Ku do të vendoset pas ekspozimit kjo kafkë e realizuar me boce cigaresh?

25 Mars 2013, 13:11Kulturë TEMA

Lumturi Blloshmi  prej vitesh është menduar të kryejë vizatimet e një kafke, e cila do të realizohej në skulpturë me material plastik të tejdukshëm në ngjyrë të verdhë, e mbuluar mbi të me boce cigaresh. Brenda butaforisë një llambë ndriçonte vetëm projektin, ndërsa bazamenti ishte një kuti prej xhami të zi. Kafka me bocet e cigareve e mbyllur në një kub të bardhë prej xhami të tejdukshëm. E gjitha kjo e vendosur në një dhomë të errët me mure të errëta e pandriçuar.

Këtë projekt ajo nuk mundi ta realizonte për shumë kohë, për arsye financiare. Mungesa e një studioje që të gjithë artistët e brezit të saj e kanë. Si dhe kërkimi i realizuesve perfektë të projektit.
Në vitin 2008 ajo e paraqet projektin për ta realizuar në konkursin Onufri. I thanë se projekti i saj tashmë ishte ezauruar nga artisti i madh britanik, Damien Hirst, i cili në vitin 2007, kishte ekspozuar në galerinë londineze ‘Tate Modern’, kafkën e mbuluar me diamante të bardhë, kafka shndritëse dhe e buzëqeshur, “For the Love of God”.

Lumturi Blloshmi, edhe pas përgjigjes së dëshpëruar dhe pamundësisë për ta realizuar projektin, nuk tërhiqet, jeta e ka mësuar të gjejë optimizmin dhe shpresën e mundshme për t’u dhënë jetë projekteve të saj, e kjo sigurisht në emër të jetës. Ndaj e transformon projektin për momentin. Grave dhe pleqve të lagjes që pinin cigare dhe më pas i hidhnin bishtat shkallëve apo në oborrin e pallatit, u dha nga një kavanoz në duar duke u thënë: “hidhini këtu bishtat e cigareve se më duhen mua”. Dhe kështu i lindi ideja që të çelte ekspozitën me kavanozat me cigaret e konservuara, të vendosura në raftet e vjetra të kohës së tejshkuar.

Kështu, në vitin 2008 në galerinë “Zeta” me përkujdesjen e zotëruesve dhe drejtuesve të galerisë, ajo hap ekspozitën “It’s a ëandreful life”. Ekspozita pati suksesin e merituar, por në mendjen e artistes rebele mbeti kafka e parealizuar, ndërkohë mendonte: po me bocet e cigareve çdo të bënte? T’i hidhte, kurrsesi… mezi i kishte mbledhur e aq më tepër ruajtur ato në ballkonin e ngushtë të apartamentit të saj.
Artistja vendosi ta realizojë kafkën me boce cigaresh. Bisedon me bashkëpunëtorët e saj për realizimin e idesë së kafkës. Këtë herë kuratori i performancës është artisti dhe kolegu i saj Edi Hila. Më pas, miqtë Sadik dhe Merita Spahia të gjendur përherë pranë saj. Kërkon të jetë perfekt në realizimin e projektit. I duhet që ambienti i ekspozimit të jetë ndryshe, i populluar dhe jo në galeri arti. Ajo kërkon dhe e gjen gjithmonë miqësisht. Ambienti pranë klinikave dentare dhe shëndetësore, kafeneve, e marketeve, ashtu si Lumes i duhen, në ndihmë i vjen Refiku, biznesmeni i njohur në ndihmë të artistëve, brenda Kompleksit “Halili”.

Kafka e njeriut është një objekt dhe subjekt interesant për artistët e të gjitha mjeshtërive prej shumë kohëve. Kjo pjesë e rëndësishme kockore, e cila mbart shqisat më të rëndësishme të ekzistencës së njeriut, qendrën e jetës, trurin. Këto vlera jetike dhe performative që ka vetë kafka në strukturën e saj, i ka joshur krijuesit e në veçanti artistët. Në të gjitha muzeumet në mbarë botën mendohet se janë 13 kafka kristali me madhësi natyrore, të cilat thonë se përmbajnë informacione vendimtare për fatin e njerëzimit, pasi kristali (kuarci) është një substancë që është në gjendje të tingëllojë, të transmetojë, amplifikojë, magazinojë, të vihet në zjarr dhe të strukturojë energjinë. Përfshi këtu edhe kafkën e kristaltë të quajtur Kafka Apokaliptike, e zbuluar nga Ana-Mishel-Hedges në vitet 1970. Kafkën e kemi parë edhe në postera të ndryshëm, si “Pharmacy” mbuluar me kokrra ilaçesh, maska apo postera të ndryshëm që simbolizojnë forcën apo frikshëm vdekjen, madje të stampuara edhe në veshje, shkruhet në “GSH”.

Ekspozita e fundme e artistes së madhe të artit figurativ, Lumturi Blloshmi, me një vepër kafkiane e nisur jo thjesht nga performanca, e cila është unike, por nga përmbajtja e saj universale është një vepër ekzistencialiste, ku sjell në vëmendje problemet e ditëve tona dhe ndërgjegjes njerëzore në moszbatimin e një ligji, i cili të çon drejt fundit.
Pavarësisht titullit që ajo i vendos veprës “Homazh për Damien Hirst”, i cili gëzon shëndet të plotë në jetën e tij luksoze e familjare, vepra e fundit e artistes Lumturi Blloshmi nuk ka shkëlqimin e Artistit Hirst. Ajo ka shëmbëllimin kafkian. Është një homazh për shoqërinë e konsumit të sotëm, ku konsumizmi global është një ekzistencializëm modern që e tejkalon absurdin kafkian. Lumturi Blloshmi thërret fuqishëm me veprën e saj. Ndërsa artisti miliarder në kushtet më komode të jetesës dhe ekspozimit, kafkën e tij të kushtueshme të mbuluar me 8601 diamante e shet 50 milionë funte. Artistja jonë është në dilemë: çdo të bëhet me kafkën e saj mbuluar me boce cigaresh, për të cilën ka shpenzuar jo pak, si dhe është munduar shumë. Ku do të vendoset ajo pas ekspozimit?/A.XH

4 komente në “Ku do të vendoset pas ekspozimit kjo kafkë e realizuar me boce cigaresh?”

  1. alketa says:

    Pergezimet e mia Lumturi! ide e realizuar mrekullisht! urime!

  2. GREKU says:

    Jepjani ta tymosi E RAMA,mbas ekspozimit…..

    1. Robespierre says:

      Ne seline e PD !

      1. Horri i Bulevardit says:

        Natyrisht ne seline e PD-se kjo kafke shkon me shume se aty eshte pikerisht miku i familjes se Enver Hoxhes dhe nje nga sekretaret e ish PPSH-se Sali Berisha, ndoshta kjo kafke do ta tmerronte sa here ta shifte, do te ishte nje aktakuze.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje