Edhe njerëzit e zakonshëm, do të preferonin shumë më tepër vendime e akte konkrete, sesa gjeste propagandistike, tek të cilat rendis edhe heqjen e gardhit modest të kryeministrisë. Shpresa dhe fryma pozitive ekziston, dhe qeveria duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë inerci
Nga Alqi Koçiko*
Ditët e para të aktivitetit të një qeverie të re, nuk do mend që janë në vëmendjen kureshtare të publikut. Në rastin e qeverisë Rama, kjo është akoma më shumë e vërtetë, për shkak të shumë arsyeve të njohura: Kureshtje për të parë dinamizmin e kabinetit të ri, lëvizjet dhe vendimet e para; për të ndjerë distancën ose afrinë e premtimeve të djeshme nga veprat e sotme; apo për të vënë re se si do funksionojë partneriteti sa strategjik, aq dhe delikat mes PS-së dhe LSI-së. Në fakt, fryma e re u ndje menjëherë; një marsh më shumë i dha asaj edhe turneu i ngjeshur europian i Edi Ramës, ku në takimet me aktorët kyçë të Brukselit u dha mesazhi se statusi i vendit kandidat është plotësisht i arritshëm në fund të vitit, me dy kushte: Kalimi nga fjalët tek veprat sa i përket antikorrupsionit, dhe dialog e bashkëpunim me opozitën. Me të drejtë, këto dy kushte u komentuan dhe si kontradiktore deri diku, pasi përveç luftës ndaj korrupsionit këtej e tutje, duhet edhe të ekspozosh korrupsionin e qeverisë së kaluar, dhe është pak si zor ta bësh këtë në frymë bashkëpunimi me opozitën. Gjithsesi, ky është filli i hollë mbi të cilin duhet të ecë Rama.
Por përveç turit dhe mesazheve të jashtme, qeveria mori disa vendime e paralelisht tyre, anëtarë të kabinetit nisën aktivitetin ministror, ku me shpallje masash, ku me takime apo dhe me gjeste mediatike. Pikërisht në këtë veprimtari, bie në sy një përzierje e aktiviteteve të fasadës dhe akteve konkrete. Për t’i marrë me rradhë, të fillojmë me Kodin e Etikës së Këshillit të Ministrave, një dokument që përveç një filli të qartë kujdesi për shpenzimet qeveritare (biletat dhe shpenzimet e udhëtimit për familjarët e ministrave etj), në pamje të parë do na e vështirësojë padyshim punën edhe ne njerëzve të medias. Prononcimet dhe intervistat e ministrave nuk do të jenë kaq të lirshme sa më parë, sepse do të filtrohen e miratohen nga zyra e komunikimit në kryeministri. Madje, gjasat janë që aktualiteti i një problematike të “digjet” apo “ftohet”, teksa gazetari pret të vijë leja për intervistë. Por më tepër se kaq, ky Kod tradhton një merak të kryeministrit, që ekipi i tij qeverisës të shfaqet i bashkuar, harmonik dhe në unison për të gjitha çështjet dhe vendimet; “sherret e shtëpisë” nuk dalin në pazar. Dhe ky merak është i kuptueshëm kur kemi parasysh se forca, e njëherësh thembra e Akilit të këtij kabineti, është aleanca PS-LSI.
Që LSI ka një spektër autonom veprimtarie edhe në kuadër të bashkëqeverisjes, këtë e dëshmon më së miri çështja e heqjes së portretit presidenciale nga zyrat e shtetit (do zëvendësohet nga Ismail Qemal Vlora) dhe qëndrimi “hibrid” i kryeparlamentarit Ilir Meta, i cili deklaroi se do t’i mbajë të dyja. E tepërt të themi se reagimi i PD-së ndaj këtij akti është hipokrit dhe dyfytyrësh: në pushtet, ishte kryeministri Berisha, ministrat dhe kryeparlamentarja ata që e fshinë nga pamja dhe nga kujtesa, portretin e presidentit Bamir Topi. Por kjo nuk na pengon të themi se ky vendim ishte i nxituar dhe i paarsyeshëm. Se kush është individi Bujar Nishani dhe si u zgjodh në krye të shtetit, nuk ka asnjë rëndësi. Madje unë mendoj se nuk duhet shtruar as çështja nëse ai përfaqëson ose jo realisht “unitetin e popullit”. Ai është presidenti, përfaqësuesi i institucionit më të lartë përfaqësues, dhe nëse Berisha u akuzua nga Rama edhe si dhunues institucionesh, vetë kryeministri nuk duhej të binte në të njëjtin gabim. Pavarësisht se ç’mendojmë sot e gjithë ditën për selinë e PD-së dhe ca vendime të tjera. Tek e fundit, kë takoi Rama menjëherë pasi fitoi zgjedhjet? Ky akt, tek e fundit, bie në diskordancë me porosinë për t’u lavdëruar (por ndërkaq, shumë normale për një vend perëndimor) të ministrit të Jashtëm, Bushati, që trupa diplomatike ta presë kreun e opozitës siç pret ministrat.
