Ikja e madhe nga zori i madh

9 Korrik 2013, 20:01Blog TEMA

Nga Arbana Xharra*

 

Zoti kryeministër, para disa muajve në faqet e kësaj gazete të patëm pyetur nëse rastësisht e dini sa kushton një kilogram bukë. Sipas të gjitha gjasave kjo pyetje nuk hyn në mesin e brengave tuaja, të cilat nuk kanë të bëjnë me brengat e qytetarit të rëndomtë. Sot kemi një pyetje tjetër. A e dini ju zoti Hashim Thaçi që çdo natë vetëm nga stacioni i autobusëve të Prishtinës nga pesë autobusë mbushen përplot me burra, gra, fëmijë.

Nuk shkojnë në det këta njerëz, siç mund të mendoni ju, rastësisht. Ata ia mësyjnë Beogradit dhe prej atje, prej kryeqytetit të Serbisë, vazhdojnë udhën drejt vendeve perëndimore. Këtë rrugë të mundimshme, plot rreziqe dhe ilegale këta njerëz e marrin nga zori i madh në të cilin gjenden, e marrin këtë rrugëtim për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, për shkak të varfërisë, në të cilën i keni hedhur me politikat tuaja aspak serioze ekonomike.

Shumë shqiptarë të Kosovës edhe 5 vjet pas pavarësisë s’po shohin ardhmëri në shtetin e tyre. Ata po kalojnë kodra e male me fëmijë në duar, duke paguar banda kontrabandistësh, të cilët herë i hedhin përtej kufijve të Schengenit, herë i lënë në breg të Danubit dhe në mëshirën e fatit. Ndoshta, z. Thaçi, qeverinë tuaj e kanë njoftuar miqtë tuaj të rinj në Beograd se së paku 200 veta çdo natë arrijnë nga Prishtina në Beograd.

Ata bredhin fushave të Vojvodinës duke kërkuar lidhje për të dalë në Hungari, një vend anëtar i Bashkimit Evropian dhe zonës së Schengenit. A thua z. Thaçi e dini sa shqiptarë largohen nga Kosova brenda një muaji, nëse vetëm nga Prishtina çdo mbrëmje nisen nga 5 autobusë “drejt Evropës”, drejt “parajsës së premtuar”. A ka qeveria juaj, z. Thaçi, të dhëna se sa shqiptari ka përfunduar në burgjet e Hungarisë, pasi është arrestuar nga policia e këtij vendi?

Hidhjani një sy fotove të botuara sot në gazetën “Zëri”, shikoni fëmijët e prindërve të rinj shqiptarë që po i mbushin autobusët për në Beograd. Këto fotografi janë bërë të shtunën mbrëma. Këto pamje mund të shihen edhe gjatë gjashtë ditëve të tjera të javës jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komuna të tjera. Këta nuk kanë marrë këtë rrugë për qejf, për të vizituar Evropën, por këta të mjerë po ikin se nuk po shohin ardhmëri në shtetin e keqqeverisur nga ju dhe rrethi juaj.

Këta po e lënë Kosovën e kapur nga hajnia e krimi, ku përpara syve të tyre çdo ditë u sillen milionerë të pasuruar nga plaçkitja e shtetit. Këta po e lënë Kosovën me shpresë se do të gjejnë një vend pune diku nëpër Evropë. A ju kujtohet tetori i vitit 2009 z. kryeministër? Tragjedia në lumin Tisa? Kur humben jetën disa familje, në mesin e tyre edhe fëmijë, teksa po kalonin kufirin hungarez me varkë nëpër ujë?

Duket se asgjë nuk ju kujtohet, sepse jeni i zënë duke bërë propagandë se si Kosova po përparon. Katër vjet nga ajo tragjedi, si asnjëherë më parë që nga mbarimi i luftës në Kosovës, kosovarët janë duke ikur nga shteti të cilin e sundoni ju dhe e qeverisni për interesa të klientëve tuaj.

Ju mund të dilni në televizionin tuaj personal që punon me paratë tonat dhe të recitoni e premtoni se do të hiqen vizat për zonën e Schengenit. Ju mund të dilni dhe ta intervistoni veten në RTK, por gjendja nuk do të ndryshojë fare.

Varfërimi i skajshëm i popullsisë dhe pasurimi ekstrem i rrethit tuaj janë pasqyrë e qeverisjes suaj aq të dëmshme për Kosovën.

7 komente në “Ikja e madhe nga zori i madh”

  1. alban4eva says:

    po cfare te presesh nga keta mostra. qe te dy pjella serbe, si S-halè vampiri, ashtu edhe ky Thaci.. keta punojne kunder shqiptarise, i kane dhene provat. po ne te pakten e shporrem serbin tone, tani e kane radhen shqiptaret e Kosoves te shporrin serbin e tyre..!!

    1. Axhimi says:

      kurrefare krahasimi.Absolutisht nuk qëndron.Jo tapall po dy kamëte shkurtuara

    2. Axhimi says:

      Arbana Xharra , fëmijt, burrat dhe grate nuk ështe duke i qit Hashimi, por profiterëte rrugeve. Mirëpo nuk ështe parajsë Europa ashtu si binden me propagandë ata që dojnë me dale në Perëndim
      .Këte bindje jua krijoni edhe ju “analistat” politikë e partiakë që qdo gjë në Kosovë mundoheni ta paraqisni të zezë

  2. ILIRET says:

    Sa gjana si kena dit per Kosoven, Bravo Arbana. Kta udheheqes kujtojne se edhe shqiptaret e thjeshte shkojne e darkojne neper restoranta luksoze.
    Po u braktiska Kosova shume shpejt dhe aty po mbetkan serbet… E me ke po u bashkoka Shqipnia, a me serbet, a…???

  3. sadiku says:

    Keni shume te drejte ARBANA.ASHIM THAQI dhe SALI BERISHA kane punuar njisoj,jane keshilluar me njeri tjetrin.Kush e beri luften dhe kush e drjton shtetin. ASHIMI gjate luftes ka shetitur me nji pistolete ne brez dhe me shume ka qendruar ne Shqiperi.
    Me nji pistolete ne brez shetiti edhe ENVERI gjate luftes dhe ne fund e drejtoi Shtetin per 45 vjet. si duket kjo qenka semundje per ne shqiptaret.

  4. azgjese says:

    Fatkeqesia me madhe eshte humbja e shpreses.Rinia e Kosoves me arsye e ka
    humbur shpresen per jete ne Kosove.Luftuan me shume te keqija, me mund dhe
    gjak larguan regjimin serb nga Kosova me shprese se pushtetaret e gjeneve
    te tyre do bejne shtet normal,shtet te se drejtes, por keta shkatrruan gji
    thqka, bile,bile ne shume rrafshe perte keq i kaluan kasapit te Ballkanit.
    Tutem se na prite nje pranvere Kosovare.

  5. ali says:

    Kjo eshte e tmerreshme per Kosoven martire !. Shkrimet e Arbanes me trondisin shume ! Valle Kosova
    derdhi gjak rreke per te krijuar pashallare te rinj ?! Eshte me te vertete e dhimbeshme qe Thaci, ndaj te
    cilit kosovaret kishin vene tere shpresat na eshte bere nje sulltan i vogel i Ballkanit. Ne shqiptaret fat-
    keqesisht akuzohemi nga Evropa Plake se nuk jemi vetqeverisesh . Kjo akuze evropiane po gjen vend cdo
    dite e me teper ne analet diplomatike te botes . Me veprimet e qeveritareve tane andej dhe ketej kufirit
    shteteror po i thuhet Evropes se ne ,qeverite shqiptare nuk dine te qeverisin . Sepse qeveritaret tane sa
    marrin koltukun dhe hypin ne kale nuk dine te zbresin me vecse me kobure ballit. Se dyti , qeveritaret tane,
    qe s’jane tanet faktikisht ata behen te huaj sapo zene kolltukun, shndrrohen ne sulltane te vegjel te Ball-
    kanit, shndrrohe ne bajraktare primitive e tribaliste. Harrojne nga kane ardhur dhe kush solli deri ketu,populli !
    Populli ne te dy anet e kufiri: Kosove-Shqiperi jeton ne skamj e varferi, ndersa pushtetare ne llukse marra-
    mendese. Nuk pushojne se hypuri ne avionet nderkontinental gjoja per ”pune te medha e te rendesishme,,.
    ne fakt shkojne per qejfe e defrime deri ne Las Vegas ,Arabia Saudite, ne vendet me ekzotike, ndersa populli
    fukara e merr buken me liste, nje varferi e tejskajshme ,qe i detyron te marrin rrugen e kurbetit. Ky eshte
    realiteti i vertete lakuriq i Shqiperise berishian4iane dhe ajo thaciane Qeveritare quo vadis. ??????!t

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje