Një ‘kasko’ për rilindjen

6 Korrik 2013, 12:17Blog TEMA

Nga Artan Xh. Duka

 

Vota plebishitare për rilindje dëshmoi se mbarë shoqëria ndan të njëjtën pritshmëri që lidhet me normalitetin demokratik dhe shtetin ligjor. E nëse rilindja është shans për të gjithë, ajo është dhe detyrim dhe sfidë për të gjithë – qytetarin e shoqërinë për të lënë pas inercinë e përshtatjes me të keqen e degradimin në një shoqëri ‘celularësh’ të trafikut të ndërsjellë të ‘ndereve’, dhe vetë politikën që u votëbesua në emër të saj. Por ndërsa emancipimi i elektoratit dhe me të rreziku i ‘parakohshmërisë’ së rilindjes është subjekt i kohës, për politikën alibitë kanë marrë fund.

Përtej rezultatit, shansi i rilindjes ngjizet edhe nga sjellja e fituesit më pas. Nëse shumica u bënë bashkë sepse duan të njëjtën gjë, gjuha e fituesit duhet të jetë gjuha e të gjithëve. Pritshmëritë ndaj rilindjes janë në ‘zenit’ dhe me kohën që fluturon, litarët pafund të PD pas dhe oguret për opozitë ‘mllefi’ të saj, rreziku i zhgënjimit elektoral mund të çojë në fundin e iluzionit të vetë rilindjes. Ndonëse nuk jemi realitet britanik (aty manifesti elektoral përbën ligj të pashkruar), rilindja nuk ka vend për përthyerje demonstrative premtimesh dhe marrjeje elektorati të mirëqenë si deri më sot. Ajo kërkon veç garanci.

 

Njësh me qytetarin

Zhgënjimi prej premtimeve inflacioniste mbetet gangrenë e tranzicionit ku më tipiket, qoftë për miopi politike (zor të besohet) apo pengmarrje të qëllimshme të zhvillimit në favor të gjeopolitikës antishqiptare në rajon, janë vota e lirë, çështja e pronës, legalizimet, të persekutuarit, statusi i nëpunësit civil, hapja e dosjeve etj.

Që rilindja të mos katandiset në ‘ashtu ishte loja’ ka rëndësi si mbajtja e premtimeve ashtu dhe vullneti i qartë për to. E nëse e para varet edhe nga rrethana objektive, ajo mund të mirëkuptohet sa kohë nuk vihet në dyshim vullneti për t’i përmbushur ato sepse përtej afatit (gjatësisë së tunelit), rëndësi ka futja në hullinë e zgjidhjes parimore (drita në fundin e tij).

Elektorati priret të jetë më mirëkuptues dhe ngushëllohet disi për ngërçet në përmbushjen e premtimeve, kur vëren një moral demokratik qeverisës që garanton transparencë, mospërflitje për nepotizëm të shndërruar në sistem, mosadaptim stilesh jetese të pajustifikuara – ‘vilamania’, familjarë VIP që shndërrohen në ‘brokera’ interesash, ‘garderobë’ makinash etj. Modestia e politikanit nuk ka pse të jetë klishe, duke u shfaqur natyrshëm, sipas rastit, si tek bërja e pazarit në supermarket, pritja tek kangjellat e shkollës për fëmijën, rradha tek mjeku i familjes, trokitja e një gote me miqtë në barin e lagjes, zbritja nga podiumi i mitingut për të takuar ata që e nderuan me pjesëmarrje etj rituale qytetare që krahas respektit ndaj elektoratit, ngjizin kohezionin politikë-qytetar dhe promovojnë një publicitet unik gojor efekti i të cilit tejkalon qindra slogane reklamash klishe.

Domosdoshmëri postzgjedhore është dhe përulja ndaj votëbesimit plebishitar. Gjetja e duhur e mitingut të fitores në Shkodër duhet të pasohet me mitingje falenderimi në çdo qark ku u apelua për votën duke respektuar pa dallim këdo dhe kudo dhe ‘blerë’ më shumë kohë e mirëkuptim për qeverisjen e vështirë në prag.

 

‘Vaksinimi’ i rilindjes

Rilindja nuk e ka luksin të jetë peng i rastësisë – pamundësi qeverisjeje, zhbërje aleancash etj. Nëse qeverisja ‘xhiron’ në vend, ‘krahasimi me 39’ nuk bind kënd sepse qeverisja nuk është për t’u justifikuar për problemet e bartura por për t’u dal zot tyre me transparencë dhe përgjegjshmëri.

Përgjegjshmëria – dorëheqjet individuale, rokadat në qeverisje e sipër dhe deri zgjedhjet e parakohshme, mbeten valvula e vetme si për të ruajtur frymën e rilindjes ashtu dhe për të mbijetuar në politikë sepse sa dobësi apo dështim personal, ato shihen si seriozitet dhe respekt ndaj votuesit duke rezultuar në aset politik e ‘pedanë’ për votëbesimin elektoral në vijim.

PD humbi zgjedhjet si për shkak të qeverisjes problematike ashtu dhe arrogancës së të ‘mandatuarit’ e shansit të humbur për të rilançuar në kohë vetveten përmes rotacionit të ‘brendshëm’ (ndërrimi i kryeministrit, drejtuesit të partisë, dorëheqjet individuale apo zgjedhjet e parakohshme etj shpërfillja e të cilave provokoi shpërfilljen plebishitare përmes rotacionit të ‘jashtëm’ elektoral).

Rilindja presupozon rotacion emrash dhe ambicia për lidership të gjatë e zbeh apelin e saj, për më tepër kur jetëgjatësia e emrit në politikë, sesa hyrja e jetëgjatësia në politikë varet nga qëndrimi që bën epokë, qoftë ky dhe largim prej saj.

 

Asgjë rastësisë

Fati i rilindjes nuk duhet të mbetet peng i kohezionit ndërpartiak. Precedentët nuk mungojnë ndaj sa kohë kohezioni i aleancës së majtë nuk mund të merret i mirëqenë, qeverisja më vete mbetet një skenar rezervë me parakusht rishikimin e ligjit zgjedhor e garantimin e votës së lirë.

Ligji ‘spanjoll’ degradon dhe deformon përfaqësimin elektoral dhe pjell koalicione të marra peng ndaj zëvendësimi në kohë me ‘mazhoritar me dy raunde’ apo ‘STV irlandez’ është urgjent. Sikurse edhe shoshitja e listave elektorale, depolitizimi i policisë, garancia e monitorimit dhe numërimit të votave, reformimi apolitik i KQZ, futja në sistem elektronik i kartave të identitetit etj.

Ndërsa afrimi i përfolur PS-LSI mund të përligjej si opsion për rotacion, sa kohë protagonizmi vijon të jetë po ai, pavarësisht ‘purgatorit’ të 23 qershorit, morali i qeverisjes do të mbetet peng i së kaluarës me të vetmen zgjidhje parimore, zgjedhjet e parakohshme me një ligj të ri zgjedhor.

 

Rilindje përmes drejtësisë

Luajaliteti i qeverisë ndaj institucionit të opozitës, nuk duhet të sakrifikojë kauzën për drejtësi. Kauza e rilindjes është kauzë besimi, mbi të gjitha, se ligji është njëlloj për të gjithë. Vijimi me precedentët post 97 e 05 ku akuzat reciproke u konvertuan në flirtime paprincip, do të ishin fundi i iluzionit të rilindjes dhe prova se abuzimi veç riciklohet. Prezumimi i pafajsisë nuk është prezumim imuniteti për politikanët dhe sa kohë ‘korbi korbit nuk ia nxjerr sytë’, rilindja mbetet retorikë.

Sfida e qeverisë së rilindjes është sa konsolidimi i sistemit të drejtësisë po aq dhe fillimi i hetimit parlamentar për episodet me ndjeshmëri të veçantë. Nga shpërdorimet në infrastrukturë, Gërdeci, abuzimet zgjedhore, 21 janari, marrëveshja e ujërave etj. Kohezioni, paqtimi kombëtar dhe çlirimi nga makthet dhe komplekset e së shkuarës nuk vjen përmes trukimit të së vërtetës por lënies lirë të saj, pjesë e së cilës duhet të jetë dhënia fund e sagës së dosjeve të monizmit.

 

T’i frysh flakës që shuhet!

Rilindja ka nevojë për dishepuj të rinj ndaj marketingu dhe komunikimi politik si dhe portretizimi i rivalit duhet të evitojë si publicitetin e ekzagjeruar për të (‘zgjedhjet’ në PD po eklipsojnë vetë votën e qershorit), ashtu dhe gjuhën e drunjtë dhe të ndasisë që veçse kompaktëson instinktivisht për ‘vetëmbrojtje’ elektoratin e hutuar rreth lidershipit problematik të PD duke mos i dhënë një shans reformimit të brendshëm të saj.

Askush nuk ndjehet komod, veçanërisht idealistët, nëse dëftohen me ‘gisht’ si përkrahës të këtij apo lideri në të shkuarën, stigmatizim ky që më pas degradon në bazë apo forumet online. Diskreditimi jo etik, apriori dhe në masë, veçanërisht për idealistët në PD, nuk lë vend për hapësirë dhe gjetje të vetvetes dhe nëse perceptohet si provokim, ai provokon bumerang dhe publicitet të panevojshëm duke ringjallur antivlera që u ka ikur koha.

Për të bërë për vete votuesin e zhgënjyer të PD që ka lënë një ‘dritare’ hapur, qasja nuk është përmendja cinike e banale e ‘litarit’ por kritika parimore dhe etike ndaj së vjetrës, çlirimi i drejtësisë prej intimidimit politik dhe adresimi i abuzimit në dyert e saj, marxhinalizimi i politikës regresive përmes lobimit në perëndim si dhe dora e bashkëpunimit pa paragjykim ndaj tij.

 

Përtej ideologjisë

Rilindja është fryt i një serie reformash ku e majta dhe e djathta marrin kuptim veç së bashku. Pavarësisht logove ideologjike, sapo në pushtet, fokusi është mbarë shoqëria, duke e bërë të natyrshme një bashkëqeverisje të koalicionit fitues me një forcë autentike të së djathtës (siç është FRD) si për fatin e rilindjes, ashtu dhe të së djathtës në vend (fati i PDR dikur).

Bashkëpunimi panideologjik mund të bëhet për afate dhe çështje parimore të caktuara që nuk komprometojnë identitetin partiak dhe lënë hapësirë më pas për konkurrim më vete në zgjedhjet e radhës. Prona, sipërmarrja, rendi, sovraniteti, tradita dhe familja, të persekutuarit, dosjet e monizmit, integrimi europian etj kanë nevojë edhe për kontributin e FRD që me këtë rast ka shans të dëshmojë potencialin e një të djathte autentike me inspirim perëndimor.

Kjo do të mundësonte si zgjerimin e rrethit të përkatësisë së elektoratit rreth rilindjes, përshpejtimin e integrimit europian ashtu dhe promovimin e kauzës së rilindjes dhe sigurimin e mbështetjes së nevojshme në perëndim, SHBA në radhë të parë. Jo për të ‘blerë’ heshtjen siç u tentua deri dje por për garantuar një ‘kasko’ për rilindjen dhe u kredituar për ç’ka meritojnë.

3 komente në “Një ‘kasko’ për rilindjen”

  1. ora09 says:

    Nje artikull qe duhet marre parasysh nga politikberesit e rinj dhe te vjeter. Flitet pa mllefe e militantizem. Flitet me vizion per te ardhmen e shqiptareve e jo te te majteve apo te djathteve.
    Citoj nga artikullshkruesi:
    “Zhgënjimi prej premtimeve inflacioniste mbetet gangrenë e tranzicionit ku më tipiket, qoftë për miopi politike (zor të besohet) apo pengmarrje të qëllimshme të zhvillimit në favor të gjeopolitikës antishqiptare në rajon, janë vota e lirë, çështja e pronës, legalizimet, të persekutuarit, statusi i nëpunësit civil, hapja e dosjeve etj.”
    Pa keto msa nuk mund te mendohet per “Rilindje”.
    Edhe gazetaret e shume gazetave, le te ndahen nga deliri i fitores se majte, por te perqendrohen tek ajo qe duhet bere per te ardhmen. Ky eshte nje artikull si pikenisje.

  2. ILIRET says:

    Gjerat ne kete vend marrin rrugen per se mbari, vetem ne se PS, do te praktikoje kulturen e ndeshkueshmerise. Kush ka vjedhur dhe ka vrare, duhet te perplaset, pas hekurave.Ndryshe…

  3. B.Shyti says:

    Nuk eshte koha e oratorive, eshte koha e veprimeve praktike konstruktive.Boll me blla,blla,blla,bllaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa………………………………….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje