Ajo që dëshiroj të theksoj në këtë shkrim është rëndësia që ka publikimi online i akteve administrative, të prodhuara nga institucionet tona shtetërore, duke vlerësuar kështu rolin e madh të transparencës dhe llogaridhënies në funksionimin e shtetit.
Transparenca dhe llogaridhënia janë shtylla të rëndësishme në të cilat mbështetet zhvillimi demokratik dhe tregues thelbësorë në rritjen e cilësisë së qeverisjes. Arritja e standardeve të plota ndërkombëtare, në fushën e transparencës dhe llogaridhënies mbetet sfidë cilësore për çdo qeveri.
Ndjesia negative e ishullit të vetmuar ka qenë dhe vijon të jetë e këndshme për shumëkënd. Rezultatet e kënaqësisë së kësaj ndjesie janë dukur shpesh, tek pasojat që diktatorë të ndryshëm i kanë shkaktuar vendeve të tyre. Edhe sot mund të ketë gjasa që shtetarë të caktuar të ndihen më mirë larg standardeve të botës së qytetëruar, të transparencës dhe llogaridhënies, se sa të monitoruar nga publiku. Pra për dikë, një Shqipëri larg standardeve europiane mund të jetë më “frytdhënëse” se një Shqipëri me ligje e standarde normale.
Sot të gjithë titullarët e institucioneve apo edhe më gjerë kanë në portofolat e tyre karta gold miles and more. Kur Shqipëria të hyjë në BE, ky benefit nuk do t’i përkasë më individit, por institucionit që paguan udhëtimin. Ky është një shembull i thjeshtë dhe në dukje i pavlerë, por sa e sa shembuj të tillë mund të ketë, në të cilat shtetarët tanë përfitojnë më tepër se ata të Bashkimit Europian.
Barack Obama, dy vjet përpara, i drejtohej qeverisë amerikane me fjalët: “Demokracia kërkon llogaridhënie dhe llogaridhënia kërkon transparencë. … Ne duhet të reformojmë qeverinë tonë, që ajo të jetë më efiçente, më transparente dhe më krijuese. Kjo kërkon mendim të ri dhe sens të ri përgjegjësie për çdo dollar që shpenzohet.
Bota demokratike, në dallim me regjimet diktatoriale, vlerëson si shumë të rëndësishme transparencën dhe llogaridhënien në suksesin e një qeverie. Megjithëse bota e qytetëruar ka shekuj që i trajton dhe zbaton standarde të tilla, ato janë plotësisht të realizueshme edhe tek ne, nëse është vullneti i nevojshëm i institucioneve shtetërore. Në të kundërt çdo gjë mund të shkojë drejt amullisë, duke bërë të pamundur edhe veprimtarinë normale të pushtetit gjyqësor.
Dikur është quajtur “sekret shtetëror” që Shqipëria kishte 211 mjete ajrore dhe 1698 mjete të blinduara, e megjithatë këto shifra nuk ishte vështirë për t’u zbuluar edhe nga njerëz të thjeshtë. Sot vështirë se mund të gjendet dikush që ka informacionin se ku përfunduan këto mjete dhe ku shkuan këto pará të shqiptarëve.
Për të mos përsëritur shembuj të tillë, të paktën të errët për shoqërinë, vlerësoj të rëndësishëm detyrimin për informimin e publikut për gjithë veprimtarinë e institucioneve shtetërore.
Përderisa nga parlamenti dhe qeveria, publikohen ligjet dhe VKM-të, nuk ka asgjë të keqe publikimi online, në faqet zyrtare të gjithë institucioneve edhe të urdhrave të nxjerrë nga titullarët e institucioneve. Në këtë mënyrë publikut i jepet mundësia të kuptojë dhe vlerësojë gjithë aktivitetin real të institucionit, duke filluar nga mënyra si shkruhet gjuha shqipe e deri te efektiviteti në punë dhe zbatimi i ligjit.
Le të trajtojmë udhëtimet jashtë shtetit të personelit të institucioneve, me në krye titullarin. Në këto udhëtime vërehen dy anë, të cilat mund të cilësohen pozitive ose negative. Së pari është vlera, efektiviteti dhe motivi i udhëtimit dhe së dyti është kostoja financiare. Shpesh nëpër kronika televizive, shfaqen takime të sforcuara, nëpër aeroporte, holle hotelesh e korridore, apo takime bilaterale ku nga pala jonë mund të ulen dhjetë vetë dhe nga pala tjetër vetëm dy. Skena të tilla dëmtojnë jo vetëm imazhin e institucioneve përkatëse, por edhe të vendit tonë. Nuk duhet harruar se për takime të tilla pa asnjë rezultat, shpenzohet shumë.
Ka njerëz nëpër institucione që suksesin e punës e matin me lobimin që bëjnë për t’i siguruar vizita e takime bosit të tyre, jo vetëm duke bezdisur personelin e ambasadave tona, por edhe duke dëmtuar tmerrësisht imazhin e Shqipërisë, duke u lutur tek të huajt për një takim, foto, apo shtrëngim duarsh.
Taksapaguesi shqiptar është mirë të dijë mbi urdhrat që një titullar institucioni nxjerr për udhëtimet jashtë shtetit, dhe jo vetëm. Publiku duhet të informohet për qëllimin e vizitës, personat pjesëmarrës, kohën e qëndrimit dhe rezultatet e arritura nga vizita.
Ligjërisht është e drejtë që një titullar institucioni të nxjerrë urdhër për një vizitë jashtë shtetit. Brenda hapësirave që lejon ligji, mund të ketë problematika të shumta, të cilat janë në kompetencë të titullarit të institucionit, por duhet të bëhen lehtësisht transparente dhe të monitorueshme nga publiku. Kështu publiku ka mundësinë të gjykojë mbi efektivitetin e punës së një institucioni dhe veçanërisht të titullarit të tij.
Flitet shpesh për vizitat e të huajve tek ne dhe aktivitete me ta dhe shpesh këta të huaj shtohen në listën e turistëve që hyjnë në Shqipëri, por harrohet të vendoset në këto informacione kostoja financiare e këtyre aktiviteteve. Planëzimet e të gjitha aktiviteteve që zhvillohen nga vende e organizata normale, kanë bashkëlidhur koston financiare. Kjo mundëson jo vetëm realizimin e aktivitetit sipas planit të bërë, por edhe efikasitetin e transparencën e shpenzimeve.
Transparenca është mirë të bëhet edhe me shumë aktivitete të tjera të cilat përfshihen në aktet administrative të institucioneve. Kështu mundësohet efikasiteti më i mirë i veprimtarive të institucioneve të kontrollit, rritja e mirëbesimit të publikut te qeverisja, pakësimi i thashethemeve urbane, pakësimi i shpenzimeve të tepërta, si dhe përmirësimi i imazhit të vendit tonë.
Ashtu si është e drejtë ligjore e titullarit të vendosë se në cilit takim apo aktivitet duhet marrë pjesë dhe të nxjerrë urdhër për këtë qëllim, ashtu është dhe e drejtë e taksapaguesve të informohen se sa para shpenzohen në këto takime.
Publikimi në uebsitet e çdo institucioni të urdhrave të dala nga titullari i tij është një mënyrë konkrete dhe e thjeshtë e llogaridhënies dhe transparencës. Shpesh uebsitet e institucioneve mbushen me foto të bukura të titullarëve të tyre, apo me fjalë dhe fjalime nëpër ceremoni, të parëndësishme për publikun. Ajo që mund të përbëjë vërtet interes për publikun zakonisht mbetet “Faqe në ndërtim”. Të urojmë që faqe që kanë interes vërtet për publikun të mos mbeten më në ndërtim.
Me këtë transparencë të thjeshtë mund t’i kursehen arkës së shtetit vlera të konsiderueshme monetare, dhe ajo që është më kryesorja do të rritet mirëbesimi i publikut, si dhe do të mundësohet afrimi me vendet e përparuara.
Redaksia, mos e ulni kaq shume steken me keto shkrime amatoreske! Tema online eshte faqja me e vizituar nga shqiptaret. Lerini njerezit ta meritojne perfshirjen ne autoret dhe komentuesit e Temes…
Urime autorit per shkrimin . Shkrimi nuk eshte aspak amatoresk nga tematika qe trajton . Per fat te keq niveli i kuptimit te asaj qe shkruhet per administraten publike ,dhe trajtimi transparences si baze e funksionimit kapilar te nje enti , eshte tmerresisht i ulet te kuptohet nga njerez qe vijne nga entet komuniste , apo ato te periudhes pseudo demokratike 20 vjecare .