Partia Demokratike e Kosovës nuk po ka fat me kryetarët e komunave. Gati nuk ka ndonjë kryetar komune që vjen nga PDK, e që nuk ka probleme me drejtësinë. Me ngritjen e aktakuzës ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe raportimit për fillimin e hetimeve ndaj kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, ky numër ka shkuar në gjashtë.
PDK-së punën ia bëri bërllok ishte kryetari i Komunës së Kaçaniku, Xhabir Zharku, të cilin pasi drejtësia e shpalli të fajshëm duke e dënuar me tre vjet heqje lirie, “pa therrë në këmbë” u arratis nga Kosova. Madje, për të qenë më spektakulare arratisja u bë duke e shfrytëzuar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Edhe bashkëpartiaku i tij, Bajrush Xhemajli arriti t’i shpëtojë burgut, të paktën përkohësisht. Xhemajli, i cili kishte shkaktuar një aksident të rëndë komunikacioni, si pasojë e të cilit pati humbur jetën i riu Labinot Rrustemi, qe dënuar me dy vjet e gjysmë burgim, por para disa ditësh instanca më e lartë gjyqësore në vend- Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kthyer lëndën në rigjykim.
Me gjithë mburojën e forë të partisë të kryeministrit Thaçi, telashe me drejtësinë kanë edhe dy kryetarët aktualë të komunave që udhëhiqen nga PDK-ja, ai i Gjilanit dhe ai Skënderajt, gjegjësisht Qemajl Mustafa dhe Sami Lushtaku. Derisa në rastin e Mustafës prokuroria pretendon se ai ka bërë shkelje të detyrës zyrtare duke ndikuar në dhënien e tenderit, Sami Lushtaku, nga ana tjetër, akuzohet se ka kryer vepër penale të shkeljes së statusit të barabartë të banorëve të Kosovës.
Pa hyrë në detaje të problemeve që këta kryetarë e ish-kryetarë komunash me të cilët udhëheq PDK-ja, kanë me drejtësinë, me të bërat e të pabërat ata dëshmuan se logjika qeverisëse e partisë më të madhe në vend është si ajo e “Ligjit dhe Maliqit”.
Askush më mirë se rasti i kreut të Prizrenit, Ramadan Muja, e dëshmon këtë. Edhe pse prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj tij, ai nuk e ka problem që edhe më tutje të jetë kryetar i një komune. Për më tepër, ai pretendon që të marrë edhe një mandat nën udhëheqje degën e PDK-së në Komunën e Prizrenit.
Në këtë rast, Muja mund të thirret në parimin e presupozimit të pafajësisë, se çdokush është i pafajshëm derisa nuk vërtetohet e kundërta, por çështja e dorëheqjes do të ishte diçka e nënkuptueshme si akt moral, por që kjo në vendin tonë duket se nuk ekziston.
Kemi me qindra raste në vendet e ndryshme evropiane, kur një ministër apo një funksionar publik jep dorëheqje vetëm nëse ndaj tij kanë nisur hetimet, pa pasur një aktakuzë të ngritur apo diçka konkrete, vetëm e vetëm që të mos i pengojë hetimet. Ose ka raste edhe më “ekstreme” kur një ministër jep dorëheqje vetëm për një shkrim të publikuar në medie.
Tjetërkund është kështu por ja që në Kosovë jemi larg, madje shumë larg kësaj kulture qeverisëse.
Sidoqoftë është shumë shqetësuese se si partitë politike, udhëheqësit e tyre, udhëheqësit e institucioneve…, nuk e kanë bërë asnjë hap përpara drejt ngritjes së një demokracie dhe një kulture demokratike të qeverisjes. Kemi hyrë në vitin e 14-të që nga paslufta, dhe gjërat kanë ndryshuar shumë pak. Për të mos thënë aspak.
Këtë më së miri po e dëshmojnë skandalet e njëpasnjëshme që po u dalin në shesh si kryetarëve të komunave, ashtu edhe shumë ministrave të kësaj qeverisjeje. Fatkeqësia këtu është se pjesa më e madhe e opozitës, e shoqërisë civile dhe një pjesë e medieve e kanë mbyllur gojën, sikur s’po ndodh asgjë.
Nëse vazhdojmë të bashkëjetojmë me tërë këto skandale, me tërë këtë korrupsion e me tërë këto parregullsi, janë të mëdha gjasat që të dështojmë. Si shtet dhe si shoqëri.