Fuqia morale është fuqia më e madhe

22 Gusht 2013, 14:53Blog TEMA

Shqiptarët, si në Kosovë si në Shqipëri, si kudo që janë, respektojnë autoritetin e jo argumentin.  Ky është mekanizmi që më së shumti frenon  shkuarjen tonë përpara si komunitet dhe si shoqëri. Nënvetëdijen e shqiptarëve po e drejton Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe jo Bibla e Kurani.

Nexhmedin Spahiu

Shkrimet e mia, kush më shumë e kush më pak, kanë komente negative (natyrisht edhe pozitive), por për ato negative e kam fjalën, cila është arsyeja? Është njëra nga këto dy apo që të dyja: 1. moskuptimi dhe 2. nënshtrimi  ndaj pushtetit. Këtu fjala për sjelljen e njerëzve që nuk i shërbejnë ligjit, por vetëm pushtetit.

Shkaqet e moskuptimit dhe vardisjes ndaj pushtetit

Sa i përket të parës, mundohem që të shkruaj sa më thjeshtë e qartë, por e kuptueshme që hapësira në gazetë nuk lejon që të zgjerohem aq shumë sa të më kuptojë çdo lexues gazete. Në ndonjë shkrim këtë e arrij më pak në ndonjë tjetër më shumë.

Sa i përket të dytës, këtu kam problem vërtetë. Përderisa nuk kemi një demokraci të konsoliduar, pushtetet si në Kosovë si në Shqipëri kanë shumë letranxirës që ia turrin çdonjërit  që thotë diçka që nuk është në vijë me pushtetin.

Ajo që na bënë të mos kemi një demokraci të konsoliduar nuk është se ne si popull kemi më shumë letranxirës se popujt tjerë, jo, problemi është te vlerat morale, te qasja e jonë ndaj argumentit.

Shqiptarët, si në Kosovë si në Shqipëri, si kudo që janë, respektojnë autoritetin e jo argumentin.  Ky është mekanizmi që më së shumti frenon  shkuarjen tonë përpara si komunitet dhe si shoqëri.

Kullat dhe odat

Këtë do ta vëreni më qartë nëse shkoni në kullat e Malësisë apo odat e Kosovës. Aty autoriteti më i lartë vihet në ballë të oxhakut, ndërsa të tjerët anash deri tek dera ku ulet ai që ka autoritetin më të vogël në atë ndejë.

Kur flitet në kullë apo në odë nuk peshohen fjalët nga cilësia e argumentit, por nga niveli i autoritetit të atij që i shqipton fjalët. Dikush nga fundi i odës mund të flas shumë më mençur se ai të oxhaku, por turma në odë/kullë ia vënë veshin vetëm fjalëve të atij që është në ballë të oxhakut, dhe poqë se fjalët e atij që ulet tek dera janë në kundërshtim me atë në ballë të oxhakut, fillon persekutimi i atij qe është i ulur tek dera.

Elitat në Prishtinë e Tiranë

Kjo shihet qartë në kullat e Malësisë dhe odat e Kosovës, por mos mendoni që në thelb puna qëndron më mirë në klubet ku rrinë elitat e Prishtinës dhe Tiranës. Jo më larg se 50, 100 apo 200 vjet, këto elita kanë dalë nga brumi psikologjik që përmenda më lart. Sado që elitat në Prishtinë e Tiranë në trurin e tyre kanë informacionin për vlerat morale dhe mënyrën se si funksionon demokracia, nënvetëdija është ajo e odës/kullës.

Profetët dhe shqiptarët

Thjesht e trup, për shqiptarët nuk ka lindur akoma as Buda, as Jezu Krishti e as Muhamedi. Shqiptarët, tek e tuk, bëjnë kryq e bëjnë namaz, por kjo është më tepër një fizkulturë e tyre se sa një përkushtim ndaj Perëndisë. Është më tepër një aktrim dhe sjellje për tu dukur si të tjerët se sa përkushtim ndaj Perëndisë. Nënvetëdijen tonë e drejton Kanuni i Lekë Dukagjinit dhe jo Bibla e Kurani.

Problemet e rilindësve shqiptarë me opinionin

Prandaj të gjithë rilindësit tanë kishin problem me opinionin. A nuk ankohej për këtë Faik Konica? Po Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e shumë e shumë të tjerë? Sot ata respektohen ngaqë konsiderohen autoritete, por mendimet e tyre prapë se prapë kundërshtohen sapo t’u hiqet emri i autorit si autoritet.

Në një shkrim timin gati 2 vjet me parë kisha bashkangjitur një shkrim të Gjergj Fishtës për të dëshmuar se si Gjergj Fishta e ka konceptuar kombin njësoj si unë. Meqë shkrimi i Gjergj Fishtës ishte i gjatë, gazeta, shkrimin tim së bashku me shkrimin e atashuar të Gjergj Fishtës, e botoi në tri vazhdime. Në ditën e parë doli shkrimi im dhe një pjesë e shkrimit të atashuar të Gjergj Fishtës. Në ditën e nesërme e të pasnesërme doli vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës, me emrin tim si autor, ngaqë redaksia e gazetës  kishte harruar të shtonte një shënim se ishte vazhdimi i shkrimit të Gjergj Fishtës të cilin po e citoja.

Çfarë ndodhi?

Komentet e lexuesve, që shkrimin e Gjergj Fishtës e pandehnin për timin, ishin katastrofalisht negative. Për të qenë ironia në kulm, disa komentues në portalin e gazetës përdornin autoritetin e Gjergj Fishtës për të sharë mendimet e tija ngaqë shkrimin e tij e pandehnin për timin.

Për të ecur përpara duhet që të ndryshojmë këtë qasje. Në kullat e Malësisë, në odat e Kosovës, në shkolla fillore dhe kudo duhet të shkruajmë parulla: Këtu argumenti është mbi autoritetin.

 

8 komente në “Fuqia morale është fuqia më e madhe”

  1. xxxanticennnnnn says:

    nexho aman të keqen,se na vdiqe!¨p vetëm deri në dy di të numërosh a or vulëhumbur??po si është e mundur që të ketë vetëm dy mundësi mor njeri??
    ” 1. moskuptimi dhe 2. nënshtrimi ndaj pushtetit.”
    nuk mund të ketë një të:
    3.moskuptim dhe nënshtrim ndaj pushtetit??
    nuk dua të filloj e të nxjerr pika të tjera se është humbje kohe,por po kaloj në atë që mund ta quaj pikën e fundit.
    nuk ka mundësi që të jesh ti gabim o nexho??
    THJESHTË TË JESH TI AI QË JA FUT PORDHËS???
    këtë variant përse nuk e merr në shqyrtim??
    unë për vete kur shkruaj një diçka e vë në dyshim në kam të drejtë ose jo!sipas diskutimeve me të tjerët,kur jam i bindur për mendimin tim e mbaj,kur më bindin të tjerët se e kam gabim e pranoj dhe ndryshoj mendim!!tek ti o nexho un shoh vetëm një gjë!!
    ti pretendon se ke të drejtë dhe se fajin ta kanë të tjerët!!që stë kuptojnë ose që qënkan të tromaksur nga rregjimi!!
    po si shpjegohet o nexh që ata që të kundërshtojnë janë dhe kundër rregjimit??si shpjegohet o nexh që ata që të kundërshtojnë janë nga komentuesit më të fuqishëm të temës o të respublicës??
    kështu o nexh!vëri një herë gishtin kokës se i vetmi që nuk të kupton je ti!!
    sa për rilindasit or nexh”A nuk ankohej për këtë Faik Konica? Po Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri e shumë e shumë të tjerë?”
    ndoshta ti akoma nuk e ke kuptuar se jo të gjitha ato që ata kanë thënë e kanë bërë gjejnë akoma mbështetje sot!!ata kanë dhënë mendimin dhe janë përpjekur të bëjnë shqipërinë në moment të ndryshëm me të sotmin!!shumë herë kanë pasur të drejtë dhe disa herë jo!nuk është e thënë që të pranohet sot veprimi i gjergj fishtës(pushtimi italian),nuk mund të pranohen si të drejta veprimet e mithat frashërit(po gjatë LdB)!kështu që o nexh dhe nqs të kanë ngatërruar njerëzit ty me gjergj fishtën nuk ka asgjë të keqe!!ata nuk kanë pranuar atë që ti ke vjedhur!plagjiturën ose më mirë mendimin në të cilin je mbështur ti!!sot koha është tjetër o nexh!!
    demokracia do të thot të shprehësh mendimin tënd hapur,por në të njëjtën kohë nuk do të thotë të mos kritikohesh!ndoshta dhe pa u kuptuar!!nexh pavarsisht se stë durojmë dot me ato shkrimet e tua,prap nuk të pengojmë të shprehësh mendimin tën!!dikush e quan të drejtë dikush e kritikon,dikush të quan gjeni dikush budalla,dikush patriot dikush tradhëtar!!liria,demokracia këtë ka!!
    nexh kupto veten tënde më parë!vër në dyshim atë që thua para se ta shkruash!mos harxho më shumë energji për të arsyetuar mendimin tënd,por lëri pak energji dhe vetkritikës!!
    ps:foton e paske përditësuar,nuk dua të bëj komnet për atë që shoh,por do të kisha dëshirë ti bëje të fala matoshit!!ai të kupton ty!!

  2. xhemal says:

    shume bukur edhe kjo tregon se nuk jemi 100 pe qind me autoritetin por edhe pse pak kemi argumentin por une mendoj se mund te jetosh ne kulle e te sillesh e veprosh me moral varet nga njeriu ka qe jane mes kultures , kuranit e bibles,e prap dashurojne pushteti ,parane etj sa gjera jo te mira jane bere e po behen ne emer te bibles e kuranit prandaj ne te bazohemi tek vlerat me te mira te kombit qe nuk mungojne asnje qenie njerezore e vetme sado e afte qe te jete nuk mund te perfaqesoje te teren. bashke arrihen vlerat sukset

  3. vlora says:

    …..dhe pergjigjen ta jap une o nexhmedin; ti ne çdo shkrim e opinion qe ben rotullohesh e rotullohesh e pastaj fut si argiment ” te forte ” besimet fetare, pra ti e imagjinon kombin shqiptar si ne vitet 1600 kur filozofi SPINOZA thoshte qe besimet fetare jane burim i edukates morale por jo i
    te vertetes. Ne shqiptaret moralin e marim dhe e mbajme nga familja burimi i jetes sone dhe per moralin grat e vajzat shqiptare hidheshin nga shkembi per te mos rene robina ne duart e osmaneve se per ne morali vine nga e verteta nga familja e djeshme dhe e sotme . Per ne rendesi ka vetem e verteta ate te vertete qe SPINOZA e kerkonte ne vitin 1600.

  4. Ladi says:

    E gjej me shume vend konstatimin e autorit. Eshte tipike kjo sjellje e prapambetur, ashtu si edhe vete populli e tregon me sjelljen e tij: – Si je o bajraktar ? – po ju tjeret a jeni mir..?!

  5. dritani says:

    Ka harruar piken 3.
    Si te gjithe shqiptaret problemin e gjen tek te tjeret dhe jo tek vetja.
    Vete eshte perfekt. Fiks si Fishta, Konica, Frasheri…
    Tamam tamam i gjan me shume Budes apo Krishtit por qe sigurisht ne s’e kemi kuptuar qe ka lindur.

    E rendesishme eshte qe ke kuptuar qe ka nje problem. Eshte i te tjereve apo yti flasim nga java se tani jemi te xanun.

  6. kurt says:

    Dritan po ti ku e gjen veten mo xhan? Ke harruar piken 3?

    E di qe je i rendesishem ketu ne kete faqe? Mos u largo! sepse te gjithe thone: pa te shohim si shan Dritani e sa karafil ne dege eshte?!Asgje nuk i pelqen sepse e ka per detyre te shaje gjerat shqiptare…

  7. Heretiku says:

    Nexhi, eshte hera e pare qe i ke rene pikes, ke thene nje te vertete te madhe. Nje pjese e mire e shqiptareve, per fat te keq, i perulen, i servilosen, i lepihen, i japin te drejte atij qe eshte me i forte ne planin fizik, politik, ekonomik etj. edhe kur ky i fundit flet mbroçkulla apo ben veprime idioteske, qe demtojne gjithe komunitetin.
    Duhet te jete ndryshe, te respektohet dhe te nderohet ai qe ka llogjike te shendoshe, keta njerez te bejne te ecesh perpara.
    Kjo eshte arsyeja, qe vitet kalojne, shqiptaret vertiten, vertiten dhe jane po tek pika e fillimit.

  8. Robert says:

    Ike rene pikes.Tamam.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje