Paratë gjenden te mirëadministrimi i fondeve

21 Gusht 2013, 11:44Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Një nga pyetjet e shpeshta që i bëhej gjatë fushatës elektorale kryesocialistit Rama, qe se, “ku do t’i gjente fondet për të realizuar premtimet, nëse do të vinte në pushtet?” Dhe, një ndër premtimet e tij ishte se “do financohen 160 milionë dollarë në sistemin e ujitjes në parcelë si pjesë e programit të detajuar për rimëkëmbjen ekonomike të fshatit.”

Sot jemi në kushtet ku Rama i ka fituar zgjedhjet, është kryeministër i ardhshëm, bile ka ndërtuar edhe kabinetin qeveritar dhe pret vetëm javën e parë të shtatorit për t’u ligjëruar e nisur punën. Më pas i duhet të vërë në jetë një sërë premtimesh, të cilat, sigurisht, kërkojnë financim që të materializohen. Po vërtet, ky do mund t’i gjejë paratë qeveria Rama?

Le të kthehemi pak në kohë, këtu e 4 vjet më parë, kur u inaugurua Rruga e Kombit. Pas një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, u konstatuan se në një miliard e kusur euro që kushtoi rruga, 230 milionë euro u vodhën e shpërdoruan. Për këtë arsye u hap edhe një proces ndaj ish ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, dosja e të cilit, siç dihet, mbeti jetime dhe s’u gjykua kurrë.

Le të bëjmë një llogaritje të vlerave, duke u bazuar në kursin e kohës. 160 milionë dollarët e sistemit të ujitjes janë të barabarta me afro 114 milionë euro. Pra, vetëm nga mirëadministrimi i fondeve të Rrugës së Kombit, jo vetëm që sot, pas 4 vitesh, do të ish financuar e vënë në punë sistemi i ujitjes së tokës e kullimit të ujërave, po do kishim gjendje edhe 116 milionë euro të tjera që mund të përdoreshin në infrastrukturën rrugore, në përmirësimin e ambienteve shkollore, në rritjen e cilësisë në shërbimin spitalor, e në shumë sektorë të tjerë që kanë qenë nevojtarë për fonde publike. Pra, jo vetëm kemi shpërdoruar paratë, por janë edhe katër vite të çuara dëm.

Ky është vetëm një ndër shembujt domethënës se fondet ekzistojnë. Ato që na mungojnë janë administratorët të cilët të dinë se si t’i mirëpërdorin këto fonde në shërbim të qytetarëve e jo të xhepit të tyre.

Besoj i mbani mend disa idhtarë të flaktë të Berishës, që s’e kishin për gjë të deklaronin: “Hallall i pastë paratë, mjafton që u ndërtua”. Nëse ka inkurajim më të madh për qeveritarë të korruptuar, është pikërisht verbëria e kësaj kategorie e cila, duke mos e kuptuar se ato para kanë dalë nga taksat e tyre/tona, i japin shtysë të mëtejshme vjedhjes e shpërdorimit masiv të fondeve publike dhe bëhen avoketër të asaj kategorie pushtetarësh të cilët, në një sistem ku sundon ligji, do përfundonin pas hekurave të burgut.

Për t’u kthyer sërish aty ku e nisa, te shpërdorimi i fondeve publike.

Nëse për Rrugën e Kombit e kemi një raport serioz, ç’mund të mendohet për shumë investime të tjera të kësaj qeverie në ikje që janë financuar me të njëjtin mentalitet?

Sa e sa vepra të ndryshme publike do ishin ndërtuar a rikonstruktuar vetëm nga menaxhimi i mirë e transparent i fondeve?

Sa është dëmi, jo thjesht financiar, por dhe i mungesës për disa vite të asaj të mire publike që u ka munguar qytetarëve nga shtyrja në kohë?

Është detyrë imediate e qeverisë së re që të bëjë transparencën e çdo lloj shpërdorimi të kryer e të vërë përpara ligjit gjithë këtë kastë burokratësh e qeveritarësh, të cilët, për 8 vite rresht, s’i lanë kusur pa i vjedhur këtij vendi.

Qeveria Rama duhet të ndërmarrë hapa konkretë që rrisin transparencën e përdorimit të fondeve publike, destinacionin e tyre dhe si ato përdoren nga personat përgjegjës. Është shumë e rëndësishme që në çdo hap të tyrin, strukturat që administrojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, po dhe të donatorëve të huaj, të jenë të kontrolluara jo vetëm nga një grusht burokratësh (që s’japin dhe aq shumë garanci në ndershmërinë e tyre), por nga sytë e miliona shqiptarëve. Secili i interesuar të ketë mundësinë të shohë se çfarë është bërë me kontributin e dhënë prej tij dhe se si ky kontribut i është kthyer në të mirë shoqërisë në tërësi.

Fjalët u thanë në fushatë, tani priten veprat. “Qeveria flet me vepra”, ka thënë Rama. Të shohim!

4 komente në “Paratë gjenden te mirëadministrimi i fondeve”

  1. Arber says:

    Lajm shume interesant!
    Por per fat te keq asnje koment. Kjo tregon se pjeses
    me te madhe te lexusve as qe i kercet fare gjera me rendesi
    te mdha sic esht menaxhim i fondeve publike, por te ato qe shkruan
    Sala ne facebook. Tung!

  2. Mili says:

    Eshte per te ardhur keq dhe kjo dihet qe Pd ska patur asnjehere administratore te mire po vetem hajdute te rendomte se ata qe kishin dy fije mend iken nga syte kembet.

    1. Alb says:

      Mili, ashtu eshte, 100 vjet ky vend ka pasur vetem hajdute te rendomte, fshatare me kepuce me balte dhe pa dhembe. Te presim e te shpresojme…..

  3. socialisti says:

    po ja bre dhe pak dite dhe do i rregullojme gjerat kemi cimin tek financat “ALO CIMI” dhe cdoo gje rregullohet

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje