Leksione të një humbësi

3 Korrik 2013, 18:08Blog TEMA

Partitë politike kosovare dhe liderët e tyre mund të mësojnë shumë nga humbja e Sali Berishës dhe fitorja e opozitës. Aq shumë, sa do të duhej të mos ndiheshin rehat aty ku janë në pushtet.

Nga Imer Mushkolaj*

 

Përderisa Sali Berisha çon kohën n’Facebook duke komunikuar me fëmijë të brengosur për humbjen e tij, leksione të vyera mund të marrin nga ai liderë partiakë dhe parti politike kosovare.

Tashmë e thonë të gjithë se arroganca e çoi Berishën drejt humbjes së tij të thellë. Shanset e ofruara nga shqiptarët në këto dy dekada demokraci ai asnjëherë nuk diti t’i kapitalizojë. Madje, i keqpërdoroi.

Që në fillim të viteve ’90, kur u gjend në krye të ndryshimeve demokratike, Berisha pati rastin historik që popullin e rraskapitur nga regjimi ta çojë përpara. Por, shansi i ofruar zemërgjerësisht iu kthye në shans të humbur. Ai lejoi ngritjen e firmave piramidale dhe zhyti Shqipërinë në mjerim. Jo se deshi, por u detyrua të tërhiqet nga pushteti.

Shqiptarët i dhanë një shans të dytë në vitin 2005, kur ai u rinjall nga një kufomë politke, për t’u vënë në krye të qeverisë. Erdhi në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por pas pak kohe u bë vetë ideator i tij. Krijoi një pushtet kientelist, sipas qejfit të fëmijëve të tij, duke bërë që t’i harrojë problemet e vërteta të qytetarëve. Madje, duke e forcuar bindjen se shumica e qytetarëve nuk kishin rrugë tjetër, përveç të votonin për të. Në vend se të krijojë model të mirëqeverisjes dhe mirëqenies për qytetarët, Partia Demokratike u bë model i klientelës politike dhe ekonomike. Ndërkaq, Berisha sinonim i luftëtarit të egër e të pakompromis – jo kundër korrupsionit e krimit, por kundër intitucioneve të pavarura të shtetit.

Zgjedhjet e 23 qershorit, përveç që sollën fundin e Berishës, duke e futur në ngërç të madh Partinë Demokratike, treguan edhe se ndryshimi është i mundshëm kur ka alternativë serioze. Treguan, po ashtu, se përveç pushtetit abuzuese korruptiv, një ditë fundi iu vjen dhe bastioneve partiake, premtimeve folklorike e pseudopatriotike të liderëve, të cilët detyrohen të tërhiqen me turp edhe nga premtime boshe, siç ishte ai i pasaportave shqiptare për kosovarët.

Debakli i Berishës tregoi, po ashtu, se qeverisja autokrate në parti e shtet është e prirur të dështojë, madje të lë edhe pasoja të rënda. Të atilla që nuk i riparon dot as dorëheqja si akt moral, por që ka tendenca të paraqitet si diçka hyjnore, e paparë dhe e padëgjuar më parë në këto anë. Në fakt, ai nuk është i pari dhe nuk është e para herë për të që vepron kështu. Thjesht, ai ishte i detyruar të dorëhiqet, sepse s’kishte tjetër rrugë. Jo pse deshi ose e bëri për të dhënë leksione përgjegjësie politike.

 

 

Sa për analogji, edhe në Kosovë pushteti ka degraduar plotësisht. Njerëzit të cilët erdhën në pushtet me premtimin për zero tolerancë ndaj korrupsionit, janë bërë vetë sinonim i korrupsionit, krimit të organizuar e hajnisë dhe zero rezultateve në luftën kundër korrupsionit.

Një qeverisje autokrate dhe arrogante, pa kurrfarë përgjegjësie ndaj qytetarit por, po, me privilegje marramendëse për veten dhe të vetët.

Një pushtet që e ka në dorë të bëjë çfarë të dojë, madje edhe të shajë e fyejë, pa pasur frikë se do të ndëshkohet ashtu siç u ndëshkua arroganca dhe papërgjegjësia e Berishës.

Liderë partiakë që besojnë në fuqinë e votave të vjedhura apo të mbledhura në sasi enorme në bastionet e tyre. Të atillë që besojnë se njerëzit e këtyre bastioneve iu kanë borxh përjetë, pavarësisht nëse këta bëjnë ose jo diçka të mirë për ta. Të atillë që besojnë në vota të sigurta në baza rajonale, por që rasti i Shqipërisë i demantoi plotësisht.

Shikojeni PDK’në në qeverisjen qendrore, shihni edhe LDK’në e AAK’në në pushtetin lokal. Arrogancë, papërgjegjësi, mosllogaridhënie… Grupe e klane njerëzish që përfitojnë fort, në njërën anë dhe turma të varfra, të papuna e të pandihma, në anën tjetër.

