Në Shqipërinë e 23 vjetëve “demokraci” (në thonjëza sepse është pseudo- demokraci) ligji i vetëm që duket se ka vlejtur ka qenë “Mos respekto shtetin për sa kohë ai nuk vjen të të bjerë në kokë”. Si i tillë, shteti duket se ka qenë bujar me njerëzit pasi nuk është marrë me ta. Drejtuesit e shtetit, ata që paguhen për politikë dhe ligjbërje, sikurse edhe për ligjzbatim, ia kanë kushtuar krejt vëmendjen pasurimit gjigand të tyre dhe familjeve të tyre, gjithmonë në dëm të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Në këmbim të injektimit të sindromit “antishtet”, shoqëria ka pranuar të jetojë në tutelën e miliarderëve të natës, pra kjo shoqeri ka shitur të ardhmen për vlerën e një fature energjie, uji, apo gjobe në trafik.
Në momentin kur shitja ka zënë vend, atëherë matrapazët (pushtetarët) kanë falsifikuar dokumentat e shitjes duke ia marrë çdo gjë që i takonte kësaj shoqerie, përfshi edhe shpirtin e ankimit dhe protestës. Askush më tepër se Berisha nuk e ka shfrytëzuar këtë, sepse ka qenë, më shumë së gjithë të tjerët, në pushtet në këto 23 vjet.
Në 1997-ën ai u detyrua të largohej nën presionin e pakënaqësisë popullore, presionit të ndërkombëtarëve, me premtimin se askush nuk do e cënojë as atë dhe as familjen e tij për ato që kishin ndodhur, së paku në periudhën 1996- 1997.
Në 2005-ën ai u rikthye sepse, çudia më e madhe zgjat 3 ditë në Shqiperi dhe, sepse, ishin Majko, Mejdani, Dokle, Nano, etj., ata që i dhanë Berishës kartën e bardhë në 1997-ën. Ai u rikthye sepse, qeverisjet socialiste vuajtën nga e njëjta sindromë si ajo e PD-së gjatë 1992- 1997-ës, krijuan perceptim negativ (se i tillë ishte në të vërtetë) për mënyrën e të qeverisurit nga një forcë majtiste që njihet për aplikimin e politikave sociale.
Më 23 Qershor, mbi 1 milion votues i thanë JO vazhdimit të qeverisjes së Berishës, duke i dhënë atij kartonin e dytë të verdhë, dhe që në një ndeshje futbolli do të thotë që ai është jashtë loje (dy të verdha = një të kuq).
A ka ikur vërtetë Berisha? Unë personalisht nuk e besoj një gjë të tillë. Ai është pas perdes dhe flet me gojën e Bashës, Bregut, Imamit, etj., që i ngjajnë kukullave në një shfaqje teatrale me kukulla për fëmijë. Fakti që ai s’ka ikur, forcohet edhe më tepër me lëvizjet e fundit që qeveria në ikje ka ndërmarrë duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një deficit akoma më të madh.
Si do ndryshojë kjo? E para, në aspektin e politikave që do ndiqen besoj se qeverisja e Ramës do jetë, së paku në dy vitet e para, një qeverisje shembull i zbatimit të politikave pro nocionit shtet dhe mirëmenaxhimit të burimeve. Kjo, sepse Ramës i duhet një sukses i dukshëm për ta përdorur për zgjedhjet lokale të 2015-ës, dhe sepse ai në vetvete ka si objektiv një Shqipëri ndryshe, me një perceptim tjetër ndaj ligjit dhe respektin ndaj tij. A do arrijë ai ta ndryshojë antiligjshmërinë që ka kapluar edhe lopët në majë të malit? Nëse ne shqiptarët jemi për ligjin dhe shtetin, atëherë kjo është e arritshme, por nëse jo, atëherë ne nuk meritojmë të konsiderohemi shtet sidoqoftë.
Në lidhje me kreditin, është e vërtetë se Shqipëria ka arritur tashmë vijën e kuqe të kredidhënies dhe çdo muaj që kalon do të thotë që Shqipëria i afrohet shumë më tepër Greqisë, por ka një element këtu: Shqipëria ka informalitet financiar që mund të shkojë edhe deri në 50% të vlerës së GDP-së dhe, si e tillë, çdo analizë ekonomike mbart në vetvete një vlerë marxhinale të konsiderueshme të gabimit.
Institucionet financiare ndërkombëtare, përfshi Bankën Botërore dhe FMN-në do jenë, besoj, më pozitive ndaj qeverisjes së ardhshme në krahasim me atë të Berishës, sepse qeverisja e ardhshme nuk duket të jetë e gatshme të vazhdojë në hapat e Berishës që u atakua me gjithë institucionet financiare pasi ato paralajmeruan dhe kritikuan qeverinë për bixhoz me financat publike. Pra, megjithëse do ketë norma interesi mbase më të larta, për shkak të asaj që qeverisja 2005- 2013 ka aplikuar në financat publike, qeverisja e ardhshme do ketë mbështetjen e institucioneve financiare në këmbim të politikave të shtrënguara financiare dhe që domosdoshmërisht do ndihen edhe tek shoqëria. Për këtë, s’ka pse fajësohet qeverisja e Ramës, por i duhet thënë “faleminderit” Berishës që edhe në kohë krize financiare, me një deficit alarmant, vendos rritje pagash, fonde shpërblimi për Presidencën, Gardën, Komunitetin Musliman, etj., pa përmendur këtu “investimet gjigande në infrastrukturë” me borxhe kilometrike.
Nëse e konceptojmë për një çast shtëpinë tonë me shtetin dhe që për të kënaqur egon tonë personale shkojmë në Raymond & Flannigan dhe marrim 70,000 dollarë pajisje me kredi, duke mos pasur punë me të cilën do shlyhet kjo kredi, atëherë megjithëse do mund t’u themi miqve e shokëve, shiko çfarë shtëpie kam, pas pak kohësh s’do kemi as shtëpi e as shoqëri, sepse do vijnë t’i marrin ata të cilëve u kemi borxhe. Pra, nuk arrij të kuptoj, ku ishte pozitiviteti i politikave “alla Tito” që Berisha ndërmorri?!
Qeverisja e re, nën instruktimin e institucioneve ndërkombëtare financiare, dhe nën një set aplikimesh të forta të politikave ekonomike, do mund t’ia arrijë të zvogëlojë hendekun e borxhit.
Stimulimi i prodhimit vendas nëpërmjet subvencioneve dhe politikave doganore do sjellë rritje të prodhimit vendas që, në vetvete, do të thotë rigjenerim i ekonomisë mbi bazën e qarkullimit të brendshem. Vjelja e taksave në mënyrë efikase, jo nëpërmjet politikave klienteliste, do të bëjë që buxheti i shtetit të ketë më shumë frymëmarrje financiare dhe aftësi investimesh në sektorët me prioritet.
Po ashtu, lehtësimet në fushën e taksave për iniciativat private, do mund të gjeneronte thithje investimesh nga individët të cilët deri më tani kanë qenë të larguar për shkak të politikave klienteliste dhe monopolitike të aplikuara nga familja kupolë. Mjafton të vësh shtetin në lëvizje dhe të marrësh nën kontroll llogaritë bankare të tre- katër ministrave aktuale dhe familjes kupolë, për të pasur pará të mjaftueshme që, nën një menaxhim të përgjegjshëm, të krijojnë mundësinë për përmirësimin e sistemeve vaditëse në 1/2 e Shqipërisë dhe që, në vetvete, përkthehet në rritje të prodhimit vendas.
Po ashtu, politikat e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë, sidomos në fushën e shfrytëzimit energjitik, do bënte të mundur një efikasitet shumë herë më të madh të gjendjes së furnizimit me energji dhe që është lënda e parë në turizëm, industri dhe mirëqeverisje.
Në lidhje me taksat, sado i rrënuar të jetë një shtet ai përsëri do mund të ringrihet në saj të aftësisë së tij për të mbledhur taksa. Taksa progresive është e drejtë për nëpunësit buxhetorë dhe të ardhurat individuale, ndërkohë që bizneset do tatohen siç janë tatuar deri më tani. Produktiviteti i përllogaritjes së tatimit dhe mbledhja e detyrimeve tatimore, qoftë edhe nga “gjigandët” (hajdutët) e telekomunikacioneve, bankave apo Kurum, do jenë sfidat e politikave tatimore që qeverisja e Ramës duhet të vërë në zbatim nëse do që të ketë sukses.
Ai, më mirë se kushdo e di që, me Berishën “e plagosur” përballë tij, do duhet të punojë 150% për të arritur të ketë sukses në zgjedhjet lokale të 2015-ës. Kjo, më pas, përkthehet në më shumë punë, në një shtet që fillon të tregojë se edhe pse pas 23 vjetësh në koma, do fillojë të lëvizë duart dhe të veprojë. Nëse i bën këto, atëherë Rama do të mbetet në histori si kryeministri që e nxori Shqipërinë nga gjendja e vdekjes klinike dhe e bëri atë një atlete në garën e mijëvjeçarit të ri.
SFIDAT JANE AKOMA ME TE RENDA SE SA DUKEN.
NE SHIKOJME VETEM GRYKEN E HALES BERISHA
?
http://bit.ly/J8EpMH