Një email nga Ardian Klosi

23 Shtator 2013, 19:13Blog TEMA

Nga Blerta H. Kraja

 

Është koha tamam. Po, po, është koha tamam për të kontrolluar postën elektronike. Patjetër aty ka mbërritur një email, një email nga Ardian Klosi, me cilësinë e drejtorit ekzekutiv të shoqatës kulturore gjermano- shqiptare “Robert Schwartz”. Si mundet të fillojë tetori gjerman pa ftesën elegante për veprimtari kulturore nga i madhi Ardian?

Tak e hap dhe ftesa dygjuhëshe, e shkruar me një fjalor të pasur të grish për të marrë pjesë. Dhe veprimtaritë e Ardianit, nuk janë të shpëlara, si ato të institucioneve shtetërore që paguhen për art. Përgjithësisht arti i tij është i njësoji tjetër, krejt qytetar, i pranueshëm, ftues dhe përfshirës, edhe për publikun.

Çudi e madhe, që pas kaq shumë kohësh që kam marrë ftesa shqip- gjermanisht, të mos di sado pak gjuhën gjermane, paçka se s’mund ta mohoj, që tashmë më pëlqen gjermanishtja, tingulli i saj, dramaciteti që të përçon. Kjo mbase vjen nga gjithçka dygjuhëshe shqip-gjermanisht, që përçoi në shoqërinë tonë i madhi Klosi.

Më falni, çfarë veprimtarie kulturore dëshironi: një punëtorí të karikaturës politike, apo një punëtorí të ligjit mjedisor? Mos vallë dëshironi një përkthim letrar të një poeti gjerman të panjohur tek ne? Apo dëshironi një teatër të pazakontë të vënë në skenë? Ah, edhe një operetë e vogël s’do t’iu bënte keq… Mos vallë dëshironi një dosje hetimore “sui generis”, mbi krime shtetërore? Ah, është një tekst i përkryer, i pashkruar më parë. Patjetër që e ke të nevojshme të lexosh një editorial në gazetën tënde të përditshme. Jo përditë shkruhen editoriale të mira, dhe jo të gjithë ata që marrin guximin të botojnë ia thekin për këtë punë. Ja pra këto të gjitha dhe më shumë se kaq i bënte Ardian Klosi. Një ministri kulture lëvizëse, pa financim shtetëror, pa personel me fytyra të zymta dhe që s’kanë lidhje me artin, me të bukurën, me qytetarinë. Ah qytetarinë, ç’nevojë e ethshme për të, gjithandej.

Nejse, e hapët emailin apo jo? Ka ardhur kalendari i veprimtarive për këtë vit? Si? Edhe një antologji e letërsisë shqipe? Me të vërtetë? Oh ç’tregime të zgjedhura me kujdes, shkrimtarë që marrin tjetër përmasë nga kujdesi fin i Ardianit.

Mirë keni frikë, se pas vjeshtës të kuqërremtë vjen dimri i egër dhe i errët? Po mirë netët dimërore që duan ngrohtësi, çahen në mes nga kultura që na ofron Ardiani, aty tek piano bari, ca poezi të mira, të interpretuara mjeshtërisht nga e adhurueshmja Ema Andrea, nën shoqërimin muzikor të Gent Rrushit. Doni përsëri? Po ka plot atdhetarë që u risollën plot ndriçim nga pena e tij. Keni frikë të ngrini zërin për një padrejtësi? Keni frikë se dhe përkrahësit publikë do t’iu lënë në baltë? Zot, është Ardiani, plot forcë dhe dinjitet, që nuk braktis kauzat e drejta, pavarësisht allishverisheve, që luhen në prapaskenë. Mos u druaj, është një avokat i madh i njerëzve të thjeshtë.

Tani, e hape emailin dhe dëshpërohesh se s’ka mbërritur gjë dhe nuk di nëse do të ketë ndonjë veprimtari për tetorin gjerman apo deri në dhjetor në këtë vend të zymtë? Hiç mos u dëshpëro, Ardiani nuk harron, veprat e tij, aty bukur të renditura në bibliotekën familjare, duan dorën tënde, t’i marrësh dhe t’i rilexosh, përmbledhjet me karikatura politike, ëmbël t’i kundrosh. Ja pra, pasditet e tua, mbushen me dritë artistike. Ka njerëz që ndriçojnë njësoj, në çdo kohë, pavarësisht viteve… Po unë s’e kuptoj tetorin gjerman, me birrë, pa artin që na ofronte Ardian Klosi. S’mjafton edhe kultura politike ndryshe nga e shndritshmja kryeministrja Merkel. Kjo hapësira jonë periferike plot artdashës, jo vetëm të kulturës gjermane, por më gjerë, kërkon kalendarin e veprimtarive të Ardianit.

Ai përgjigjet heshturazi me vepra të fuqishme. Jo më fjalë, lexim e reflektim… Është tetori gjerman. Një email i dashur mungon, por poezia, proza, dramat, përmbledhjet, veprat janë aty.

12 komente në “Një email nga Ardian Klosi”

  1. psy says:

    Te lumte Blerta dhe te faleminderit.Nuk e dija qe ke edhe nje pene kaq te ndjere.Duket si cudi…nje avokate me ndjenja kaq te holla ne nje bote ku drejtesia me te cilen ti punon eshte e bere cope-cope.
    E imagjinoj se sa energji te duhet te ruash veten ne perballjen me disa gjyqtare(femra)dhe gjyqtare (meshkuj) mostra ne gjithe kuptimin e fjales.
    Por ja,eshte forca e vepres se Ardian Klosit.

  2. Anna says:

    Une Blerten e lexoj me vemendje dhe kenaqesi..perveç se eshte nje vlere absolute ne fushen juridike eshte dhe nje shkruese e jashtezakonshme e perjetimeve !

  3. marita tollkuci says:

    Eshte e qarte qe keni marre mesim nga i madhi Ardian. Te falenderoj per kujtesen qe bere ne keto dite tetori.

  4. burreria says:

    Ti shqiperi me jep nder, me jep emrin shqipetar.
    ju lumte.
    njerezit e vertete lene si shembull veprat e tyre,ata nuk vdesin kurre.
    keshtu eshte edhe per ARDIAN KLOSIN.

  5. sinan hibro says:

    I perlotur ia dal te shkruaj ” te lumte ” !

  6. Qytetari says:

    Eshte e shkruar se; zoti ata qe do me shume i merre afer shpjet.

  7. askushi says:

    Ardion Klosi qe burre i madh dhe i drejte. atij i duhet bere monument dhe te shkoi tek varezat e deshmoreve dhe jo batakcinjte e tjere

  8. mirel says:

    Shkrim kot fare.
    Zonjes i eshte dashur Ardian Klosi qe te ndjeje bukurine e gjuhes gjermane.
    Shume vone je moj zonje.
    Po ka dhe nje gjigant tjeter te perkethimeve gjermanisht shqip
    Robert Schvarc
    Para se te shijoje ftesat dygjuhese te Ardianit, a te ka kapur endja te lexosh Goeten ne gjermanisht?
    Meqenese dhe instituti qe Klosi perfaqesonte mban emri Goete.

  9. Gjergj says:

    Bravo Blerta, me solle atmosferen qe perconte Ardiani me pranine e tij… edhe shqipen e tij te mire… aq te bukur sa bente ta doje gjermanishten edhe pa e njohur.

  10. L. Itali says:

    Një homazh,për Ardianin i shkruar në kohë fituese për të paharruarin;kur koha e PLEHUT mbaroi!Emocionus,shkrimi!Përgëzime autores!

  11. hipnotizuesi says:

    melankoli emotive e bukurshkruar…Klosi e meriton kete tribut…thnx Blerta

  12. Genti says:

    Njerezit pas vdekjes behen te gjithe te famshem.
    Sic duket, ky ishte edhe fati i tij.
    Me mire lëreni rehat aty ku eshte.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje