Për ata që ende s’e besojnë se në çfarë situate të rëndë financiare janë institucionet e kulturës dhe artit shqiptar, do mjaftonin të lexonin një intervistë të regjisorit Muharrem Fejzo, dhënë për gazetën “SOT”, për ta kuptuar se ku e ka shpënë qeveria në ikje respektin dhe mirënjohjen që duhet të tregojë për këta korifenj të kinemasë shqiptare.
Për ta kuptuar më mirë këtë, kam shkëputur një pjesë nga intervista e tij. “Po ju tregoj një rast konkret. Me rastin e 80-vjetorit tim, AQSHF do të bënte një album mbi krijimtarinë time në kinema. Me shumë zor QKK premtoi një buxhet prej 50 mijë lekësh të reja, dhe 40 mijë lekë të reja do të jepte AQSHF, por dhe sot e kësaj dite këto para nuk janë të siguruar dhe ai album nuk është bërë akoma, edhe pse unë i kam kaluar të 80-tat. Një arkiv shtetëror që ka një pasuri të pallogaritshme vlerash kombëtare të mos arrijë të financojë një album të një krijuesi që ka shkelur në Kinostudio që nga viti 1952, që ka marrë pjesë që në ndërtimin e saj, që ka bërë 14 filma artistikë, 3 dokumentarë dhe më pas 5 filma televizivë dhe një prodhimtari të gjerë në artet figurative, në skenografi, dhe të mos ketë mundësi AQSHF që të japë 40 mijë lekë të reja për të bërë albumin e këtij njeriu, kjo është tepër e trishtueshme.”
Pra, bëhet fjalë për dy institucione në varësi të ministrisë së Kulturës, të cilët nuk arrijnë të sigurojnë fonde në shumën 357 euro njëri dhe 286 euro tjetri, në një total prej 643 euro, për të financuar albumin e krijimtarisë së kineastit të madh shqiptar.
Shumat në vetvete janë qesharake për një shtet i cili ka luksin të mbajë, në po atë ministri, tri zëvendësministra. Sikur të shkurtonte veç njërin prej tyre, do arrihej që nga ky kursim të financoheshin 12 albume kineastësh në vit me një total prej 96 albumesh për 8 vjet. E, në mos i kishim 96 kineastë, diferencat do tepronin për t’u krijuar albume aktorëve më të mëdhenj që ka pasur e ka kinematografia shqiptare.
Për të mos folur se sa e sa qindra milionë euro janë vjedhur e shpërdoruar në tendera, privatizime, koncesione etj., etj., që do dilnin e tepronin për të financuar deri edhe filma, apo mirëmbajtur edhe fondin e artë kinematografik që rrezikon të dëmtohet rëndë, për të cilin shfaq shqetësim regjisori Fejzo.
Nuk mund të mos kuptohet brenga që ka regjisori për mos mbajtjen e premtimit për t’ia realizuar albumin me rastin e 80 vjetorit të lindjes. Ndonëse s’mund të bëhen drejtpërdrejt me faj dy institucionet, se aq i kanë aftësitë financiare, s’mund të përjashtohet nga përgjegjësia dikasteri qendror i tyre, ministria e Kulturës, e cila as që e vë ujin në zjarr për t’u dhënë këtë kënaqësi shpirtërore njerëzve të artit.
Asnjëherë s’është vonë për të bërë gjëra të mira! Dhe, për këtë arsye, duhet që jo vetëm regjisorit Fejzo, por të gjithë plejadës së tij, t’u kushtohet albumi i punës dhe veprave artistike që na kanë lënë. Kjo do ishte më e pakta që mund të bëhej për ata. Dhe duhet bërë sa më shpejt, sa i kemi ende mes nesh, që ta përjetojnë personalisht emocionin e vlerësimit, pasi kur ikin pa kthim, kemi treguar se jemi shumë të zellshëm për t’ua vënë në pah se “sa shumë i kemi dashur, respektuar e vlerësuar”…
P.S. Disa nga filmat më të njohur të regjisorit Muharrem Fejzo janë: “Kapedani”, “Mësonjtorja”, “Operacioni zjarri”, “Muri i gjallë”, “Një emër midis njerëzve”, etj.
Nuk ka turp me te madh per nje shtet, kur me mosperfilljen e vet,bile dhe me nencmimin e vet ndaj njerezve te shquar qe kane kontribuuar ne kulturen e kombit,arrin deri ketu sa nderon pa merite ata qe kane bere te kunderten e asaj qe bejne artistet e shkencetaret.Ky ishte shteti i derisotem. Te presim dhe te shpresojme.
Kemi 23 vjet,qe po shohim e degjojme me ZE E FIGURE se Sali Berisha ka marre detyre nga UDB-ja,qe ta SHKATERROJE KULTUREN SHQIPTARE E JO TA NGEJE LART!!!