Fill pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005 nga Partia Socialiste, kryetari i asaj kohe, Fatos Nano, dha dorëheqjen dhe në garën për ta zëvendësuar hyri kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Jo vetëm anëtarësia, por edhe publiku në tërësi ishin të ndërgjegjshëm se kandidati Rama, ishte vetë personaliteti dhe individualiteti Rama, dhe jo Nano me fytyrën e Ramës.
Ka diçka shumë pozitive tek mentaliteti i anëtarësisë socialiste. Ajo kurrë s’ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me liderin e radhës. Ka respektuar epokën e secilit dhe, ashtu siç rrjedhin lumenjtë, ashtu rrjedh edhe jeta brendapërbrenda partisë, kësisoj s’kanë ngelur kurrë peng i nostalgjive të atyre që rëndom konsiderohen liderë historik.
Në kampin e djathtë ndodh diametralisht e kundërta. Aq të lidhur janë me liderin historik, duke nisur nga niveli me i ulët e deri në kupolë, saqë edhe kur ky i çon në humnerë, janë gati të të sakrifikohen e vetëflijohet me atë.
Është bërë e ditur se më 22 korrik në PD zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e ri të partisë pas dorëheqjes së Berishës pas humbjes katastrofike që pësoi nga vota plebishitare e një milionë shqiptarëve më 23 qershor. Në garë janë dy kandidatë: Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi. Të dy e kanë nisur garën pasi kanë kaluar fillimisht nga paradhoma e Berishës dhe kanë marrë bekimin e tij për kandidim.
Secili syresh ka filluar mini- fushatën elektorale brenda strukturave të partisë. E përbashkëta e të dyve është se ata s’e pranojnë që Berisha është shkaktari kryesor i humbjes, ndërkohë që ky i fundit e tha troç e prerë se: “Marr gjithë përgjegjësitë për humbjen e zgjedhjeve.” Kësaj situate i shkon përshtat fjala e urtë popullore: I zoti e shet, tellalli s’e jep.
Kemi pra një Berishë që e pranon faqe botës se është ai përgjegjësi kryesor që PD-ja përfundoi aty ku thërret qameti dhe nga ana tjetër kemi dy kandidatë që sekush përpiqet të vëri në dukje që faji është kolektiv. Në fakt, Berisha ka të drejtë në këtë rast. Sepse, duke qenë se ai ishte maja e piramidës qeverisëse dhe partiake, ishte pikërisht ai timoniori që drejton anijen. Ishte Berisha që jepte direktivat nga lart- poshtë, ishte ai që përcillte atë frymë revanshiste që pastaj merrte trajtë të përbindshme nga të gjithë tentakulat e pushtetit. Ishte ai që kishte në dorë edhe gurin edhe arrës, shkopin ndëshkues për këdo që shkelte ligjin. Ishte ai që s’vepronte dhe afërmendsh që askush poshtë tij s’mund të ndërmerrte iniciativa kundër rrymës. Kësisoj, humbja është thjesht atribut i tij dhe i askujt tjetër.
Ajo që nuk po kuptojnë dy kandidatët është fakti se nuk ia njohin Berishës atë që ai ia njeh vetes së tij. Kanë krijuar një dyshe servile, ndërkohë që kishin gjithë të drejtën e tyre që të krijonin një personalitet dhe individualitet, ashtu si dikur e krijoi Rama.
Por, ky konformizëm i të dyve me Berishën sjell një problem shumë të madh. Sepse nuk i jep mundësinë elektoratit në përgjithësi dhe atij gri (të pavendosur) të veçanti, të kuptojnë se çfarë fryme do të ketë kjo parti. Bile, as vetë anëtarësisë që do votojë më 22 korrik nuk i jep mundësinë të zgjedhë. Një zgjedhje që duhet të ishte komplet e ndryshme, ajo midis një fryme proberishiste dhe një fryme antiberishiste. Këta dy kandidatë e paskan të vështirë të dalin nga hija e rëndë e Berishës, por kjo s’duhet të ndikonte që në garë të mos ish një i tretë, personalitet i njohur e me autoritet në radhët e PD-së, që të paraqiste një platformë që ia njihte meritat Berishës deri më 23 qershor dhe pas plebishitit elektoral të ishte një kapitull tjetër ku Berisha dhe birishizmi t’i përkisnin historisë së partisë dhe PD të niste ringritjen duke u shkëputur përfundimisht prej tij.
Gara e sotme duket se jo vetëm është e dirigjuar, por edhe mërzitshme, pa asnjë farë frymëzimi dhe optimizmi për të ardhmen e opozitës. Shqiptarëve duhet t’iu jepej mundësia që nëpërmjet këtyre zgjedhjeve të shihnin se sa e gatshme do ishte baza e PD-së që me votën e saj të ndahej ose jo përfundimisht nga ai që çoi në rrënim PD-në dhe Shqipërinë.
Kjo mungesë konkurrence dhe shprehje e vullnetit të lirë, që në vetvete do përbënte edhe një sondazh për forcën më të madhe të opozitës, tregon frikën që ka Berisha dhe hezitimin e tij që ai plebishit elektoral i 23 qershorit t’i përsëritej sërish më 22 korrik. Ky mbetet hamendësim, por fakti që ai nuk pranoi si kandidat edhe ndonjë syresh që shfaqi platformë të kundërt me të, vërteton më së miri atë që po them. Prandaj, pavarësisht se kush “fiton”, ai do konsiderohet një Berishë me fytyrën e Lulit a të Kolit. Ose më saktë, një kryetar me maskë. Nëse kjo është ajo që PD-ja kërkon, atëherë mund të thuhet se ajo ka humbur përfundimisht busullën orientuese. Në fund të fundit, miopi më i madh nuk është ai që s’sheh, por ai që nuk do të shohë të vërtetat që i ka përpara syve. Të vërteta, që sovrani ia tha qartë e shkoqur me votën e tij se ç’rrugë duhet të ndjekë sot e në vazhdim forca më e madhe e opozitës.
Maska qe shkaterroi Shqiperine per 23 vjet rresht!
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/01/the-mask.html
Po c’pret nga mentalitetet koreano veriore, kastriste dhe venzueliane qe mbizoterojen ne PD. Ata qe qane Enverin, imitojne sic qane koreano verioret Kim Ir Seng dhe venezuelianet Hugo Cavez.Tamam spiuna e bij spiunash…
Nese keta te dy e konsiderojne edhe veten oergjegjes te humbjes sic edhe thone, atehere nuk duhet te kandidonin. Cdo te thite qe Berisha nuk oranoi kandidate te tjere? Ai nuk duhet ta kete kete te drejte. Por me sa duket PD as qe ka nder mend te ndryshoje.mdo te vazhdoje te beje ate qe ka bere gjthnje si ne pozite, si ne opozite. Pra, te hedhe balte, te shpife, ku te kete mundesine te shkaterroje dhe te perpiqet ta marre pushtetin me dhune.
Faraoni vdiq te tjeret ne var bashke me te.