Sikur në vjeshtën e vitit 1998 dhe fillimin e vitit 1999, edhe sot opinioni ndërkombëtar është i ndarë rreth asaj se a duhet apo jo të ketë ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare.
Atëherë ishte rasti i Kosovës, me qindra e mija shqiptarë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre, regjimi i Slobodan Milosheviqit refuzonte secilën kërkesë ndërkombëtare rreth Kosovës, prej asaj për të zvogëluar numrin e forcave ushtarake dhe policore që mbante në Kosovë e deri tek kërkesat për të lejuar fëmijët që të shkonin në shkollë. Të gjithë e dinin në vitin 1999 se Milosheviqin mund ta ndalte vetëm forca. Dhe ai ishte mësuar që ndaj tij për dhjetë vjet me radhë të mos përdorej forca ndërkombëtare, që të hezitonte bashkësia ndërkombëtare për të pritur të ketë një zgjidhje paqësore dhe të evitohej ndërhyrja ushtarake. Por kjo nuk ishte e mundur dhe u pa me refuzimin që Serbia i bëri Marrëveshjes së Rambouilletit, të cilët e pranuan shqiptarët e Kosovës, por e refuzoi Serbia.
Sot debati zhvillohet për Sirinë ku, siç pretendojnë shërbimet e zbulimit të SHBA-së dhe Francës, regjimi i Asadit ka përdorur edhe armë kimike kundër popullatës civile. Vetë presidenti amerikan, Barack Obama, si dhe bashkëpunëtorë të tij, kanë përmendur rastin e ndërhyrjes në Kosovë në vitin 1999 si një shembull të mirë kur ndërhyrja ishte e domosdoshme edhe nëse nuk kishte një rezolutë të prerë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sot edhe zyrtarët e shteteve të NATO-s thonë se ndërhyrja në Kosovë në vitin 1999 ishte „kontroverse por e domosdoshme“ duke pasur parasysh mungesën e një rezolute të prerë të OKB-së që do ta autorizonte ndërhyrjen.
Sikur në rastin e Kosovës para 14 vjetësh, ashtu është sot në rastin e Sirisë nuk mund të pritet që vendet si Rusia dhe Kina të pajtohen me një rezolutë e cila do t’i mundësonte ndonjë force perëndimore ushtarake të ndërhynte në një shtet të pavarur dhe sovran. Por sikur në atë kohë në Kosovë edhe sot në Siri një ndërhyrje është e domosdoshme. Diktatori sirian Asad ka disa ngjashmëri me kasapin e Ballkanit, Slobodan Milosheviq: mungesën e ndjenjave për viktimat, mbetjen në pushtet me çdo çmim, tentimin për të shfrytëzuar ndasitë në bashkësinë ndërkombëtare dhe propagandën. Por për dallim nga rastri i Kosovës, konsensusi për ndërhyrje në Siri nuk do të mund të arrihet në NATO. Madje vetë disa shtete të NATO-s nuk kanë as konsensus të brendshëm për të mbështetur ndërhyrjen. Prandaj ndërhyrja ushtarake do të jetë më shumë nga SHBA-ja me disa aleatë individualë.
Kur flitet për nevojën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë aleatë për të ndërhyrë në Siri duhet thënë edhe se kjo gjë Washingtonit i nevojitet më shumë për shkaqe politike sesa ushtarake. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kapacitete aq të mëdha ushtarake krahasuar me aleatët e tjerë saqë nuk ka nevojë fare për ndihmë ushtarake. Edhe në rastin e Kosovës, ku ndërhyri Aleanca, atëherë me 16 e më vonë 19 anëtarë, afër 90 për qind të bombardimeve të caqeve serbe thuhet t’i ketë realizuar ushtria amerikane. Por veprimi në koalicion ka një peshë të madhe politike, e cila nuk matet vetëm me kapacitetet ushtarake.
Ata që sot kundërshtojnë ndërhyrjen në Siri, të cilëve nuk mund t’u mohohet e drejta të shprehim këtë qëndrim sikur nuk mund t’u mohohet as atyre që mendojnë ndryshe, nisen nga një premisë e gabueshme.
Ata thonë se janë „kundër luftës“, me çka harrojnë se në Siri tash e dy vjet është luftë. Ndërhyrjen e huaj ushtarake pra e shohin si fillim lufte e në fakt për një ndërhyrje të tillë ka nevojë pikërisht për t’i dhënë fund luftës. Pra, si në rastin e Kosovës në vitin 1999 ashtu edhe në atë të Sirisë sot ndërhyrja ushtarake do të shënonte fundin e jo fillimin e luftës.
Ka një dilemë tjetër në bashkësinë ndërkombëtare e cila rrit hezitimin për ndërhyrje në Siri e ajo është dyshimi se çka do të ndodhë më vonë, nëse dhe kur të rrezohet regjimi i Asadit. Nuk janë të sigurt se kush janë kryengritësit, çfarë do t’i sjellin ata Sirisë nëse vijnë në pushtet dhe a mund ta shfrytëzojnë një ndërhyrje perëndimore forcat islamike të cilat, po të vijnë në pushtet, mund ta bëjnë Sirinë më antiperëndimore sesa që është sot. Po ashtu, ka shumë informata se edhe nga radhët e kryengritësve ka pasur krime dhe askush në bashkësinë ndërkombëtare nuk ka dëshirë të shihet si aleate e atyre që kryejnë krime të tilla.
Një mësim që megjithatë duhet nxjerrë nga ndërhyrja në Kosovë është se kurrsesi nuk bën të përjashtohet ndërhyrja tokësore nëse sulmet ajrore nuk japin rezultate. Në rastin e ndërhyrjes në Kosovë një pjesë e shteteve të NATO-s nuk donin që të shiheshin si aleate ajrore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila ishte e vetmja forcë që luftonte forcat serbe në terren në Kosovë në kohën kur NATO-ja ndërhynte vetëm nga ajri. Duke përjashtuar në fillim mundësinë e ndërhyrjes tokësore, NATO-ja i dha mundësi Milosheviqit që në tokë të vazhdonte dhe t’i shtonte dhe më shumë krimet ndaj popullatës civile.
Pikërisht atëherë kur u bë i vetëdijshëm se NATO-ja është duke bërë plane edhe për ndërhyrje tokësore në Kosovë, Milosheviqi kapitulloi dhe pranoi të nënshkruhej në qershor të vitit 1999 Marrëveshja në Kumanovë të Maqedonisë, e cila i dha fund luftës dhe rezultoi me largimin e forcave të Serbisë dhe vendosjen e NATO-s në Kosovë. Nëse Asadi do të jetë i sigurt se nuk do të ketë ndërhyrje tokësore të forcave të huaja, atëherë ai do të rrezikojë edhe më shumë forcat e tij për të qëndruar gjatë bombardimeve ajrore në pritje që ato të ndalen. Por kësaj radhe vlerësimet janë se edhe një ndërhyrje e kufizuar do ta dëmtojë aq shumë regjimin e tashëm sirian, saqë kryengritësit vetë do t’ia dalin që ta mposhtin atë regjim pastaj.
Edhe sot ndërhyrja e NATO-s në Kosovë konsiderohet si njëra prej ndërhyrjeve më të suksesshme të bashkësisë ndërkombëtare. Fakti se Kosova pas luftës nuk u zhvillua pikërisht ashtu siç donin aleatët, se në të vazhdon krimi i organizuar dhe korrupsioni, se ka rritje edhe të jotolerancës dhe ekstremizmit fetar, nuk e zvogëlon suksesin e ndërhyrjes së NATO-s, ndërhyrje të cilën ish-presidenti i ndjerë çek Havel e pagëzoi si “Lufta e parë humanitare“.
Edhe sot është legjitime që të mendohet se si do të zhvillohet Siria pa Asadin dhe pas tij, të mendohet se çfarë janë ata të cilët do të mund të vinin në pushtet, por kjo nuk guxon të dalë si pengesë për të ndërhyrë në shpëtim të qindra e mijëra apo miliona njerëzve, të cilët sot kanë nevojë për ndihmë.
ne e kuptojme qe aty ne dardanistan u kane mbytur turqit e arapet, ca me leke e ca me sume, po ti edhe rrogetaret e kalifatit si ti nuk ne hidhni dot hi syve. Lufte po behet ne siri, po pse duhet te vdesin amerikanet per sulltanatin e arbeve? Edhe sulltan obamai nuk u ndihmon do kete here. Lefe penen edhe mer hanxharin selef, se evropa ua ka pire lengun viktimave tuaja qe i vrisni vete naten e i qani diten. merhaba gamilexhi!