhen si tullumbace, e t’i përqafojnë idetë që mund të çojnë përpara.

Hashim Thaçi e Sali Berisha sot, e të tjerë si këta nesër sërish do të provojnë që shqiptarët e shpërndarë në shtetet fqinje t’i shfrytëzojnë për interesa personale, partiake – të luajnë me ndjenjat e tyre dhe t’i mashtrojnë. Ashtu siç po veprojnë edhe liderë subjektesh opozitare në Prishtinë e Tiranë.

T’iu flasin me gjuhë rilindasish të njëqind e kusur vjetëve më parë dhe t’i mbajë të mbërthyer pas ideve të parealizueshme mbase edhe disa dekada të ardhshme. T’i mbajnë pezull me sy kah Prishtina e Tirana, pa pasur mundësi t’iu ofrojnë asgjë më shumë se llafe të kota.

Do të doja shumë që tipat si këta, ta zëmë, të financojnë ndërtimin e një shkolle në Kërçovë, një ambulante në Preshevë ose të një kopshti fëmijësh në Tuz. Këto edhe mund t’i realizojnë, pa pasur nevojë të thërrasin e bërtasin gjithandej, thuajse udhëheqin superfuqi botërore, e jo dy shtete të shkallmuara nga një milion probleme.

Hashim Thaçi e Sali Berisha duhet të kujdesen për shqiptarët jashtë Kosovës e Shqipërisë, por jo t’i keqpërdorin ata për kusuritje të brendshme politike. E po që se ata iu besojnë verbërisht këtyre dyve dhe të tjerëve si këta, që dinë të jenë mjeshtër manipulimesh e lojërash me ndjenja njerëzore e kombëtare, atëherë fajet i kanë vetë.

3 komente në “Ata ju mashtrojnë”

  1. ZADRIMA says:

    Sikur te gjithe shqipetaret te kishin kete vizion ne do te ishim ndryshe. Shkrim me kembe ne toke, urime zoti mushkolaj.

  2. era says:

    Urime per shkrimin. Edhe shume shkrime te tjera me kete fryme, jo vetem per shqiptaret e Presheves dhe Maqedonise, por edhe per leshkot ne Shqiperi dhe Kosove qe akome i shohin si idhuj keta dy gangstere e tradhetare.

  3. gogo says:

    Shkrimi eshte teper igoditur,Makina serbe qe ne kohe ,ka mbjelle vemjet e saj ne trojet ku jetoin shqiptare ,dhe keto irrit iveselit ,imban gati,ne situatat qe asaj inevoiten:Keshtu per komunizmin vendosi Rams Aline ne shqiperi,ne tranzicjon Sali berishen etjere,ne kosove vendosi Ibrahim Rukoven qe embaiti kosoven per 10vje as luft as paqe.Ne UCK,vendosi Asim thacin,qeta devijonte luften por nuk mundi se hakmarrja popullore dhe ndihma e SHBAS,nuk idha mundesi se emerte plumbi ballit.Berisha kur ne kosove behei lufte ndihmonte serbin me nafte ,kur ter bota i kish shpallur bllokade.Shikoni te dy modelistet THacin e Berishen,Kosov-Shqiperi e thoni qe nuk jane te tille….Kuides serbi iveston…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje