Mbi komisionin hetimor për mustaqet e Çelos

2 Maj 2013, 17:18Blog TEMA

Nga Yllka Lamçe

Me rastin e ngritjes së komisionit të fundit hetimor për veshin e Egin Cekës, që nuk kurseu asgjë nga tragji-komedia kronike e sjelles së pseudo-institucioneve të këtij shteti, është rasti të risillen në vëmendje, me një grimë serioziteti, bazat normative të parlamentarizmit tonë. Kjo sepse çështje si kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin, mbi organet e pushtetit publik, roli vendimtar dhe autoriteti i padiskutueshëm i pakicës parlamentare, e të tjera me radhë, përbëjnë themelet e parlamentarizmit në një sistem që aspiron të kategorizohet si demokratik. Në këtë kuptim, sipas nenit 77/2 të Kushtetutës shqiptare “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”.

Nisma, siç dhe jemi në dijeni, është ndërmarrë nga anëtarë të shumicës në pushtet, motivuar nga meraku për cenimin e imazhit të shtetit shqiptar, të mishëruar në cenimin e supozuar të veshit të diplomatit Ceka, nga lideri i opozitës shqiptare, në një pritje në Vjenë.

Përçudnimit tradicional të pësuar nga institucionet tona të supozuara demokratike (pseudo-parlamenti, pseudo-ekzekutivi, pseudo-gjykatat, pseudo-presidenti, pseudo-KQZ-ja e të tjera me radhë), i shtohet kësisoj qershiza e fundit e kësaj fundlegjislature të shqetësuar për pseudo-fatet/imazhet e shtetit shqiptar tejkufijve. Imazh për të cilin Kuvendi shqiptar, mishëruar aktualisht në shumicën PD-iste, nuk duket se është shqetësuar këto 8 vjet, kur p.sh mediat e huaja janë mbushur me lajme e kritika mbi vrasje në bulevardin para kryeministrisë. Apo kur salla parlamentare (vendi ku flitet, nga italishtja parlare) është shndërruar në mejhane rrugaçësh. Apo kur ambasadori shqiptar në Shtetet e Bashkuara, jo më larg se ndonjë muaj më parë, bënte publik faktin se qeveria e kish lënë mes katër rrugëve të partnerit strategjik në NATO, pa kokërr leku e buxheti, e mbi të gjitha pa pikë dinjiteti.

Ndërkohë, mbetet shqetësimi për delegjitimimin dhe denigrimin që pëson strumenti në fjalë, të cilit Kushtetuta shqiptare, në të njëjtën linjë me të tjera kushtetuta me njëfarë standardi demokratik, i kushton një vëmendje të veçantë. Në fakt, parashikimi kushtetues mbi komisionet parlamentare (neni 77 Kusht.) dhe sidomos mbi komisionet hetimore parlamentare (neni 77/2 Kusht.) është konsideruar si një ndër standardet më të mira që kemi marrë borxh në perëndim. Si dhe ka përfaqësuar një ndër objektet më të rëndësishëm të gjykimit kushtetues mbi të cilin është zhvilluar një jurisprudencë autoritare e Gjykatës Kushtetuese duke filluar nga viti 2003, 2006 e 2008, mbi kuptimin dhe përdorimin e këtij strumenti nga ana e Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm duke interpretuar e shpjeguar se si komisionet hetimore parlamentare janë konceptuar në sistemin shqiptar kryesisht si strumente në duart e pakicës parlamentare, pra të opozitës. Kuvendi mund të vendosë të ngrejë komisione hetimore, dhe është i detyruar t’i ngrejë, nëse këtë e kërkon pakica parlamentare. Pra kur e kërkon pakica parlamentare, Kuvendit i hiqet e drejta të vlerësojë vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, dhe është i detyruar ta ngrejë atë. Gjë që bën që pakica parlamentare të njihet si autoritet kushtetues e që dëshmon avancimin demokratik të Kushtetutës sonë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, e drejta e pakicës për të ngritur komisione hetimore shërben për të ushtruar kontroll kryesisht kundrejt ekzekutivit dhe për të kërkuar vënien përpara përgjegjësisë të mbajtësve të pushtetit. Në një sistem parlamentar, duke qenë se qeveria formohet nga shumica parlamentare, e cila ka në dorë shumë mjete të tjera ligjore, e drejta e kontrollit hetimor i është njohur sidomos pakicës, që duke i patur të kufizuara mjetet e saj, ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues.

Pra thelbi i institutit të komisionit hetimor dhe veprimtaria e tij, ka të bëjë kryesisht me veprimtarinë e organeve të pushtetit publik, ku opozita nuk bën pjesë. Si dhe me çështje me interes publik, që paraqesin një interes të veçantë, etj., aspekte të cilat mbeten për t’u vërtetuar si me impakt të tillë publik, në rastin e incidentit me veshin e Cekës.

Sa më sipër, edhe pse përfaqëson jurisprudencën kushtetuese të konsoliduar në vite, nuk ka ndaluar abuzimin e shumicës në pushtet edhe me strumentin në fjalë. Historiku i komisioneve hetimore parlamentare shqiptare të ngritura në vite, flet qartë për tendencën e shumicës, që me votë të përcaktonte përjashtimin e çështjeve të ndjeshme nga axhenda kuvendore (nepotizmi në administratë, në selitë diplomatike, miliardat evazion jashtë vendit, embargot e thyera me Libinë, privatizimet e pakontrolluara të aseteve shtetërore, sa për të bërë disa shembuj). Ose ndërhyrjen në të drejtën e opozitës për të ngritur komisione hetimore, duke e penguar me votë ngritjen e tyre, si në rastin e kërkesës për hetimin e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit 2010; për kontrollin mbi zbatimin e ligjit nga Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat në varësi të saj për periudhën janar 2010 – tetor 2012; si dhe për hetimin e veprimtarisë së organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të qarkut të Kukësit gjatë periudhës qershor – nëntor 2012. Të gjitha nisma të bllokuara në shkelje të plotë të prerogativës opozitare të njohur nga norma drejtpërdrejtë e zbatueshme e Kushtetutës.

Në të vërtetë shumica në pushtet ka privilegjuar të tjera çështje si ajo për hetimin e masakrës së Tivarit, për të cilën u ngrit një komision në korrik 2010 nën megafonët mediatikë pro-qeveritarë, që më pas u la në harresë të plotë, pa asnjë raport mbi përfundimin apo mbylljen e hetimeve. Fund të ngjashëm ka pasur edhe komisioni për 21 janarin, ndër më të turpshmit e të ashtuquajturit  parlamentarizëm shqiptar, nisur që nga konteksti në të cilin u ngrit, emërtimi centralizues i çdo funksioni të mundshëm shtetëror (për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal përdhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar2 011), kompetencat ndërhyrëse në sferën e veprimit të organeve si prokuroria, afatet e zvarritura në vite, deri në mbylljen e kësaj legjislature. Afate që krahasuar me ato pak javëshe që iu deshën komisionit për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, i vetmi komision që arriti në rezultatin e shkarkimit të një zyrtari të dorëhequr tashmë, denoncojnë haptazi qëllimet strumentalizuese e denigruese të kësaj shumice.

Sa më sipër dëshmon se si keqpërdorimi i këtij strumenti në duart e Kuvendit nuk ka fund. Si dhe dëshmon sërish fytyrën dhe thelbin e shprishur të këtij pushteti. Të shtetit të komisioneve private, qesharake në kufijtë e tragjikes. Dhe në përgjegjësinë dhe riskun vetëm në kurriz të qytetarëve.

1 komente në “Mbi komisionin hetimor për mustaqet e Çelos”

  1. Ben Chicago says:

    hedh nje gur ne lume nje budalla si saliu dhe nuk e nxjerin dot

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje