Lipa Hrvatska

1 Korrik 2013, 10:12Blog TEMA

Nga Blerina Rogova – Gaxha

Nga Kroacia, sikur nis të urresh Perandorinë Osmane dhe t’i lakmosh pushtimit të një tjetër perandorie…asaj të Austro-Hungarisë. Ndoshta Prizreni, Shkodra apo Durakium…kanë mundur ta kishin pasur fatin e Ragusës, ose të parajsës në tokë që sot është Dubrovniku. Ndoshta shqiptarët kanë mundur ta kishin pasur fatin e kroatëve apo të sllovenëve, ose ky është çmimi që duhet ta paguajmë për “perandorinë e zezë osmane”!

 

Duke dashur të di se sa kuna kroate më duhej të paguaja për akulloren e tim biri në Dubrovnikun e sotëm, alias Ragusën e dikurshme, ëmbëltorxhia, në slengun “gostivarçe”, dy herë radhazi më tha“Fol shqip, fol shqip”!!! Këtë togfjalësh, gjithnjë e të përsëritur, e dëgjova edhe me dhjetëra herë e në qytete të ndryshme të Dalmacisë në “lipa nasa”. Shumë herë më bëhej sikur dikush po më fliste shqip. Por meselja ishte, se akullorëxhijtë, ëmbëltorxhijtë, dukatxhijtë, furraxhijtë, bozaxhijtë dhe plot disa …xhij të tjerë, ishin relikti shqiptar i kohës së ish-Jugosllavisë, mu sikur “shqip më shaj o vlla…”, në Stambollin e Dritëroit. Prandaj edhe sa herë të hahej bakllavaja e Ballkanit ose sa herë të pihej “boza” duhej parë se kush ishin bozaxhijtë, që domosdo në tokën e fisit të vjetër të dalmatëve, rezultonin të ishin shqiptarë.

Rrëfimet e tyre qenë të ndryshme. Shumë prej tyre nisnin në vitet 80-të. Ajo që dilte nga secili rrëfim ishte e njëjta histori. Të gjithë kishin ikur nga e njëjta gjë pothuaj sikurse edhe të gjithë  shqiptarët. Të pasur e të varfër, me një shqipe të bukur, çdonjëri prej tyre tregonte jetën, sfidat dhe përditshmërinë në tokën kroate.

Njeriu mund të rrëfejë për shumëçka që sheh apo përjeton përgjatë një rruge të gjatë me makinë. Fytyra të ndryshme, kafiteri e restorante të pastra, rrugë të pastra e të shtruara bukur, natyrë të mrekullueshme, njerëz që nisen për në perëndim nga kufiri kroat, nëse Kroacinë mund ta quajmë si derën e parë të kësaj bote; ose thjesht njerëz që udhëtojnë pa vizë nga një në një tjetër normalitet. Ndoshta asnjëri nga këta udhëtarë nuk do ta kishte paramenduar fatin e miliona njerëzve, që nisi të thyhej e të ‘shkërryhej’ para më shumë se njëzet vjetëve. Asnjëri s’do ta kishte menduar ndoshta se fjalët që fillonin me ‘J’, Jugo (Jugosllavia) dhe Jogurt (Jogurt revolucioni) do të ishin kaq të lidhura me njëra-tjetrën. Plot prej tyre mund të mos e mendojnë asnjëherë derisa kalojnë kufirin dhe shkelin tokën e tjetrit, sidomos ata të cilëve nuk u duhet të kenë një vizë. Ata mund të jenë krejtësisht të ngjashëm brenda mentalitetit të tyre ballkanik, siç mund të jenë krejt të ndryshëm në formimin dhe në konceptet që ka secili veç e veç.

A është e mundur që Kosova dhe Kroacia të kenë qenë pjesë e të njëjtit shtet dikur? A janë dallimet ndërmjet këtyre dy vendeve vetëm në njëzet vitet e fundit, apo ato kanë ekzistuar gjithmonë?

Një kroat flet për rrëzimin e një pushtetari në ditën e zgjedhjeve lokale, dhe shpreson për fitoren e tjetrit, si zgjidhjen e fundit për ditë më të mira, duke shtuar plot mllef ‘se të gjithë janë hajna’. Një grua kroate flet për mostolerancën në ditën e paradës së komunitetit LGTB, dhe derisa një ushtri policie kish ngulfatur qytetin e Splitit, nuk u mor vesh nëse po mbahej “Gay parade” apo një paradë policie. Një pensioniste që gjithë jetën e ka çuar në Dubrovnik, nis e flet për bombat dhe Serbinë kur takon mysafirë nga Kosova, dhe hap me ta bagazhin e saj të luftës. Dukej se gruaja nga Dubrovniku donte ta përligjte shprehjen “Armiku i armikut tim, është miku im” Një gazetar kroat flet për papunësinë dhe mungesën e perspektivës. Këtë e bën me një dozë të mirë nostalgjie. Ai ankohet se hyrja në Bashkimin Evropian veçse i ka nisur shenjat e para të së keqes, shtrenjtimin e cigares. Në një mbrëmje libri një shkrimtar kroat thotë se Kroacia është një shtet magjik, për ata që nuk jetojnë këtu.

Sa prej këtyre ankesave i themi secili në përditshmërinë tonë. Sigurisht se shumë më shumë se kaq.

Dhe ndërsa kroatët që sot janë te dera e Bashkimit Evropian dhe tashmë nuk ka forcë që i kthen pas, janë të pakënaqur me shtrenjtimin e cigares dhe me disa të tjera gjëra që janë më pak se sa ato që ne i quajmë “gjëra koti”, e fsheh  pakënaqësinë time me vendin tim, me shtetin tim, me kulturën e tij, me artin, me arsimin, me politikën… E fsheh pakënaqësinë për jetën e bashkëkombasve të mi në vendin tim.

Nëse Kosova dhe Kroacia kanë qenë pjesë e të njëjtit shtet për pothuaj 50 vjet e sot janë kaq të ndryshme, nuk shoh dritë tjetër përpos errësirës së Jugosllavisë së Titos për Kosovën e vogël. Nëse Kroacia…ose veçanërisht Dalmacia, Lika, Slavonia, Istra e çdo pjesë tjetër e saj, janë shumë përpara para vendit tim, atëherë ne shqiptarët duhet ta kemi pasur fatin e zi në shtetin e përbashkët, ose përtej kësaj duhet të mos kemi pasur fat as me pushtuesit.

Nga Kroacia, sikur nis të urresh Perandorinë Osmane dhe t’i lakmosh pushtimit të një tjetër perandorie…asaj të Austro-Hungarisë. Ndoshta Prizreni, Shkodra apo Durakium…kanë mundur ta kishin pasur fatin e Raguzës, ose të parajsës në tokë që sot është Dubrovniku. Ndoshta shqiptarët kanë mundur ta kishin pasur fatin e kroatëve apo të sllovenëve, apo ky është çmimi që duhet ta paguajmë për “perandorinë e zezë osmane”!

Pavarësisht se të gjithë në ish-Jugosllavi, duke i përfshirë dhe kroatët, thonë se çdo ditë u duhet të përballen me vështirësitë e një ideologjie e të një nacionalizmi që jo rastësisht nisi më shkronjën “J”, shqiptarët kanë më shumë se secili, arsye të besojnë se edhe pushtuesit i kanë pasur të zi.

Derisa kroatët bëhen gati për festë në natën e së dielës, kur nga Evropa do të hyjnë në “Evropë”, mbase të gjithë me një Karlovaçko në dorë, birrën e tyre të famshme, duket se ndërtimi më i vështirë i urës ndër shtetet e dikurshme ish-Jugosllave, do të jetë ajo e shqiptarëve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje