Përkundër premtimit të Berishës për asnjanësi për garën për pasardhësin e tij në krye të PD-së, të paktën dy nga tre javët e fushatës së kandidatëve, u zhvilluan nën shenjën e tij. Çfarë po ndodh mbas fitores së Bashës, pezmit të Olldashit dhe çfarë parathotë heshtja që ka mbuluar partinë që ende drejton vendin mbas humbjes së 23 qershorit, por që në korrik “shpiku” një garë në të cilën parathoshte fitore të demokracisë së saj të brendshme
Nga Lorenc Vangjeli*
Pothuajse askush nuk e di me saktësi se çfarë ka menduar Sali Berisha gjatë javës së parë të fushatës për zgjedhjen e pasardhësit e tij në parti. Pothuajse askush nuk di se çfarë e detyroi faraonin e të djathtës që të ndryshojë më pas premtimin e tij solemn: kjo do të jetë një garë e hapur dhe unë nuk kam parapëlqim për asnjërin nga dy kandidatët në garë, Basha dhe Olldashi. Edhe Bashës, edhe Olldashit, në takime të veçanta përpara shpalljes së kandidaturave zyrtare ju kishte bërë pikërisht këtë premtim: unë nuk ndërhyj në garë. Sepse edhe Basha, edhe Olldashi me saktësi dinin vetëm këtë detaj: kandidati që do të kishte mbështetjen e Berishës, do të fitonte në mënyrë absolute. Por diçka ndodhi. Ndodhi diçka larg syve dhe vëmendjes së publikut, por dhe zyrtarëve më të lartë të PD-së dhe Doktori ndërroi mendje. Duke u bërë palë me njërën nga palët në garë, me Lulzim Bashën, i cili edhe e fitoi atë garë.
As Basha dhe as Olldashi nuk kanë folur që nga dita që doli rezultati.
I pari, priti që fitoren e tij ta shpallë mentori i tij i pazëvendësueshëm dhe pastaj falenderoi edhe rivalin e tij.
I dyti i përzjeu të dy në “llogoren” përballë, edhe Berishën, edhe Bashën. Duke e konsideruar garën si të deformuar, por pa përmendur as emrin e njërit dhe as emrin e tjetrit.
Çfarë ka ndodhur, pra, nën sipërfaqe, në fshehtësi me Berishën që e bëri i pari zgjedhjen e tij? Nuk ka prova të dukshme, por për motivet e tij vetëm mund të hamendësohen. Vetëm me hamendje mund të mbërrihet tek arsyet që e detyruan Berishën që, ditë përpara se demokratët të shkonin në kutitë e votimit për kryetarin e ri, të krijonte klimën për një votë të paradeklaruar kryeministrore. Shumë figura autoritare të së djathtës të kontaktuara nga revista Java japin një sërë versionesh që në thelb janë të njëjta mbi ato arsye: ishte një zgjedhje e diktuar nga zemra dhe jo nga logjika. Ishte një garë tek e cila Doktori kërkonte më shumë formën sesa përmbajtjen. Ishte një proces në fund të të cilit ai kishte parapërgatitur të thoshte pothuaj duke e besuar dhe vetë se kjo ishte gara më demokratike në nivel partiak e zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri dhe se duke ju referuar moshës dhe jo vetëm asaj të Bashës, ai do të gjykonte se: “Kjo gjeneratë gjen veten në PD, pavarësisht se ku është, PD duhet të ngrihet në lartësinë e aspiratave të kësaj gjenerate dhe unë do të bëj gjithçka që ata të gjejnë vendin e tyre”. Dhe në fakt bëri gjithçka kishte në dorë duke pasur gjithçka në dorë, për të pilotuar votën e disa dhjetra mijëra antarëve të PD-së në favor të Bashës. Arrin një pikë kur sovrani nuk ka më nevojë të urdhërojë dhe të kërkojë. Vetë vartësit e tij, nga një mori shenjash dhe kumtesh, zbulojnë çfarë sovrani dëshiron. Njëlloj si anekdota historike me dorën e mbledhur grusht të faraonit që i pyeste të gjithë oborrtarët me kërcënim: gjeni çfarë kam në dorë!
Shenjat e para
Shenjat e para ishin të dukshme që para se të fillonte gara. Ose më saktë që në momentin kur Berisha konceptoi se nuk ja vlente që pasardhësin e tij në parti ta zgjidhte me “dekret”. Siç është zakoni për të përcaktuar karrierën politike të çdokujt dhe jo vetëm në PD. Hapi i parë: ndryshe nga sa ishte e shprehur në statut, zgjedhja e kryetarit të ri të partisë do të bëhej sipas parimit një antar, një votë. Hapi i dytë: koha e shkurtër e lënë në dispozicion për fushatë. Njëri nga kandidatët, Olldashi kërkoi zgjatjen e afatit, brenda të njëjtës ditë të kërkesës, ajo u refuzua nga kryesia e partisë së tij. Hapi i tretë ishte mbajtja larg nga gara e gjithë figurave të tjera të rëndësishme të PD-së. Ritvan Bode, Astrit Patozi, Genc Ruli e Mesila Doda, të rreshtuar me shpirt dhe për shpirt me Olldashin, u detyruan që publikisht të deklaronin pasivitetin e tyre. Doda, me një gjest të papritur kurajoje, nuk e bëri një gjë të tillë. Me një gjest të papritur nënshtrimi ndaj vijës zyrtare, të kundërtën bëri Jozefina Topalli. Edhe pse përballë Olldashit shihte në garë njeriun me të cilin ajo ka ndarë në tetë vjet antipatinë më të thellë të mundshme politike. Topalli e shprehu qëndrimin e saj në lodrën e re argëtuese të politikanëve, në Facebook. E bëri pa lënë shteg për asnjë dilemë duke lënë të kuptohej se Olldashit nuk mund t’i jepte më shumë sesa votën e saj.
Djalli fshihet në detaje dhe menjëherë mbas javës së parë të garës nisën të shfaqen detajet e para. Në një nivel të ulët, por që dëshmuan menjëherë humorin në nivelin e lartë partiak. Dy këshilltarë, njëri i Berishës, Glori Hysi dhe tjetri i Bodes, Elvi Fundo, u përfshinë direkt në fushatë. I pari në Gjirokastër. Kishte treguar se sipas tij kryeministri e kishte vendosur tashmë se cili do të ishte kryetari i ri. Domethënë Basha. Olldashi ankohet tek Berisha për të duke i shpjeguar se këshilltari pretendonte se fliste në emër të vetë kryeministrit. Një ballafaqim i shpejtë dhe përtej kësaj, Berisha zbulon kahun tjetër të përfshirjes në Korçë. Kësaj radhe për llogari të Olldashit. Edhe përfshirjen e kryetarit të PD-së së degës lokale Gjergji Pano. E më tej akoma, edhe emrat e të besuarve të tij, Bode, Ruli, Patozi e Doda. Befasia ishte tek Majlinda Bregu. Edhe ajo nuk e donte Bashën kryetar të PD-së. Njëlloj si kryetari i PD-së Kollozi në Vlorë, Igli Cara në Durrës e të tjerë gjetkë, kush më shumë e kush më pak i njohur, dukej se kishin paracaktuar fatin e garës. Përballë dhe në krah të Bashës ishte vetëm Aldo Bumçi, ministër i jashtëm, por me pak ndikim në parti. Ky është momenti që të gjithë besojnë se ndodhi ndërhyrja energjike, por e pazëshme dhe e pabujshme e Berishës. Duke nisur me përpilimin e listave të anëtarëve të PD-së që do të ftoheshin të votonin. Ato lista që për ironi të fatit, njërit prej kandidatëve nuk ju dhanë kurrë në dispozicion. “Në asnjë çast nuk u qartësua procedura e përgatitjes së listave dhe, për më tepër, në asnjë moment listat nuk u vunë në dispozicionin tim. Do të thotë që në mënyrë anormale unë garova pa ditur se cili ishte korpusi i votuesve”, do të thoshte gjithë pezm Olldashi të nesërmen e votimit. Pa e lënë këtu pezmin e tij. Në një nga ditët më serioze të karrierës së tij ai provon dhe ironinë: “Dita e votimit provoi se mijëra demokratë nuk gjetën emrat në listë, ndërsa mijëra të tjerë u anëtarësuan në listën e votuesve në dy javët e fundit. Shpresoj që pas votimit këta të anëtarësohen edhe në PD”. Vetëm në Tiranë mendohet se u shtuan rreth 2500 votues të rinj. Sipas Olldashit, pra, një trupë votuesish në dispozicion të Bashës.
Fushata, thyerja përfundimtare
Ka dhe një moment të dytë që e bindi përfundimisht Berishën në përzgjedhjen e tij: fushata që organizuan të dy kandidatët dhe mënyra sesi artikulonin ata të dy në raport me atë vetë, në raport me humbjen e 23 qershorit dhe të nesërmen e PD-së.
Nga transmetimet televizive të fushatës nuk krijohej një ide e qartë se çfarë po ndodhte në bazën përgjithësisht të heshtur dhe të traumatizuar nga humbja e PD-së. Kasetat e transmetuara në TV ishin pothuaj identike në skenografi, në pjesëmarrje, brohorima e mesazhet e dhënë. Vlerësimi i anëtarit të thjeshtë të PD-së, rikthimi i shpejtë në pushtet, deformimi i rezultatit, pafajësia e Berishës përballë humbjes. Por dhe këtu kishte diferenca. Nëse Basha e vinte veten me përulësi në gjurmët e Doktorit, i atribuonte atij pronësinë mbi të e po kështu, përmendte edhe themeluesit Hajdari dhe Pashko (të dy të vdekur dhe me pamundësinë e të vdekurve për të reaguar qoftë ndaj lëvdatave, qoftë ndaj mallkimeve), Olldashi përmendte dhe çfarë nuk funksiononte në PD. Natyrisht duke përjashtuar Berishën. Përmendte LSI-në si blerëse votash dhe pjesë të korruptuar të qeverisë. Dhe jo vetëm kaq, por ai “guxoi” të dalë në tre ekrane televizivë, të bojkotuar ose të ngrirë nga Berisha. Kjo shenjë pavarësie e tij nuk u prit mirë nga kryetari i dorëhequr. As kur Olldashi shkoi në Opinionin e Fevziut tek i cili Doktori nuk shkon që prej shumë muajsh, as tek Tonight i Ilva Tares tek i cili nuk ka shkuar kurrë dhe as tek Top Story i Sokol Ballës, tek i cili u detyrua të shkojë vetëm gjatë kësaj fushate për të dhënë ndoshta një nga intervistat e tij më të mira.
Lulzim Basha kishte një strukturë të pandryshueshme të fjalimeve të tij. Me pesë pika. E para, anëtari i thjeshtë i PD-së dhe raporti i tij me partinë. Nëse në garën për bashkinë e Tiranës fliste për qytetarin si të parë, në garën në parti ai fliste për statusin e anëtarit të thjeshtë që do të kishte në dorë deri dhe karotën e vendimmarrjes. E dyta, vlerat e PD-së në vite dhe gjithë arritjet që ajo kishte realizuar në tetë vitet e qeverisjes. Që nga anëtarësimi në NATO e deri tek heqja e vizave. E treta, orientimi i ndeshjes së nesërme me opozitën në atë çfarë ajo kishte premtuar. E katërta, premtimi se edhe në opozitë PD do të kërkonte të impononte programin e saj e do të mbronte militantët e administratës dhe së fundi, si pikë të pestë, fliste në vetë të parë për veten. Me fjali të llojit: Ju dhe Sali Berisha më besuat detyrën e ministrit të transportit, ndërtova rrugën e Kombit, ju dhe Sali Berisha më besuat detyrën e ministrit të jashtëm, u anëtarësuam në NATO dhe liberalizuam vizat, ju dhe Sali Berisha me besuat detyrën e ministrit të brendshëm, triumfuam mbi krimin. Dhe mbi të gjitha, ju dhe Sali Berisha më besuat për garën për Tiranën dhe unë munda Edi Ramën. Pra, gogolin socialist që ju prishi edhe juve, edhe Sali Berishës ëndrrën për vijimësinë e pushtetit. Në fakt, në thelb, Basha premtonte vetëm vijimësi dhe kjo ishte karta e tij e dytë e fortë. Ky lloj dhe stil fjalimi ishte i njëjtë kudo, edhe në Tropojë, edhe në Gjirokastër, Tiranë, Dibër e gjetkë, i njëjtë në çdo takim përpara garës.
Sokol Olldashi ishte më diskret. Përgjithësisht ishin katër shtyllat kryesore të fjalimeve të tij, përgjithësisht të improvizuara sepse ai i besonte të folurit pa letër. E para kishte të bënte me raportin mes PD dhe individëve antarë dhe militantë. Individit të thjeshtë i thuhej se tek kryetari i ri i partisë mund të gjenin shembullin e bërjes së karrierës: Olldashi vetë e kishte nisur karrierën që adoleshent duke ngjitur postera në mure dhe kishte mbërritur në garë për numrin një. Pika e dytë ishin disa propozime për ristrukturimin e partisë, ndarjen në seksione, grupseksione e të tjerë. E treta, propozimi për një opozitë radikale dhe moraliste. Radikale sepse do të kishte një kryetar partie në Kuvend dhe që do të sulmonte ashpër edhe aty, por do të shfrytëzonte edhe grintën e patjetërsueshme të demokratëve për të dalë në rrugë. E katërta, ishte propozimi për aleancë të munguar në çdo kohë me të majtën, kryesisht LSI-në dhe individë të ardhur nga e majta.
Edhe në këtë pikë moralist, Olldashit duket se i ka kushtuar kjo strategji sepse duke konsideruar si gabim aleancën me LSI-në, indirekt fajësonte Berishën që e kishte bërë një gjë të tillë katër vjet më parë. Dhe po kështu, një pjesë e fajit binte mbi kryeministrin dhe dyzimet e tij politike në periudhën e largimit të LSI-së nga koalicioni.
Të dy kandidatët ushtruan dhe një stil të ndryshëm mbas përfundimit të takimeve. Basha pothuajse asnjëherë nuk pati më shumë se dy tre pyetje në çdo takim. Në fund të çdonjërit prej tyre ai krijonte distancë me të ftuarit dhe largohej menjëherë. Ndryshe veproi Olldashi, i cili pranonte me dhjetëra pyetje, përgjigjet e të cilave shpesh kishin qenë me siklet. Por në fund të çdo takimi ai ulej për drekë me të ftuarit duke krijuar afërsi njerëzore me ta dhe jo distancën që krijojnë liderët tradicionalë shqiptarë, siç vepronte Basha.
Çdo të ndodhë
Çelësin e sekretit se çfarë do të ndodhë nesër me strukturat drejtuese të PD-së e ka sërish në dorë njeriu që ka të gjithë çelësat e PD-së, Sali Berisha. Megjithatë, edhe të lumturit me rezultatin e garës, edhe të dëshpëruarit prej tij, bien dakord në një pikë: kryesia dhe sekretariati i ri do të zgjerohen me fytyra të reja. Disa nga “ikonat” shumë vjeçare të PD-së do të dalin në skalion të dytë. Berisha është duke piketuar fytyrat e reja për drejtimin e tre nga tetë komisionet parlamentare që do të drejtojë opozita e nesërme në Kuvend, ndërkohë që ka dhe një emër surprizë për nënkryetarin e ri të partisë. Që nuk është tjetër veçse nënkryetarja e vjetër Jozefina Topalli, armikja e hershme e vetë kryetarit të ri Basha. Me një lëvizje të tillë Berisha qetëson edhe një pjesë të radikalëve, edhe i spastron rrugën të zgjedhurit të tij nga armiqësitë e hershme, përballë armiqësive të reja që janë krijuar në PD. E gjithë kjo skemë do të zgjasë deri në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Atëherë kur kritikave të Bashës, fjala vjen, për korrupsionin e qeverisë Rama apo premtimet e saj të pambajtura, cinikët e shumicës do t’i përgjigjen duke e pyetur nëse janë të mjaftë kazanët e plehrave në Tiranë dhe pse nuk është shtruar rrugica X. Y. Me një bilanc të dyshimtë në qeverisjen e kryeqytetit, me një qeverisje të nesërme të Tiranës që do të kalojë gjithmonë përmes një këshilli bashkiak arrogant në shifra ndaj tij, Basha nuk do të ketë mundësi të rikandidojë. Ai do të drejtojë atë fushatë si numri dy i PD-së në krah të Sali Berishës, që nëse humb dhe atëherë, do të kuptojë se ai do të jetë momenti për të dorëzuar përfundimisht çelësat e një vendi të tërë, fatin e të cilit e ka ndikuar si pakkush tjetër. Atëherë do të rihapet sërish gara për PD-në. Parë me këtë sy, fituesi i kësaj gare ka pak arsye për të qenë i gëzuar, njëlloj si humbësi i saj, nuk ka shumë arsye për të qenë i mërzitur. Në Shqipëri, arti më i vështirë që politikanët shqiptarë nuk e kanë mësuar ende është arti i pritjes. Ata i ngjajnë atij fëmijës që qante me ulërimë në një dasëm dhe i thoshte dhëndrit: dua nuse, e dua tani dhe e dua si tënden!
O z Lorenc je analisti me i papergjeshem ne shqiperi..
Ambienti mediatik ne Shqiperi eshte shume i larmishem;aty mund te gjesh nga analiste me te vertete serioze, e deri tek tipa qesharake si Lorenc Vangjeli.
Gjithsese,prapeseprape me duket e cuditshme sesi nje gdhe i tille mundohet te beje analize mbi ceshtje te politikes!
Artikujt e tij,te cileve per korrektese i’u hedh nje veshtrim (qe,gjithsesi eshte diagonal),jane kaq te dobet ne permbatje,sa vete shkarrashkruesi mundohet ta kompensoje me baterdine e fjaleve dhe fjalive te gjata e tejet te merzitshme.Shume e per lume,kjo do te ishte shprehja karakterizuese per shkarrashkrimet e ketij te perhenuri.
Se c’nivel mizerabel ka ky gazetar,mjafton t’ju kujtoj “avokatine” e tij,sidomos muajt e fushates,per PS-ne.Ne fakt,jo aq per te ,sesa per krahasimin me avokatine e vertete ,reale,dinjitoze dhe te shkelqyer te Prec Zogajt per kater vite me radhe.
Ne te vertete,edhe krahasimi banalizohet ne kete rast,e humb vleren si i tille,sepse,disniveli kulturor,profesional,ne te gjitha komponentet ,eshte kaq i madh.
Ketij avdallit te botes mediatike,i duket se batutat,bejtet letrareske qe i nderkall ne analizat e tij,u japin njefare lezeti atyre!Tipike per provincialet,per poetet provinciale,sepse,vetem ata perdorin nje vokabular te tille,qe i perket nje kohe te perenduar me vakt.
Prandaj,eshte e kote te komentosh ndonje gje nga shkarrashkrimet e ketij avdalli;por… nje sqarim i vockel ishte i nevojshem per lexuesit,edhe trushpelare qofshin keta.Flm.
@Turi po çke me analistin bukur ka shkrujt pse ti beson se ka qene gare reale ajo e partis demokratike???
Ka ik ai Ramy e Ermali me germa kapitale se nuk kane me zyra tashti e kane ardh keto Turat e Scorppiot qe as vete se dine se cfare thone. @Turi, kjo eshte nje rezyme e paster dhe e qarte e gjithe cfare ka ndodhur dhe ne fund me pak fjali edhe pritshmerite. Cfare deshe ti me shume apo dihet. Te shkruajme me gjuhen e RD-se te gjithe. Hajde mendje, hajde.
Ore po mire qe ishte GARE FALLCO, por po na e shesin si model garimi demokracie mor ZOT!!!
Ky eshte KULMI!!!
http://imazheshqip.blogspot.com/2013/07/kush.html
pune komunistash junior
Baba Saliu, ishte i bindur ne humbjen e tij, madie po e kerkonte atë(ia kishte prure ngusht Sandri!!) ? , por jo ” ne kete farë feje” ? Kjo u pa ne dy shenja;
1-Spastrimi i listes se deputetve dhe vendosjen e njerzve te familjes sty.
2-Lançoi zotin Basha ne fushate si figure qendrore dhe te tjeret i degdisi neper qarqet ” e tyre”.
3-Para zgjedhjeve tereziti nje VKM dhe i dha Gjergj Lezhja-s gjirin e Porto Palermos ? ( me demek nje firme italo-shqiptare). Gjithçka u bë ne fshehtesi te plote ? ?
-Spastrimi i PD-se do te vazhdoje me marifetin e tij se “fituesi percakton stafin”. Edhe ketu do te mbijne “nga prapa ferre” ca kunguj, shoke e miq te te birit. Kungujt e vjeter do ti relativizije dale nga dale. Koha ben punen e vet, sipas tij. ? Dhe e ben vertete sepse ata aty, u zgjodhen ne krye te heres prej tij vetem per nje cilesi; qe ishin pa ide dhe pa fryme protagonizmi. ? E thjeshte fare. Ndersa per Zhozin, puna eshte edhe me e thjeshte; deputetet e qarkut te Shkodres jane kundershtaret e saj dhe njekohesisht zoti Bumçi do te ngrihet ne detyre si perfaqesues i katolikëve (si laraman qe eshte) ? . Ky do te kete qendren ne Kallmet, do te mbuloje qarkun e Lezhes dhe do ti hjedh nje sy edhe Shkodres ? ?
STAN ME LEPUJ S’BHET.
komunizmi ne allbani vazhdon edhe me emertimet,analoge si emertonte daiko jenveri ashtu emertoi saliu,nanoja, sa qene ne fron.
RONI e ka shume sakte me dy fjale mekatin e tarafokracise. Duhet te shtojme idene,qe thote populli: Stan me lepuj (spiuno-komuniste) s’behet,aq me keq me nje palopopull qe mbron spiuno-komunistet duke i votuar edhe pas 60 vite krimesh.Ky milet ka lindur per te vojtur.
Preç Zogaj, është një haluçinant që shkruan e flet sikur pi hashash tërë ditën, o Skypion që kërkon të bësh karakteristikat e të tjerëve, por më parë mëso të shkruash, të paktën qartë e pa gabime.