Ndërkaq, serioziteti në vendimmarrje, në jehonë të premtimeve gjatë opozitës, qeveria e tregoi në anullimin e importit të mbetjeve. Shpresëdhënës është premtimi solemn i Ramës për shlyerjen e borxhit gjigand ndaj biznesit privat. Po ashtu seriozitet dëshmon qëndrimi i ministrit të Brendshëm Tahiri, që “anulloi” çdo përplasje politike që mund të ketë pasur në opozitë me oficerët e policisë, duke kërkuar prej tyre vetëm performancë profesionale. Interesant është dhe kompozimi i stafit nga Erion Veliaj, por shumë e sforcuar ishte shfaqja e tij me fëmijën rom në spitalin publik. Po, sa u përket romëve, ministri fare mirë do ishte e udhës t’i bënte një ftesë publike (ose jo) kryetarit të bashkisë së Tiranës, për t’u ulur bashkë dhe zgjidhur çështjen e strehimit të romëve. Dhe është ende në kohë për ta bërë këtë.
Edhe njerëzit e zakonshëm, besoj unë, do të preferonin shumë më tepër vendime e akte konkrete, sesa gjeste propagandistike, tek të cilat rendis edhe heqjen e gardhit modest të kryeministrisë. Shpresa dhe fryma pozitive ekziston, dhe qeveria duhet ta shfrytëzojë maksimalisht këtë inerci, e madje ta ushqejë atë. Por jo duke hapur debate pa bukë për heqje e vënie portretesh.
*Revista KLAN
ore alqi po prisni ore ju te klanit se nje jave pune ka qeveria…apo ajo e sales bente namin???rrini ore rehat se boll ju duruam
Sikur te rekomandoje disa gjera qe jane ne varesi te te gjitha te tjerave, nuk di se si mund te rekomandosh dicka … avaresisht nga sistemi … shumica e komportimeve pergjithesisht jane edhe reflektive …. duhen patjeter aktet e rendesishem, por edhe te tjerat nuk jane pa rendesi … eshte e shkurter koha per te bere korigjime …
Heqja e gardhit ishte sa e nevojshme aq edhe simbolika e ndryshimit midis qeverisjes se re dhe asaj te vjeter. Qeverite duhet te jene prane popullit dhe te mos i ndajne gardhet, bodigardet dhe jeleket antiplumb. Qeverite jane per te degjuar hallet e popullit dhe punuar ne sherbim te tij. Jo te gjitha nevojat jane te mundeshme per t’u realizuar por te pakten duhet te degjohen. Heqja e gardhit eshte diferenca midis filozofise se RILINDJES dhe asaj te “bodigardizmit”. qeveria eshte ne rruge te mbare dhe duhet mbeshtetur e inkurajuar per t\a RILINDUR kete vend te pafat nga humnera ku e katandisi qeverisja e mepareshme.
O zoti gazetar. Pa diskutim qe njerezit presin veprat nga qeveria Rama. Por pasi ti vete ke renditur disa gjera te rendesishme qe Qeveria i beri ne nje jave (nderkohe qe gjithe qeverite e botes javen e pare vetem sa marrin ne dorezim punen), e mbyll me nje paragraf gazetarie joshnjore.
Pervec konfliktit logjik qe ka paragrafi i fundit me paraardhesit, ka edhe nje pohim te turpshem per nje gazetar qe predikon Shqiperine europiane.
Në barazimin e “heqjes se gardhit modest të kryeministrisë” me gjest propagande ti nuk paske kuptuar asgje nga fakti qe heqja e gardhit nuk eshte kozmetike (ne fakt edhe vetem per kozmetike te bulevardit ja vlente ta hiqje sa me pare), por eshte rrezimi i simbolit te bunkerizimit te shtetit per tu mbrojtur nga sovrani qe e ka zgjedhur.
Ne emer te atij gardi “modest” jane qelluar me arme zjarri rreth 30 persona qe as qe e preken me dore kete gardh.
Artikull i mire.Jo propagande por pune efektive presim nga qeveria e re.