I përzgjedhuri

10 Korrik 2013, 10:57Blog TEMA

Partia Demokratike gjendet përpara një riformatimi historik në njëzet vjet. Gjasat që të shpien në bindjen pse Lulzim Basha do të jetë Kryetari i ri i PD-së dhe zërat që e kërkojnë (me të drejtë) fillimin e ri tek analiza e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit

Nga Renato Kalemi*

 

Katër vjet më parë, kur kryeministri Berisha hapi garën për kreun e Partisë Demokratike në Tiranë, ra (me dashje) pre e lapsusit frojdian. Në fakt, i pyetur për emrat që garonin për t’i zënë vendin Sokol Olldashit, ai nuk ngurroi të përgjigjej se “Aldo Bumçi është një kandidaturë e shkëlqyer”. Kjo mjaftoi për të kuptuar shijen e kryetarit të PD-së në atë përballje, ndërsa delegatët e konferencës kombëtare të selisë blu morën mesazhin se për kë duhet të votonin pas dy ditësh. Edhe dy kandidatët e tjerë, Gjergj Bojaxhi dhe Lajla Përnaska, i prenë shpejt shpresat… ato pak që kishin, gjithsesi. Bumçi fitoi me 559 vota nga 826 të mundshme.

Pasi u dorëhoq nga drejtimi i PD-së, tre ditë pasi humbi rëndë në zgjedhjet e 23 qershorit, pritej që Berisha të distancohej nga jeta e brendshme e partisë për ta lënë atë në rrugën e formatimit të domosdoshëm. Pritej së paku, mbledhja e strukturave për të analizuar arsyet që sollën disfatën në zgjedhje e mandej, procedurat për të zgjedhur kryetarin e ri të PD-së. Por, nuk u desh shumë kohë të kuptohej se, ashtu si në rastin e Bumçit, Berisha do të ndiqte aktivisht garën e brendshme në selinë blu, duke u kthyer në bariun që kujdeset për tufën e tij dhe që kërkon ta lërë atë në duar të sigurta, mundësisht dikujt tek i cili ai beson pa mëdyshje. Ndryshe nga ç’bëri Fatos Nano në vitin 2005 kur u gjend në të njëjtat pozita. Ai zgjodhi rrugën e dytë, zgjedhjen sa më shpejt të Kryetarit të ri të PD-së, duke anashkaluar analizën për humbjen e rëndë në zgjedhje. Të cilën, në fakt, nuk e ka bërë asnjëherë, as në zgjedhjet vendore të 2007-ës, kur PD-ja humbi përballë aleancës PS-LSI, dhe as në 2011-ën, kur dështoi në të gjitha bashkitë e mëdha dhe fitoi në tavolinë Bashkinë e Tiranës. Rezultati i atyre zgjedhjeve ishte një shenjë se opozita e majtë po fitonte terren, edhe pa e pasur në krah LSI-në.

Por, le t’i kthehemi garës që PD-ja ka hapur për të zgjedhur kryetarin e ri. Për herë të parë nga koha e themelimit, kreu i selisë blu do të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë”, të cilit vetë Berisha nuk iu nënshtrua asnjëherë gjatë “mbretërimit” të tij. Ai ka vendosur të jetë mbikëqyrësi i procesit edhe pse ka dhënë dorëheqjen. Një veprim të cilin shumë e komentojnë si një imponim për ta caktuar ai vetë pasardhësin e tij, edhe pse ka bërë thirrje për një garë jo fiktive, por të drejtë e të barabartë. Një pasardhës që shumë veta janë të gatshëm të vënë dorën në zjarr se do të mbajë emrin e Lulzim Bashës; njeriu më i afërt i familjes, një beniamin i Berishës që nga viti 2004 kur u shfaq për herë të parë në PD, por edhe i besuari i tij, pozitat e të cilit në selinë blu janë rritur kaq shumë vitet e fundit, saqë ka kaluar edhe mbi dy figurat e vjetra si Ridvan Bode apo Jozefina Topalli.

Tashmë është vendosur se gara për Kryetarin e ri të PD-së do të jetë midis Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit. Ndonëse kuotat e Bashës janë shumë herë më të larta në parti, Olldashi është një tjetër nga “djemtë e rinj” të PD-së që dikur cilësohej si beniamin i Berishës. Por, kësaj here duket se atij do t’i duhet të dorëzohet para emrit të Bashës, kartat e të cilit flasin qartë se ka ardhur koha të jetë Kryetar i PD-së. Takimi me Berishën një ditë përpara se Olldashi të shpallte kandidaturën për kryetar, mund të është një e dhënë interesante, e cila ka disa pikëpyetje brenda. Pse duhet një kandidat për kryetar të PD-së t’ia paraqesë vendimin e tij së pari kryetarit të dorëhequr përpara se ta bëjë publik? Një pyetje e cila mund të ketë së paku dy përgjigje të ndryshme: Se Berisha është tërheqësi i vetëm i fijeve në PD dhe ai duhet të jetë në dijeni të gjithçkaje që lidhet me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri (sepse në fund do të bëhet si thotë ai), ose ky takim vjen si një kërkesë e Berishës ndaj Olldashit që ai të kandidojë dhe humbë përballë Bashës, për t’i dhënë legjitimitetin e nevojshëm garës, nga ku do të nisë riformatimi i PD-së në opozitë.

