Për një Kod të sjelljes dhe komunikimit

29 Gusht 2013, 16:37Blog TEMA

Nga Altin Ketro

Pritshmëritë për qeverinë e re, janë të mëdha. Për këtë, është i ndërgjegjshëm edhe vetë kryeministri Rama, i cili shprehet për qeverinë e tij se, “ka mandat të fortë dhe të brishtë njëkohësisht, kjo për shkak të pritshmërive që qytetarët kanë ndaj saj.”

Një ndër pritshmëritë (në fakt janë shumë), është edhe sjellja e administratës karshi qytetarëve të thjeshtë. Këta të fundit janë pjesa dërrmuese që ndeshen përditë me nivelet e ulta e të mesme të administratës, nga ku marrin edhe shërbimet e drejtpërdrejta.

Qytetarët janë të niveleve të ndryshme kulturore, jo çdo gjë e kuptojnë ashtu siç duhet, shfaqin tension dhe padurim, kanë nivel të lartë mosbesimi, u duket se ia kanë me hile etj, etj. Të gjitha këto çojnë në nervozizëm. Ky pastaj reflektohet në përballje të ashpra me nëpunësit, të cilët, ose nga stresi i punës, ose nga mungesa e vetëpërmbajtjes, bien në pozitat e banalitetit gjatë fjalëkëmbimit.

Natyrisht, kjo s’mund të përgjithësohet, por askush s’mund të thotë se nuk ndodh. Secilit i ka rastisur, ose vetë personalisht, ose i ndodhur rastësisht në ambiente të tilla, të shohë deri dhe kacafytje me duar.

Për të shmangur rastet kur sjellja e nëpunësit bie në nivelin e rrugës, duhet që çdo institucion të ketë Kodin e komunikimit e të sjelljes. Një Kod i atillë që të përcaktojë qartë mënyrat e sjelljes dhe komunikimit në shumë plane, si atë brendapërbrenda vetë institucionit, ashtu dhe ndaj çdo qytetari. Një Kod që, edhe nëse ekziston, duhet të bëhet funksional për t’u zbatuar dhe jo të jetë thjesht sa për të qenë aty si relike.

Kur të ka zënë halli dhe të duhet të shkosh në ndonjë zyrë shteti, ndodh të ndeshesh me pritje shpërfillëse prej nëpunësve. “Hë mo, erdhe prapë ti?”, “Tani e gjete të vish? Ik, se jam i/e zënë”, “Po ik e zgjidhe punë tënde ku të duash, as më plas fare”, etj., etj., janë disa nga shprehjet që përdoren rëndom. Kjo mënyrë të “prituri” tingëllon sikur i je bërë barrë nëpunësit që e ka për detyrë të të shërbejë, kur në fakt është pikërisht ai që bëhet pengesë që çështjet të zgjidhen sa më shpejt. Ky është një shembull i thjeshtë, po sa e sa të tillë hasen çdo ditë, bile shumë më të rëndë?

Sigurisht, dhe nga ana e qytetarëve ka shfaqje të tejkalimit të normave të edukatës për shkaqet që theksova më sipër. Por, sado arrogancë të shfaqë një qytetar, qoftë edhe kur kërkon të drejtën e tij që i zvarritet, nuk mundet që nëpunësi t’i kundërpërgjigjet me të njëjtën monedhë deri dhe me përballje fizike. Në raste të tilla njoftohen grupet e sigurisë që ka pothuajse çdo institucion dhe pritet ndërhyrja e tyre për ta qetësuar apo larguar personin problematik.

Nëpunësit duhet të jenë dinjitozë në ushtrimin e detyrave të tyre, me qëllim që të fitojnë respektin dhe besimin e qytetarëve. Qysh nga pritja në sportel apo në zyrë, trajtimi me seriozitet i problematikave të secilit, ngrohtësia dhe qetësia në komunikim, dëshira për ta ndihmuar përtej mungesës së njohurive që ka i interesuari për një çështje të caktuar, etj., krijojnë atmosferën e dëshiruar për një shërbim të kulturuar, larg debateve dhe sharjeve reciproke.

Në këto kuadër, qeverisjes së re i del detyrë shumë e rëndësishme, që të kryejë një trajnim të plotë e të gjithanshëm të administratës. Jo thjesht në aftësimin e nëpunësve për detyrat që ata mbulojnë e për të cilat paguhen, po paralelisht dhe në aspektin e njohjes së rregullave të komunikimit me popullin, për shkeljen e të cilave nëpunësi të marrë, sipas rastit, edhe ndëshkimin përkatës.

Sigurisht, ky do të jetë një proces i gjatë e i vështirë, pasi nuk bëhet fjalë për dy a tri individë që i shkarkon menjëherë, por janë me mijëra syresh. Si fillim, le të hedhin hapat e parë për t’i bërë funksionalë këto kode të komunikimit e të sjelljes, me qëllim që, pak e nga pak, qytetarët të ndjejnë se një erë e re po fillon të nisë në marrëdhëniet e tyre me administratën publike.

4 komente në “Për një Kod të sjelljes dhe komunikimit”

  1. Agroni says:

    Prandaj Rama ben mire tju vere drune ketyre rrugaceve te sali malokut.
    “zyrtaret” rrugace nuk kan as minimumin e miresjelljes e as qe njohin gjuhen e bukur shqipe,se vijne nga malet ku dhe qeni ha kaken e vet nga uria.

    1. Ilir Gruda says:

      Krahinat e bukura ,male , fusha dete… dialektet e bukura e bejne Shqiperine tone dhe gjuhen tone aq te…te gjere e te mire ..te BUKUR e dlire…….Eshte ne rastin me te vogel TURP te fyesh pjese-krahina te vendit tend…Ketu ku banojme(UK) dilektet kane nryshim ma te madh se tek ne ..psh dialekti i Liverpool e Manchester nryshon shume shume me ate te jugut (London)..por as ata qe flene jashte me qen (per qefin e tyre) nuk shprehen keshtu per krahinat e vendit tyre. Inati per nje ish kryeminister bandit batakci,hajdut e te pa fetyre nuk na lejon te pergjithsojme zona e krahina te mrekullueshme te vendit tone..

      1. Euro Maloku says:

        Dialektet jane vertete te vleresuara ne bote ne fushat e letersise,teatrit etj…
        Megjithate ne zyre perdoret gjuha zyrtare e standartizuar.
        Nuk duhet harruar rendesia qe ka gjuha ne krijimin e botekuptimit te individit apo ne mjedisin qe krijohet midis bashkebiseduesve.
        Jo me kot eshte kerkuar qe gjithemon njeri tjetrit ti drejtohemi me shprehjet: Zoti….apo Shoku…apo Zonjusha…
        Qe ne fillim ne trurin tone krijohet efekti i kerkeses per reagim reciprokisht te denje.

  2. Rani says:

    Kodi i etikes duhet te jete i pranishem dhe i detyrueshem per tu zbatuar ne gjithe piramiden shteterore si dhe ne organet e Qverisjes Vendore(Bashki,Komune)pa nje qasje te tille te re nuk mund te pretendohet te behet ndryshimi i kerkuar .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje