Në fillim të muajit maj kur Kolegji Zgjedhor mori një vendim unanim pro qeverisë media opozitare dhe e pavarur dha alarmin se zgjedhjet janë në rrezik dhe Kolegji është partiak. Një prej anëtarëve të Kolegjit dha deklaratë pa emër në media duke thënë: ne jemi pro qeverisë, dhe nëse bëhet rotacion politik ne përsëri jemi pro qeverisë së re”. Një mesazh që flet shumë. Siç flet vendimi unanim i Kolegjit në maj pro PD në pushtet dhe në korrik pro PS në pushtetin e ri. Siç mund të lexohet ngutja e Bankës Qendrore për të bërë atë që nuk bëri 6 vjet, – transparencën e financave reale të shtetit. Siç mund të lexohet ngutja e KLSH, e shefave të policisë, e dhomave të tregtisë, e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, etj, për të denoncuar aferat korruptive të qeverisë në ikje, të cilës i patën shërbyer me zellin më të madh, tej anës formale dhe ligjore. Siç mund të lexohet ndryshimi drastik 180 gradë i TVSH nga ekran i kryeministrit në ikje në ekran i bezdisur i çdo lajmi të kryeministrit në pritje. Janë detaje me rëndësi që dëshmojnë atë që ndodh në çdo vend parademokratik: kur anija braktiset, vrapojnë të gjithë në anijen e re.
Debati mbi raportet e reja midis mazhorancës së majtë dhe institucioneve të pavarura kushtetuese do të duhej të ishte debati midis shtetit ligjor dhe presionit për shtet partiak. Kurse tek ne garantuesit e shtetit ligjor, që erdhën me emërime preferenciale nga zyra e kryeministrit u bënë gardianët e shtetit partiak, dhe me rotacionin e ri politik ata duan të jenë përsëri gardianë dhe përsëri në shërbim të pushtetit politik të radhës.
PS ka votat për ligjet e rëndësishme të reformave, siç janë Kodet, ligjet organike, etj, por nuk ka votat për ndryshime kushtetuese. Çdo ndryshim në institucionet kushtetuese do të kërkonte investim në kushtetutë, gjë që nuk është as në planet e mazhorancës së re, dhe për arsye pragmatiste, as në interesin e saj të ngushtë partiak. Për PS ka dy pengesa: pjesa e LSI në institucionet kushtetuese (sinjali u dha kur gjykata e lartë këtë javë vendosi mbylljen e dosjes së Gërdecit me votat e gjyqtarëve të 20% të zgjedhur nga PD-LSI). Pengesa e dytë është premtimi i saj për të mos përsëritur modelin e partisë shtet që krijoi paraardhësi. Gjë që vjen në kundërshtim me presionin e brendshëm politik në PS dhe me premtimet elektorale të saj në fushën e shtetit ligjor. Ndaj ajo duket se ka zgjedhur të mesmen e artë: një presion i lehtë publik ndaj drejtuesve aktualë të institucioneve kryesore dhe derë të hapur bashkëpunimi me të gjithë ata drejtues që tregohen luajalë dhe mbështetës të akteve të saj politike.
Pak kohë më parë kryeministri në pritje takoi Presidentin Nishani dhe i kërkoi mbështetje për reformat e tij. Ftesa duhej të ishte e kundërt, Presidenti duhej të uronte fitoren e të majtës dhe tu kërkonte drejtuesve të tyre vullnet dhe akte politike për zgjidhjen e problematikave politike me të cilat përballet vendi. Më pas u vijua takimi me Guvernatorin, me Prokurorin, etj. Dhe Presidenti vetë mblodhi disa drejtues të institucioneve kushtetuese (munguan Gjykata Kushtetuese, Shefi i SHISH, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Shefi i Shtabit të FA, Avokati i Popullit, etj), dhe u kërkoi atyre të luftojnë krimin dhe të mos ndërpriten reformat (!!) dhe ata të mbeten të pavarur siç edhe ishin! Ca ditë më vonë KLD ndryshoi rregullat dhe bëri emërime thellësisht militante dhe klienteliste në disa struktura të varësisë. E njëjta gjë ndodhi edhe me ndryshimet në krye të SHP të FA!!
E gjithë ky bilanc takimesh nuk është praktikë normale e vendeve demokratike, por tregues i konceptit parademokratik të politikës dhe institucioneve kryesore mbi shtetin. Sepse një kryeministër në pritje duhet të presë derisa të mandatohet pastaj të zhvillojë takime institucionale. Çdo takim pa mandat nuk ka rezultat dhe mbetet informal në cilësinë dhe produktin e tij. Presidenti duhej ti kërkonte qeverisë në detyrë zbatimi me transparencë të përgjegjësive ligjore, duhej ti kërkonte KQZ me shumë efektivitet e besueshmëri në mbylljen e procesit, duhej ti kërkonte FA që ai drejton transparencë të plotë publike në emërimet në kupolën e lartë ushtarake dhe privatizimin e aseteve publike, dhe mbi të gjitha duhej të përcillte mesazhin se u ndryshua pushteti dhe jo shteti, se rotacioni politik nuk është tragjedi, por akt që shëndosh demokracinë, e bën atë më konkurruese dhe aktorët politikë më të kontrollueshëm nga qytetarët. Siç do të duhej që në kulmin e akuzave për shitblerje të votave prokuroria të ndërhyjë për të treguar nëse publiku dhe shteti ka një garant të ligjit, apo janë e mbeten pengje të partive politike. Nuk ndodhi as njëra as tjetra dhe nuk pati reagim as nga të pavarurit dhe as nga ata që duan të varen prej tyre.
Gjithsesi aktet e fundit të besnikërisë edhe në leximin me dy standarde të ligjit nga ana e disa institucioneve kushtetuese janë dyfish të dëmshme: ato pranojnë fundin edhe formal të besimit tek pavarësia dhe integriteti i institucioneve kushtetuese, dhe së dyti, komprometojnë pritshmëritë publike për një reformë serioze institucionale nga mazhoranca e re politike. Në dy rastet rrezikojmë që asgjë të mos ndryshojë në interesin publik e shtetëror. Do të mund të kemi një mazhorancë të re të fuqishme politikisht, do të mund të kemi akte politike me mbështetje edhe nga arbitri kushtetues e ligjor, por kështu, sistemi rrezikon të mbetet i paprekur, thjesht do kemi ca emra e fytyra të reja në mbledhje qeverie dhe në kronikat e shumta të stilit komunist nga TVSH.
Premtimi për zgjedhje të Presidentit nga populli, për reformimin e sistemit gjyqësor, për çlirimin e institucioneve kushtetuese nga konfliktet e interesit, nga lidhjet klienteliste,përzgjedhja militante dhe praktikat e mbyllura të qarkullimit të të njëjtëve emra, apo nismat e premtuara për zgjedhje me 84 vota të çdo institucioni kushtetues, për largim nga modeli partiak i kompozimit të KQZ dhe rol më të madh të publikut në vendimmarrje me rëndësi publike, – rrezikojnë të harrohen në realitetin e ri kur garantët e ligjit po bëhen siç dinë të jenë, garant të pushtetit të radhës, dhe kur ka shenja e kërkesa të qarta publike se shpërndarja e pushtetit midis aleatëve mund të degjenerojë në parcelizim përfaqësimi në institucionet kushtetuese.
Nëse shprehja e famshme e një dramaturgu shqiptar në vitet e para të vendosjes së sistemit njëpartiak, se të pavarur janë ata që ende nuk janë varur, mund të rimerret në kontekstin e sotëm, atëherë po shohim se fatkeqësisht institucionet tona kushtetuese nuk janë të pavarura, nuk duan të jenë të pavarura, nuk u krijuan të jenë të pavarura dhe nuk ka ndonjë vullnet politik apo institucional që të ndodhë kjo gjë. Shumica e tyre thjesht po sillen të pavarura derisa të gjejnë eprorin e ri dhe siglën e re politike ku të varen. Kështu, publiku dhe as kushtetuta nuk kanë më garant, ata janë në mëshirën e fatit dhe vullnetit politik të shefit apo shefave të radhës në qeveri. Një zhvillim negativ që mban peng reformat dhe progresin, dhe që përsëritet periodikisht çdo 4 ose 8 vjet në Shqipëri, në vendin e vetëm në ish bllokun komunist jashtë dyerve të BE dhe edhe më tej me cilësimin zyrtar si demokraci hibride dhe nivel rekord të korrupsionit politik.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.07.2013
http://www.afrim-krasniqi.info/2013/07/institucionet-ende-te-pavarura_31.html
Bravo Afrim, Eshte nje shkrim nga nje person me dinjitet dhe pavaresi dhe integritet Moral.
Ne fakt une zakonisht lexoj komentet, qe te shoh reagimin e lexuesve, por mesaduket ky shkrim su vjen per shtat, dhe nuk po shoh ndonje Koment.
Nqs Z. Ngjela i etiketon palet ne: Komuniste te Kuq dhe Komuniste Blu, ose Partia e Punes e Veriut dhe Partia e Punes e Jugut, une do ti Etiketoja ne : Çobanet e Jugut dhe Çobanet e Veriut ose Çobanet e Kuq dhe Çobanet Blu, se as Komunista se meritojne, se jane me keq se kaq.
ME SA KUPTOJ UNE Z.AFRIM TE VERTETAT E MEDHAJA QE DENOCONI JU NUK U PELQEJNE AS POLITIKANVE AS SHTETAREVE QE PO IKIN AS ATYRE QE DO TE VIJNE.
INSTITUCIONET E ‘PAVARURA’TAN VRAPOJN TE SERVILOSEN NDAJ PUSHTETIT TE RI
PRANDJ UNE SI QYTETAR IKETIJ VENDI VLERESOJ DHE MBESHTES MENDIMET TUAJA
PER REFORMIMIN E KUSHTETUTES;ZGHEDHJA E PRESIDENTIT NGA POPULLI’ DHE TE GHITHA INSTITUCIONET E PAVARURA TE NDERTOHEN MBI BAZEN E MERITOKRACISE,
ATEHERE MUND TE SHPRESOJNE PER NJE SHTET TE SE DREJTES,SEPSE MILITANTET
ASNJEHERE NUK DO TE ZHDUKEN.GHITH SESI SHKRMI JUAJ ESHTE I DOBISHEM PER ATA QE KANE SY PER TA LEXUAR DHE NDERGJEGJE PER TA KUPTUAR.MOS BERJA E KETYRE GJERAVE ESHTE NJESOJ ME MOS DEDJIMIN E 1 MILION SHQIPTAREVE QE MEZI PRESIN NDRYSHIMIN. RRESPEKTE.
Per sa kohe shoqeria civile do te vazhdoje te perpelitet here majtas e here djathtas nga ndikimi i jashtezakonshem i mediave proqeveritare veshtire se do te krijohen se shpejti institucione krejtesisht te pavarura.
Shkrim teper i goditur afrim. Te lumte.