Përpara se Olldashi të shpallte kandidaturën e tij, emra si Bode, Topalli, Astrit Patozi apo Eduart Selami dhe Edi Paloka, kishin deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e garës. Duke shpenzuar fjalët më të mira për Berishën si lider historik i PD-së, pa të cilin e djathta nuk kishte kuptim, ata u tërhoqën nga gara edhe për faktin se asnjëri prej tyre nuk ishte i përzgjedhuri. Kështu, ata hoqën çdo lloj dyshimi dhe i hapën rrugën përballjes Basha-Olldashi. Këta të dy kanë mjaft të përbashkëta me njëri-tjetrin, duke nisur që nga pëlqimi që Berisha ka ndaj tyre, të cilin, ai e ka vërtetuar me postet që u ka besuar gjatë tetë viteve në qeverisje. Si Basha, ashtu edhe Olldashi kanë drejtuar një nga ministritë më të rëndësishme të qeverisë, atë të Punëve Publike dhe Transportit. Po ashtu, në kohë të ndryshme ata kanë mbajtur edhe Ministrinë e Brendshme, si dhe janë përzgjedhur nga Berisha për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në 2007 dhe 2011. Në 2007-ën, Olldashi pësoi një disfatë në Tiranë, por megjithatë Berisha e rimori në kabinetin qeveritar, pavarësisht se ai nuk ishte më deputet i PD-së. Ndërsa për Bashën, gjërat shkuan ndryshe në 2011-ën, dhe pas humbjes në 23 qershor ai mbetet realisht njeriu më i pushtetshëm në PD, duke qenë edhe kryetar u Bashkisë së Tiranës. E nëse gjërat shkojnë sipas planit dhe Basha do të zgjidhjet kryetar i PD-së, ai do ta gjejë veten njësoj si Edi Rama në vitin 2005, kur u bë kryetar i PS-së në opozitë dhe kryebashkiak i Tiranës.

Të flasësh për kandidatura të tjera që mund të jenë pjesë e garës për kryetar të PD-së duket një kuturisje e kotë, pasi emrat e parë që janë shprehur pro futjes në garë, ose janë skualifikuar direkt ose nuk janë pranuar fare nga sekretariati i selisë blu. Këtë fat ka pasur Aleksandër Biberaj, një nga figurat e vjetra të PD-së, i cili para disa kohës u largua nga selia blu për të formuar Frymën e Re Demokratike, e më pas u largua edhe nga kjo e fundit për përplasjet me kryetarin Bamir Topi. “Administrata ka marrë urdhër për të mos e pranuar dosjen time për të kandiduar për kreun e PD. I bëj thirrje kryetarit aktual të PD-së të hapë realisht garën”, kanë qenë fjalët e tij, pasi mësoi refuzimin për të qenë pjesë e garës. Sipas sekretariatit të PD-së, Biberaj nuk mund ta kandidojë për kryetar pasi nuk është më pjesë e partisë, pas largimit nga ajo dy vjet më parë. Biberaj ka sqaruar se nuk e ka tërhequr anëtarësinë nga PD-ja dhe realisht vazhdon të jetë anëtar i saj, ndërsa FRD-në e cilësoi një kapitull të mbyllur. Por, arsyeja e vërtetë e refuzimit fshihet gjetkë: tek qëndrimi tepër kritik që Biberaj ka mbajtur ndaj kryetarit të PD-së për disa vite dhe largimi i tij drejt “tradhtarit” Bamir Topi.

Ashtu si Biberaj është refuzuar edhe kandidatura e Erion Nikollit, sërish për probleme me anëtarësimin në parti. Megjithatë, Nikolli e ka quajtur garën një farsë, ndërsa sipas tij, PD-ja është një shpk që kontrollohet nga Berisha. Dy kandidatët e tjerë zyrtarë që janë pranuar si pjesë e garës, Astrit Sinanaj dhe Sokol Paja, janë dy figura të panjohura në strukturat e PD-së dhe anëtarë të thjeshtë, të cilët nuk kanë asnjë shans në garën që realisht do të jetë mes Olldashit dhe Bashës. Muajt korrik-gusht do të jetë periudhë impenjative për selinë blu, e cila pritet të rikonceptojë në statut formulën e përzgjedhjes së kryetarit të ri, që do të shoqërohet me kompetencën aktuale që gëzon ai, sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të grupit parlamentar, i cili njëherësh do të gëzojë dhe statusin e nënkryetarit të PD-së. Ndërsa Basha projektohet në krye të PD-së, dy nga kandidaturat më të mundshme për kreun e grupit parlamentar shihen Majlinda Bregu dhe Sokol Olldashi, pa përjashtuar mundësinë e rikonfirmimit të Patozit. Megjithatë Bregu, e cila ashtu si Basha, e nisi karrierën e saj në PD nga radhët KOP-it, njihet si bashkëpunëtorja më të afërt e Bashës, i cili e kishte në krah edhe gjatë fushatës së demokratëve për zgjedhjet e 23 qershorit në Tiranë.

Nga ana tjetër, Olldashi mund të shihet si personi i duhur për të përfaqësuar zërin e PD në Kuvend, qoftë edhe si një “shpërblim” për futjen e tij në garë për kryetar të partisë. Deri tani kandidimi i Bashës shihet me pozitivizëm brenda radhëve të anëtarësisë së PD-së. Basha shihet si i vetmi kandidat potencial në gjendje për t’u përballur në garën më të afërt elektorale me kreun e mazhorancës së majtë, Edi Rama, të cilin “e mundi” në zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës. Ai ka nisur nga puna për ngritjen e strukturave të reja të PD-së, ku në degën e Tiranës po lobon fort për të marrë votat e duhura në Kuvendin Kombëtar të PD-së që pritet të mbahet në ditët e para të shtatorit, pak ditë para çeljes së punimeve të Kuvendit të ri.

Ajo çka të habit më shumë në PD është fakti se askush nga radhët e saj nuk ka kërkuar bërjen e një analize të thellë të humbjes së 23 qershorit. Figurat kryesore janë kufizuar në fjalët e mira për Berishën, duke mos ia lënë atij në kurriz të gjitha përgjegjësitë për humbjen. Emra si Patozi, Paloka, Topalli, Selami etj., kanë bërë një “mea culpa” të shkurtër në prononcime pë median dhe asgjë më shumë. Në fakt, ata që po flasin lirshëm dhe që po kërkojnë me këmbëngulje analizën e humbjes, riformatimin e PD-së dhe ngritjen sa më shpejt në këmbë të saj, janë ose ish figura të vjetra të selisë blu ose ish deputetë që u lanë jashtë listave nga Berisha. Zëri më i qëndrueshëm kritik është ai i Besnik Mustafajt, i larguar nga PD-ja më shumë se katër vjet më parë pas debateve me Berishën, por që vazhdimisht ka hedhur idenë se selia blu ka nevojë për një tjetër ritëm. “Kam vite që kërkoj reformimin e PD-së, por askush s’më dëgjoi. Në 2009, unë fola dhe shpëtova shpirtin tim, siç thuhet në Bibël”, ka theksuar Mustafaj. Në një nga postimet e tij në Facebook ka plotësuar: “Sjellja që do të mbajë vetë Berisha ndaj kandidaturës së mundshme të Biberajt, do të jetë shenja e parë e rëndësishme për të kuptuar, nëse do të ketë vërtet garë në PD”.

Një reagim të ashpër ndaj asaj që ndodhi me PD-në në 23 qershor, por edhe për atë që mund të ndodhë me garën për kryetarin e partisë, e ka pasur edhe Ilir Rusmali. Ai ka bërë përgjegjës të humbjes vetëm Berishën: “Kryetari i partisë e prezantoi fushatën si betejën e tij personale. I gjithë lidershipi i PD-së pranoi me kënaqësi të zhdukej nga faqja e dheut, të zhbëhej, të vihej në bisht”. Duke komentuar zhvillimet për garën për kryetar të PD-së, Rusmali shpreson në një garë të ndershme, por që procesi të jetë i vërtetë, sipas tij, duhet të fillojë nga analiza serioze dhe e çiltër e humbjes dramatike. “Pa të nuk fillon dot shërimi”. Një qëndrim me nuanca të ngjashme ka mbajtur edhe Selami Xhepa, sipas të cilit prezenca e Berishës në çfarëdo forme pranë PD-së, është kritike për qëndrueshmërinë afatgjatë të kësaj force. “Shpresoj se dorëheqja e tij do të japë arsye të mjaftueshme për ta kryer atë ‘rithemelim’ të PD-së”.

Përballë këtyre zërave qëndron ai i Edi Palokës, i cili mendon se është e vështirë të zëvendësosh Berishën në krye të PD-së. Më pas ai ka veçuar se një nga arsyet pse PD-ja humbi ishte edhe shitja e votës; një alibi e cila nuk duhet të pijë shumë ujë për një parti që përgatitet të kalojë në opozitë dhe është në përpjekje për të ndryshuar fytyrën e saj pas njëzet vitesh…së paku në pamje të parë.

*Revista KLAN

13 komente në “I përzgjedhuri”

  1. dudu says:

    kjo qe po ndodh brenda PD eshte vetem nje farse sepse te gjithe e dine qe do te fitoje Lulushka sepse mbrapa tij fshihet familja Berishaa me ne krye Salgiten. Demokratet nuk kane per te shpetuar per sa kohe nuk largojne kete fare te keqe.

    1. dani says:

      akoma me keq se cka qene me Saliun ka per te qene PD me Lulin sepse Luli nuk di te fitoje e ka filluar karrieren e tij me vjedhje ne Kosove me pas me vjedhjet ne rrugen Durres-Kukes, me vjedhjen e zgjedhjeve per Tiranen dhe me te keqen vrasjet e 21Janarit per te gjitha keto do te marre denimin e merituar nuk ka per tja hedhur pa lagur.

    2. Armir says:

      Fara e keqe ka filluar ne vitin 1945 me Enver Hoxhen,vazhdoi me Fatos Nanon me shoke dhe tani e ka radhen Edi Rama me Kocon e xhaxhi Fidelin&CO….PD dhe Berisha ishin ato qe sollen Demokracine,ishin ato qe sollen Integrimin ne Nato,ishin ato qe sollen zhvillimin…..Te shohim cdo sjellin keta komunistat e bashkuar me ne krye Elir Meten….

  2. elio says:

    Po ne c’na duhet, me mire te zgjidhet ky kokeboshi, bile te rrije sa me shume se keshtu mbeten gjithmone ne opozite…

  3. Argita says:

    NUK BEHET STANI ME LEPUJ

  4. Ilir says:

    Sala ka thene te votohet nje anetar nje vote.Ne PD shumica derrmuese e anetareve jane maloke.Sala e ka thene se preferon kollovarin.Kuptohet se si do dale rezultati.

  5. dashi says:

    Bashen do e perdhunojne te vetet, eshte e sigurte qe PD eshte nje parti e forte dhe me kta bythac qe do saliu ti klonoj te PD-ja as behet fjale qe do e perdhunojne

  6. ILIRET says:

    E gjithe kjo tregon se Berisha as ka dhene dhe as pritet ta jape doreheqje nga PD. Ai do te zgjidhet kryetar nderi i PD, dhe si i tille do te drejtoje c’do mbledhje qe do te zhvillohet atje.
    Aq me teper, nese lexoni CV e anetareve te PD, nje e dhene eshte: Ka folur mire per Sali Berishen, edhe kur e majta fitoi zgjedhjet…
    PD, eshte nje parti koreano veriore, kastriste dhe hugocaviste, prandaj mos prisni shume nga ajo. Me keq per demokratet e thjeshte por me keq akoma per demokracine. Kush i duron socialistat nja 12 vjet ne pushtet…

  7. ismeti says:

    pd e shqipris dhe ldk e kosoves nuk munden pa njerz te serbis, saliu ishte servil i serbis , basha shpiun i serbis , veq llomotitsa

  8. Deni says:

    Nje hajdut e nje kriminel nuk mund te behet kryetar i PD.Ai bashke me Saliun duhet te pergjigjen per veprimet dhe mos veprimet e tyre.

  9. luli, eshte zgjedhur nga berisha si pasues i tij sipa stilit komunist, ai qe ikte nga detyra gjente nje zevendsues te paafte, qe njrezit te thone ah medet si iku, eh sikur ta kishim c’na la kete debil ne dere. e ka zgjedhe qe pd-ja te mos vije kurre ne pushtet e keshtu te te lartesoje vehten me mbajtjen e pd-se ne pushtet per shume vite. le me se pd-ja ne pushte nuk ka punuar as menduar mire per shqiperine.

  10. Klea Dino says:

    Olldashi nuk i ka hyre kot kesaj gare…ka hyre per te fituar dhe fitorja eshte vetem e tija !!! Me Olldashin ne krye Pd vjen me shpejt ne pushtet !!! FITOREEEEEE

    1. fl says:

      NQS. Olldashi eshte budalla pranon dhe behet kryetar i nje Partie qe ne zgjedhjet e ardhshme peson disfaten e radhes. Pra do i duhet te jape doreheqjen.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje