Një pagë mujore për librat shkollorë

10 Shtator 2013, 17:51Blog TEMA

Nga Xhovani Shyti

 

E ardhura minimale mujore e përcaktuar me ligj në Shqipëri është dymbëdhjetë mijë lekë. Gjë që do të thotë se punëdhënësit, qofshin këto struktura shtetërore apo sipërmarrje private, e kanë të ndaluar të japin paga nën nivelin dymbëdhjetë mijë lekë. Përgjithësisht kjo dysheme ligjore e pagesës mujore respektohet dhe pagat e të punësuarve brenda territorit të vendit, lëvizin nga dymbëdhjetë mijë e sipër. Për pjesën dërmuese paga mesatare mujore është tek tridhjetë mijë lekëshi, ndërkohë që pagesa e blerjes së një palë teksteve shkollore për vitin mësimor 2013 – 2014 lëviz nga tre mijë deri në shtatë mijë lekë.

Çmimi i tyre, është si edhe vitet e tjera nën qeverinë Berisha, që, ndonëse këtë edicion të ri shkollor konsiderohet e ikur, ka lënë pas gjurmët e rrënimit financiar familjar.

Për vetë faktin se: që një familje me të ardhura mesatare mujore, p.sh tridhjetë mijë lekë, për t’i siguruar fëmijës së vet që mëson në sistemin 9-vjeçar tekstet shkollore, i duhet të heqë nga portofoli mesatarisht katër mijë e pesëqind lekë.

Por, po t’i shtosh kësaj shume edhe lekë të tjera të duhura për tekste shoqëruese të leximit jashtë klase, si dhe fletore, stilolapsa, lapsa, goma, ngjyra etj. kancelari të domosdoshme, llogaria e shpenzimit familjar ngrihet në mbi pesë mijë lekë e përpjetë.

Një shumë kjo e llogaritur për familjet që kanë vetëm një fëmijë që arsimohet në një nga klasat e sistemit 9-vjeçar.

Por llogaria bëhet akoma më e dhimbshme kur dihet se shumë pak shqiptarë e ruajnë komoditetin e të qënit prind i vetëm një fëmije.

Madje të tillët përgjithësisht i përkasin shtresës intelektuale dhe kanë pagesa mujore mbi nivelin e varfërisë. Domethënë arrijnë të sigurojnë të ardhura të tilla me të cilat mund ta përballojnë pa shumë problem pagesën e një palë teksteve shkollore. Si të klasave të sistemit 9- vjeçar ashtu edhe atij të mesëm, ku kostoja e blerjes së një palë teksteve shkollore e kapërcen kufirin maksimal të 9- vjeçares.

Pesë deri në shtatë mijë lekë është diferenca e vetëm një palë tekste të lëndëve mësimore të këtij sistemi, pa llogaritur shtesat për fletore, tekste ilustruese jashtë klase, kancelari etj.

Dhe vetëm për një fëmijë. Ndërkohë që më shumë se nëntëdhjetë përqind e prindërve shqiptarë kanë dy fëmijë e sipër për sigurimin e teksteve shkollore të të cilëve u duhet të shpenzojnë gjithë pagën e muajit.

Dhe tridhjetë përqind e shqiptarëve në këtë shtator regjistrohen si të papunë dhe pamundësitë për blerje librash merret me mënd.

Adivije K. është një familjare e papunë dhe jeton me të ardhurën mujore që siguron i shoqi. Ai shërben si rojë në një firmë private e paguhet njëzetë mijë lekë.

“Kemi tre fëmijë, djalin në klasën e shtatë, vajzat një në të pestën dhe tjetrën në gjimnaz. Që ti siguroj librat e shkollës më duhet të shpenzojë më shumë se treçerekun e pagës së tim shoqi. Pa duhen paguar dritat, uji, na duhet ushqim… S’di ç’të them… Shteti duhet të mendojë edhe për ne. Jo të gjithë i kanë mundësitë”, shprehet Adivija.

Por ka edhe që përjetojnë situata më të këqija se ajo. Familja e Blerim kuksianit, siç e thërrasin, është vetë i shtatë. Të ardhurat e grumbulluara mujore shkojnë në njëzetë e pesë mijë lekë, ndërkohë që, nga kjo shumë, këtë shtator i duhet të sigurojë tekstet për pesë fëmijët që studiojnë në sistemin shkollor parauniversitar. Që do të thotë se,përveç teksteve mësimore e kancelarive, duke futur në hesap dhe blerjen e çantave të reja, i bie që Blerim kuksianit t’i ikë e gjithë e ardhura mujore.

Sigurisht që aventura shtetërore e qeverisë së ikur Berisha me tekstet shkollore nuk përfundon këtu, pasi ka edhe më zi. Ka edhe familje që vuajnë dramën e jetesës me asistencë, ndihmë ekonomike, me pensione të plota e gjysmë pensione qesharake dhe që nga pamundësia për t’u siguruar fëmijëve tekstet e domosdoshme për arsimim hyjnë në borxh.

Të detyruar nga politikat e ish qeverisësve që duket se nuk kanë stimuluar lehtësimin e barrës së varfërisë familjare,por tregtinë dhe allishverishet më tekstet mësimore. Kundrejt përfitimeve personale.

Në prononcime dhe debate mediatike zyrtarë të Ministrisë së Arsimit rëndom vazhdojnë të përmendin subvecionimin si politikë sociale që u vjen në ndihmë familjeve me pamundësi financiare. Po të kihet parasysh rruga që duhet të ndjekë një familje kandidate për të marrë kompensimin arrin në konkluzionin se subvencioni është një slogan që vlen veç për politikë.

Një kalvar burokratik buzëplasës, që në shumicë lihet në mes prej të interesuarve. Zyrtarisht shpjegohet se, që një familjar pa mundësi financiare të përfitoj kompensimin, duhet të pajiset me faturë nga shitësit e librave.

Gjë që këta të fundit edhe e bëjnë edhe se bëjnë. Pasi e merr këtë faturë, i pajisuri duhet të vërtetojë që nuk ka prona, që nuk ka llogari bankare që nuk ka të ardhura mujore, pra që është i papunë.

Dhënien e vërtetimit zyrtar për këtë të fundit e ka Bashkia, punonjësit e të cilës, sipas jo pak deklaruesve, të telendisin, të etiketojnë dembel dhe të klasifikojnë jopërfitues subvencioni nga që nuk begenis të pranosh punët, që atyre ju kanë mbetur në derë.

Këtu, me mosmarrjen e vërtetimit të papunësisë, mbyllet meseleja e përfitimit të ndihmës financiare, për më shumë se 90% të familjeve që e meritojnë atë, dhe që funksionon si e vetmja dritare e politikës sociale në këtë fushë. Pasi Shqipëria është i vetmi vend ku nxënësit duhet të blejnë tekste të reja për çdo vit arsimor dhe për pasojë prindërve do tu ngarkohet kjo barrë financiare.

Ngaqë tek ne, edhe pse klasifikohemi ndër vendet më të varfër të Europës, nuk funksionon trashëgimia e librave shkollorë, nga njëra gjeneratë tek tjetra.

Që do të thotë dorëzim i detyruar i teksteve në përfundim të çdo viti shkollor dhe rishpërndarje e tyre çdo fillimviti të ri arsimor, kundrejt çmimeve të arsyeshme dhe jo këtyre marramendëse. Kjo nuk është shpikje, por një praktikë e ardhur nga vendet perëndimore, e që aplikohet në pjesën dërmuese të vendeve të varfra, si puna jonë.

Të cilat për t’ua lehtësuar barrën financiare familjeve pa fuqi nuk aplikojnë  skemën e subvencionimit të çmimit të librave të rinj, që, në fakt, nuk është veçse propagandë politike ose mashtrim me lezet.

1 komente në “Një pagë mujore për librat shkollorë”

  1. prinderit e bashkuar says:

    Politike,politike,politike pash me ne fund nje shkrim qe na vlen te gjitheve dhe jo vetem atyre qe ushqehen me politike.Ky eshte problemi i te gjithe atyre qe jane prinder dhe po u luan mendja nga pagesat e pa skrupullta qe na duhet te perballojme per librat e femijeve.Na e ka lene peshqesh qeveria e Sali te pashpirtit dhe eshte detyra e qeverise se Edi Rames per ta korigjuar kete krim.Autorit i shpreh kosideraten time per shqetesimin qe eshte kolektiv.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje