Një emër rruge në Kosovë për durrsakun Sadri Kapiti

5 Shtator 2013, 18:31Rajoni TEMA

Bedri TAHIRI

     Duku  u bazuar në nenin 13 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Nr. 03/L-040 dhe nenin 67”g” të Statutit të Komunës dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sistemimin e Adresave të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-071, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku, me vendimin Nr. 322/ 13, të datës 11. 03. 2013, formoi Komisionin për propozim të emërtimit të rrugëve dhe shesheve të Komunës së Vushtrrisë, me kryetar, kryesuesin e Kuvendit, z. Habib Mustafa. Dhe, Komisioni, krahas emrave të tjerë, në mbledhjene e fundit, më 10. 07. 2013, pasi mori edhe pëlqimin e Kuvendit Komunal, vendosi që rruga nr. 171 të emërohet “SADRI KAPITI”.

                         
Cili ishte Sadri Kapiti?

Fjala popullore:Guri peshon rëndë në vendin e vet, sikur nuk vleka gjithmonë e për çdokend. Jo, ore, jo. Këtë më së miri e dëshmuan shqiptarët e Sanxhakut të Nishit. Ata, edhe pse u rrokullisën nga vendi i vet, kudo që vajtën, nuk i zbehen aspak burrërinë, bujarinë e trimërinë, trashëguar nga stërgjyshërit e tyre atdhetarë. I tillë qe edhe burri me nam, nacionalisti e atdhetari i përbetuar, që kurrë nuk provoi nënshtrimin, Sadri Ibrahim Kapiti. Katundi Kapit (nga iliro-latinishtja që ka kuptimin i kamur, fisnik).

 

Fëmijëria dhe rinia

 

Sadri Kapiti u lind më 1915 në Zallq të Istogut. Rridhte nga një familje  patriotike e ardhur andej nga rrethina e Medvegjës dhe nga fisi i tij kanë dhënë jetën dy veta në luftën për mbrojtjen e Shkodrës kundër serbo- malazezve. As Sadriu kurrë nuk u pajtua me serbin e pabesë, i cili edhe i kishte dëbuar dhunshëm nga trojet e veta stërgjyshore në vitet 1878/1880, duke i lënë pa plangë e pa shtëpi.

Fëmijëria dhe rinia e këtij djaloshi të etur për liri ishin të ngjashme me ato të moshatarëve të tij; me skamje, me halle, me vuajtje, me mjerim. Gjithmonë të ndjekur e të përndjekur. Edhe në truallin e ri, në Kosovë, hasmëria me cerberët karpatianë nuk u zbut fare. Përkundrazi, ajo u thellua dhe u ashpërsua edhe më shumë. Zullumi i gjakpirësve serbo-malazezë ishte bërë i padurueshëm. Me këtë gjendje të rëndë robërie nuk mundi të pajtohej kurrësesi as Sadri Kapiti. Konfliktet e përditshme me kolonistët serbë e malazezë e detyruan që të kalojë matanë Alpeve Shqiptare. Për çudi, edhe në Shqipërinë e ëndërruar, i përcollën zezonat. Regjimi i egër enverist ua bëri më zi, i degdisi ku hanë pula gurë,  i maltretoi,  i dënoi,  por kurrë nuk arriti t’i gjunjëzojë. Fillimisht u vendos në katundin Ahmetbejas të rrethit të Fierit.
Mirëpo, as aty nuk gjetën fare qetësi, andaj pas dy vitesh sërish kthehen në Kosovë, me shpresë se zjarri ishte shuar pakëz. Por, jo. Asgjë nuk kishte ndryshuar për të mirë. Madje, ishte bërë veç më keq. Kriminelët serbë e malazezë nuk linin gjë pa bërë mbi shqiptarët e pambrojtur. Çdo ditë rrahje, maltretime, tortura, vrasje.
As gjaku i shqiptarit autokton nuk mund të bëhej ujë. Herë- herë ai ngrihej në pikën e vlimit. Ishte pjesëtar i rregullt i çetës së trimit Nak Berisha. I ati i tyre, Hima, ndërroi tri gra derisa e mori Hylën nga dera e fisme e luftare, nga Kërnina. Në shtepinë e tyre shpesh bënin konak trimat Azem Galica e Nak Berisha me çetat e tyre luftarake. Dhe, në fillim të vitit 1939, u detyruan përsëri të nisen drejt Shqipërisë. Kësaj here u vendosen në katundin Fllakë të rrethit të Durrësit.
Kjo degdisje torturuese poshtë e lartë nëpër gjeografinë shqiptare nuk ishte e lehtë për këtë familje atdhetare, e cila tashmë edhe ishte shtuar. Në jetën private Sadriut i kishte ecur mirë e mbarë. Fatin e kishte lidhur me një malësore nga Gremniku i Klinës, me Dinore Mehë Gashin Këtyre dy bashkëshortëve u linden tetë fëmijë: Sylejmani, Fatmiri, Skënderi, Naimi, Ganiu, Lirija, Nadirja dhe Shefkija. Të gjendur midis kudhrës dhe çekanit, ata u bënë tok dhe ia vunë gjoksin së keqes, duke qëndruan të pathyeshëm, mu si lisat e Kosovës martire.

Bashkëluftëtar i Shaban Palluzhës

 

Sadriu si një nacionalist i përbetuar gjatë shërbimit ushtarak në Tiranë rrahu një oficër dhe dy ushtarë italianë, sepse kishin ngacmuar dhe fyer disa femra shqiptare në qytet. Që nga aty e braktisi fare ushtrinë dhe në vitin 1940, u kthye në Istog, me shpresë se Trojet Etnike Shqiptare u çliruan dhe u bashkuan. Gjatë kësaj periudhe u lidh me forcat nacionaliste shqiptare dhe veproi hiç pa u ndalur në të mirë të çështjes kombëtare. Mori pjesë në luftërat dhe betejat për mbrojtjen e myslimanëve dhe shqiptarëve të Sanxhakut e të Kolashinit. Atje iu vra edhe i nipi, Sadiku, trupin e të cilit nuk e la, por e barti në shpinë deri në vendlindje. Më vonë u inkuadrua në Brigadën e tribunit Shaban Palluzha. Heroizmi dhe trimëritë e tij u panë në çdo betejë e në çdo aksion luftarak, andaj përherë lavdërohej e çmohej nga shokët dhe eprorët ushtarakë.
Në dhjetor të vitit 1944 Shqipëria u çlirua cep më cep, mirëpo armiku duhej shporrur edhe përtej Jugosllavisë. Partizanët shqiptarë u vunë në ndjekje të tij. Sadri Kapiti, i cili mendjen e kishte për të çliruar Kosovën dhe vëllezërit e tij të dashur, që përherë i mbante në zemër. Ai nuk vajti më tutje por u ndal në Kosovë për t’i mbrojtur trojet stërgjyshore.
Në një përleshje me serboçetnikë Sadriu plagoset rëndë në shpatullën e majtë dhe në këmbën e djathtë. Pasi e merr ndihmën e parë në spitalet fushore, dërgohet në spitalin e Prishtinës, ku kishte plot partizanë. Dreq, o punë! Aty, siç rrëfente më vonë vetë Sadriu, u ra në sy spiujve serbë, të cilët edhe deshën ta mbysnin. Me ndihmën e miqve dhe dashamirëve të vet që ishin partizanë nga Shqipëria, gjegjësisht nga Mallakastra, të cilët e njihnin mirë, arrin që ilegalisht të largohet nga aty dhe të kalojë për shërim në spitalin e Tiranës. Aty, gjatë bisedës me një oficër të lartë shqiptar, u tregoi saktë se kush ishin dhe se sa antishqiptarë ishin serbosllavët, të cilët po bënin kërdi mbi popullatën shqiptare në Kosovë. Oficeri iu afrua ngadalë dhe i tha: “Këtë që ma the mua mos ia thuaj tjetërkujt, sepse këta kanë një ide me partizanët jugosllavë dhe ta bëjnë më zi se ata. Për ta ju jeni ballistë dhe nacionalistë”,- kujtojnë sot fëmijët e tij, veçanërisht Skënderi, të cilët thonë se po të ishte ai gjallë,  do të kishit mundësi ta shkruanit një libër të tërë për ato ngjarje e që mjerisht ne nuk shënuam asgjë, meqë nuk besohej nga askush se do të ndryshohej realiteti i censuaruar nga komunizmi këtej e andej kufirit dhe Kosova do të çlirohej nga UÇK-ja dhe NATO-ja, nën drejtimin e SHBA- ve.

 

“Sa ishin në Zallç, forcat e OZN-së erdhën dhe e arrestuan Sadikun. E dija se do ta pushkatonin, andaj kriminelit që e njihja e që ishte poashtu nga katundi ynë, i thashë: Po e gjeti gjë Sadikun, Sadriu do të të vras ty, sepse ai është kendejpari. Ai u frikësua dhe e liroi, por të nesërmen me qerre kuajsh na përcollën për në Shqipëri. Kësaj here u vendosem në Qerret të Durrësit, ku kishte plot kosovarë,- rrëfen sot e shoqja, Dinorja, cila, mjerisht nuk dëgjon mirë, se përndryshe ka njohuri të shumta për ato ngjarje.
Deri në vitin 1949 kemi jetuar në gjysmë ilegalitet, sepse druheshim që në emër të vëllazerim- bashkimit mund të na kthenin në Jugosllavinë e atëhershme e ku, sigurisht, na  priste ekzekutimi. Vetë Sadriu  rronte nëpër shkurret, që atëbotë ishin të paçelura të rrethinës së Durrësit.

 

Sadri Kapiti nuk e rrudhte gojën para padrejtësive, pavarësisht që mund të pësonte. Kështu, kur erdhi një delegacion i lartë rus, më 1953, pushtetarët erdhën të Sadriu për t’ia kërkuar një qengj të madh për t’ua prerë. Ky, jo që nuk ua dha, por u tha:Jo ore, ata meritojnë plumba!!! Ndërkaq kur u prishëm me Jugosllavinë dhe u lidhëm me Rusinë, ai shprehej hapur: Ore, keni parë ju, u prishëm me djalin e u
pajtuam me babën!!!

 


Edhe në varr me plagë në zemër për Kosovën

 

Koha ecte me hapa ujku e plagët e luftëtarit të lirisë shëroheshin ngadalë. Një ditë ai u kthye në gjirin e ngrohtë familjar, në Fllakë. Siç duket, i zhgënjyer e i pakënaqur me sistemin e kohës, i la të gjitha mënjanë dhe nisi të merrej me bujqësi. Vitet e fundit të jetës së tij u shpërngul në Shkozet të Durrësit.
Sidoqoftë, në mendjen e tij i sillej vërdallë vetëm një emër: KOSOVA! Në çdo kuvend burrash Sadriu shprehej: “Kryet më ka lindur në Kosovë, trupi m’u burrërua në Shqipërinë nanë. Në Kosovë fisi jonë ka derdhur gjak me okë, po nuk mujta me e pa Kosovën e lirë, të gëzueme, pa barrë në shpinë, pa serbë me lloj-lloj shirita e spaleta mbi supe e me kamzhik ndër duar. Kosova është kreshnike me burra të mençur e trima, ka edhe ferra me gjemba, porse më shumë ka lisa që i përballin stuhive dhe një ditë ka për ta parë veten të lulëzuar dhe krenare, me burra më të mirë në krye të Arbërit. Lum kush ta shikojë e ta gëzojë, more lum miku!”.[1]

Sadri Kapiti ndërroi jetë më 7 janar 1997. I përcjell nga familjarët e farefisi u varros në Rrashbull. I mbylli sytë me plagën në zemër se nuk arriti ta shoh Kosovën e lirë e të bashkuar me Shqipërinë mëmë, por profecitë e tij dolën, ëndërrat iu realizuan. Lisat e Kosovës suksesshëm përballuan stuhitë dhe rrëbeshet e barbarisë serbe. Ata ishin luftëtarët e lirisë, ishin trimat e UÇK- së, në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.

 

“Sadri Kapiti ka qenë burrë mbi burra. Kënaq fakti që edhe të bijtë ndoqen besnikërisht rrugën e tij”- thotë z. Qemal Mançe, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të LANÇ-it për rrethin e Durrësit.


Një propozim i qëlluar që duhet realizuar!

 

Më 14 shtator 2007, në sallën e madhe të Muzeut Historik të Tiranës, në promovimin e librit tim (Bedri Tahirit) “Nga Shqipëria në Shqipëri“, të gjithë të pranishmit: krijues, artsitë, politikanë, përfaqësues shoqatash e sindikatash, ushtarakë e deputetë, klerikë fetarë e të përndjekur si dhe vetë princi i ri, Leka Zogu II, dolën me propozimin: “Sadri Kapiti dhe familja e tij të dekorohen dhe të marrin statut special nga shteti si familje atdhetare“!
Një propozim të tillë e kanë bërë edhe Shoqata e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë në krye me z. Qemal Mançe dhe Shoqata atdhetare “KOSOVA”. Të njëjtin propozim ka marrë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryeminstri Sali Berisha dhe presidenti Bamir Topi nga Mërgata shqiptare në Austri, Finlandë dhe Suedi si dhe nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës për kontributin e dhënë në çështjen kombëtare shqiptare dhe vendosjen e demokracisë në Shqipëri.
Edhe unë, personalisht, duke qëmtuar në historinë e bujshme të kësaj familjeje me tradita atdhetarie, nxora përfundime të njëjta se, vërtet, Sadri Kapiti dhe familja e tij meritojnë një tretman të veçantë nga shteti shqiptar, ashtu siç meriton edhe hotel “DRENICA”, ku u bë pritja dhe përcjellja e mijëra luftëtarëve të lirisë, të cilët vinin nga luksi përendimor dhe shkonin drejt vdekjes në Kosovën e gjakosur nga barbarët, të shpallet “SHTËPI MUZE”! Të mos harrojmë, emrin DRENICA ia kishin lënë mu për hatër të Sadriut, sepse e çmonte shumë ketë trevë luftarake. Emrin Drenicë e ka edhe një mbesë e tij, bija e Armata Shoshit, e cila lindi ditën që filluan bombardimet e NATO-së mbi Serbinë. Në këtë kohë kontribut të jashtëzakonshëm në mobilizimin, strehimin dhe sistemimin e vullnetarëve të lirisë dhe familjeve të dëbuara nga Kosova dhanë edhe restoranët “KOSOVA” e Naim Kapitit dhe “KAPITI” i Fatmir Kapitit.
Besoj dhe shpresoj shumë së, më në fund, forcat e reja shqiptare që kanë ardhur në pushtet do t’i çmojnë drejt këto vlera atdhetare dhe do t’i realizojnë këto kërkesë plotësisht të arsyeshme!
Një veprim i tillë i mënçur do ta nderojë edhe vetë shtetin shqiptar, sepse nuk thuhet kot: Kush nderon historië, krijon ardhmërinë!

 

Sot, të pesë bijtë e tij, Sylejmani, Fatmiri, Skënderi, Naimi dhe Ganiu, të cilët gjatë luftës së UÇK-së dhanë maksimumin në mobilizimin, organizimin dhe sistemimin e vullnetarëve që ktheheshin nga mërgata dhe mësynin frontet e luftës në Kosovë, presin ta gëzojnë statusin e veteranit të UÇK-së.

Dhe, së fundi, Kosova, gjegjësisht komuna jonë, Vushtrria, bëri hapin e parë  në drejtim të vënies në vend të atyre që kanë kontribuar për këto ditë të bardha, duke nderuar atdhetarin e përbetuar, Sadri Kapitin, me pagëzimin e një rruge të Vushtrrisë së lashtë me emrin e tij. Rruga “SADRI KAPITI”  është nder për gjithë shqiptarinë.

E gëzoftë familja e tij në Durrës!

[1] Marrë nga libri “Plagët që flasin 6 “, Tiranë, 1998, f. 213

1 komente në “Një emër rruge në Kosovë për durrsakun Sadri Kapiti”

  1. Thoma Gallo says:

    Ta gezoje Vushtria rrugen me emrin e Sadri Kapitit,te ketij nacionalisti te madh,por i lutem redaktorit te shkrimit,qe te mos ngaterroje ardhjen e pare ne Shqiperi,kur u vendos ne fshatin Alibehaj te Fierit me kohen e rregjimit te Hoxhes,kur ne ate kohe ka qene rregjimi i satrapit te Zogut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje