Druri i shtrembër në ‘stivën’ e demokracisë
Nga Rama nuk pritet të lartësojë ‘stivën’ e demokracisë sepse ajo do kohë dhe shokë shumë. Mjaft të heqë ‘drunë’ e shtrembër dhe rilindja do ketë duk. Ndonëse vota e qershorit ishte votë shprese dhe proteste me rotacionin kronik të paralajmëruar, sërish mazhoranca e re premtoi ndryshime radikale dhe të shpejta në çdo fushë. Një kurajo që duhet respektuar kur mendon se rrezikon t’i krijojë ‘andralla’ të panevojshme vetes përballë një opozite që në avazin e saj, veç sebepe kërkon për të bërë akuzuesin e shmangur vëmendjen nga abuzimi i djeshëm i saj.
Opozita e PD do ngrejë ‘pusi’ për çdo premtim elektoral, me përjashtim të njërit të cilin nuk ka gjasa ta zërë as me gojë, pale më ta bëjë tërkuzë – hetimi i abuzimit të djeshëm elitar. Një kryepremtim ky që ‘ngjiti’ fort pas 8 vitesh autokraci dhe degradimi flagrant të së drejtës së jetës, pronës, votës, interesit kombëtar etj.
Vota e qershorit ishte votë për drejtësi ndaj abuzimit pa dallim, qoftë ky i djeshëm apo i sotëm, blu apo rozë, elitar apo urban. Pavarësisht nga qasja (kapja direkt e ‘peshkut’ të madh apo përmes të voglit), nëse kjo qeveri mendon të bëjë drejtësi, duhet ta bëjë sa më shpejt sa kohë që zullumqarët janë ende në panik dhe presioni klientelist apo fatura e ecurisë së premtimeve, nuk ia lidhin duart edhe asaj. Një precedent ky që promovon si parandalimin ashtu dhe ndëshkimin e abuzimit brenda radhëve të saj. Se në mos e bëftë vetë, do ja bëjnë të tjerët më pas.
‘Pandora’ e abuzimit elitar
Sfida është epokale, një luftë brenda ‘llojit’ ku ndryshe nga rasti Di Pietro në Itali kur sistemi i korrupsionit u çmontua nga jashtë prej drejtësisë së pavarur, tek ne shpresa për shtet vjen prej politikës së re tek i kundërvihet asaj të tranzicionit që e ‘vrau’ atë. Një mision në dukje i ‘pamundur’ teksa:
a) Ironikisht legjislacioni antiabuzim është hartuar nga klasa politike e korruptuar e tranzicionit;
b) Drejtësia perceptohet e korruptuar dhe e nënshtruar ndaj politikës;
c) Abuzimi elitar ka evoluar në abuzim kapilar ku ‘sofra e çorbës së prishur’ është zgjeruar dhe çarja e ‘rrethit’ është sfidë më vete me thënien ‘gurin e parë kush nuk ka mëkatuar’ më aktuale se kurrë;
d) Shoqëria është mpirë në ndjeshmërinë ndaj abuzimit elitar dhe reagimi, në rastin më të mirë, është i ndrojtur, i vonuar dhe i filtruar politikisht (tradicionalisht revolton abuzimi i palës tjetër por tolerohen të ‘vetët’);
e) Shumëkush është dorëzuar ndaj korrupsionit (dora që nuk nduket, puthet) dhe bashkëjeton rëndom me të, bile përfiton prej tij në një simbiozë ku mbizotëron ndroja se të luftosh ‘sëmundjen’ (abuzimin) është njëlloj si ta vrasësh të ‘sëmurin’ (jetesën e përditshme);
f) Beteja ndaj abuzimit elitar futet në hullinë e ‘persekutimit’ politik dhe fakti që lidershipi opozitar konfirmoi vijimësinë, mbështetur nga treçerek milion votues, edhe pas politikave antidemokratike e antikombëtare (marrëveshja e ujrave, varrezat në jug etj), bën që beteja ndaj abuzimit të djeshëm të rrezikojë kosto të spekulimit e tensionimit politik;
g) Abuzimi në tranzicion nuk ka njohur barriera partiake dhe teston kohezionin e çdo qeverisje që e denoncon atë për shkak të ‘virusit’ të abuzimit të endur kaq gjatë (vetë fushatat elektorale marramendëse ngrenë pikëpyetje rreth klientelizmit potencial etj);
h) Retorika perëndimore ka dekurajuar direkt apo indirekt betejën ndaj abuzimit elitar- ndërmjetësimet alla ‘krokodil’, partnershipi me qeveritë e korruptuara edhe pas abuzimeve elektorale, tolerimi i shpërdorimit politik të solemnitetit të NATO apo avancimit të integrimit në BE, solidarizimet e njëanshme politike (të djathtë e të majtë në PE) sa herë ngrihen akuza për korrupsion etj. Fqinjët tanë në BE, me probleme akute të abuzimit elitar, janë partnerë të privilegjuar të klasës politike të tranzicionit, deri modele drejt BE(!) sikurse prania e të huajve në privatizimet strategjike jo transparente apo skemat klienteliste të abuzimit në tranzicion, imunizon indirekt ndëshkimin dhe protagonistët e tij;
i) Sindroma ‘ç’më duhet mua’ dominon teksa tundimi për të përfituar shumë e shpejt është i madh dhe dilet pa u lagur sipas qasjes ‘korbi korbit nuk ia nxjerr sytë’. Kësisoj, sfida e kalimit të ‘detit’ në këmbë e të panjohurat e hapjes së ‘kutisë së Pandorës’ së abuzimit, imponojnë si lidership unik ashtu dhe një ekip kompakt në kohezion vlerash që ‘ngjizin’ Perëndim.
I fundit që qesh
Me performancën antikorrupsion, mazhoranca e re nuk riskon thjesht fatin e saj politik. Ajo është shansi i fundit për partitë e tranzicionit që të mos ‘skadojnë’ si demokristianët e Andreotit apo socialistët e Kraksit dikur. Shoqëria nuk mund të degradojë në korrupsion ‘gjenetik’ duke djegur tashmë ‘brezin’ e radhës dhe nëse beteja presupozon riformatim të tregut politik, ashtu qoftë.
Vota e qershorit ishte votë për të hapur kutinë e Pandorës. Prej abuzimit të votës, privatizimet klienteliste, anarkia me pronën, tragjedinë e Gërdecit, vrasjet e 21 janarit, faturat infrastrukturore, marrëveshja e ujërave, ‘vorioepirizimi’ në jug, koncesionet klienteliste etj. Ndërsa ndëshkimi i abuzimit është atribut i gjyqësorit, qeveria duhet të bëjë të sajën si në ekspozimin e fakteve (psh. finalizimi i aksionit ‘Hapni kutitë’ duke deklasifikuar materialet arkivore të zgjedhjeve 2009), diskreditimin e abuzuesve ashtu dhe promovimin e iniciativës së të tretëve (individ apo ente) të cenuar padrejtësisht.
Mazhoranca ka në dorë të konsolidojë legjislacionin antikorrupsion e të hetojë në rrugë parlamentare një seri problematikash me prioritet ato ku implikohet interesi kombëtar për të sfumuar çdo shpërdorim të militantizmit partiak në emër të politikës. Paralelisht, ajo duhet të drejtojë ‘kamerat’ edhe nga vetja (përpara se vetë opozita dhe media ta bëjnë këtë gjë), sikurse duhet të sensibilizojë perëndimin zyrtar duke huazuar prej tij ‘metrin’ origjinal demokratik në hetimin e abuzimit elitar.
Sfida ndaj abuzimit elitar e kësaj qeverie është ‘thyerja e akullit’ dhe zbritja e ‘perëndive’ në tokë duke nxjerrë faktet në shesh. Damkosjen t’ia lërë publikut dhe drejtësia të lihet e lirë më pas. Edhe nëse kjo e fundit nuk arrin të zhbëjë koston e abuzimit elitar, i jep shansin historisë të shkruhet objektivisht, ndryshe i fundit që qesh më mirë, është ai që abuzon. Thyerja e tabusë së abuzimit mbetet kusht për rilindje dhe e vërteta, ‘bileta’ e vetme për të bërë histori. Si e tillë, nuk ka çmim.
populli tashme eshte mesuar me varferine eshte ber njesh me te, por kerkon me teper denimin maksimal te atyre qe kan tallur bythen me te… kete vetem kerkon nga fituesit e zgjedhjeve.
Analiza e z.Duka eshte e nje niveli teper te larte, sidomos per sa i perket moralit dhe shqetesimit qytetar, nevojes per ndryshim radikal dhe kushteve reale per ndryshim.
Eshte nje shqetesim, i cili duket sikur e ka marre pjeserisht nje pergjigje. Pergjigja qendron pikerisht tek niveli i pozicionimit te shoqerise(zerave perfaqsues)pro, kundra apo abstenim ne raport me permbajtjen e kesaj lloj analize.
Gjykoj se jane teper pak zera pro, thuajse zero kunder, por masa e stermadhe e abstenimit tregon me se pari qe masa e votuesve eshte me nevojen e saj per demokraci reale dhe derivatet esaj shume hapa perpara ndaj elitave te veta, te cilat ende ferkojne syte me duar, te habitura dhe te shqetesuara nga pergjegjesite qe duhet te marrin persiper nga plebishiti votues.
E pare me metrin e llogjikes se mbeshtetur tek pervoja dhe preçedentet e hidhur te tranzicionit, atmosfera eshte e rende dhe teper pak premtuese. Por mos harrojme se ne kemi shpresen, e cila ushqehet paprere prej nevojes. Eshte pikerisht kjo shprese e jona arma me forte qe kemi. Eshte kjo shprese, qe duke u shprehur dhe evidentuar gjithnje e me shume po prodhon nje presion ne rritje ndaj elitave duke ua ngushtuar vellimin e statukuose se abuzimit.
Do te vije nje moment qe ky presion “i bute” nepermjet shpreses do te duhet te alternohet me nje presion “te ashper” te organizuar ne rritje. Meqe shanset per nje presion ne rritje nga brenda institucioneve jane te dyshimta, duhet te synohet nje presion nga jashte. Kete lloj presioni mund ta organizojne vetem elitat jashte ndikimeve partiake te cilitdo lloj, elita qe te kene edhe potenciale infrastrukturore gjithashtu te pavarura. Ketu mbetet per te pare sesa do i kemi aktive dhe agresive keto elita…
Tani, ky eshte nje shkrim i nje niveli te lart profesional e intelektual por ceshtje qendron se nuk ndodh dot ky ndryshim revolucionar ne kete lloje “rilindje” se ne se do marim te mireqene dhe do veprojme ashtu si e parashtron ti kaq qarte i dyti mbas Saliut duhet te shkoje ne burg Ilir Meta gje e cila kompromenton eralizimin e programit te kesaje “rilindje’. Ndaj personalisht mendoj se ky staf me Edvinin ne krye do ti bjere nga unaza per te shkuar ne zyre…