FRD, një “sprovë” për qytetarin

23 Prill 2013, 19:43Blog TEMA

Nga Redan Bushati

Një lëvizje e vështirë, sidomos nga pikëpamja elektorale, por që mban kartën e moralit dhe pacënueshmërisë njollosëse. Fryma e Re Demokratike, një parti e qendrës së djathtë, që drejtohet nga ish-presidenti i vendit Bamir Topi, ku në përbërje të saj ka mjaft emra të rëndësishëm të së djathtës, si Gazmend Oketa, Besnik Mustafaj, Aleksandër Biberaj etj. bëri zgjedhjen më të drejtë, atë të pritshme në masë nga qytetarët, por të gabuarën, nga ana tjetër, kjo e përllogaritur në termat elektoralë.

Shqipërinë e pas viteve ’90 e ka kapluar një klimë e tillë bipartizane, ku në një demokraci të brishtë si e jona sjell dëme të pallogaritshme. Mirëpo kjo s’do të thotë që partitë e tjera a priori janë më konstruktive se këta që kanë formuar këtë klimë të tillë të gjymtë. Megjithatë, sa më shumë të shtrihet mundësia e përfaqësimit, aq më mirë do të jetë edhe për qytetarin, gjithmonë kur bëhet fjalë për një vend ku vota nuk cenohet. Në këtë kontekst FRD mbetet një alternativë më vete, e panjollosur, e paprovuar më herët dhe mbi të gjitha, së paku në dukje, me figura që vijnë nga shtresat intelektuale të shoqërisë, nga ish-pronarë dhe ish të përndjekur në kohën e monizmit.

Se cila është ndjeshmëria e qytetarëve ndaj kësaj force të re politike në vendin tonë, kjo mbetet për t’u parë më 23 qershor. Ama një problem i mprehtë për këtë subjekt politik do të jetë masmedia, e cila e endur në dy koalicionet, që kryesohen nga dy partitë më të mëdha në vend prej 23 vitesh, do të mundësojë një kohë relativisht të shkurtër për këtë pol të tretë. Po ashtu, mospasja e komisionerëve nuk jep aspak garanci për mbrojtjen e votës së FRD, në një klimë të tillë mosbesuese ndaj proceseve zgjedhore në vendin tonë. Përpos këtyre deficiteve të mëdha, FRD ka një elektorat bazë, ku më së shumti vjen nga radhët e të zhgënjyerve prej mos përfaqësimit dinjitoz nga PD-ja dhe në tërësi e ashtuquajtura e djathta shqiptare. Një lëkundje besimi dhe distancimi që për hir të së vërtetës ka nisur gradualisht, qysh pas zgjedhjeve të vitit 1996. Pikërisht në këtë pjesë të terrenit do të epet FRD. Se sa efektive do të tregohet, kjo varet më së shumti nga puna e bërë dhe që vijon të bëhet në bazat e partisë, kryesisht në ato qarqe ku e djathta përbën edhe shumicën, si Shkodra, Kukësi, Dibra etj.

Në fund të këtyre radhëve të pakta, shi në çastin kur lidershipi i FRD ka publikuar pozicionin e saj elektoral në këto zgjedhje parlamentare, pa dashur të bëj rolin e fallxhorit, gjykoj se FRD praktikisht nuk mund të marrë më shumë se 2-3 deputetë. Kjo pasi sistemi është i tillë, klima është bipartizane dhe kultura masive popullore nuk përqaset me një alternativë të re, e cila ndofta mund të përfaqësojë siç duhet interesin qytetar.

11 komente në “FRD, një “sprovë” për qytetarin”

  1. s says:

    Keta me mire te ishin quajtur Partia e Heshtjes ,po ishallah i marrin ca vota Sali palles…..

  2. Lex Rex says:

    Redan, ai ”djathtisti” qe permend ti me mbiemrin Mustafaj nuk eshte ne perberje te FRD. Ai ka deklaruar se eshte terhequr nga politika, ndonese vazhdon te jete (disi pasiv) ne strukturat e PD. Frekuenton aktivitete te FRD, ne statusin e ”vehzguesit” sic e pranon edhe vete: http://www.panorama.com.al/2013/03/28/mustafaj-ne-tryezen-e-frd-per-integrimin-shkova-si-individ-i-lire-pranoj-ftesen-e-cdo-partie/

  3. frd says:

    Bravo per vleresimin qe i ben FRD autori, por duhet te ishte thelluar me shume ne te dhenat e qarqeve dhe mbi anetaresine e kesaj partie. Per njohuri vetem ne Qarkun Tirane kjo force politike gexon mbeshtetjen e 37 mije anetareve. Ndaj gjykoj se shifra deri ne 3 deputete sic dukey referohet vetem per kete qark. Ndersa ne nivel kombetar sigurisht qe FRD shkon drejt nje surprize….

  4. dybeku says:

    FRD eshte parti qe po mbron ende parime te larta por mendoj se pak shqiptare e kuptojne kete gje sot – eshte heret – te shohim se sa do te marrin – por jane pak agresive – dhe me duket se do te ngelin me gisht ne goje ! Partia e re do pare te madhe ! FDR duhet te punoje me shume ne ato qarqe ku pakenaqesia ndaj partise se kermes se krrusur politike – eshte e madhe.

    PD ka bere dhe ka lejuar gafa politike dhe faje kombetare pa fund dhe mendoj se votuesit e saj jane ne kerkim te nje identiteti te ri !!!

  5. Leo says:

    Voten time e ka Frd .bravo Bamir Topit qe qendroj deri ne fund.Eshte hera e pare qe do votoj ne Shqiperi.I takon Frd nje vote nje vote nga Detroit .Detroit – london-london -tirane. Dhe anasjelltas per Frd .Bravo president te takon.

  6. Ina says:

    Bravo FRD…Jeni partia me e denje per t’iu dhene voten sot. Jam e sigurt qe kete gje e kuptojne te gjithe shqiptaret. Uroj qe rezultati i zgjedhjeve te jete vertete befasues…ka ardhur koha qe rrjedha te ndryshoje drejtim…

  7. anticensurë says:

    redan bushati kam dy pyetje direkte për ty!
    _përse vazhdon dhe voton për qeverinë berisha “emri i rëndësishëm i së djathtës” oketa??
    _përveç tij ka deputetë të tjerë “ilegalë”,tuajët që votojnë akoma për qeverinë berisha??
    ps:po pate “bythë”përgjigju si isarai!direkt me koment!!

  8. Redan Bushati - Përgjigje për Anticensurën says:

    “Kushdo që e ka shpirtin të dobësuar, i shikon të gjitha gjërat përmes një tyli dhe shpirti i krijon vetë horizontet e veta”, thotë Dumasi. Po ç’ndodh vallë kur shpirti, kultura, edukata, shkollimi etj. janë jo vetëm të dobësuar, por të shkërmoqur si mos më keq? Atëherë si pritet që këta persona t’i shikojnë gjërat, t’i trajtojnë çështjet dhe analizojnë situatat?
    Në këtë kontekst, gjykoj se ju nuk merreni aspak me atë që unë kam transmetuar tek lexuesi, por rrihni në disa ujra të tjera, të cilat nuk kanë qenë objekt i atyre pak radhëve.
    Nuk po ju përgjigjem i shtyrë se ju më sillni një shembull reagimi të tillë, por për kërshëri, ngaqë pyetja e parë e juaj më duket paksa e çuditshme, pasi z.Oketa nuk voton qeverinë e Berishës. Së fundmi, kryesisht vota e tij ka qenë abstenuese. Pra, jo aprovuese për mazhorancën e sotme. Gjithsesi, edhe sikur të ndodhte ndryshe, kjo nuk e cedon aspak analizën time. Kjo pasi z.Oketa është një politikan i qetë, i kulturuar dhe emancipuar. Kjo së paku gjatë kësaj periudhe të angazhimit të tij publik.
    Për pyetjen e dytë, unë ju falenderoj që më “pasuroni” me deputetë, mirëpo as kam parti, as kam deputetë dhe as që dua të kem. Po t’i kisha së paku do të kishte më pak gjeste rrugaçërore e më pak halle në Shqipëri.

    1. anticensurë says:

      Redan Bushati – Përgjigje për Anticensurën
      unë po e quaj si të shkruajtur nga artikull shkruesi!!
      zotëri e ke bërë shumë të gjatë mjaftonin disa rreshta!!
      _pëveç lavdërimeve për oketën keni thënë se ai ka abstenuar,e cila nuk është aspak në përputhje me predikimin e partisë “tuaj” ku oketa është i dyti!!ju jeni gati në ekstrmitet me maxhorancën dhe abstenoni??nuk jeni kundër!shumë pikpyetje dalin!!
      _pyetjes së dytë i jeni përgjigjur me rikoshetë!kur theshë “tuajën”nuk kisha parasysh personalisht si e interpretoni ju zotëri!!titulli i artikullit nuk flet për ju por për FRD kështu që “tuaj”është FRD dhe jo ju personalisht!!si unë dhe ju e dimë fare mirë që kjo rikoshetë mund të vërtetohet shumë shpejt!!
      pas dy muajsh,maksimumi,do të shohim në është e vërtetë ajo që ka thënë kryetari tuaj”se përveç oketës,kemi dhe disa të tjerë”(në ilegalitet)!ndoshta nuk do të ketë vlerë,partia juaj,FRD,do të ketë arritur qëllimin e saj!por e rëndësishmja është që e vërteta të dalë në shesh!!
      ps:shkrimin tuaj dhe atë që ju keni dashur të përçoni asqë e mora mundimin ta lexoja!nuk ka asnjëlloj vlere kur vetë partia nuk arrin të bindë me veprimet e deklaruar prej saj!
      gjëja më e rëndësishme është se ke patur “bythë”për tu përgjigjur!!e thënë në mënyrë rugaçërore!unë njeri i thejshtë jam or zotëri!partinë që përfaqësoj e mbaj mbi shpatulla!prandaj e kam dhe fatin e mirë të përgjigjem “rrugaçërisht”!

  9. beso says:

    FRD nuk eshte force kaq e re dhe alternative kaq e panjollosur,apo dhe e paprovuar.Eshte saktesisht nje fraksion i PD,qe s’ka ç’te kerkoje gjekund perveç tek elektorati i PD.Sesi populli nuk”e kupton”kete alternative ka nje arsye madhore:populli i ka ato”bombolat”plot me produkt partiak qe nuk ndryshon gje,perveçse rrit gjithnje te njejten gje,pra llafet dhe qyfyret.FRD jane saktesisht te pakenaqurit e PD,siç dikur LSI ishin te pakenaqurit e PS.Pra,film i pare,biles gati-gati me te njejtet aktore.Desha te beje nje shaka me xhonturqit,por e lashe,se nuk ben mire te marrim gjerat personalisht me artikullshkruesit.

  10. Redan Bushati – Përgjigje për reagimin e "Anticensurës" says:

    Nëse nuk e keni lexuar artikullin, atëherë për çfarë flisni?
    Liria si koncept nuk do të thotë të ofendosh apo të sillesh si rrugaç. Nëse e kuptoni kështu, atëherë është problem i juaji. Megjithatë, që t’i rikthehem thelbit për të qenë në rregull me veten, po ju them se aq sa pretendoni se ju nuk keni lidhje me asnjë subjekt politik, po aq thellësisht i tillë jam edhe unë. Ju përshëndes, por gaboheni duke paragjykuar, pasi nuk “ha” dhe nuk fle në “prehrin” e askujt dhe këtë mund ta vërtetosh fare lehtë, menjëherë. Gjithsesi, në fund do shtoja për t’i ikur personalizimit të bisedës, gjendja aktuale e Shqipërisë ka fajtor politikën dhe jo vetëm atë të sotme, por që nga koha e xhaxhit, në mos edhe më herët. Por, por… kjo politikë vjen nga një popull, i cili në masën e tij nuk ka kulturën e duhur për të zgjedhur për veten, familjen dhe shoqërinë të mirën e duhur, atë të domosdoshmen, larg thesit të miellit dhe zënies së punës me tesera partish.
    R.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje