Morali i munguar i një bashkimi të vonuar

2 Prill 2013, 18:35Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

Në kontekstin e sotëm, bashkëpunimi PS-LSI bart kosto politike që nuk mund të anashkalohen sikur të mos ketë ndodhur gjë prej lidershipit përkatës. Edhe ftesa-alibi (sikur të ishte e ‘porositur’) prej eksponentëve të së majtës europiane për të, nuk mund të mos ngrejë vetulla teksa:

(a)  Bie ndesh me moralin politik që rilindja shqiptare pretendon tek sugjeron një manovër bumerang ku nuk distancohet por flirtohet me ç’ka rilindja presupozon të lërë pas.

(b)  Provokon debat të panevojshëm, deri të tejkaluar, duke shfokusuar vëmendjen si prej zgjerimit real të kampit opozitar ashtu dhe mazhorancës në manovrat pragzgjedhore të saj.

(c)  I bën karshillëk përjetimeve, dinjitetit dhe aspiratës së elektoratit për politikë korrekte, duke e marrë të mirëqenë reagimin e tij.

(d)  Rrezikon fragmentarizim të mëtejshëm të aksionit opozitar (në pikëpyetje afrimi me AK, FRD etj), cenon kohezionin e koalicionit të PS (‘xhelozi’ politike prej afrimit me LSI) dhe provokon konfuzion në elektorat.

(e)  Perceptohet si jo etike në intimidimin e integritetit të votuesit, në analogji me lëvizje të kritikueshme të emisarëve të së djathtës europiane në promovim të PD.

(f)  Mbetet ndërhyrje e vonuar teksa në 4 vite kishin raste plot të ushtronin presion efektiv ndaj përçarjes të së majtës dhe deformimeve demokratike, në imponim dhe jo tërheqje, ndaj të djathtës europiane.

(g)  Indiferentizmi tradicional i së majtës europiane, e bën ftesën në fjalë, sesa shqetësim të natyrshëm, një veprim të porositur jo për të nxjerrë LSI blof dhe hequr çdo iluzion rreth saj por si alibi për bashkëpunim (për më tepër që mbeten apele individuale dhe jo forumesh duke u paragjykuar si shkëmbime favoresh personale).

(h)  Ndryshe nga e djathta europiane që e ka mbrojtur PD edhe atëherë kur ishte e pamundur, e majta europiane ka dëshmuar mefshtësi ndaj fatit të së majtës dhe demokracisë, ndaj këto thirrje nuk kanë garanci dhe rrezikojnë sërish të lënë elektoratin në vetminë e tij nëse vota abuzohet sërisht.

(i)  Kjo thirrje i jep ngjyrim të fortë ideologjik fushatës elektorale, ndërkohë që sfida nuk është ideologjia por vlerat e përbashkëta demokratike – vota e lirë, prona historike, shteti ligjor dhe sovraniteti kombëtar. Në një vend ku të majtët hiqen si të djathtë apo e kundërta, filli i përbashkët i frymës opozitare duhet të jetë aspirata për rregulla loje në demokraci.

(j)  Fati i demokracisë nuk varet nga fryn ‘era’ e ideologjisë ndaj pozicionimi opozitar me ‘ambalazh’ majtas, dëmton kohezionin e koalicionit ekzistues dhe shanset për zgjerim të tij veçanërisht me AK apo FRD, ngurrimi i të cilave do të përligjej me refuzimin e shndërrimit në shtojca të një kampi të ‘majtë’ me efekt si në identitet, ashtu dhe rilindjen e së djathtës.

(k)  Miqësitë e tyre personale me politikanët shqiptarë, sesa bekim, kanë rezultuar qeder për votuesin shqiptar të dënuar të mbijetojë në një tranzicion rraskapitës, mes të tjerave, edhe prej mbështetjes që lidershipi problematik shqiptar, ka gëzuar prej emisarëve politik europian.

(l)  Ndërsa ndërhyrja do të ishte e përligjur nëse do të fokusohej tek programi elektoral dhe teknikat e komunikimit me elektoratin, përtej saj, në mos e porositur, perceptohet si arrogante duke dëshmuar inferioritetin pafund karshi çdokujt që nuk flet shqip (pa e ngatërruar me respektin dhe mirënjohjen për botën anglosaksone dhe kontributin dhe vëmendjen e saj në çështjen kombëtare).

‘Skelete’ në dollap

PS dhe LSI duhet të bashkohen, bile janë të vonuara, sepse elektorati është një. Përçarja dhe pengesa për bashkim mbetet përgjegjësi e lidershipit partiak që e shndërroi kauzën në sfidë personale duke e thënë fjalën e fundit të parën, me ndezje pasionesh artificiale në bazë.

Pavarësisht kontributit në politikë, lidershipi ekzistues mbetet peng i së shkuarës. Njëra palë korri vota majtas dhe u kuturis në një qeverisje djathtas të identifikuar me korrupsionin elitar, 21 janarin, 8 majin deri me cënimin e interesit kombëtar me faljen e ujërave detare etj, ndërkohë që pala tjetër nuk përmbushi pritshmëritë si me rendjen pas trofeut të katërt të kryebashkiakut (përveçse ‘kostum’ i ngushtë me ambicien paralele për kryeministër ajo ngrinte pikëpyetje rreth kontratës me tiranasit në rast fitoreje si kryeministër), vizionin me protestat ‘hapni kutitë’, shembullin personal gjatë grevës së urisë, administrimin e situatës tragjike të 21 janarit dhe abuzimit të 8 majit etj.

Morali i një bashkimi të vonuar

Që ky bashkim të ketë moral dhe nëse prioritet për lidershipin opozitar është jo karriera politike por fati i fitores së opozitës së bashkuar dhe ngritja e siparit të rilindjes, pas keqardhjes në publik, shtrëngimit të duarve dhe apelit për kohezion, duhet të shoqërohet me dorëheqje individuale (para apo pas zgjedhore) dhe unifikimin nën një lidership të ri. Askush nuk është i pagabueshëm sikurse askush nuk është i pazëvendësueshëm dhe rilindja nuk ka ‘brirë’.

Në të kundërtën, ky bashkim mbetet i kompromentuar dhe ai jo vetëm zhbën kartën e rilindjes shqiptare në duart e opozitës por dhe i jep një dorë imazhit të mazhorancës (afrimet e fundit, koalicionin me LSI etj) dhe argumentit se në politikë të gjithë janë njësoj(!). Nëse rilindja reduktohet në puthjen e dorës që nuk arrin ta kafshosh, nuk është gjë tjetër veçse doza e radhës e ‘hashashit’ elektoral që ushqen prej dy dekadash qerthullin e tranzicionit pafund. Me topin tek votuesi, sfida mbetet tek ai që të mos tymosi më ‘drogën’ e tranzicionit të ambalazhuar me ‘firmato’, por të hedhë sytë gjetiu dhe votojë për vetveten.

4 komente në “Morali i munguar i një bashkimi të vonuar”

  1. Meleku says:

    Akoma nuk po e kuptoni se jeni vetem njerez te perkohshem.

    As nuk pyet kush e as nuk u respekton kush. Sa lart e vrisni duke bere moral, ne nje vend ku morali as qe ka ekzistuar ndonjehere, por ka qene dhe mbetet thjeshte nje fjale ne fjalor sa per te treguar sasine e fjaleve te gjuhes shqipe!

    Morali nuk eshte bile as fjale shqipe, por nje huazim!

  2. luis says:

    Hera e pare qe po me pelqen Meleku me kete koment.

  3. ali says:

    Zoti Rama m’a prishe qejfin me kete the fund it.nuk ke gjet as kohen she as vend in.
    I dhe elektorat kundershtareve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje