Berisha e Basha në ditën pas 21 janarit 2011
Nga Ruben Avxhiu
Ndonëse jo më e gjatë se çerek shekulli, historia e pluralizmit shqiptar e ka gjithsesi një precedent që tregon se çfarë ndodh nëse një parti që pothuajse identifikohet krejtësisht me udhëheqësin e saj, nuk administron siç duhet tranzicionin te një udhëheqës i ri.
Precedenti është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila me periudhën e saj post- rugoviane ka shumë se çfarë t’i mësojë Partisë Demokratike të Shqipërisë.
LDK-ja u themelua dhe u pri në mënyrë të padiskutueshme nga Dr. Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës dhe figurë dominante në partinë e tij.
LDK e Rugovës ishte madje shumë më tepër një front gjithëpërfshirës sesa PD-ja e marsit 1992. Ajo e dëshmoi pastaj përsëri veten, gati një dekadë më vonë, duke fituar zgjedhjet e para të pasluftës e duke shtangur partitë që dolën nga UÇK-ja.
Por, kjo LDK nuk është më. Pas vdekjes së Rugovës, ajo ka humbur vazhdimisht terren dhe sot partia që dikur dominonte politikën dhe shoqërinë kosovare e ka vështirësi të dominojë edhe krahun opozitar të vendit.
Jo rastësisht, rënia filloi pikërisht me zgjedhjen për kreun e ri të partisë, njeriun që do të kishte misionin gati të pamundur të zëvendësimit të Ibrahim Rugovës.
Dy kandidatë u përplasën me njëri-tjetrin: Fatmir Sejdiu dhe Nexhat Daci. Fitoi Sejdiu në një votim të pranuar pa kundërshtim rivali i tij, në kuadrin e Kuvendit sipas statutit të partisë. Po këtu filluan problemet. Krahu fitimtar i Sejdiut përfitoi nga shumica e lehtë që gëzonte për të lënë me votë jashtë Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të partisë, gati të gjithë mbështetësit e identifikuar të Nexhat Dacit.
Kështu, një numër figurash besnike dhe kontribuuese në vite të LDK-së u ndëshkuan me përjashtim nga strukturat drejtuese vetëm se kishin menduar që Daci do të ishte kryetar më i mirë se Sejdiu. Ishte një hakmarrje e panevojshme ndaj shokëve të një misioni. Humbësit, me Dacin në krye, u ndjenë të fyer e të tradhtuar e ikën në masë nga partia për të themeluar Lidhjen Demokratike të Dardanisë.
Për ironi të fatit, sot, në fund të dekadës së parë pa Rugovën, Sejdiu nuk është më as president i Kosovës e as kryetar i LDK-së, Daci pothuajse nuk ndjehet më në publik, e me gjithë perspektivën premtuese fillestare, LDD duket si një projekt që po venitet. Vetë LDK-ja ka kaluar vite problematike që filluan pikërisht me këtë goditje të parë që ia dha vetes pa asnjë shtysë prej kundërshtarëve të saj.
Sigurisht, ka një numër faktorësh që shpjegojnë rënien e LDK-së që kanë të bëjnë me shndërrimin e PDK-së, hyrjen në skenë të partive të tjera etj. Ashtu si nuk përjashtohet që kjo parti të rigjejë më në fund rrugën e suksesit pas një dekade të humbur. Mirëpo, nuk ka diskutim se gjithçka filloi pikërisht me keqadministrimin e situatës pas zgjedhjes së kryetarit të ri.
Pikërisht në një udhëkryq të ngjashëm ndodhet sot Partia Demokratike, kur sapo ka shpallur Lulzim Bashën kryetar që do të zëvendësojë liderin historik, Sali Berisha, ndërsa krahu humbës ai i Sokol Olldashit po përjeton një zhgënjim dëshpërues.
Sigurisht, ndryshe nga Ibrahim Rugova në vitin 2005, Sali Berisha është gjallë dhe me të gjitha mundësitë dhe aftësitë që të korrektojë procesin, të garantojë bashkëpunimin e dy krahëve të rikrijuara pas zgjedhjes së 22 Korrikut, të negociojë mes figurave kryesore në mos t’u diktojë pajtimin dhe në fund të shpëtojë atë që është në fund të fundit trashëgimia e tij politike në historinë e Shqipërisë.
Gjithashtu, ndryshe nga rasti i LDK-së, ku Sejdiu fitoi vetëm me një diferencë të vogël ndaj Dacit për të justifikuar spastrimin e krahut rival, Basha ka fituar thellësisht ndaj Olldashit. Ky i fundit ka të gjitha arsyet të besojë se në një garë vërtet të barabartë e të pandikuar mund ta mundë Bashën, po për momentin ky është vetëm një supozim.
Sejdiu dhe njerëzit e tij besuan se në fund elektorati do t’i mbetej besnik partisë origjinale të Ibrahim Rugovës edhe nëse LDD-ja ia dilte mbanë të dëshmonte se ajo trashëgonte në fakt vizionin e kryetarit historik.
Në mënyrë të ngjashme, Basha dhe vetë Berisha kanë arsye të besojnë se në fund, Demokratët do të bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë: do të shpërfillin këdo që nuk ka aprovimin e kryetarit historik.
Po pavarësisht nga të gjitha këto, Berisha, Basha dhe kushdo tjetër në PD nuk duhet të injorojnë mësimet nga partia e tyre simotër kosovare.
Ngjarja që duhet të mbizotërojë në mendjet e Demokratëve sot nuk është 22 korriku, por 23 qershori. Partia Demokratike duhet të fillojë rimobilizimin dhe bashkimin e trupave dhe jo dekurajimin apo më keq përzgjedhjen përjashtuese të radhës.
Pavarësisht se ashtu si me LDD, çdo tentativë shkëputjeje e Olldashit, Patozit etj mund të mos ketë perspektivë të gjatë, kjo nuk është arsye për të kërkuar fitoren me eliminim. Historia e LDK-së tregon se elektorati nuk kthehet asnjëherë tërësisht në shtëpinë e vjetër.
Sigurisht, Basha, Olldashi e Patozi duhet të tregojnë kujdes që të mos kapërcejnë “Rubikonin” në marrëdhëniet me njëri-tjetrin, nga euforia apo mërzia e momentit, pavarësisht se raportet e tyre në këtë krizë mund të përcaktohen më shumë nga veprimet e Berishës sesa vendimet e atyre vetë.
Mënyra se si do të drejtpeshojnë krenarinë me pragmatizmin do të përcaktojë shumë për fatin e tyre të mëtejshëm personal por edhe të partisë. E mbi të gjithë, Berisha, i cili ka mjaftueshëm armiq, kundërshtarë e kritikë, nuk mund t’ia fillojë jetës në opozitë me skartimin e njerëzve që i kanë shërbyer e ndihmuar me besnikëri për kaq shumë vite. Dera e PD-së duhet hapur për të joshur ata që kanë ikur e larguar dhe jo për të dëbuar e mërzitur ata që kanë qëndruar pas.
Në vitin 2005, kur LDK-ja fillonte procesin e rrjedhjes së votave të saj me përçarje e mëri krenare, PD-ja bënte të kundërtën, duke afruar ata që ikën në vitet 90, aleancistët, njerëzit e Genc Pollos etj, duke çmuar çdo votë e duke fituar përsëri zgjedhjet. Është modeli që Demokratët duhet ta kujtojnë e zbatojnë përsëri në ditët, javët dhe muajt që vijojnë. Ndoshta, modeli i vetëm që mund t’i kthejë përsëri në pushtet.
Pse e keni ber me fotoshop Lulin. Ska mundsi ne bot qe nje njeri normal te rij ashtu si kamarjejr mbi tavolin.
Akoma ju me nje vrime i bieni fyellit…sala figure historike!!!!!!! dhe beni krahasime me partine e Rugoves….!!!!!!! Po Rugova nuk donte me ja pa surratin Sale rame berishes. Ai e dinte qe sala ishte spiun dhe agjent i serbise. Po ju jeni ftof n’tajare….. akoma e shikoni salen si nje lider historik!!!!!!…por sala ju shker…. more po ju shiti dhe ju tradhtoi tek serbi dhe prap ju baca sali …. epo ta gezoni dhendrin e serbise dhe kriminelin e kombit shqiptar. Ai eshte armik i betuar i shqiperise….ai e urren shqiperine dhe gjithe jeten ka luftuar ta shkatarroje dhe ta denigroje kombin shqiptar….zoti ju falte o kosovare…..
O zotni Avxhiu, mos u lodh kot se serbet vetem asaj ane mund te vijojne te shinjne mbi shqiptare, knej shyqyr zotit u ka marru vaji kandilles….
Sa merak e ke ardhjen e PD-se perseri ne pushtet mor zoteri.Ardhjen perseri ne pushtet te duarve te lyera me gjak Shqiptari.Flije mendjen.Nuk vjen me kurre ne pushtet PD-ja.Do vije Bamir Topi.