Shqipëria njihet si një vend me klimë të ashpër politike. Veçanërisht në prag zgjedhjesh ajo merr hov dhe bëhet e pamenaxhueshme. Por, edhe kur s’ka arsye të qenësishme, lufta politike mbahet në nivele të larta deri në absurd. Po sa i nevojitet shoqërisë sonë klima e ndezur politike? Aspak, bile mund të thuhet se është e dëmshme.
Lufta e ashpër politike, ashtu siç i ndan faktorët politikë me njëri- tjetrin, ndikon që ajo të përcillet edhe te elektorati, i cili ndahet në dy pole ekstreme: njëri merr rolin e tifozit politik, tjetri s’do t’ia dijë se ç’bëhet.
Kjo luftë që klasa politike e përcjell (jo vetëm) gjatë periudhës zgjedhore poshtë në terren, shtresëzon disa kategori të elektoratit.
Ajo ndikon që një pjesë e shoqërisë të jetë shumë aktive dhe voton pa shumë principe, duke u dhënë rëndësi interesave personale të cilat ndërthuren me shpresën e kapjes së një vendi të mirë pune në administratë apo të favorit për të qenë i avantazhuar në një fushë të caktuar për shkak të njohjes apo kontributit që ka dhënë.
Ka një kategori tjetër që votojnë për idealizëm, sepse shpresojnë që forca politike që ata besojnë do rrisë nivelin e cilësisë së jetës, të mirëqenies, të vendosjes së shtetit të së drejtës, krijimin e mundësive të barabarta që secili të konkurrojë sipas aftësive që ka dhe të marrë atë çka me të drejtë i takon, e kështu me radhë. Dhe këtë e bëjnë pa i marrë këto të mira drejtpërdrejtë ata si individë, por si shoqëri në tërësi.
Kjo pjesë e shoqërisë duket si më e shpërfillura për faktin se nuk aktivizohet shumë në fushatë, nuk ulëret nëpër mitingje: “rroftë ky dhe poshtë ai”, nuk agreson kënd. Ajo e jep kontributin e saj ditën e votimit ku lë rehatinë e shtëpisë apo të punëve personale dhe merr rrugën për te qendra e votimit dhe ia jep votën ndryshimit të status quo-s. Por ata mbeten gjithmonë të padukshëm dhe e humbasin vlerën sapo zgjedhjet përfundojnë.
Sportelet e partisë fituese i zënë radhët e gjata të atyre që tundin foton e mitingjeve ku kanë marrë pjesë apo reklamojnë se ç’kanë bërë për ta mundur kundërshtarin. Sigurisht që ata kanë meritën e tyre, sepse me guxim janë përballur në vijën e parë të frontit. Por, kur vjen puna te kutia e votimit, si ai që ka bërë namin në mitingje, si ai që s’ka qenë shumë aktiv, vota po njësoj u numërohet, në raportin 1:1.
Kur një pjesë e elektoratit vlerësohet vetëm nga kontributi i aktivizimin gjatë fushatës, kurse pjesës tjetër s’u njihet asnjë e drejtë sepse “s’e kanë treguar veten”, thellohet edhe më shumë hendeku i dyshimit që elektorati apolitik ka karshi politikës.
Kjo frymë e vjetër politike e mbjellë ndër vite ndikon që edhe një pjesë tjetër e elektoratit as që e merr mundimin të shkojë të votojë me mendimin: “kokën hënçin, unë shoh punë time”.
Ç’duhet bërë atëherë që qeverisja e nesërme të mos e ndajë popullin në kontribuues aktivë dhe pasivë? Më tej, në tanët dhe në të tyret?
23 qershori ishte një mundësi e mirë për t’u shkëputur njëherë e përgjithmonë nga politika e llogoreve dhe favoreve në dëm të politikës së bashkëpunimit dhe të bashkëveprimit; e të parit të tjetrit me dyshim e mosbesim në dëm të respektit reciprok; e kriterit për të siguruar punë nga niveli i ngjirjes së zërit dhe skuqjes së duarve nëpër mitingje në dëm të atyre që kanë investuar vitet e jetës për dije e shkencë; e promovimit të antivlerave dhe parazitëve në dëm të njerëzve me integritet të lartë moral dhe profesional, etj., etj.
Qeveria “Rama” duhet të bëjë çmos të rikthejë besimin te ata që bojkotojnë sistematikisht zgjedhjet, t’u motivojë shpresën atyre që votojnë jashtë interesit personal, si dhe t’u vërë fre padurimit të atyre që mendojnë se me kontributin që kanë dhënë në zgjedhje, u bë deti kos dhe kanë të drejtë të përfitojnë e bëjnë ç’të duan.
Ka vend për dyshim? Pa diskutim! Por shpresa vdes e fundit dhe prandaj demokracia të jep mundësinë e rotacionit atëherë kur njëri faktor politik gabon dhe zhgënjen.
ne keto zgjedhje humbi tropja
por fitoi nje shqiperi e tere