Kroacia është bërë anëtare e BE-së jo pse është katolike, jo pse ka trashëgimi të rëndësishme të kulturës dhe historisë evropiane, as për bukuritë e rralla natyrore e as për 1244 ishuj. Është bërë anëtare e BE-së vetëm pasi ka përmbushur, më shumë se cilido shtet tjetër kandidat më parë, të gjitha kriteret e vështira për anëtarësim në BE. Rruga kroate drejt BE-së ka qenë shumë e vështirë, dhe këtë duhet ta dinë ato vende të Ballkanit që duan të nisen në këtë rrugë
Para dy ditësh në Bruksel intervistova baronin Janko Vranytzany Dorbonovich, një zotëri 93-vjeçar. Ai ishte ambasadori i parë i Kroacisë në Bruksel pas shpalljes së pavarësisë, para 23 vjetësh. Sot i gëzohet faktit se Zoti i ka falë shëndetin që të përjetojë realizimin e një ëndrre të tij që ta shohë Kroacinë si shtet të pavarur anëtare të Bashkimit Evropian. Rikujtonte se sa e vështirë ishte për Kroacinë që të siguronte njohje ndërkombëtare. Kujtonte se si mbretëresha holandeze e kishte pyetur “si mendoni se do të jetoni ju pasi e keni shkatërruar një shtet që funksiononte, një treg të madh“. Ai jeton në Bruksel tash e 60 vjet, ku ka punuar për turizmin austriak, dhe gjatë jetës së tij ka pasur ndër miqtë e tij shumë themelues të BE-së dhe të NATO-s. Rikujton disa elemente interesante dhe jep mendimin e tij përse Kroacia është vonuar aq shumë në BE.
Rikujton një bisedë me presidentin e parë të Kroacisë, Franjo Tugjman, i cili edhe e kishte angazhuar të jetë ambasadori i parë i Kroacisë në BE.
“Franjo, duhet t’i përmbushim kriteret e Kopenhagës nëse duam në BE“, rikujton porosinë që ia kishte dhënë Tugjmanit.
Por ish-gjenerali jugosllav, i cili udhëhoqi Kroacinë drejt pavarësisë dhe luftës për çlirim i ishte përgjigjur: “Po çfarë kriteresh të Kopenhagës, Janko. Mos më lodh me këso gjërash. Kroacia si në aspektin kulturor, ashtu edhe historikë dhe gjeografik i takon BE-së dhe do të hyjë në BE“.
Pritjet e Tugjmanit që BE-ja ta pranonte në gjirin e saj Kroacinë vetëm për shkak të pozitës së saj gjeografike, për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore nuk mjaftuan. Madje, Kroacia, për shkak të mosgatishmërisë së Tuxhmanit për të zhvilluar demokracinë sipas standardeve më të mira evropiane, e solli në njëlloj izolimi, nga i cili Kroacia doli vetëm pas vdekjes së tij.
Sot 23 vjet pas pavarësisë, 13 vjet pas nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhjetë vjet pas dorëzimit të kërkesës formale për anëtarësim në BE, nëntë vjet pas marrjes së statusit të vendit kandidat, Kroacia bëhet anëtare e 28-të e Bashkimit Evropian.
Vërtet Kroacia i ka dhënë shumë botës dhe sot vështirë që mund të gjendet një vend aq i vogël në botë me aq shumë monumente historike dhe bukuri natyrore. “Ky popull i vogël ka lidhur për fyti burrat më të mëdhenj të botës“, kishte thënë moti një diplomat evropian, duke menduar në zbulimin origjinal kroat, kravatën. Ky shtet dhe ky popull i ka dhënë botës një Nikola Tesla, një Rugjer Boshkoviq, Penkalen dhe shumë gjëra të tjera. Dhe kur sheh sot rrugët e qyteteve kroate, ato vërtet duken evropiane, të bukura, të rregullta dhe shumë të pastra. Një diplomat grek më thoshte para disa vjetësh se kur ai vjen nga Selaniku në Zagreb e ndien se ka ardhur në Evropën Perëndimore.
Por, Kroacia është bërë anëtare e BE-së jo pse është katolike, jo pse ka trashëgimi të rëndësishme të kulturës dhe historisë evropiane si pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze, as për bukuritë e rralla natyrore e as për 1244 ishuj. Është bërë anëtare e BE-së vetëm pasi ka përmbushur, më shumë se cilido shtet tjetër kandidat më parë, të gjitha kriteret e vështira për anëtarësim në BE. Rruga kroate drejt BE-së ka qenë shumë e vështirë dhe këtë duhet ta dinë ato vende të Ballkanit që duan të nisen në këtë rrugë.
Ata që duan shembuj të asaj se çfarë duhet bërë për ta bindur Evropën se një vend është i pjekur për integrim në BE le të shikojnë rezultatet impresive në luftë kundër korrupsionit në Kroaci.
Rrugëtimi i Kroacisë drejt BE-së, siç di të shprehet ish-komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, nuk ka qenë vetëm si një “shëtitje nëpër park“, por një rrugëtim i vështirë. Kroacia është vendi i parë i cili vetëm disa vjet pas një lufte të tmerrshme bëhet anëtare e BE-së. Për herë të parë në BE hyn një shtet i cili ka disa kilometra katrorë me fusha të minuara. Krahasuar me vendet e tjera të BE-së nuk është as e madhe e as e vogël, as e pasur e as e varfër.
Për dallim nga shtetet e tjera të Evropës Lindore dhe asaj Qendrore, të cilat kaluan fazën e transicionit nga komunizmi në një demokraci liberale evropiane, Kroacia u desh të kalonte fazën e shkëputjes nga ish-Jugosllavia, të fitonte me mund njohjen ndërkombëtare e pastaj të çlironte me gjakun e dëshmorëve shtetin nga okupimi serb dhe të përballej me trashëgimin e luftës. Kjo, sikur edhe mësimet të cilat i ka nxjerrë BE-ja nga zgjerimi i mëparshëm, e të cilat i ka aplikuar në negociatat me Kroacinë, e kanë bërë rrugën e Kroacisë edhe më të vështirë dhe më të gjatë.
Kjo rrugë ishte edhe më e gjatë sesa që vetë BE-ja kishte pritur. Ish-kryetari i Komisionit Evropian, Romano Prodi, i cili ka qenë kryetar i Komisionit Evropian kur Kroacia mori statusin e kandidatit, thotë se Kroacia është dashur të ishte bërë anëtare e BE-së që në vitin 2007, por u bë viktimë edhe e ndryshimit të disponimit në BE, gjatë të cilit zgjerimi humbi mbështetjen si proces i rëndësishëm në ribashkimin e Evropës.
Se sa evident është ky disponim jo aq i favorshëm në BE për zgjerimin, dëshmon fakti se në festën e anëtarësimit të Kroacisë nuk mori pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel, shteti i së cilës ishte dhe mbetet mbështetësi më i madh i Kroacisë.
Kur një proces aq i vështirë përmbyllet, atëherë harrohen problemet përmes të cilave është dashur të kapërcehej. Por rrugëtimi i vështirë i Kroacisë deri tek anëtarësimi në BE është diçka që duhet ta kenë parasysh popujt e tjerë të rajonit më shumë sesa vetë kroatët.
*KOHA DITORE