Socialistët janë shprehur se do të zhbëjnë të gjitha vendimet që qeveria Berisha ka marrë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Por, a do ta mbajnë premtimin? Klan ka përzgjedhur disa prej tyre.
Në 2005-ën, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikonte fitoren e opozitës, Fatos Nano e kalonte kohën duke bërë nderet e fundit mbledhjet e qeverisë. Pa e vrarë mendjen se shumica e vendimeve të tij mund të zhbëheshin pak javë më vonë, pasi Sali Berisha të ulej në karrigen e kryeministrit, Nano miratoi shpejt e shpejt ca nisma që përfshinin jo vetëm ngritjen e dy a tre universiteteve private, por edhe marrëveshje të rëndësishme si ajo e privatizimit të “Albtelekom”-it. Asokohe, opozitari Berisha deklaroi se me të ardhur në pushtet do ta zhbënte atë marrëveshje të marrë me nxitim nga qeveria Nano, ashtu si edhe marrëveshjen për ndërtimin e trenit elektrik që do të lidhte Tiranën me Durrësin me një kosto prej 95 milion dollarësh nga kompania amerikane General Electric. Ndërsa marrëveshja për trenin u anulua vërtet me justifikimin se ishte tepër e kushtueshme (por na kushtoi edhe gjoba e arbitrazhit ndërkombëtar), ajo për Albtelekomin mbeti në fuqi, edhe pse u tha se u rinegociua. Gjithsesi, Nano arriti të shfrytëzonte ditët e fundit të tij si kryeministër për të kryer edhe qokat e fundit.
Një praktikë që duket se po e ndjek sot, tetë vjet më vonë, pasardhësi i tij Berisha, i cili tashmë i rënë vaftit, ka shitur, privatizuar apo dhënë me koncesion disa pasuri të cilat i kishte ruajtur për në fund. Nga zgjedhjet e 23 qershorit e deri në javën e parë të shtatorit, qeveria Berisha është kujdesur që në çdo mbledhje të saj të miratojë vendime të caktuara që nuk mund të shihen ndryshe përveçse si qoka me përfitime të majme financiare për njerëz të caktuar. Duke e ditur këtë nga eksperienca e kaluar, Partia Socialiste e cila do të marrë pushtetin pas 9 shtatorit, i ka bërë shpesh deklarata publikut se do të rishikojë të gjitha vendimet e qeverisë të marrë në tre muajt e verës me qëllimin për t’i anuluar ato, njësoj siç Berisha proklamonte në 2005-ën e largët. Shumë vendime që kanë të bëjnë me privatizime apo koncesione në sektorin e naftës, i shumë sipërfaqeve në bregdet, i objekteve ushtarake, i pyjeve, i kullotave, i lagunave, i qendrave muzeale, dhe së fundi i shtëpisë së ushtrisë, ARMOS-s apo i një guroreje në Krujë, janë vlerësuar si raste të pastra korruptive, të cilat mund të anulohen pas shtatorit.
Se sa do ta mbajë fjalën qeveria e re, kjo nuk dihet ende, por Rama duket i vendosur për të rishikuar vendime të tilla si importi i mbetjeve, dhënien me koncesione të disa prej HEC-eve, ARMO-n dhe Albpetrolin, apo Portin e Durrësit. “Jam i detyruar t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve, që përfshihen në bashkëpunim me këtë qeveri ne detyre qe te mos vazhdojnë bashkëpunimin. Ne do të jemi jashtëzakonisht të rreptë me çdo produkt të bashkëpunimit të subjekteve private me qeverinë aktuale pas zgjedhjeve të 23 qershorit”, ka thënë Rama, pa e sqaruar nëse vendimet do të rishikohen për t’u anuluar apo për t’u rinegociuar nga qeveria e re.
Rasti më i debatuar i qokave në ditët e fundit ka qenë ndërtesa e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë në Tiranë, e cila tashmë është vendosur të jetë selia e re e Partisë Demokratike. Nëse Berisha ka vendosur të dhurojë diçka në fund të mandatit të tij, ka parapëlqyer që për së pari t’i japë diçka partisë së tij. Vendimi për SHQUP-in është një nga rastet më flagrante të asaj çfarë ka ndodhur me disa nga pronat publike pas zgjedhjeve. Një rast i cili ka futur në valle edhe Presidentin Bujar Nishani, i cili e ka firmosur vendimin që ia kalon SHQUP-in PD-së, por njëkohësisht opozita aktuale që merr pushtetin javën e ardhshme ka deklaruar se do ta anulojë vendimin. Se sa e mundur është ligjërisht kjo, mbetet për t’u parë. Gjithçka do të jetë në duart e ministres së re të Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Ndërkaq, sipas ekspertëve, prona e SHQUP-it vlen më shumë se 20 milion dollarë, duke marrë parasysh edhe vendin e lakmuar ku ajo gjendet në Tiranë. Disa nga figurat e ushtrisë e cilësojnë këtë një grabitje të pronës së ushtrisë, e megjithatë qeveria Berisha nuk është tutur, por që pas 20 gushtit godina ka filluar të sistemohet për të pritur drejtuesit e PD-së.
Pas SHQUP-it, një nga vendimet më të bujshme të qeverisë në ikje është importi i mbetjeve. Për këtë çështje, PS-ja është shprehur vazhdimisht kundër e ndoshta do të jetë një nga vendimet e para që do të anulojë. Megjithatë, dy javë më parë, qeveria miratoi dy vendime që autorizojnë importin e mbetjeve të ndryshme, për qëllime riciklimi në vendin tonë. Bëhet fjalë për lejimin e futjes në Shqipëri të 2600 tonë mbetjeve nga dy kompani, ku njëra do ta importojë sasinë nga Greqia: e para, bën fjalë për shoqërinë “Plastika – Albania”, për importin e mbetjeve të polietilenit (plasmasit) nga Greqia të 600 tonëve në vit, e cila do të futet në territorin tonë në rrugë tokësore dhe detare, ndërsa i dyti, përfshin lejen për shoqërinë “V.A.L.E. RECYCLING”, për importin e mbetjeve për qëllime riciklimi, të produkteve të bakrit, të aluminit, të çelikut, të gizës, të zinkut, të plumbit, të qelqit, të plastikës, të letrës, të drurit dhe të veshjeve të përdoruara, në sasi prej 2000 tonë në vit. Që kur u miratua ligji (nëntor 2011) “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, diskutimet për lejimin e importit të plehrave në vend kanë qenë të shumta, deri në protesta nga Shoqëria Civile dhe ambientalistët. Kjo e fundit, arriti të mblidhte firmat e nevojshme për realizimin e një referendumi, derisa presidenti dekretoi se ai do të mbahet në dhjetor të këtij viti.
Media e ka cilësuar si skandal vendimin e para disa ditëve për dhënien e sipërfaqes prej 19 hektarësh të pyllit të Krujës kompanisë Shpresa-Al, kliente e kontabilistes Shpresa Breçani, e konsideruar si e afërme e familjes Berisha. Kjo sipërfaqe parashikohet të shfrytëzohet si gurore dhe kompania që ka fituar të drejtën për të shfrytëzuar këtë sipërfaqe është e regjistruar në QKR. Në vendimin e qeverisë thuhet se zona në “Krastë-Krujë” do të përdoret nga shoqëria “Shpresa- Al” sh.p.k., për shfrytëzimin me karrierë të gurit gëlqeror dhe për këtë arsye, vendburimi i “Picragës” që i korespondon sipërfaqes së dhënë kompanisë do të hiqet nga fondi pyjor dhe Kadastra Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave. PS-ja pretendon se ky vendim është një dhuratë e pastër që Berisha u bën të afërmve të tij.
Një sërë vendimesh janë marrë edhe për pasuritë e “Albpetrolit”, të cilit thuajse nuk i ka mbetur më asgjë për të menaxhuar, pasi pasuritë e saj naftëmbajtëse u kanë kaluar nën zotërim shoqërive private. Me vendimet e fundit, zona e vetme, ndaj së cilës u bazua edhe vlera e privatizimit të kompanisë në vitin 2012, vendburimi i Amonicës, i ka kaluar me koncesion shoqërisë “Phoenix Petroleum”. Aktualisht, pasuritë e “Albpetrolit” menaxhohen nga kompani private, ku më kryesore vijon të mbetet “Bankers Petroleum”, e cila zotëron afro 95 për qind të puseve dhe me rendiment të lartë prodhimi. Marrëveshja e fundit e qeverisë me shoqërinë “Phoenix” përbëhet nga dy faza: Faza e parë (faza e vlerësimit për 18 muaj plus 6 muaj), do të sigurojë një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse dhe drejtojë eksperimentimin e teknologjive të avancuara në parcela të veçanta; faza e dytë (faza e zhvillimit të plotë të fushave me rezerva – me kohëzgjatje deri në 25 vjet) do të zhvillojë fushat me rezerva bazuar në një plan zhvillimi të detajuar”.
Sakaq, Berisha ka marrë me dhjetëra vendime për ndërtim hidrocentralesh dhe parqesh ere me koncesion, për prodhim të energjisë elektrike në zona të ndryshme të vendit. Kështu, është dhënë leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e hidrocentralit Langarica 1 dhe Langarica 2, në Komunën Petran, rrethi Përmet, me investim rreth 2 miliardë lekë. Hidrocentrali Lengarica është parashikuar të ndërtohet në pjesën e poshtme të lumit me të njëjtin emër në Shqipëri. Gjithashtu, është miratuar “Leja zhvillimore komplekse për ndërtimin e kaskadës së hidrocentraleve mbi lumin Curraj”, Qarku Kukës”. Kompleksi hidroenergjetik i Currajve është i kompozuar nga 11 HEC–e, me fuqi të instaluar 105193 kW. Kaskada Curraj ndodhet në rrethin e Tropojës dhe territori është i pozicionuar në krah të Liqenit të Komanit, kurse vlera e investimit është rreth 16,6 miliardë lekë. Një tjetër leje zhvillimore është dhënë për ndërtimin e hidrocentralit Tuçep 2, në Komunën Ostren, Qarku Dibër”, me vlerë 166 milionë lekë me fuqi të instaluar 1400 kË. Madje, qeveria ka miratuar edhe ndërtimin e 8 HEC-ve në Librazhd, me investim 117 milionë lekë; ndërtimin e 3 HEC-ve “Strelca1”, “Strelca 2”, “Strelca 3” në Komunën Gorë, Korçë; ndërtimin e HEC-it “Kolosian”, në Kukës, me prodhim vjetor 3 milionë kilovat; si dhe projekti elektrik në HEC-in “Trebinjë”, në Dibër. Mirëpo, praktika ka treguar se dhjetra lejet e dhëna nga qeveria për ndërtimin e HEC-eve nuk zbatohen, por kalojnë dorë më dorë duke u shitur pambarimisht. Kjo praktikë është kundërshtuar ashpër nga socialistët, por askush nuk e di nëse këto vendime do të zhbëhen.
Socialistët janë shprehur të bindur se do të anullojnë edhe vendimin për koncesionin e dhënë në mesin e muajit gusht për Portin e Durrësit. PS-ja është shprehur se dhënia e një koncesioni të tillë dhe zyrtarizimi i tij pak ditë më parë është një grabitje e aseteve publike dhe për këtë arsye nuk do të tolerohet. Agjencia e Prokurimeve Publike shpalli javën e kaluar fituesin e tenderit për dhënien me koncesion të Portit të Durrësit, ndërsa procesi për tenderin ka nisur vetëm 3 ditë përpara datës së zgjedhjeve, duke përfunduar vetëm në gusht. “Ky vendim është një prej atyre vendimeve që do të zhbëhet nga qeveria e re qysh në mbledhjet e para të qeverisë”, është shprehur deputetja Ermonela Felaj.
Por, një nga rastet që ka shkaktuar surprizë dhe debat ditët e fundit ka qenë edhe shitja e kompanisë “ARMO”. Një shitje e cila u vesh fillimisht me mister, qoftë për kompaninë që e kishte blerë, qoftë edhe për arsyet pse aksioneri kryesor i saj, Rezart Taçi, kishte vendosur shitjen. Zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo, do ta konfirmonte vendimin për t’ia kaluar pronësinë e ARMO-s një kompanie azere me emrin “Heaney Assets Coorporation”. “Kompania deklarohet se është azere dhe ka background të respektueshëm në fushën dhe sektorin përkatës. Shpresojmë që hyrja e një kompanie me asete të mira teknike dhe financiare të zgjidhë ose përmirësojë drejt zgjidhjes përfundimtare problematikat e vëna re me kompaninë”, ka thënë Bozdo.
Skandal është cilësuar edhe përzgjedhja e një kompanie private nga qeveria në ikje për t’ia dhënë me koncesion skanimin e kontejnerëve në dogana. Deputeti socialist, Erjon Braçe, është shprehur se ky vendim sjell një situatë monopoli, ndërsa ligji detyron me forcë tregtarët dhe individët të paguajnë tarifën, edhe atëherë kur nuk e marrin shërbimin. Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ka shkuar edhe më tej duke u shprehur se koncesioni është marrë nga kompanitë e ministrave aktualë. Çdo tregtar apo individ që importon mbi 1 mijë euro produkte do të paguajë shumë shpejt në doganë, veç taksave për shtetin, edhe një tarifë shtesë 39 euro. Këto para nuk i shkojnë buxhetit, por kompanisë private të përzgjedhur nga qeveria.
Sektorët strategjikë të naftës, gazit, energjisë dhe territorit janë disa nga asetet ku qeveria është treguar fort bujare në mbledhjet e saj të fundit. Shumë leje për zhvillime në vendburimet e naftës dhe gazit, për ndërtimin e disa hidrocentraleve, dhe kalimin e planeve rregulluese për disa zona, me karakter turistik, shihen vetëm si qoka. Nga ana tjetër, disa vendime të qeverisë ndërhyjnë edhe në Parkun e Dajtit, në Zonën e Rrushkullit, në zonën e Mbrojtur të Vjosës, etj. Por, nëse qeveria Rama ka ndërmend të zhbëjë disa nga këto vendime, që ajo vetë i quan të paligjshme, sipas konstitucionalistëve mund të bëhet vetëm brenda një afati të mirëpërcaktuar kohor. E ndoshta, kjo do të kërkojë një ndërhyrje të menjëhershme nga ministrat përkatës.
*Revista KLAN
Mbeshtetjen e opinionit publik e keni 70%. Zhbejini te gjitha.
O Renato, o idiot! Para se te besh analize krahasuese, informohu nje here per ato qe shkruan. E para, Nano firmosi per hapjen e tre universiteteve publike, Durresit, Beratit dhe Fierit, prej te cileve vetem i pari vazhdoi. Sa i perket shitjes se Albtelecomit dhe ndertimit te trenit elektrik, ato jane vendime te meparshme te qeverise Nano, para se te humbte ne zgjedhje.
Per qokat e Fatos Nanos me duket se e keni gabim. Jane ba tre kater dite para zhvillimit te zgjedhjeve te qershorit te vitit 2005. Pas perfundimit te zgjedhjeve qeveria Nano, nuk u mblodh asnjehere. Ai i dha urdher ministrave dhe administrates te kryeministrise te banin gadi dosjet e dorezimit te detyrave dhe keshtu u ba. Ishte i pari rotacion normal e deridiku i kulturum i pushtetit. Ndersa zoteria qe po iken,edhe sot do kaloje dhjetra vendime qeverie.Populli me 23 qershor ja hoqi atij te drejten e qeverisjes dhe te vendimeve. Po keshtu rrezoi poshte edhe premtimet qe ai kishte ba.
Prandaj, keto vendime jo duhen rrezu por Berisha duhet ndeshku duke ja shtuar vitet e burgut, po ti mbledhesh te gjitha te zezat qe ai ka ba.
QEVERIA E RE KA MBESHTETJEN 100%TEPOPULLIT.ZHBEJINI TE GJITHA.
Berishizem – fashizem malok !!!
Vetem keshtu mund te thuhet per kete mortaje qe zaptoi vendin tone keto 22 vjet.