Laudatio për Majlinda Kelmendin!

7 Shtator 2013, 18:18Blog TEMA

Nga Halil Matoshi

 

Në Kosovë po vijnë lajme të mira!

Nuk dua të besoj se ka qytetarë kosovarë që nuk u gëzohet atyre.

Ndonëse jemi lodhur duke raportuar e komentuar për vrasje e dhunë politike, për krim të organizuar e korrupsion të shkallës shtetngrënëse, na duhet si buka e uji një lajm i mirë, sado që rrallë, shumë rrallë ia beh mes nesh!

Lajm i mirë ishte ashiqare shpallja e Majlindes kampione bote në kategorinë deri në 52 kilogramë në Rio, lajm që e bëri Kosovën të hipë në majë të agjendave të lajmeve sportive botërore, për të mirë, siç ishte raportimi ekzaltues i EuroNews, ditën e 28 gushtit 2013!

Majlinda Kelmendi e lindur më 9 maj 1991, kur sapo Kosovës i ishte marrë dhunshëm autonomia e saj politike nga Serbia, e cila tashmë kishte hyrë në luftërat e përgjakshme në Bosnjë dhe Kroaci.

Ajo është ‘xhudoka’ shqiptare e lindur në Kosovë me origjinë nga qyteti i Pejës.

Që nga 27 gushti 2013, ajo qëndron e para në renditjen ndërkombëtare nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos në kategorinë – 52 kg.

Majlinda ka filluar të ushtrojë xhudo në qytetin e saj në vitin 1999, sapo Kosova pas një lufte të tmerrshme ishte çliruar nga Serbia, pas shtatë jave bombardimesh të caqeve ushtarake dhe policore të saj, nga NATO-ja.

Ajo ka fituar medaljen e artë më 2009 në Kampionatin Botëror për juniorët në Paris, Francë. Doli e pesta më 2010 në Kampionatin Botëror për juniorët në Marok dhe përfundoi e nënta në kategorinë 52 kg. në Kampionatin Botëror të xhudos më 2010 në Tokio, Japoni. Për shkak të rezistencës së Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe të Kombeve të Bashkuara, ajo nuk u lejua të përfaqësonte Kosovën në Olimpiadën Verore 2012 në Londër dhe ajo pati zgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë, një praktikë e pranuar gjerësisht nga shqiptarët e Kosovës.

Më 27 gusht 2013 Majlinda Kelmendi i dhuroi Kosovës titullin e parë botëror të xhudos, duke e mundur në finale brazilianen Erika Miranda në ndeshjen e kategorisë -52 kilogramë.

Wikipedia (versioni anglisht) e jep biografinë e Majlindës me fusnotë, në të cilën thuhet:

”Kosova është subjekt i një mosmarrëveshje territoriale midis Republikës së Serbisë dhe Republikës së vetëshpallur të Kosovës. Kjo e fundit shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, por Serbia vazhdon të pretendojnë atë si pjesë të territorit të vet sovran.

Pavarësia e Kosovës është njohur nga 103 vende nga 193 sa janë shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara”.

Aktin simbolik që e bëri Xherdan Shaqiri para miliona shikuesve televizivë, duke ekspozuar flamurin kosovar së bashku me atë zviceran, pas fitores së skuadrës së tij Bayern Munchen, e vazhdoi Majlinda Kelmendi e cila nën flamurin e Republikës së Kosovës nga Rio solli medaljen e artë në shtëpi!

Duke i dhënë emër e nam të mirë kësaj shtëpie.

Po cila është kjo shtëpi?

Është ajo streha e shqiptarëve të munduar e të torturuar, të ndjekur e të vrarë plot një shekull nga fqinjët e tyre veriorë?

Është streha ku prehen përjetësisht dhjetëra e mijëra gra e burra të masakruar dhe të hedhur në gropa masive.

Streha e mijëra grave dhe vajzave të përdhunuara në luftë.

Është streha e qindra të zhdukurve…

Është kjo streha ku nuk pikon më shi e mërzi?

Por është streha edhe e mijëra sportistëve entuziastë, të cilët nuk mund të garojnë në arenat ndërkombëtare për shkak të pengesave që ende ua qet në shteg Serbia.

Majlinda vinte në Rio nga një vend i ngatërruar në lojërat e mëdha të politikës ndërkombëtare, i ngatërruar përbrenda me qeveritarë të këqij dhe mbi të gjitha, ajo vinte nga një vend ku femra hala lufton për vendin e saj të mohuar në shoqëritë tradicionale femërngrënëse.

Ajo vinte nga një vend ku mbi gratë është kryer krim i shumëfishtë dhe nga të gjitha palët ndërluftuese. Dhunimet seksuale si mjet lufte rënduan mbi gratë edhe në luftërat fashiste të Serbisë nën Slobodan Millosheviqin.

Por ato as pas lirisë së vendit nuk guxojnë të flasin dhe të akuzojnë për dramën e tyre jetësore.

Ajo vinte në piedestalin e sportit botëror nga një vend ku gratë abuzohen në shtëpi të burrit dhe diskriminohen në konkurse për punë. Shumica prej tyre janë të papuna, ndërsa edhe ato që punojnë paguhen më pak se burrat…

Por ajo vinte nga një vend të cilin nuk e kanë braktisur shpresa dhe vetërespekti!

Ajo është shqiptare nga Kosova, flamurin e së cilës e bartte në ‘kimono’, por për arsye politike (Kosova nuk është njohur nga OKB-ja) organizatori e intonoi himnin kombëtar shqiptar – për t’i kënaqur të gjithë shqiptarët – ndoshta pavetëdijshëm – edhe ata që mburren me kosovarizmën dhe Kosovën shtet të pavarur por edhe unitaristët …

Flamuri kosovar dhe himni shqiptar – ishte një kombinim fatlum sikur të pyetej edhe vetë Majlinda, ose sikur të pyeteshin shumica e shqiptarëve!

Fuqia ikonike e flamurit rritet sa më shumë që qytetarëve u rritet mirëqenia, vetërespekti, sa më shumë që janë të lumtur. Nuk është dukja vizuale e flamurit ajo që shpreh krenarinë e qytetarëve, por është krenaria e tyre ajo që reflekton fuqinë e flamurit…

Sipas Ernest Gelnerit, fuqia dhe prestigji i një kombi varen nga përqindjet e rritjes ekonomike, e jo nga madhësia e hartës që arrin ta lyejë me ngjyrën e vet.

Por, prestigji i një kombi nuk varet vetëm nga rritja ekonomike por edhe me arritje kulminante në dije, arte e sporte.

Jo numrat e mëdhenj por individët e mëdhenj e bëjnë të madh një komb.

Me njerëz të majave fuqia e imazhit të flamurit rritet…

Mosnjohja dhe keqkuptimet zvogëlohen.

“Kelmendi shkëlqen në Rio” – shkruante portali i TV-kanalit më prestigjioz europian për sport EuroNews. (http://www.euronews.com/2013/08/28/kelmendi-shines-in-rio/)

”Majlinda Kelmendi e Kosovës ka prodhuar një performancë mahnitëse duke i hedhur poshtë shpresat e brazilianes Erika Miranda për të marrë medaljen e artë për femra në kategorinë deri në 52 kilogramë, të martën, më 28 gusht 2013, në Kampionatin Botëror të Xhudos në Rio de Janeiro” – raportonte EuroNews.

Majlinda medaljen e saj ia ka dedikuar shtetit të saj.

Ajo i tha TV-Global se e ka zgjedhur që ta prezantonte Kosovën,  për arsye që ta bënte të njohur dhe të respektuar në botë.

Gazetarja komentoi: “Po kjo është mënyra më e bukur e prezantimit të kauzës së saj!”

Gjithmonë është dëgjuar të thuhet se gratë janë seksi i dobët?

Porse ato kanë treguar nëpër kohë dhe prapë po dëshmohen se nuk janë inferiore ndaj burrave.

Ndërsa shumë gra kanë parakaluar nëpër histori më të forta (apo edhe shumë më të forta) sesa homologët e tyre meshkuj. Në botë ekzistojnë 12 monumente ndër më interesantet dhe madhështoret të dedikuara për gratë e mahnitshme në histori, që nga dëshmorja franceze dhe heroina Jeanne d’ Arc që luftoi kundër britanikëve për tokën franceze deri tek gratë suliote që u hodhën nga shkëmbinjtë për të mos rënë në duart e njerëzve të Ali Pashës.

E në vendin e origjinës së Majlinda Kelmendit, në Kosovë, nuk ekziston asnjë shtatore dedikuar gruas!

Kelmendi me artin e saj luftarak, me shpirtin e madh dhe mendjen e mprehtë dëshmoi se edhe gratë kosovare dinë, duan dhe ia dalin!

Majlinda u tha prishtinasve në sheshin qendror se ajo nuk është e jashtëzakonshme por njëra nga to, sepse të gjithë mund të jenë kampionë!

Vetëm se duhet besim e përkushtim, dashuri e shpirt i madh, vullnet e koncentrim…

Mbi të gjitha shumë punë!

Majlinda ua hoqi vajin nga buzët së paku për pak çaste edhe kosovarëve të papunë e të pashpresëve, të keqqeverisurve e të keqtrajtuarve, të zhvaturve dhe atyre që qeverisja e keqe i ka lënë në mjerim – duke kërkuar shpëtim ndër azile, rrugëve të botës…

Kosovarët nuk e meritojnë këtë mjerim.

Majlinda dëshmoi se ata kanë një shpirt të madh.

Por u duhet më shumë nxitje dhe mbështetje nga shteti, hapje shtigjesh e mundësish. Kurajë!

Faleminderit Majlinda!

 

P.S. Laudatio është lavdërim dhe çmim! Është brohoritje, duartrokitje, aprovim, miratim, kompliment, përgëzim, fjalë e mirë adhurimi e përkushtimi, gëzim e përgëzim, lartësim, nder, rrahje shpatullash e përkëdhelje, këndim lavdesh e heqje dhe hedhje kapele, bekim, kremtim e festim!

Në shqip thuhet: Pirolla i qoftë!

7 komente në “Laudatio për Majlinda Kelmendin!”

  1. Beso says:

    Halile; ajo pirolla te qofte, eshte shprehje kosovare apo shqiptare?
    Sikur nuk e kemi degjuar ketej nga anet tona.
    Cfare dmth ajo pirolla?? mos eshte pak serbisht?

    1. wwwanticeeeennnn says:

      beso
      gjeni matoshi,përmëndi shumë e shumë mundësi të përkëthimit të “Laudatio” por atë që i përshtatet për këtë rast e komplikoi pak si tepër,”këndim lavdesh”,për të mos thënë të thjeshtën fjalë,lavdërim!!
      i duhej të nxirrte fjalën e re “pirolla i qofshin”,që në fakt janë dy fjalë!!
      ky tip të befason gjithnjë!!
      shpjegon me tre rreshta fjalën latine dhe me dy fjalë zbulimin e tij të ri”pirolla”!një zot e di nga e ka prejardhjen,por gjerisa e thot matoshi duhet të jetë çisto shqip!!

  2. ''evgjitngrenesi'' says:

    ky antishqiptar duhet debuar nga trojet shqiptare.eshte me i keq se serbet.

    1. ylli rks says:

      Ne Kosovaret kuurr nuk do ta perdhosim shtetin shqiptar, si ju qe po e pordhosni shtetin e Kosoves! Ne gjithmon do te jemi krenar me Shqipnin, por ju lutemi mos na pengoni te jemi po aq krenare per shtetin e Kosoves, i cili po lshon shtat e po ujitet me medale te arta.

  3. Ilir Gruda says:

    Duiket se neBrazilin e larget ma mire se Matoshat e dine se kush eshte HYMNY KOMBETAR I SHQIPTAREVE…..Vetem Matoshi me pake shoke me emer te pervetshem,por askushi,nuk e dine se shqiptaret kudo qofshin , kane ATDHE,ASPIRATA dhe e kane flamurin kombetare qe lufuan me shekuj dhe e puthen e u betuan Patriotet e medhenj I.Seferi ,Galica,BOLETINI,Prishtina,Jasharet etj……………………..Ku ka serb ne Slloveni,Kroaci ,Bosnje,Maqedoni.Mal te zi ,Kosove a KUDO qe nuk shpalos flamurin serb…Po keshtu greket ..ruset a kinezet…Vec Matoshave u duket cudi—Jane ninimumi ASKUSHI..qenie pa gene trashiguese….Ndoshta nuk eshte faji tyre direkte…..Problemi i geneve famil…eshte i ngatrruar……………………

  4. pajtim says:

    Prape shkroi ky identiteti kosovar ndryshe nga ai shqiptar? Nuk do e lexoj me Temen po botoi shkrime te kesaj krijese.

  5. kosovari X says:

    O Halil zeza,u mundove tè thuash diçka, e si gjithèmon asgjè. E permende Zhan Darken (vèrtet ishte e tillè),po si nuk e pèrmende Shotè Galicen ,qè u mundua dhe vdiq pèr tè mirèn e grave shqiptare(qè ty tè pèlqen tu thuash kosovare)?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje