Një deklaratë e ambasadorit amerikan, ku krahasoheshin zgjedhjet e 23 qershorit me ato të vitit 1992, ka hedhur mënjanë kortezinë formale të PD ndaj tij, duke provokuar një varg kritikash të ashpra e shpesh vulgare ndaj ambasadorit të SHBA në Tiranë. Një precedent që e kemi parë të konsumohet rregullisht që nga fillimi i viteve ’90
Në 28 gusht Këshilli Bashkiak i Elbasanit i dha titullin “Qytetar Nderi” ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu. Siç pritej, këshilltarët demokratë e braktisën ceremoninë, në një akt që vetëm pak javë më parë do të konsiderohej thjesht i pamendueshëm. Dekorimi i një ambasadori amerikan do të përbënte ngjarje për cilindo qytet të Shqipërisë, por jo në rastin e Elbasanit.
Prej muajsh marrëdhëniet mes ambasadorit amerikan në largim dhe kryeministrit shqiptar po në largim, janë thuajse të ngrira. Kritikat në rritje të Arvizut për korrupsionin, shkeljen e lirive, drejtësinë që shkelte mbi hetimet e FBI për 21 janarin etj, e kishin vënë gradualisht ambasadorin amerikan, në kurs përplasjeje me qeverinë e Tiranës.
Qysh para zgjedhjeve u bë e qartë se Arvizu shihej si i padëshirueshëm nga qeveria Berisha, e cila, pas konsolidimit të lidhjeve me kompani lobuese në Uashington, e shihte ambasadën në Tiranë pak a shumë si një faktor të panevojshëm e turbullues në komunikimin zyrtar me SHBA. Dublimi diplomatik i ambasadës mori përmasa të tilla gjatë vitit të fundit, saqë zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit u detyruan më shumë se një herë, që të deklarojnë se përfaqësuesi zyrtar i SHBA-ve në Tiranë ishte ambasadori amerikan. Një qëndrim formal ky që nuk e zbuti aspak klimën e ftohtë mes Berishës dhe Arvizut. Aq sa qeveria shqiptare nuk ngurroi fare të përhapë me dëshirë, pak orë para zgjedhjeve të 23 qershorit, lajmin se ambasadorit Arvizu i kishte ardhur fundi i misionit në Shqipëri dhe se ishte shfaqur edhe emri i pasardhësit të tij.
Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit duket se nuk solli asnjë pakënaqësi për vetë zotin Arvizu, i cili nuk vonoi të përshëndesë procesin elektoral dhe të nënvizojë gatishmërinë e qeverisë amerikane, për të punuar me fituesit e rinj të zgjedhjeve. Disa takime me ministrat e ardhshëm të së majtës, e mbi të gjitha deklarata e bërë në 20 gusht nga brigjet e Jonit, se “zgjedhjet e 23 qershorit 2013 ishin historike dhe po ashtu si ato të vitit 1992, ishin shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi sollën ndryshimin”, duket se hoqën edhe cipën e fundit të mirësjelljes formale, me të cilën qeverisësit në ikje trajtonin diplomatin e lartë.
Një ditë më pas, më 21 gusht, Jozefina Topalli bëri një replikë nga ato që vetëm ajo di të bëjë, për krahasimin elektoral të ambasadorit. “Një vend të madh nuk e përfaqëson dot një njeri i vockël! Për më tepër me miopi të theksuar historike e politike!!! Për të mos i thënë falsifikator i historisë!”, qenë komentet e kryetares së Parlamentit, në të cilat duket se përmblidhet i gjithë mllefi që maxhoranca e djeshme kishte akumuluar për ambasadorin amerikan në fundin e mandatit të tij. Pas Topallit, Pollo, Bregu, Paloka e të tjerë sulmuan të gjithë në rresht ambasadorin Arvizu, si për të treguar qëllimshëm se reagimi ndaj tij nuk ishte i rastësishëm dhe as ndonjë impuls i momentit, por një qëndrim praktikisht zyrtar i Partisë Demokratike (dhe kryetarit të saj faktik). Berisha po përpiqej, me mënyrën që ai e njeh më mirë se kushdo tjetër, që të mbante nën goditje të vazhdueshme publike diplomatin amerikan, duke mos i kursyer (me gojën e të tretëve) as batutat vulgare dhe as komentet fyese ndaj tij. Tranzicioni shqiptar kishte shënuar në dosjen e tij të trashë edhe një tjetër betejë të partisë më të madhe të të djathtës me një ambasador të Shteteve të Bashkuara.
Trashëgimia diplomatike e Aleksandër Arvizut do të kërkojë ende kohë që të shkruhet e gjitha. Rëndom një proces i tillë ndodh pasi titullarët diplomatikë të SHBA e kanë lënë Shqipërinë. Natyrisht që në këtë lexim të qetë e pa pasione të punës së këtij ambasadori aktiv nuk do të zhurmojë një rrethanë e sikletshme, si ajo e Wikileaks, siç qe rasti i paraardhësit John Withers.
Por qysh tani mund të thuhet me plot gojën se pjesa fundore e mandatit të Aleksandër Arvizut, ashtu si edhe e thuajse të gjithë ambasadorëve amerikanë të njëzet vjetëve të fundit, është shenjuar nga armiqësia e hapur e PD dhe lidershipit të kësaj partie, ndaj tij. Megjithëse Sali Berisha asnjëherë vetë në fushë kundër Arvizut, as në mbledhje qeverie e as në Facebook, ku ka shumë dëshirë të bëjë komente, fushata e politizuar e fyerjeve ndaj tij kishte të njëjtin dirigjent të vjetër. Atë që dikur mallkonte edhe Mariza Linon, edhe Joseph Limprechtin apo Joseph Lejkun.
Aleksandër Arvizu e sheh kështu veten, pa dëshirën e tij, në klubin e armiqve diplomatikë të kryeministrit në largim. Një listë e zezë që vijon të zgjatet, me gjithë kalimin e viteve, e që na kujton edhe një herë sesi mekanizmi i konfrontimit gradual mes Sali Berishës dhe ambasadorit amerikan të radhës, vihet në lëvizje në mënyrë ciklike dhe me përpikmërinë e një ore zvicerane. Një proces thuajse fatal transformimi i “burrit të shtetit”, në një kundërshtar të panegociueshëm.
Kur pèrfaqèson njè shtet si Usa emri i çdo ambasadori kalon nè plan tè dytè. Por ky i fundit bèri emèr mbi ambasadorin, po largohet nga ky vènd nè kohè tè njèjtè me “burrin e shtetit”. Ashtu i vogèl i urtè e i duruar e nderoi dhe e mbrojti nga “kokèpalarèt” e prerè nè besè, tè vrarè nè trup dhe nè krenari. Nuk e bèri aspak pèr Berishèn por e bèri pèr shqipètarèt, jo gjakderdhies, jo mè pushtet me dhunè por me votè tè lirè dhe kuvend, ashtu siç i ka hije shqipètarit. Tu bèftè udha e mbarè zoti Arvizu, fjala e mirè e thènè nè fund do tè kujtohet mbi tè tjerat. Sigurisht do tè shtèrngoni gjatè duart me zotin Withers.
Z. Minxhozi,
duhet te kerkosh info nga amerikanet qe mbeshteten salepin – cfare mendojna ata per fyerjen e perfaqsuesit te Presidentit Obama – e kam fjalen per Podesta-t dhe Patton Boggs-at ?
Burri i shtetit, kthehet ne palo burre. Me pas del nje fare Kreshnik Collaku dhe bene deklaraten bombe. Te gjitha fuqite e huaja donin rrezimin e Berishes ( regjimit). Financuan 25 milione dollare.
Ku tjeter po financojne fuqite euroatlantike sot per rrezimin e nje regjimi vrases. Ne SIRI… Eshte Kreshniki qe i barazon Berishen me Asadin.
USA ka qene eshte dhe do te jete mik ishqipetareve.Grupi fashist i sali berishes nuk mund te jete shqipetar