Ne duhet të transformojmë sistemin tonë të edukimit për ekzistencë

25 Shtator 2013, 19:30Blog TEMA

Nga Prof. As. Dr. Jetmir Aliçka

 

Deri rreth viteve 2000, kur flitej për ndryshimet (reformat) në sistemin e edukimit, e gjithë ekspertiza botërore nënkuptonte përmirësimin e sistemit në përgjithësi dhe shkollës në veçanti.

Pas viteve 2000, përsëri në nivel ekspertësh, është arritur në një konsensus, sipas të cilit ndryshimi (reforma) nuk mund të vazhdojë më tej me përmirësimin e sistemit, por transformimin e tij. Pra, ekspertiza botërore po shkon drejt përfundimit se sistemi i edukimit do të duhet të transformohet. Dhe ky transformim, sipas tyre, kushtëzohet nga sfidat e globalizmit, ndryshimet demografike dhe revolucioni teknologjik. Aktualisht ky transformim, gradualisht, po kthehet në tendencë, që po prek të gjitha shtetet, që kërkojnë zhvillim e rritje në të gjitha fushat, e në veçanti në atë ekonomike.

Po tek ne çfarë po ndodh?

Këto vitet e fundit, në veçanti në 4- vjeçarin e parë të qeverisjes demokratike (2005 -2009), u kryen me sukses dy- tre reforma fondamentale, siç ishte standardi Maturë Shtetërore dhe  ALTERTEKSTI në arsimin parauniversitar, si dhe aplikimi masiv e konsolidimi i sistemit të Bolonjës në Arsimin e Lartë.

Po ashtu u përmirësua infrastruktura në jo pak shkolla, u rritën në mënyrë të ndjeshme pagat e arsimtarëve e pedagogëve dhe nuk besoj se kam harruar ndonjë arritje tjetër.

Periudhën gjatë 4- vjeçarit të dytë do ta konsideroja gri, stanjacion, ndoshta edhe përkeqësim në edukim. Kam mendimin, që edhe reformat që u nisën e u kurorëzuan deri diku 4 vitet e para, po shkërmoqen ashtu si pa u ndjerë. Shikoni standardin Maturë Shtetërore. Për shkak të një administrimi abuziv të saj, po vihet në dyshim dhe po trumbetohet dështimi i këtij ndryshimi, bile disa kanë shkuar shumë larg, zëvendësimin e saj. Por me çfarë? Larg qoftë me pranimet në shkollën e lartë mbi bazën e konkurseve. Personalisht do ta konsideroja një kthim prapa, ku dështimi ka qenë spektakolar dhe i sprovuar. Pra, në vend që të analizojmë shkaqet për impaktet e munguara të Maturës Shtetërore në cilësinë e arsimit parauniversitar dhe atë universitar (që për hir të së vërtetës në tre vitet e para të zbatimit të saj, ato kanë qenë shumë të ndjeshme e të prekshme), kemi prodhuar udhëzime, urdhra, rregullore pafund, që kanë  çoroditur jo vetëm maturantët, por të gjithë ne. Në vend që të shohim dhe përsosim procesin e administrimit të Maturës Shtetërore, të bëjmë disa ndryshime që kanë të bëjnë me thelbin e saj, me formularin A2, me përsosjen e parimit meritë- preferencë në varësi të kërkesës dhe ofertës për pranimet në shkollat e larta, apo rritjen e koeficientëve në disa degë të kërkuara, për një seleksionim më cilësor të kandidatëve në këto degë, etj., kërkohet të shprishet standardi Maturë Shtetërore.  Por, le të shkojmë më tej. Është kthyer në lajtmotiv në të gjitha institucionet arsimore, dhe jo vetëm, fakti që maturantët po kopjojnë në provimet e Maturës Shtetërore. Por, pse vallë maturantët kopjojnë? Pse kopjimi po kthehet në një fenomen?   Për MASH, faji dhe fajtori është gjetur: Shkolla, nxënësi dhe mësuesi. Për disa të tjerë, Matura Shtetërore. Pra, sipas tyre, gabojnë vetëm mësuesit dhe nxënësit. MASH dhe ministrat gjithmonë kanë rezultuar të suksesshëm! Ata asnjëherë nuk kanë gabuar dhe nuk kanë dështuar! Lavdërime e vetëlavdërime me bollëk.

Në përgjithësi nuk po ka shumë dëshirë për të kuptuar e pranuar  se këta maturantë kopjojnë pasi nuk ndjehen të sigurt, se nuk kanë përvetësuar në nivelin e duhur njohuritë, nuk kanë fituar kapacitetet e duhura për të promovuar aftësitë aq të domosdoshme për të ardhmen e tyre.

Nuk po kuptohet (apo bëjnë sikur nuk kuptojnë) se faji duhet kërkuar tek sistemi, tek MASH, pastaj tek shkolla, mësuesi dhe nxënësi.

Fatkeqësisht ndodhemi përpara një rreziku jo të vogël; rreziku i lavdërimit të asaj që nuk ka ndodhur, çka do të thotë që ajo që do të duhet të ndodhë në të vërtetë, nuk do të ndodhë kurrë.

Le të shpresojmë tek qeveria e re për shmangien e këtij rreziku.

Pra, maturantët po kopjojnë. Dhe ky po kthehet në fenomen. Jo sepse fajin e ka Matura Shtetërore, jo sepse fajin e kanë vetëm nxënësit dhe mësuesit, por sepse sistemi ynë i edukimit është cenuar rëndë, pse jo, po lëngon frikshëm.

Po lëngon frikshëm, sepse shkolla, institucioni unik, që prodhon e rrezaton edukim, është cenuar rëndë. Sepse në këtë periudhë tranzicioni, në shkollë po vegjetojnë mësues të paaftë e drejtues mediokër, të prodhuar me shumë zemërgjerësi dhe tepri nga shkollat tona të larta, të emëruar e përzgjedhur me shumë kujdes nga partia dhe për partinë (fenomen ky edhe nga qeverisjet e mëparshme).

Po lëngon frikshëm shkolla, sepse në shkollë është cenuar rëndë ora e mësimit. Gjithkund do të gjenden 2, 3, 5 adoleshentë në çdo klasë, që e kanë kthyer në hobi prishjen e orës së mësimit. Gjithkund do të gjenden grupe adoleshentësh të fortë, që kujdesen shumë për të bërë shantazh, për të kërcënuar, për të goditur, për të fyer e depersonalizuar cilindo, që nga roja i shkollës e deri tek mësuesit e drejtuesit. Gjithkund do të gjesh klasa të tëra, që nuk bëjnë mësim për “zemërgjerësi” të mësuesit, për paaftësi të drejtuesit, për ndërhyrjet “elegante” të të fortëve. Kudo ndjehet e preket një inefiçencë e kontrollit e vlerësimit. Gjithkund, në çdo mjedis të shkollës, do të përballesh me një fjalor banal, që kalon çdo lloj etike, edukate e qytetarie. Pra, ku është shkolla? Dhe a mund të quhet shkollë, kur në të kanë gjetur strehë duhani, pijet alkoolike, pse jo edhe hashashi? Kur profesionalizmi, etika, komunikimi dhe qytetaria po përfundojnë në minorancë?

Po lëngon frikshëm shkolla sepse nuk po gjendet ende një shpjegim dhe zgjidhje për raportin gjimnaz– arsim profesional.  Pse gjimnazi duhet të jetë kaq masiv? Pse duhet të pranohen në gjimnaz nxënës që nuk kanë formimin minimal shkencor e qytetar? Pse ky raport paradoksal në sistemin tonë të edukimit, midis arsimit profesional dhe gjimnazit? Nuk e paskemi ditur që jemi një shtet kaq i pasur, ku investojmë 12 vjet shkollë për fëmijët tanë, dhe në përfundim nuk merret asnjë profesion, asnjë zanat. Sigurisht merret diplomë. Por, kujt i vlen kjo diplomë e shkollës së mesme, pa asnjë profesion? E konkurrojnë këtë diplomë shumë, shumë fort diplomat e shkollës së lartë, bachelor, master, doktor, të cilat po janë me bollëk këto vitet e fundit. Por edhe këto janë zhvlerësuar në atë farë feje, saqë edhe vetë MASH, që në dukje është përpjekur për të motivuar mësuesit për master e doktoraturë, nuk i vlerëson këto diploma. A e dini çfarë ndodh? Mësuesit me master dhe doktoraturë,  sigurojnë një minimum pikësh të papërfillshme, më shumë, në krahasim me mësuesit e tjerë në sistemin e kualifikimit dhe atestimit. Paradokse interesante!

Po lëngon frikshëm shkolla, sepse ajo, shkolla, ka ende mbingarkesë. Kurrikula jonë vazhdimisht në proces eksperimentimi e reformimi. Tekste të prodhuar nga gjithfarë autorësh, me një kujdes të tepruar përzgjedhje e garantim shitje nga aparatçikët, që për të gjitha gjërat vrasin mendjen deri në detaj, vetëm për interesin  publik, jo. Jo rastësisht ALTERTEKSTI është nën presionin e korrupsionit dhe abuzivizmit. Pse jo edhe të dështimit për këtë shkak.

Po lëngon frikshëm shkolla, sepse vazhdon të eksperimentohet struktura e sistemit. Me një kosto jo të vogël. Nxënësit e klasave të 9–ta vuajnë paaftësinë e mësuesve të tyre, pasi këta të fundit u gjetën e u përballën, jo për fajin e tyre, krejt papritur me kurrikulën e klasës së 9 –të. Nxitojmë, gjithmonë nxitojmë. Protagonizmi i ministrave vlen më shumë se interesi publik. Nuk ka rëndësi çfarë ndryshojmë, kur ndryshojmë, si ndryshojmë, për çfarë ndryshojmë. Rëndësi ka, që ne (ata) të dukemi se po ndryshojmë. Po ndryshojmë përsëri këtë vit strukturën e sistemit. Cikli i ulët nga 5 në 6 vjet. Pa mësues të përgatitur (deri tani mësuesit e ciklit të ulët të diplomuar nga shkollat tona të larta parashikonin përgatitjen e tyre deri për kurrikulën e klasës së katërt). Nuk prish ndonjë punë për aparatçikët. Ata nuk paguajnë gjë. E paguajnë fëmijët. Por edhe kjo nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që po ndryshojmë.

Po lëngon frikshëm shkolla, sepse ajo, pra shkolla, po mbetet një ishull i vetmuar. Kanë ngelur në minorancë mësuesit me autoritet profesional e shoqëror. Kanë mbetur në minorancë drejtuesit e pasionuar. Konsiderohet jashtë mode kërkesa rigoroze për zbatimin e rregullave, normave e ligjeve.

Po lëngon frikshëm shkolla, sepse ende nuk po kuptohet që shkolla është themeli, referenca nga duhet të orientohen e kushtëzohen reformat e strategjitë.

Së fundmi, nëse bota e qytetëruar po kërkon të transformojë sistemin e edukimit për zhvillim e rritje të mëtejshme, ne duhet ta transformojmë urgjentisht sistemin, për ekzistencë.

3 komente në “Ne duhet të transformojmë sistemin tonë të edukimit për ekzistencë”

  1. Dita says:

    Turpi nukka skaj. Ato 5 eurot i shkojne ne xhep organizatorit te testeve dhe kjo eshte me rendesi per afatin,tjerat jane formalitete. mjer ne qe pritem kete sistem shkollimi me udheheqes qe i servilen partive ne interes dhe, arsimi eshte ne mjerim . Duhet alarmu dhe vajtu e qajte ne qfar niveli kemi rene. Nxenesit me 3 pale strese, -test i mbrendhsm -turpi I, -testi matures shteterore -TUUURPIIIIIIIII ME I MADH, – testi per fakultetin perkates-TURP TUUURPPPP ,per ata qe i thone vedi ,lider te arsimit Pthuuuuuuu ja u q****** sistemin e ata qe jane ne krye te testev e e arsimit ,Kaq

  2. Adnan-BiliBuli&Rezart-SaçiMaçi says:

    Foli edhe ky Jetmiri i ndershem, s’la shkolle / kioskë private (Wilson, Nobel etj etj.) pa vajtur e pa u bere drejtor. U majm në pará e na hiqet si moralist ne mbrojtje te idealeve te arsimimit, edukimit, qytetarise… Haha! Ik mashtro ndonje kalama e rri urte!

  3. kela cela says:

    Une jam mesues ne gjmnaz por me keqardhje dua ti them artikull shkruesit se eshte duke levduar dy nga shtremberimet me te medha qe i jane bere sistemit tone arsimor, alterteksti dhe Matura Shteterore. Qe te dyja e kane deshtuar me sukses. Kemi tekste skandaloze e Mature Shteterore ku kopjohet hapur dhe e dirigjuar nga drejtuesit me te larte te arsimit. Alterteksti per mua eshte i papershtatshem edhe per nje arsye tjeter qe lidhet me Maturen Shteterore. Ndersa provimi i Matures shteterore eshte unik pse nxenesit duhet ti ofrojme tekste qe skane kurfare lidhje me njohurite qe kerkohen ne kete provim? Duke pare gjendjen katastrofike te arsimite te sotem lidhur me tekstet mendoj se duhet unifikim i tyre, duhen tekste te hartuar prej pedagogesh e specialistesh qe njohin mire te gjitha aspektet psikologjike e pedagogjike qe duhet te permbaj nje tekste per te qene ne pershtetje me moshen e femijes, por edhe ne pershtatje me gjithe kurrikulen e shkolles sone. Me tekstet e sotme arsimi yne po shkon drejt humneres. Per qeverine e re e kam nje thirrje: SHPETOJENI ARSIMIN, NXITONI, NXITONI…..

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje