Kinse kërcënim për de-shengenizimin e Ballkanit

23 Shtator 2013, 10:04Blog TEMA

Nga Arben Manaj

 

“Kërcen prifti nga belaja”, do të ishte një mënyrë tjetër e përcaktimit të asaj që ndodh në institucionet e BE-së, kur flasin dhe kërcojnë për rivendosje vizash për vendet e Ballkanit.

Ironia dhe fatkeqësia është se ata që duhet të kenë dhe t’u ofrohen më shumë mundësi dhe lehtësira për të përfituar dhe rikapur veten ekonomikisht, për ngushtuar dallimin në nivelin ekonomik dhe financiar me pjesën tjetër të kontinentit, janë pikërisht ata që demonizohen dhe kanosen, saktësisht

popujt e varfër të Ballkanit.

Ka një debat të pasinqertë në këto institucione politike të e Evropës, si Parlamenti Evropian, i cili realisht për nga numrat e evropianëve që marrin pjesë në zgjedhjet për këtë parlament,  është institucioni më i papërfaqësuar që mund të gjendet në Evropë, ku apatia është e pashmangshme dhe e painjorueshme, nisur nga shifrat e pjesëmarrjes në zgjedhjet për eurodeputet, që janë ndër më të ulëtat, për të mos thënë më të ulëtat në proceset elektorale.

Shkaku për probabilitetin e rivendosjes së regjimit të vizave po kërkohet në rastet e shtuara të azil-kërkimit nga shtetas të vendeve të Ballkanit në disa vende të BE-së.

Kjo qëndron, por çështja është më komplekse dhe shkaqet sa janë objektive, aq janë edhe burokratike dhe të lidhura me tregun e punës në vendet ankuese, që për dallim nga disa të tjera, aplikojnë standarde dhe procedura të tjera për çështjet e azilit dhe emigracionit.

Padyshim, siç tha edhe pro-shqiptarja dhe pro-ballkansja,  eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, Shqipëria duket se nuk rrezikon, edhe pse personalisht kam mendim se kjo nuk thuhet publikisht.

Nisur nga përvoja britanike, nga tërë vendet e Ballkanit që kanë lirinë e lëvizjes në bazë të marrëveshjes së Shengenit, shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës apo Maqedonisë, e ndonjë  tjetër, janë ndër ata që kërkojnë më së shumti azil dhe emigrojnë, të paktën në Britani, duke kërkuar azil ose si minorenë për gjakmarrje, apo homoseksualitet, apo për shfrytëzim prostitucioni të femrave.

Të paktën në Londër, edhe pse Anglia zyrtarisht nuk ankohet për azil-kërkuesit shqiptarë, shqiptarët e Shqipërisë apo Kosovës, janë ndër më të shumtit ballkanas që kërkojnë azil, aq sa ka shumë të tjerë që vijnë e rrinë në të zezë.

S’kam parë ose shumë pak, për të qenë brenda, ka serbë, malazezë, apo maqedonas që kërkojnë azil. E njëjta gjë vihet re edhe në Belgjikë, e cila e ka probleme dhe është më vokalja për këtë çështje.

Çuditërisht janë disa vende të BE-së, që aplikojnë standarde dhe  procedura krejt të ndryshme për azilin, krahasuar me vende të tjera si Greqia, Italia apo Spanja.

Zor se të pret dhe të pranon në këto vende kur kërkon azil, si në Angli, Belgjikë, apo Suedi, a thua se nuk janë pjesë e një familje politike dhe institucionale dhe aderojnë në të njëjtat traktate dhe marrëveshje ndërkombëtare për mbrojtjen ndërkombëtare dhe azilin politik.

Në këto shtete model, që i përmbahen me fanatizëm standardeve ndërkombëtare të trajtimit të azilit, ka fatura të mëdha financiare, që nisin nga punësimi i stafeve të stërmëdha të specializuara të emigracionit, e deri tek përfitimet që ofrohen për azil-kërkuesit e suksesshëm dhe mundësia e vendosjes përgjithmonë në këto vende.

Në kushtet kur këto rrethana të mësipërme shërbejnë si magnet për ata që e meritojnë dhe për më keq për atë që nuk e meritojnë të kërkojnë azil, dhe kjo për shkak të sistemeve kombëtare të azilit dhe emigracionit, nuk mendoj se moralisht është faji i atyre që kërkojnë të shfrytëzojnë këto oportunitete për një jetë më të sigurt dhe më të mirë.

Nëse sot ka njerëz që kërkojnë azil nga vendet e Ballkanit, pjesa dërmuese e tyre për mendimin tim profesional dhe nga përvoja direkte, them që ata nisen më shumë nga varfëria relative në vendet nga vijnë dhe lehtësirat në dispozicion që gjejnë në vendet destinacion ku mbërrijnë.

Nëse nuk do të ishin këto mundësi e nëse nuk do të priteshin dhe trajtoheshin me strehim përsa kohë u shqyrtohet kërkesa për azil, pavarësisht nga merita, përderisa trajtohen  financiarisht, me akses në shëndetësi dhe arsimim, apo edhe mundësi të tjera ilegale për punësim gjatë kohës së qëndrimit në këto vende, padyshim që nuk do kishte kaq shumë dyndje drejt tyre.

Askush nuk të pret në Greqi dhe Itali për kësi arsyesh, askund s’ke ku shkon të kërkosh azil për gjakmarrje në Greqi dhe të ofrojë shteti grek shtëpi e ndihma financiare, dhe kjo ka qenë kështu edhe përpara se të binin në krizë. E kështu me radhë në shumë vende të tjera.

Çështja është morale. A duhen ndëshkuar tërë ballkanasit se x ose ypsilon vend, ose aq ose kaq shtetas të atij apo këtij vendi abuzojnë me të drejtën e lëvizjes së lirë nëpër Evropë?

A duhet këto vende të BE-së të deformalizojnë azil-kërkimin si procedurë dhe e drejtë universal për mbrojtje ndërkombëtare?

Nëse jo, çështja është e thjeshtë; zbato ato rregulla që ke vendosur vetë dhe mbaj në punë tërë atë armatë të punësuarish në këtë sektor.

Çdo shtet i Ballkanit e ka të pamundur të kontrollojë dhe determinoje mënyrën e sjelljes së shtetasve të vetë në momentin që ata largohen nga vendet e tyre për në Evropë, e më pas, devijojnë drejt vendeve ku mund edhe të ofrohet mundësia e kërkimit të azilit.

Kur shumë pak shtete të këtij rajoni kanë ngelur pa marrë statusin e vendit kandidat, madje akoma më keq, kemi rastin e Kosovës që ende nuk ka mundësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të vetë, pavarësisht nga viktimizimi që kanë përjetuar nga luftërat e fundit ballkanike, dhe ky është një turp evropian, edhe pse qeveria e Kosovës do duhet t’i bëjë më mirë dhe shpejt detyrat e veta për plotësimin e kritereve dhe udhëzuesve të Brukselit, kinse kërcënimet për de-shengenizim të Ballkanit, duken më tepër si masa dëshpëruese sesa realizëm politik.

Edhe nëqoftëse do të ndodhte, që personalisht kam bindjen se s’ka për të ndodhur kurrë, ky do ishte dështim më shumë i Evropës dhe një shkelm më tepër ëndrrës evropiane të atyre që kanë më shumë nevojë se çdo komb apo rajon tjetër evropian, për të përfituar nga begatia e BE-së si entitet politiko-ekonomik, edhe pse nuk është në ditët e saj më të mira ekonomike.

Të gjithë ballkanasit, si popullsi janë numerikisht thuajse më pak se Rumania, vend tashmë në BE, dhe që përfiton jo më nga qarkullimi i lirë dhe pa viza, por nga janari do të ketë edhe të drejtën për të jetuar dhe punuar ligjërisht kudo nëpër Evropë.

Kjo pavarësisht se kriminaliteti dhe problemet nga shtetas

të këtij vendi, ashtu si edhe Bullgaria apo ndonjë shtet tjetër më në veri, janë shumë më të mëdha se të gjithë ballkanasit së bashku.

Në rast se nuk identifikohet dhe luftohet shkaku real se përse ballkanasit kërkojnë azil në vendet e tjera të BE-së, që janë më shumë shkaqe ekonomike dhe për shanse më të mëdha integrimi në tregjet e punësimit, për të kapur kohën e humbur për një mirëqenie standarde evropiane, sesa realisht arsye të mirëfillta dhe tipike të parashikuar ndërkombëtarisht si kritere për të kërkuar azil, do të rijetojmë përsëri situata të tilla kërcënuese e groteske.

Ndërkohë që marrëdhëniet mes institucioneve evropiane dhe vendeve të Ballkanit, do hyjnë në një rreth vicioz, ku të humbur në fund të fundit, do jenë ata që mendojnë se kanë në dorë të rikapin zogun, që u ka ikur njëherë nga dora e hapur.

6 komente në “Kinse kërcënim për de-shengenizimin e Ballkanit”

  1. Kinse says:

    E ca domethon “kinse”? Se po m’duket si pak kinezce kjo fjal. E kom pa tallje ksaj here.

  2. *-Realist-* says:

    Ballkani mbahet peng i K.E,per Turqine,dhe kjo loje do te vazhdoje per shume kohe,Nuk eshte problemi i perfaqesimit te shteteve Ballkanine ne Parlamentin EU,apo etj etj etj.
    Ballkani si Rumania,Bullgaria,Greqia,jane shtete konsumatore,ato konsumojne ato cka do EU,politikisht,ekonomikisht,ushtarakisht,Ballkani,eshte dhe do te kthehet nje periferi Europiane per te MAGAZINUAR,te gjitha produktet FALLCO te EU,jane shtete qe te gjitha te marra se bashku se kalojne 40 apo 70 mil banore,ne nje treg Europian me rreth 700 milione banore,pra as 5% !!!!
    Nuk mund te vazhdohet te behet propagande ligjore,dhe demonizimin e ballkanit si nje e keqe malinje.
    Nuk as mund te kerkohet qe EU,qe te thote ohh me falni se nuk e kuptuam,ajo eshte detyra JUAJ,si ANALISTE,qe te bashkepunoni me koleget tuaj ne PERENDIM,e te publikoni gjithcka rreth ketyra arsyeve,e jo duke ndejtur neper kolltuqe te rehatshme ne Londer,Stokholm,Berlin,apo Tirane……e duke bere llogje KAVAJE,e duke na treguar cfare na tha Fanjoni apo Merkeli,DETYRA JUAJ,eshte qe te mos na tregoni perralla ne diell,duke na perkthyer idete Fanjonane apo Merkeliane,por te Ngrini zerin tuaj,se bashku dhe me koleget tuaj ne Ballkan e Perendim.
    Dhe sa i perket Azilit te gjitha jane nje presion i kote,sepse ky presion nuk do te ekzistonte nqs do te kishim disa TANIA Fajone,Analiste dhe Politikane,sepse 90% e ketyre analisto politikane,vegjetojne mbi nje Injorance te pa shembullt,qe fatekesisht dominon Ballkanin.

  3. Kushua says:

    Shume dakort i nderuar zMane dhe ju lumte qe ngrini kete problem kaq problematik per momentin ne Ballkan. Ky eshte nje diskretitim i ri qe duan ti bejne vendeve te Ballkanit keta drejtues te BEse,perse keta drejtues po u shqetesokan nga vendet e Ballkanit,ne nje kohe kur emigracioni i pa ligjshem eshte ne shifra katastrofale nga vende te tjera si Siria,Somalia e vende te tjera. Apo e kane me te lehte te marin nje vendim te tille e thua se zgjidhin problemn e emigracionit. Keta burokrate te Europes duhet tu japin vendeve te Ballkanit sa me shpejto ekses per ne EU mbasi dhe problemet e emigracionit do te mbyllen automatikisht nga keto vende. Apo ju intereson ketyre burokrateve te EU te meren me vendet e Ballkanit se ndryshe do te ngelen pa pune e skane cte bejne.

  4. tanino says:

    jo me larg se disa dite me pare lexova per faktin qe refugjatet jo vetem nuk dergojne me para por qe kerkojne qe ketej te marin.kjo tregon qe eurodeputet jo vetem nuk regulluan vendet e tyre por i cuan ne nje te papare.dhe ti zoteri na kerkon per visat.kush e can koken more shok se mos jane aty per pune ata.ka ardhur koha qe te ngrini kete ceshtje si primare dhe jo te mereni me vogelsira.uroj qe te mos hyme kure ne euro dhe jam teresisht kundra kesaj gjeje

  5. Shpirti Trazuar says:

    Po t’a marresh e t’a studiosh holle-holle ceshtjen, dhe t’a trajtosh temen sipas konceptit dhe botekuptimit te nje te huaji, atehere ndoshta kujtdo do t’i lindte nje dyshim ne vetvete, per ate se sa me hak e meritojne popujt e ballkanit te drejten per te bashkejetuar ne nje komunitet me te kulturuar dhe me te civilizuar se ata. Mendoj se problemi kryesor i kesaj ceshtje nuk varet me teper ke ekonomia e nje niveli te dobet te ketyre vendeve, se sa tek menyra se si keta njerez e konceptojne bashkejetesen, tek menyra e te ndersjellurit, ke veset, zakonet, tek gatishmeria e tyre per te kontribuar pozitivisht ne nje shoqeri humane, te stabilizuar dhe pa konflikte te egra keqdashese mes komunitareve. Konflikte keto te nxitura shpesh nga urrejtjet qe kane patur dhe vazhdojne te kene mes tyre disa nga popujt e “fucise se barutit”, te cilat shprehen hapur edhe sot e kesaj dite me forma apo qendrime poshteruese, agresive e nacionaliste.

    Bota e civilizuar ka me teper nevoje per njerez te ndergjegjshem dhe te punes, dhe me pak per “agallare me shpirtra te trazuar”.

  6. aranit bregu says:

    O Beni, dil pak nga mentaliteti ballkanas i viktimizuar. Je zgjatur shume, deri nga mesi te ndoqa po s’po gjeja fillin e brenges tende, i paqarte.
    Europa edhe vendimet politike i merr ne baze statistikash ne keto kohe moderne. Nuk kane emocione apo mllefe mesjetare sic kemi ne ne ballkan.
    Ne shtepite e tyre le t’i vene rregullat si te duan, eshte e drejta e tyre.
    Neve na takon te civilizohemi e te behemi mysafire terheqes e te kerkuar nqs jemi te zote (opingat e sheros jemi, po nejse)

    Emigracioni pervec varferise, tregon mungese hapesirash dhe shtypje nga njeriu yt ne vendin tend. Dhe atje ku shkel i paftuar (qofte dhe nga halli), duhet thene faleminderit edhe per aq sa na e percaktojne ata afatin e vizites.
    Keshtu qe europianet jane te fundit ne radhen e atyre qe duhen kritikuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje