Shqipëria ka përjetuar një javë historike. Zgjedhjet e 23 qershorit 2013, me rezultatin e tyre befasues kanë filluar të analizohen e komentohen që në sekondat e para pas konfirmimit të disa lajmeve të mëdha. Padyshim që kjo analizë është vetëm në hapat e para. Sepse produkti dhe pasojat që solli vota e shqiptarëve këtë herë, janë kaq të gjera e shumëplanëshe, saqë sigurisht nuk mund të filtrohen e analizohen njëherësh.
Kështu, kopertina e këtij numri të revistës ilustron politikanin dhe kreun e partisë që bëri diferencën në këto zgjedhje. Dhe jo një diferencë dosido. Mbijetesa e tij rraskapitëse politike katër vjet më parë, sot për Ilir Metën përkthehet në katërfishim rezultati dhe në shndërrimin e tij në një faktor jo më të nevojshëm, por të domosdoshëm në skenën politike shqiptare. Ai është leva që lëvizi dhe thërrmoi çdo parashikim për rezultatet e 23 qershorit. Por kuptohet që kjo levë do mbetej një vegël në depo, nëse nuk do mbështetej tek Partia Socialiste dhe anasjelltas. Edi Rama është kryeministri i ri i vendit dhe në mendjet e pritshmëritë e simpatizantëve e më gjerë, Rama po riprojektohet si transformuesi i Tiranës së sotme, që rikthehet këtë herë në shkallë kombëtare.
Megjithatë, besoj se vëmendjen më të posaçme në listën e reaksioneve zinxhir që sollën këto zgjedhje, e meritojnë zhvillimet dramatike në Partinë Demokratike. Jo për humbjen e thellë (e cila edhe pritej pas dy mandatesh qeverisëse, por jo në këto përmasa), por për kryengjarjen që shumëkush është lutur gjatë këtyre viteve të ndodhte: Ndërrimin e udhëheqjes së partisë. Po, Sali Berisha nuk do të jetë më kryetar i PD-së, dhe nëse para jo shumë vitesh opinioni diskutonte dhe shpresonte largimin e dyshes problematike e ‘të vjetër’ Nano e Berisha, kjo tashmë është duke ndodhur. Vini re: Po aq sa një fjalim brilant i Edi Ramës na kujtoi një Barak Obamë dhe mori vlerësime maksimale, por aq shpejt, fjalimi i pranimit të humbjes dhe dorëheqja e Berishës, e ktheu krejt vëmendjen tek zhvillimet brenda PD-së. S’ka dyshim; me Berishën mbyllet një epokë 20 vjeçare e tranzicionit shqiptar, në të cilën ai la gjurmën e vet të padiskutueshme, për shumëkënd problematike. A është kjo strategji daljeje, përpjekja e fundit e Berishës për ta marrë me të mirë historinë?
Për këtë, le të rikthehemi pak tek procesi zgjedhor. Të mos ndodhte vrasja e Laçit, askush nuk do të mund të thoshte gjysmë fjale kundër cilësisë së këtij procesi në votim e numërim. Po, duhet numëruar më shpejt, por vetëm kaq. Por a ndodhi kjo ngaqë diferenca ishte aq e thellë dhe fituesi u pa aq qartë, sa çdo përçapje për manipulim do të ishte vetëvrasje politike? Apo realisht klasa politike ka arritur atë shkallë pjekurie e tharmi demokratik, sa ta ketë kapërcyer mentalitetin tribal të viteve ‘90-2000? Jo pak analistë janë të bindur se në rast të një rezultati të ngushtë, krejt ndryshe do ishte skena zgjedhore: Bllokime, akuza, rrahje, forca policore e jopolicore, rinumërime, KQZ-ra e Kolegje. Tek e fundit, për dy vite (nga zgjedhjet lokale 2011), nuk ka kaluar mjaftueshëm kohë për “t’u reformuar”.
Megjithatë, fakti është që Berisha u ndëshkua rëndë me votë, e pranoi verdiktin dhe po tërhiqet. Të paktën, një mbyllje elegante. Por a po largohet vërtet; a është ky rast një tjetër Nano? Nuk duket kështu, dhe nuk mund të jetë kështu. Ndryshe nga Fatos Nano, Berisha ka vendosur të bëjë një damage control dhe ta telekomandojë ndryshimin e lidershipit në PD. Gjasat që situata t’i dalë jashtë kontrollit gjatë këtij tranzicioni, dhe në PD të kryhet së pari një analizë e thellë e kirurgjikale e humbjes, së dyti një reformim serioz e pastaj një garim real për strukturat drejtuese, janë të padukshme. Edhe pse afërmendsh, të shpresuara e të shumëpritura.
Berisha do të rrijë deputet, madje aktiv besoj unë, dhe nuk do t’i kërkojmë prononcime nga Vjena a ndonjë kryeqytet tjetër ekzotik, barok apo gotik. Ai do të monitorojë gjithçka ndodh e do të ndodhë në selinë blu, pse jo nga ndonjë post honorifik i sajuar enkas. Vetë hija dhe trashëgimia e tij politike e partiake, zor se do ta lejojë PD-në të kryejë shpëlarjen, rifreskimin e riformatimin e domosdoshëm. Të paktën këtë të lënë të kuptosh reagimet e para nga fronti demokrat, daç në nivel simpatizantësh apo hierarkësh të lartë (me ndonjë përjashtim): Thjesht humbëm, nuk na kuptuan, votuesit u treguan mosmirënjohës, bukëshkalë po deshët. Gjithçka tjetër, mirë si më parë. Do rikthehemi, keni për ta parë. Këtu do jemi.
Për arsye biologjike, Berisha edhe detyrohet të japë dorëheqjen, por nëse berishizmi mbetet dhe përcillet në ADN-në politike të PD-së, shumëçka “historike” nga zhvillimet e kësaj jave do të tretet si kripa në ujë. Dhe tani, nuk e kemi luksin të luajmë menefregistin e të themi, “le të bëjnë ç’të duan”. Sepse përballë shumicës hijerëndë të së majtës, vendi ka nevojë urgjente për një opozitë të reformuar e dinjitoze.
*Revista KLAN
Zt Alqi ,nje korrigjim te vogel
Ky nuk eshte nje largim historik , ky e shumta eshte nje largim histerik
E perzuren ,si askend tjeter .Asnjeher nuk ka ndodhur kjo sepse asnjeher nuk kish ndodhur qe e “djathta” te qendronte ne pushtet me vota te majta .
Duhet te riformohet ??? Duhet te riformojme njerzit …dhe per kte duhet te zhdukim tribalizmin …ato arsyet biologjike duhet te na ndihmojne !
Mos u genjeni,o te bekuar.Sala e tha edhe vete qe do te jete 18 ore ne dite ne politike dhe,nen rreshta u betua se “Do t’iu ngrij buzeqeshjen ne buze”.Nuk largohet ai nga politika pa mbaruar misionin qe i kane vene qe para 60 viteve ne kullen e tij ne Viçidol…
Dakord me Skardon kur thote se Saliu ka marre nje mision te posacem qe eshte: “T’u ngrije buzeqeshjen ne buze” (Kujt? Shqiptareve!). Dhe do ta beje.