Buxhet i varfë që shkon në asfalt, e jo në zhvillim ekonomik e mundësi punësimi. Berishës nuk i bëri punë asfalti, as tunelet. Njerëzit kërkonin më shumë – kërkonin prosperitet ekonomik, jetë më të mirë. Njësoj do të jetë edhe në Kosovë. Vetëm se këtu ka një problem – mungon alternativa reale.

Partia që qeveris tash 13 vjet kryeqytetin as që mund të pretendojë se ka arritur të krijojë një model shembull për të mirë.

Parti minore opozitare, por të cilat kanë qejf të thonë se janë të mëdha, shfaqen jokonsistente në synime dhe të interesuara jo ta fitojnë pushtetin, por të koketojnë me pushtetin ekzistues.

Ndërkaq, ndonjë subjekt politik që di edhe të shfaqet si alternativë serioze, huq shpesh cakun dhe në vend se të fokusohet plotësisht në luftimin e pushtetit korruptiv, abuzues e klientelist, imiton Sali Berishën dhe folklorizmat e tij, si dhe përpiqet të paraqitet si engjëll mbrojtës i këtij vendi.

Votuesit kosovarë, ndërkaq, mund të mësojnë shumë nga sjellja e qytetarëve andej kufirit. Pushteti edhe mund t’i nxjerr me zor nga puna, për të marrë pjesë në tubime partiake, edhe mund t’ua kushtëzojë vendin e punës me librezë partie, por ata do të dinë t’i ndëshkojnë, në diskrecion të plotë, ata që abuzojnë me të drejtat e tyre njerëzore.

Do të dinë t’i ndëshkojnë ata që nuk po i luftojnë, por po i bëjnë pjesë të programit qeverisës hajninë, krimin e korrupsionin.

Do të dinë t’i ndëshkojnë ata që ua marrin votën, e përpiqen t’ua marrin edhe shpirtin.

Është mposhtur Berisha, e lëre më imitues të dobët të tij. Lajm fort i keq për të gjithë ata që keqpërdorin pushtetin e shtetin. Edhe për të tjerët që ëndërrojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

*EXPRESS

6 komente në “Leksione të një humbësi”

  1. homeri says:

    —-te astuquajtur rilindje nuk e solli jugu por veriu i shqiperise , e solli shkodra , dibra , kuksi , lezha — u lodh populli shqiptar me percarjen qe solli Berisha veri- jug–prandaj quhet rilindje se 23 qershori solli unitetin e kombit –do shikoni si do permiresohen mardheniet dhe bashkepunimi shqiperi – kosove dhe sa me mire do te jete uniteti i kombit

    1. Labi Vlore says:

      Ose me mire te themi.E sollen shqiptaret,pa dallim feje,krahine dhe ideje.Rilindja nuk mund te vije as nga Veriu dhe as nga Jugu.Ajo mund te vije vetem nese Veriu dhe Jugu vendosin ta sjellin sebashku.Apo jo Homero??Nqs vazhdojme me Veriu dhe Jugu,kam krijuar bindjen,se nuk shkojme asgjekundi.As Veriu,as Jugu dhe rrjedhimisht mbare Shqiperia nuk mund te prosperoje.

    2. dritani says:

      E rendesishme eshte te kuptohet se kush e shpiku luften Veri-Jug. Vecse Saliu!
      Kush vazhdon me teorine antikomuniste. Vecse Saliu!
      Kush flet ne menyre te koduar per rrenjet e tija muslimano-turke. Vecse Saliu.

      Keto ishin fijet e peut ku mbahej dordoleci. Shqiptaret, pa dallim krahine, feje dhe ideje nuk mund ta ndjekin me lojen e dordolecit.

      Jugu nuk e luajti lojen e tij. As ne ’97 kur coi falangat e tij me “gardiste blu” dhe jo me tani.

      Dordoleci harron qe rreth 1 milion shqiptare banojne tashme ne hapesiren Tirane-Durres c’ka do te thote qe nocioni veri-jug nuk ka me kuptim.

  2. Ndue Prenga says:

    Ju shqiptart e Kosovs shikjoni hallin tuej, ne hallin ton e pame.
    http://imazheshqip.blogspot.com/2013/06/pd.html

    1. paloqe says:

      Po halli i tyre i ngjan hallit qe patem ne.mire e ka autori i shkrimit te mesojne dhe ata te bejne siç beme ne.

  3. bora says:

    Arroganca???? Si shume e kam degjuar kete koment kohet e fundit. Nese do ishim te dytet pas gjermanise ne ekonomi do ja pranonim me gjithe qejf arrogancen ish kryeministrit. Ishte varferia qe eshte shtrire kembekryq ne shqiperi arsyeja. Eshte diktatura dhe dhuna qe ushtruan kudo neper administrata qe i beri njerezit te shprehnin revolten ne fleten e votimit. Arroganca e tyre ishte vetem qershia mbi nje torte te gatuar tashme.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje