Stop një çast politikës, të jemi qytetarë

30 Korrik 2013, 20:18Blog TEMA

Nga Petrit Qejvani

 

Në këto ditë me temperaturë të lartë, media e shkruar dhe ajo televizive, megjithëse japin edhe pamje nga plazhet për të na freskuar sadopak imagjinativisht, nuk largohen dot nga fonderia e politikës, ku derdhen kallëpet ë politikave dhe politikanëve rishtarë, si në parti, ashtu dhe në qeveri. Të vjetër a të rinj, të mundur a të dorëhequr, fitimtarë ende pa çelësat e qeverisë në dorë dhe të mundur, por me çelësat ë shtetit në brez, të gjithë janë “populli” që popullon hapësirën mediatike gjerë e gjatë. E di që politika është kurthi, por dhe gjahu më i majmë i medias. Por a do merremi edhe me përditshmërinë tonë? A do kujtohemi për mjedisin ku frymojmë, ku lëvizim, ku jetojmë? A do të kujdesemi për cilësinë e jetës sonë?

Në këto ditë korriku, duket se askujt nuk i shkon ndër mend fare për “hije” dhe as kujtohen tek dëgjojnë e shohin sëpatat dhe ruspat barbare që po shkulin dhe pemët e fundit në qendër të kryeqytetit, diku në Korçë, ku pishat e prera duken si njerëz të ekzekutuar pas një masakre, ashtu si edhe në qytetet e tjera! A nuk po shkretohen qytetet tona? Nuk i krahasoni pak me ato të vendeve të tjera?

A e vlen të vazhdohet me Lulin, me Doktorin, Olldashin, Topallin, Patozin, Lefterinë, me qeverinë e re, të cilën nuk e kemi akoma e ku di unë tjetër? Asnjë prej tyre nuk prodhon oksigjen për mushkëritë e qytetarëve. Ata janë të pasur. Oksigjeni i tyre është paraja. Secili prej tyre, me gjithë rëndësinë që ka, nuk vlen sa një pishë dhjetëra vjeçare në një vend ku betoni terrorizon gjelbërimin. Por këtë ata e mësojnë kur kanë përballë qytetarë të civilizuar dhe jo skllevër partie.

Në këtë kasaphanë të vërtetë dhe jo figurative, media e çdo lloji duhet të ngrinte një stuhi të paparë sulmesh e denoncimesh kundër atyre që kanë lejuar apo urdhëruar prerjen e pemëve në qendër të kryeqytetit, pavarësisht alibive hileqare dhe korruptive, duke luajtur me besimet dhe besimtarët.

Krimet ambientale janë ndër më të rëndat që duhen ndëshkuar, të bëra këto 23 vjet katrahurë “demokratike”. Është e habitshme sesi të gjithë, qytetarë, media shoqëri civile (përjashto politikanët që nuk duan t’ia dinë) bëjnë sikur nuk shohin, sikur nuk dinë të krahasojnë qytetet tona me ato të botës plot parqe e lulishte në mes të qyteteve me hektarë të tërë gjelbërim. Të tjerët po gjelbërojnë shkretëtirat, kurse ne po shkretojmë një vend mesdhetar! A nuk e shohim të gjithë kur kthehemi nga udhëtimi qoftë dhe nga vendet fqinje që pikërisht sa futesh në tokën tonë gjelbërimi mpaket, thahet, pritet si me thikë? Diç komentojmë me miqtë dhe pastaj harrojmë, përshtatemi me gjendjen, na mbyt rutina, dorëzohemi. Ndjehemi të pafuqishëm të bëjmë diçka. Kështu është kultivuar me dekada njeriu pasiv shqiptar. Pa le të ashtuquajturën shoqërinë civile shqiptare të korruptuar, fasadë e qeverive si dhe intelektualët pa shtyllë kurrizore të lakuar sa andej- këndej. Për të mos folur për shakaxhinjtë e “pavarur”! Dhe mediat vazhdojnë avazin: Zgjedhjet në PD ishin vjedhje (prandaj s’ka si bën zgjedhje të ndershme elektorale kjo parti), mandej kjo parti do përçahet (gjë aspak e pamundur) dhe lenë si qyqarë pa mbështetje një çetë të vogël ambientalistësh sa tragjikë, edhe komikë (sepse janë të vetmuar dhe të pafuqishëm para betonit të korrupsionit qeveritar), që nuk përtojnë të thërrasin, kur vritet gjelbërimi, që kërkojnë të sensibilizojnë shoqërinë shqiptare pa nerv qytetar, një shoqëri e nënshtruar, jo indiferente (indiferentizmi do të ishte luks në këtë rast, sepse indiferentizmi është veçori e vendeve të zhvilluara me standarde relativisht të lartë jetese.) Po kujt t’i flasësh thuaj! Veç zëra të vetmuar aty-këtu. Askush s’të dëgjon. A nuk është ky një turp?!

Çfarë qytetarësh jemi ne? Mjafton një kostum firmato, një makinë, një minifund, një kafe në Rogner apo te Blloku dhe ca trukim fytyrës për të qenë qytetar modern europian?! Nuk krahasohemi dot as me turqit për kurajën qytetare (kujto demonstratat në sheshin Taksim që e detyruan kryeministrin arrogant Erdogan të tërhiqet). Nuk kam asgjë me turqit, por ata nuk janë një demokraci pararojë, që të shërbejë si model për ne.

Njëlloj si 70-80 vjet më parë shoqëria shqiptare vegjeton, e lodhur dhe e poshtëruar historikisht nga qeveritë. Për fat të keq ka mbetur aktuale thirrja e Migjenit (megjithëse borgjezët hajdutë shqiptarë nuk e duan Migjenin sot) për përgjumjen e shoqërisë shqiptare të kohës së vet, kur shkruante: “O si nuk kam një grusht të fuqishëm\ malit që s’bzan në zemër me ja njeshë…” Dhe sa kohë do duhet që mali të “bzajë”? Po para se të bzajë mali, duhet të bzajnë intelektualët, sepse ata janë lokomotivat e shoqërisë. Si në vitet ’30. Ku janë intelektualët e sotëm krahasuar me ata të viteve ’30? Ca liliputë, pa sovranitet dhe integritet moral, që lëpijnë sot atë që pështynë dje. Prandaj qytetarët nuk kanë modele për të ndjekur. Një shoqëri, që i mungojnë modelet (pozitive), do rropatet gjatë në rrugën e progresit e qytetërimit. Kur do të vijnë ata?

Dhe sa kohë do kalojë që të gjithë ne të bëhemi njëmend qytetarë?

4 komente në “Stop një çast politikës, të jemi qytetarë”

  1. mirel says:

    Oh si nuk kam nje grusht te fuqishem.
    Flet shume kjo shprehje e Migjenit.
    Dhe me vjen nder mend shpesh..

  2. Skender says:

    Po pse mo zoteri qe shkruan klete artikull, Sazan Guri, Kastriot Frasheri a nuk po e bejne prej disa muajsh kete beteje perballe nje peranorie te tere te pushtetit te ngritur mbi krimin, genjeshtren, hajduterine. Po Mero Baze, Mentor Kikia, Aleksander Cipa, Kastriot Myftaraj etj a nuk jane intelektuale te klasit te pare. Po cfare mund te bejne keta me shume, kur celesat e pushtetit i ka nje i cmendur qe po cmend nje komb te tere. Ky plakush edhe pse ka marre rreth nje milion vota kunder, sillet sikur nuk ka ndodhur asgje dhe kerkon te mbaje pushtetin ende…

  3. Dymi says:

    E firmos edhe une kete shkrim te goditur e aktual te Petritit. E kemi grushtin e fuqishem, po nuk dime t’a perdorim. Shpresoj te arijme fillimisht turqit( ne kuptimin e asaj qe bene ne sheshin Taksim) pastaj te synojme per me shume!

  4. pelivan says:

    … Bota sote,kerkon planete!
    Thjeshte,se do te loz me top…
    Ne mallkuar qe ne djepe,
    – Shkulni cdo gje permbi toke!

    Bota shkon e vjen nga hena,
    cek nje sust’ e bene cudi!
    Ne u kethyem te parmenda:
    -Ysh gomar,ohaa,ne vije!-

    Pse, o Zot na ke mallkuar ,
    dhe per dite na dergon nema!,
    Ne ke fjetur me Djalleshen…
    Cfaj kam une qe ngjaj nga nena?!

    Apo mis me Perendine
    ka fjetur Djalli me bri?!
    Se nga bemat,shqipetaret
    ja kane fshire orrnok atij!

    Ne te dy rastet me siper,
    dalim pjelle e pjelle e dreqit
    dhe do bejme prokopi,
    kur t’i shohem majen veshit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje