Duke u munduar të gjejnë shkaqet e humbjes së thellë të koalicionit të udhëhequr nga Berisha, analistë e politikanë pranë tij citojnë rezultatin e parë të bërë publik në Ora News, i zhvilluar nga IPR Marketing në periudhën 25-30 prill. Sipas atij sondazhi, koalicioni i majtë kishte një epërsi prej vetëm 2% ndaj të djathtit – praktikisht një barazim statistikor. Dhe analistët e politikanët pranë Berishës argumentojnë se diçka e nëndheshme, e çuditshme, ka ndodhur, e cila ka bërë që, nga një barazim statistikor në 30 prill, të shkohej në një humbje katastrofike të koalicionit të djathtë me 18.5% diferencë.
Në fakt, asgjë e çuditshme s’ka ndodhur.
Rezultati i sondazhit të 30 prillit përfaqësonte preferencat e atyre votuesve që do të merrnin pjesë në zgjedhje dhe që e kishin ndarë mendjen se për cilën parti do të votonin. Ndërkohë këta votues përbënin vetëm 75% të atyre që ishin shprehur se do të merrnin pjesë në zgjedhje. Ndërsa 25% të tjerë, edhe pse kishin deklaruar se do të merrnin pjesë në zgjedhje, nuk kishin deklaruar se për cilën parti do të votonin (16% deklaruan se ishin ende të pavendosur për cilën parti do të votonin dhe 9% nuk deshën ta tregonin preferencën e tyre).
Se sa prej tyre kanë qenë vërtet të pavendosur dhe sa kanë pasur frikë të deklarojnë votën në telefon, vetëm Zoti mund ta dijë, por 25% e pjesëmarrësve në zgjedhje është një shifër e madhe – ajo përkthehet në 430 mijë votues që nuk ishin përfaqësuar në rezultatin e sondazhit të 30 prillit. Dhe rezultati i 23 qershorit tregoi se pjesa dërrmuese e tyre ia dha votën koalicionit të majtë, i cili e mbylli garën me 315 mijë vota epërsi.