Enti i Plehut

6 Shtator 2013, 11:28Blog TEMA

Nga Enver Robelli*

Pas sukseseve gjigante në politikën e brendshme dhe të jashtme Qeveria e Kosovës, më në fund, merr vendim për themelimin e Entit të Plehut, i cili tani e tutje do të administrojë sukseset dhe do të komunikojë drejtpërdrejt me publikun. – Një parodi e vogël për krimet dhe marrëzitë e mëdha

 

Dalëngadalë po ikin pushimet verore. Me energji të reja njerëzit vërsulen – jo drejt vendeve të punës, por nga plazhi i Durrësit, Shëngjinit, Velipojës, Ulqinit, Vlorës, Sarandës e Dhërmiut zhvendosen në kafehanet e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës. Shumica nuk kanë punë, ndërsa ata që kanë punë së paku gjysmën e orarit të punës e kalojnë duke përzier makiato nën hije të ndonjë lisi që ka mbetur ende pa u prerë.

Gjithë këta njerëz që vegjetojnë në këtë amulli të përgjithshme duan të jenë të informuar si janë punët, çfarë i pret, kur do të “hyjmë në Evropë”. Pyetje përtej pyetjeve. Njerëzit duan të dinë si janë punët e shtetit dhe punët e shoqërisë në përgjithësi. Meqë zgjedhjet lokale po afrohen, shpendët grabitqarë të pushtetit kanë bërë planin, të cilin e ka miratuar Qeveria menjëherë, madje pa debat: nga sot e tutje në kuadër të qeverisë së Kosovës do të punojë me orar të plotë (domethënë 24 orë!) Enti i Plehut.

Deri më tani qeveria nuk kishte zëdhënës – një rekord tjetër i saj në kuadër të “qeverisjes së mirë”. Natyrisht qeveria është ndier tepër keq që nuk ka pasur zëdhënës me vite të tëra dhe – rrjedhimisht – nuk e ka informuar publikun kurrë si duhet për punët e saj madhështore në favor të popullit të Kosovës. Me ndjenjë të pakufishme faji tash Qeveria po e përmirëson gabimin duke e themeluar Entin e Plehut. Për këtë kanë menduar vizionarët dhe tredhësit e mizave në emër të miqësisë “me miqtë tanë ndërkombëtarë”. Qëllim i këtij alamet enti është që qeveria, ministrat e zëvendësministrat, deputetët qeveritarë dhe ata si biçim opozitarë – me një fjalë të gjithë ata që i falen Allahut dhe ata që i falen nganjëherë edhe kokainës të jenë sa më afër popullit, afër halleve dhe shqetësimeve të tij. Gju më gju dhe gji më gji me popullin.

 

Pa pyetje

Një zyrtar i Entit të Plehut, në të shumtën e rasteve ministri për menaxhimin e rrenave dhe çelësave të burgjeve, Hallvashitës Kavalli, do të dalë çdo ditë në orën 18:00 para medieve dhe do të tregojë për punën gjigante që ka bërë qeveria dhe administrata e saj e përbërë prej tezeve dhe kushërinjve, kumbarëve dhe dajallarëve, “shokëve të luftës” dhe shokëve të tenderëve të pasluftës. Shurdhmemecët do të dëgjojnë me vëmendje.

Askush nuk do të bëjë pyetje turbulluese. Sepse nuk do të ketë arsye të bëjë as pyetje turbulluese, as kritike. Enti i Plehut do të njoftojë me saktësi, qartësi, sinqeritet, marifet për të arriturat e përditshme të qeverisë. Fundja, qeveria është zgjedhur për këtë qëllim: t’i shërbejë miletit, të sakrifikohet për të. Asnjë ministër nuk do të thoshte se këtë punë po e bën për qejf. Jo. Jo! Punë të tilla bëhen nga dëshira për t’i shërbyer popullit, për të luftuar varfërinë dhe për të hapur fabrika, për të mbështetur bujkun dhe për të ngritur industrinë.

Enti i Plehut do të na tregojë se çdokush që ka qejf dhe kohë mund ta shpallë komunë çdo lagje, fushë apo arë të Kosovës. Ceremoninë e promovimit të komunës së re do ta organizojë Enti i Plehut, duke mbuluar të gjitha shpenzimet, përfshirë blerjen e disa plisave që do t’u vendosen në kokë fëmijëve të manipuluar për interesa politike, blerjen e shamive për vajzat dhe – më e rëndësishmja – blerjen e luleve për shefin e Entit të Plehut, Hafif-Hyzmetçi Thashethemexhiun, i cili është veshur me kostum të kohës së lirë dhe tund duar dhe sheh koka që fluturojnë qiellit. Mileti do të kënaqet duke pirë limonadë nga gotat e plastikës dhe do të vallëzojë nën zhurmën e daulles.

 

Shamponi dhe librat

Enti i Plehut do të merret edhe me latimin e imazhit të shefit. Specialistë të entit rrenën do ta shndërrojnë në të vërtetë, mashtrimin në zotim, dredhinë në premtim të besueshëm, keqtrajtimin në ledhatim, terrorin verbal në qetësi, përrallën në rrëfim të vërtetë, shpifjen në fjalë nderi. Enti i Plehut do të shkruajë lajme taze për media, sidomos për televizionin publik, me ç’rast do të dominojnë lajmet për jashtëtokësorët, kuajt e mbushur me helium, pelat fluturuese dhe mushkat lozonjare.

Enti i Plehut do të bashkëpunojë ngushtë edhe me “medie” ndërkombëtare dhe do të ndikojë që “gazetarët” e huaj, pasi të dehen me disa gota raki, ta përshkruajnë plehun si flori. Ndonjëri “gazetar perëndimor” do të ledhatohet edhe me një copë honorar në emër të “pjesëmarrjes” apo “moderimit” të konferencave për “sukseset e Entit të Plehut në fushën e zhvillimit ekonomik, ecjes me hapa gjigantë drejt Avrupës”. Etj. Etj.

Enti i Plehut do të organizojë darka e dreka për pensionistë politikë nga Avrupa, të cilët do të shkruajnë broshura për sukseset e pafundme të shefit të Entit të Plehut dhe (bashke)punëtorëve të tij. Këto broshura pastaj Enti i Plehut do t’i blejë me para të gatshme. Pensionisti politik Deniz MacShampoo, për shembull, do të shkruajë – me honorar nga buxheti i Kosovës – vëllimin e tretë të fabulave të tij për sukseset e qeverisë.

Enti i Plehut do të shkruajë edhe fjalime për shefin. Aso fjalime që do të jenë kënaqësi estetike për dëgjues e lexues. Enti do ta botojë edhe kompletin e fjalimeve të shefit në dy milionë ekzemplarë. Në frontespic do të shkruhet me shkronja të arta: VEPRA. Kompleti i veprave (fjalimeve) të shefit do të shpërndahet gjithandej, falas. Enti i Plehut do të ketë edhe një webfaqe (www.plehu.ks), ku opinioni i gjerë dhe i ngushtë do të njoftohet mbi sukseset e qeverisë. Webfaqen do ta mirëmbajë kush tjetër pos zyrtari i lartë i Entit të Plehut, Sokol Saçma, i mësuar dhe i ushtruar për të mbajtur çfarë t’i urdhërohet – me të dy duart dhe jo vetëm.

Enti do të ofrojë shërbime interaktive. Për anëtarë të partisë do të organizojë kurse falas për mjelje në Republikën e drejtuar nga punëtorët e Entit të Plehut, ku plehu më i madh s’bëhet në ahure, por në zyra qeveritare. Enti i Plehut do të organizojë edhe kurse për përdorimin e kallashnikovit – kurse këto që do të ndiqen vetëm nga pinjollët e sundimtarëve. Të parët që u furnizuan me kallashnikovë ishin të bijtë e Shën Adam Gabelit. Pastaj hazërxhevapi Sokol Saçma do të shkruajë një kolumne, ku do të mbrojë të drejtën që secili anëtar i partisë së Adam Gabelit të ketë kallash. Kolumna do të botohet me titullin: “Me kallash drejt Brukselit”.

 

Trëndafila mbi pleh

Enti i Plehut do të ketë përfaqësi në çdo fshat e lagje, në çdo qytet dhe në çdo grumbull shtëpish në biçim qyteti. Enti i Plehut është shpresa e vetme e kombit. Falë politikës informative të tij mileti do të jetë i bindur se më 1 janar 2014 do të udhëtojë në vendet e Schengenit pa pasur nevojë për vizë hyrëse. Madje në katin e tretë, te sporteli i dytë i Entit të Plehut, çdokush që udhëton në Europë do të marrë një zarf me 500 euro për të mbuluar shpenzimet bazike. Schengeni do të jetë vetëm një fshat kot diku në Europë.

Enti i Plehut do të hapë përfaqësi në të gjitha vendet e botës, sidomos në ato vende që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, për të promovuar përparësitë dhe vlerat e demokracisë kosovare. Enti po ashtu do të lobojë për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe shteteve që ende ngurrojnë të njohin mëvetësinë e shtetit më të ri në botë, në mars dhe në hënë. I ngarkuari për punë të padukshme i Entit të Plehut, Buxheti i Pacipë, do t’i emërojë konsuj nderi të Republikës së Kosovës disa shpëlarës parash, matrapazë, mafiozë dhe tenderologë nga Kaukazi në Kamerun.

Enti i Plehut do të merret edhe me menaxhimin, koordinimin, dresimin, ndërsimin e zagarëve virtualë. Detyrë e tyre do të jetë të vazhdojnë të lehin nëpër medie sociale kundër të gjithë atyre që dyshojnë në sukseset e Entit të Plehut. Moto e punës do të jetë: mbi dhe nën pleh, Enti i Plehut vetëm suksese dhe trëndafila sheh. Mbi dhe nën pleh, gjithçka lulëzon dhe kënga gjithandej jehon.

Enti i Plehut do të jetë i pranishëm me ambulanca mobile në gjithë Kosovën. Mjekët e Entit do t’u lëshojnë “certifikata çmendurie” të gjithë atyre që kanë kryer krime për interesa të Entit të Plehut. Po ashtu Enti do të lëshojë dëshmi për pjesëmarrje në luftë, madje dëshmi të veçanta do të marrin ata që torturonin shqiptarë në kampe të mafiozëve “çlirimtarë” në Kukës e rrethinë, në Durrës e gjetiu.

Detyrë e Entit është të punojë në evidentimin e të gjithë veteranëve të luftës për çlirimin e dyqaneve, banesave, arave, trojeve për ndërtim, pompave të benzinës, ndërmarrjeve publike, kafehaneve, çajtoreve etj. Qeveria ka vendosur që buxheti i Entit të Plehut të jetë mes 100 dhe 500 milionë euro në vit – varësisht nga nevojat gllabëruese të punonjësve të këtij enti me rëndësi të madhe strategjike.

Tregimi për Entin e Plehut mund të tingëllojë si material i mirë për një parodi teatrore. E vërteta, ndërkaq, është se qytetarët e Kosovës jetojnë në këtë parodi reale.

*KOHA DITORE

3 komente në “Enti i Plehut”

  1. Albani says:

    Per me shume shih “Ferma e Kafsheve”, te shkrimtarit anglez Xhorxh Oruell.

    Si Kosova ashtu edhe Shqiperia, jane ende ne kohen kur eshte shkruar ky liber, ne vitin 1944!

    Per me shume komente, eshte e tepert.

  2. ylli rks says:

    Uuuhh qe e paske shkri mjerimin e Kosoves e shqiptarve ne pergjithsi Enver bre!!! Rrnofsh!

  3. Sherifi says:

    Po të ishim tani, siç ka qënë Anglia më 1944, do të ishim lule, si Kosova, ashtu dhe Shqipëria. Në fakt jemi si Turqia në vitin 1444…!!!
    Egziston një shprehje jo e rrallë midis shqiptarëve: “Nuk bëhet shqipëria me shqiptarët…”. I vetmi që mund ta rrëzojë këtë, është Edi Rama. Le të shpresojmë… “Prisni e shpresoni!” ka thënë Aleksandër Dyma i madh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje